Në kuadër të aktiviteteve kulturore e përkujtimore “Java e Dëshmorëve, në Gradish u shfaq premiera koreografike “Mbretëresha e Fundit”

Në kuadër të aktiviteteve kulturore e përkujtimore ,,JAVA E DËSHMORËVE”, mbrëmë në prani të artdashësve që mbushën amfiteatrin në kompleksin përkujtimor të dëshmorëve në Gradish, u dha shfaqja koreografike “MBRETËRESHA E FUNDIT”. Ishte një vepër artistike e veçantë, që përmes vallëzimit bashkëkohor dhe elementeve të folklorit tonë, solli figurën madhështore të mbretëreshës ilire, TEUTA.

Ishte një shfaqje ku trupi u kthye në gjuhë të heshtur dhe skena në një udhëtim emocional në kohë për të treguar historinë tonë të lashtë.

“MBRETËRESHA E FUNDIT”, nuk ishte vetëm një rrëfim për një figurë historike, por një kujtesë e fuqishme për qëndresën, identitetin dhe trashëgiminë tonë kulturore, ka shkruar në llogarin e tij në facebook, kryetari i Rahovecit, z. Smajl Latifi, i cili ka falënderuar koreografin Gëzim Sertollaj, udhëheqësin artistik Muharrem Morina, koordinatoren Blerta Hasani dhe të gjithë ata që kishin përgatitur këtë vepër artistike me vlerë!

Mirënjohje e vlerësim të veçantë për nxënësit e ShML “Xhelal Hajda-Toni”, për paraqitjen e shkëlqyer në skenë dhe për të gjithë që kontribuuan në realizimin e kësaj vepre artistike me përkushtim dhe me profesionalizëm!

Komuna e Rahovecit do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm iniciativat që nderojnë të kaluarën tonë, ruajnë, kultivojnë dhe promovojnë vlerat kombëtare, me theks të veçantë atyre që u japin hapësirë të rinjve tanë. Përgëzime për trupën artistike që na ngjalli emocione të forta me veprën koreografike ,,Mbretëresha e fundit”, ka shkruar kryetari Latifi.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Aliu mirëpriti në takim rektorin Bajraktari dhe studentet e Universitetit të Ferizajt

Kryetari i komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu ka mirëpritur në takim Rektorin dhe pesë …