Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ndodhet në një gjendje të rënduar për shkak të keqmenaxhimit të vazhdueshëm dhe mungesës së përgjegjshmërisë së menaxhmentit. Në këtë situatë të krijuar, në kuadër të bashkëpunimit ndërkomunal, komunat do t’i ndihmojnë njëra-tjetrës sipas nevojës së krijuar, ka shkruar në Facebook, kryetari i Prishtinës, z. Përparim Rama pas takimit të tij me kryetarët e komunave ku operon KRM “Pastrimi”.
Komuna e Prishtinës, në koordinim me komunat tjera aksionare, do të ndërmarrë veprime për të ndihmuar në stabilizimin e situatës në ndërmarrje, me synim që të mbrohet mirëqenia e punëtorëve, pagat dhe vendet e tyre të punës dhe të sigurohet funksionimi normal i ndërmarrjes.
Komunat do të angazhojnë operatorë privatë për të siguruar vazhdimësinë e mbledhjes së mbeturinave në territoret përkatëse, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe garantimin e një mjedisi të pastër.
Komunat kanë shprehur vullnetin e tyre të lirë për të inicuar mënjeherë procedurat e decentralizimit të ndërmarrjes, në përputhje me legjislacionin në fuqi, thuhet në postimin e kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama.