Në Komunën e Vitisë është mbajtur mbledhja e tretë e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), e udhëhequr nga zëvendëskryetari i komunës, Hasan Aliu, ku u diskutua për gjendjen e sigurisë, përgatitjet për sezonin veror dhe Plani i ri i veprimit i këtij mekanizmi.
Në hapje të mbledhjes u shqyrtua gjendja e përgjithshme e sigurisë në komunë. Komandanti i Stacionit Policor në Viti, kapiten Ruzhdi Abdullahu, theksoi se situata e sigurisë vazhdon të jetë e qetë dhe stabile, ndërsa prezantoi edhe statistikat e punës së Policisë së Kosovës për gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Ai bëri të ditur se policia mbetet e angazhuar në garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët, veçanërisht gjatë sezonit të verës, kur në Kosovë pritet ardhja e një numri të madh të bashkatdhetarëve.
Gjatë takimit u diskutua edhe për përgatitjet institucionale për pritjen e fluksit të mërgimtarëve, me theks të veçantë në koordinimin ndërinstitucional për ofrimin e shërbimeve sa më efikase dhe ruajtjen e një ambienti të sigurt gjatë muajve të verës.
Drejtoresha e Arsimit, Arta Ajeti, njoftoi anëtarët e KKSB-së lidhur me procesin e testit të arritshmërisë, duke bërë të ditur se ai është zhvilluar pa asnjë problem dhe në përputhje me të gjitha procedurat e parapara.
Në këtë mbledhje u prezantua edhe plani i veprimit i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Organizatës Edu Task, përfshirë Diana Lekajn, ndërsa planin e prezantoi eksperti i sigurisë, Arben Qirezi.
Sipas Qirezit, Plani i Veprimit është ndërtuar mbi shtatë prioritete kryesore, të cilat synojnë forcimin e sigurisë dhe bashkëpunimit në komunitet. Ai përfshin, ndër të tjera, rritjen e sigurisë në shkolla dhe mbështetjen e të rinjve, parandalimin e dhunës, parandalimin e kriminalitetit, promovimin e bashkëjetesës, si dhe aktivitete të tjera që synojnë ngritjen e sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve përmes bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përfshirjes së komunitetit.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, përshëndeti punimet e Këshillit, duke folur për rëndësinë që ka KKSB-ja në trajtimin e çështjeve që lidhen me sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Ai theksoi se ky mekanizëm ka një rol të rëndësishëm në bashkërendimin e veprimeve ndërmjet institucioneve lokale, Policisë së Kosovës dhe akterëve të tjerë, me qëllim të identifikimit dhe adresimit të sfidave të sigurisë në komunitet.
Kryetari Haliti shprehu mirënjohje të veçantë për organizatën Edu Task për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep këtij mekanizmi, duke vlerësuar punën profesionale dhe kontributin e saj në hartimin e Planit të Veprimit dhe në fuqizimin e rolit të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.
Në përfundim të mbledhjes, pjesëmarrësit u pajtuan të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet institucioneve lokale, Policisë së Kosovës dhe organizatave partnere, me qëllim ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe adresimin në kohë të sfidave që mund të paraqiten në komunitet.