Trajnim për trajtimin e rasteve të dhunës psikologjike

Në organizim të Zyrës për Barazi Gjinore të Komunës së Deçanit, u mbajt trajnimi me temën “Trajtimi i rasteve të dhunës psikologjike”, me pjesëmarrjen e anëtarëve të Mekanizmit Koordinues Kundër Dhunës në Familje, Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës me Bazë Gjinore në Komunën e Deçanit.

Trajnimi u ligjërua nga Sandra G. Zakowski, Ph.D., psikologe klinike e licencuar dhe profesoreshë e Psikologjisë Klinike në Illinois School of Professional Psychology në Chicago, e cila prezantoi qasje profesionale dhe praktika bashkëkohore për identifikimin, vlerësimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës psikologjike.

Përmes diskutimeve interaktive, analizës së rasteve praktike dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet pjesëmarrësve, u trajtuan sfidat dhe praktikat më të mira në adresimin e dhunës psikologjike. Me këtë rast, zyrtari i lartë për Buxhet, Agron Demukaj, theksoi rëndësinë e ngritjes së vazhdueshme të kapaciteteve profesionale dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, duke vlerësuar se trajnime të tilla janë thelbësore për ofrimin e mbrojtjes dhe mbështetjes sa më efektive për viktimat e dhunës.

Komuna e Deçanit shpreh mirënjohje të veçantë për Sandra G. Zakowski, Ph.D., për profesionalizmin, ekspertizën dhe kontributin e saj në realizimin e këtij trajnimi, si dhe falënderon të gjithë anëtarët e Mekanizmit Koordinues për pjesëmarrjen aktive dhe angazhimin e tyre në forcimin e mekanizmave institucionalë për parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore.

Bashkëpunimi, koordinimi dhe ngritja e vazhdueshme e kapaciteteve profesionale mbeten themeli i një sistemi mbrojtës që garanton siguri, dinjitet dhe mbështetje për çdo viktimë.

Kontrolloni gjithashtu

DKRS Ferizaj finalizon përgatitjet për manifestimin tradicional “Ditët e Mërgatës”

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) në Ferizaj ka finalizuar përgatitjet për organizimin e …