Miratohet rregullorja për kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka nënshkruar rregulloren e cila përcakton kriteret për kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve që u takojnë klubeve që janë anëtare të federatave kombëtare të njohura nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe të licencuara nga MKRS-ja. Në bazë të rregullores kategorizimi i sportistëve dhe trajnerëve do të bëhet në bazë të rezultatit të arritur në nivelin e garave, si Lojërat Olimpike, Kampionatet Botërore, Lojërat e Kampionatet Evropiane, Lojërat Mesdhetare dhe Kampionatet Ballkanike. Sportistët do të kategorizohen si Sportist i merituar; i klasit botëror dhe sportist i klasit ndërkombëtar. Bazuar në kategorinë që e gëzon sportisti në bazë të kategorizimit, të njëjtën kategori në emërtim e gëzon edhe trajneri personal i sportistit të kategorizuar.  Sportistët dhe trajnerët e kategorizuar të drejtat e tyre në shërbime dhe në vlerë financiare i gëzojnë në bazë të pikëve të fituara. Pikët përcaktohen në bazë të nivelit të garave dhe medaljeve që do të fitojnë sportistët, dhe 50% e pikëve të tyre do t’u takojnë trajnerëve. Vlerën financiare të pikës do ta përcaktojë me një vendim të veçantë ministri, për çdo vit kalendarik. Ministri Shala u shpreh se përmes këtij akti normativ përcaktohet trajtim më i drejtë i sportistëve në bazë të punës dhe rezultateve që tregojnë sportistët dhe trajnerët e tyre. Në anën tjetër, do të jetë edhe një nxitje për sportistët që të korrin rezultate më të mira dhe cilësia e sportit të rritet në përgjithësi në vendin tonë.

Kontrolloni gjithashtu

Së shpejti në Prishtinë do të realizohet një mozaik kushtuar Nënë Terezës

Së shpejti në Kryeqytet do të realizohet një mozaik kushtuar Nënë Terezës, një vepër artistike …