Agim Aliu, kryetari i Ferizajt nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka konfirmuar rikandiimin për kryetar të Ferizajt.
Ai përmes një positmi në Facebook të enjten ka shkruar se përgjigjja e tij është Po rikandidimit, për të mirën e Ferizajt.
Ai ka thënë se i kanë dhënë Ferizajt atë që i takonte prej kohësh.
Postimi i kryetarit Aliu në Facebook:
Ferizajasit e mi të dashur, PO është gjithmonë përgjigja ime për ju, për ma të mirin Ferizaj!
Pak më shumë se 100 ditë na ndajnë nga zgjedhjet lokale 2025. Përgjatë viteve të bashkëqeverisjes me ju, i dhamë Ferizajt atë që i takonte prej kohësh, atë që meriton çdo ferizajas, atë që ju i falët besimin e plotë e të palëkundur për ta bërë realitet atë që breza para nesh ëndërruan. Ne ecëm bashkë, ne bashkë e bëmë Ferizajn shembullin më kuptimplotë, kampion në çdo fushë të jetës, e ngjitëm në majën ku përket Ferizaj ynë.
Ju më dhatë më të shtrenjtën e më të çmueshmen tuajën – besimin tuaj, duke më veshur me nderin e jashtëzakonshëm, privilegjin e papërsëritshëm, përgjegjësinë më krenare, t’ju shërbej ju, në çdo ditë të punës sime.
Po, unë dhe ekipi im, jemi në punë, jemi çdo ditë me ju, bashkë ndajmë sukseset e sfidat, pa e ndalur asnjëherë hapin tonë për ta bërë gjithnjë më të mirën.