Të dashur bashkëqytetarë !
Nesër hapim fushatën zgjedhore për zgjedhjet komunale, një rrugëtim i ri dhe jetik për Junikun tonë. Kjo është mundësia që bashkë të hapim një faqe të re në historinë e qytetit tonë.
Aleanca nuk e sheh këtë fushatë si luftë mes njerëzve, por si garë idesh dhe programesh, të mbështetur mbi vlera demokratike, qetësi e kulturë. Është një fushatë e ndërtuar mbi program e vizion, e cila nuk matet me zhurmën e shpifjeve, por me thellësinë e angazhimit.
Kjo fushatë do të udhëhiqet nga dashuria për Junikun dhe përgjegjësia për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Jam i lumtur që sot, pas tre mandateve si kryetar, dal para jush ballëhapur e krenar për punën që kemi bërë së bashku, për projektet e mëdha që kanë ndryshuar fytyrën e Junikut, dhe për faktin që tre herë radhazi kemi renditur komunën tonë në vendin e parë, si komuna më e mirë në nivel vendi !
Me sinqeritet të plotë e zemër të hapur, sot ju jap një premtim të qartë: kjo fushatë do të jetë e pasur me një program të fortë zgjedhor dhe me vizion të qartë për të ardhmen tonë të përbashkët, një të ardhme të qetë, të dinjitetshme dhe të sigurt.
Do të flasim për çështjet që prekin përditshmërinë e secilit prej jush, për punësimin, infrastrukturën, shërbimet publike, shëndetin, arsimin e fëmijëve tanë, sportin, kulturën, mjedisin dhe sigurinë e çdo familjeje.
Do t’i japim zë arsyes, jo përçarjes, vlerës e jo poshtërimit. Sot mund të jemi kundërshtarë politikë, kjo është normale, por nesër përsëri do të mbetemi fqinj, kolegë, miq dhe bashkëpunëtorë për të mirën e përbashkët. Një betejë politike nuk duhet të shndërrohet kurrë në ndarje të përhershme të shpirtit liridashës dhe paqësor të Junikasve.
Prandaj ju ftoj ta ndërtojmë këtë fushatë me respekt, etikë njerëzore dhe dinjitet.
Le të prezantojmë vlerat humane, profesionale, kombëtare dhe fisnike. Le ta dëgjojmë njëri-tjetrin me përulësi, e të gjykojmë me fakte, jo me paragjykime.
Bashkohuni me ne në këtë rrugëtim shprese e drite, ku zhvillimi i qëndrueshëm dhe mirëqenia e secilit qytetar janë qëllimi ynë i përbashkët, sepse fitorja e Junikut është fitorja e çdo familjeje, e çdo qytetari, e së ardhmes sonë.
Zëri juaj ka fuqinë të vendosë për drejtimin që do të marrim. Le ta ndërtojmë së bashku një Junik edhe më të fortë, më modern dhe më të bashkuar!
Bashkë për Junikun tonë, me zemër, dashuri, dinjitet dhe vizion!