FSK dhe Garda e Ajovës thellojnë partneritetin strategjik

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në një takim të veçantë rreshter-majorin komandues të Garda Nacionale e Ajovës, Matthew T. Strasser, ku u konfirmua niveli i lartë i bashkëpunimit ndërmjet dy forcave. Gjatë këtij takimi, u theksua partneriteti i qëndrueshëm dhe efektiv, me fokus të veçantë në zhvillimin profesional dhe avancimin e trupës së nënoficerëve, një komponent kyç në ndërtimin e kapaciteteve moderne të FSK-së. Gjeneral Jashari vlerësoi lart kontributin e partnerëve amerikanë, në veçanti të Gardës Nacionale të Ajovës, për mbështetjen e vazhdueshme në ngritjen e standardeve profesionale dhe forcimin e strukturave të brendshme të FSK-së. Nga ana tjetër, rreshter-majori Strasser përgëzoi lidershipin e gjeneral Jasharit dhe përkushtimin institucional për zhvillimin e karrierës ushtarake, duke nënvizuar rolin thelbësor të nënoficerëve si shtylla kryesore e funksionimit dhe suksesit të forcave të armatosura. Në shenjë mirënjohjeje për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, gjeneral Jashari e dekoroi Strasser me medaljen “Shërbim Vetëmohues”, duke rikonfirmuar miqësinë dhe partneritetin e fortë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

 

Kontrolloni gjithashtu

Endrit Thaçi në mbështetje të Bedri Hamzës: Kosovës i duhet ndryshimi, votoni 125

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij …