Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – Shtator

Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – Shtator

Më 1 shtator të vitit 1888 lindi në Prishtinë, Ahmet Gashi, gjeograf dhe historian shqiptar, “Mësues i Popullit”, profesor, autor tekstesh shkollore dhe veprimtarish të tjera arsimore e pedagogjike. Mësimet e para i mori në vendlindje në gjuhën turke. Studioi në Universitetin e Stambollit ku u diplomua për histori e gjeografi. Më 1912 së bashku me nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës, u përfshi në një lëvizje çlirimtare. Shkoi në Selanik, pastaj në Vlorë për t’u bashkuar me Isa Boletinin dhe shqiptarët e tjerë që kishin vajtur nga Kosova. Ahmet Gashi që në vitin 1908 jepte fshehurazi gjuhën shqipe në shkollat e Prishtinës. Më vonë punoi mësues, në Normalen e Elbasanit, ku më pas u zgjodh edhe drejtor i saj. Më 1933 transferohet në Institutin e Vajzave ” Nëna Mbretëreshë” në Tiranë. Gjatë viteve 1943–1944 qe drejtor i fundit i Gjimnazit “ Sami Frashri” të Prishtinës. Është autor i shumë teksteve mësimore të gjeografisë e të historisë së parë të Shqipërisë, i hartës së Shqipërisë së vërtetë e i një tok hartave të tjera tematike-historike për lëvizjet shqiptare kombëtare. Pushteti komunist i pas Luftës së Dytë Botërore e caktoi mësues në një shkollë shtatëvjeçare. Ishte anëtar nderi i Shoqatës Kombëtare Gjeografike të Amerikës më 1936. Vdiq në Tiranë, në vitin  1977.

 Më 1 shtator të vitit 1916, u formua në Shkodër, Komisia letrare. Komisia ishte një këshill i formuar nga intelektualët më në zë të kohës mbi çështjen e gjuhës shqipe, ndër këtë elitë merrnin pjesë edhe albanologë të huaj. Puna përgatitore kishte filluar edhe më parë pasi nuk kërkohej vetëm dëshira e mirë e secilit prej pjesëtarëve të saj, por edhe miratimi i komandës ushtarake austriake. Vendimi për miratimin e Komisisë ishte marrë më 30 qershor të vitit 1916.

Më 1 shtator të vitit 1928 Asambleja Kushtetuese e shpalli Shqipërinë, Mbretëri dhe Ahmet Zogun, mbret të shqiptarëve, ndërkohë që miratoi edhe Statusin e Mbretërisë.

Më 1 shtator të vitit 1998 kanë rënë dëshmorët e UÇK-s, Agim Shala dhe Samidin Emini

  

Më 2 shtator të vitit 1892  lindi, Llazër Shantoja, klerik, shkrimtar përkthyes. Ishte pjesëtar i një familjeje tradicionalisht të shquar për patriotizëm, intelektualizëm dhe kontribut në fushën e albanologjisë. Nacionalist e demokrat, orator, poet lirik, eseist, përkthyes, i mbiquajtur “famullitari i pianofortit”, Shantoja do kujtohet sidomos si përkthyesi i veprave të mëdha të Gëtes, Shilerit dhe Hajnes. Shkrimet e tij  mbetën të shpërndara ndër gazeta e revista, por më vonë  u përmblodhën e u botuan në 2005 nën kujdesin e botimeve françeskane në “Vepra, Lazër Shantoja”.

Më 2 shtator të vitit 1957 u themelua Universiteti Shtetëror i Tiranës. Krijimi i universitetit erdhi si rezultat i bashkimit të instituteve si: Instituti Pedagogjik, Instituti Politeknik, Instituti i Larte Ekonomik dhe Instituti i Larte i Mjekësisë duke formuar Universitetin Shtetëror të Tiranës. Në fillim i formuar nga dhjetë fakultete, ky Universitet u nda në vitin 1991 kur fakultetet e inxhinierisë u grupuan në Universitetin Politeknik, duke lënë Universitetin e Tiranës me shtatë fakultete të cilat mbulojnë shkencat humane, ekonomike dhe natyrore. UT është universiteti më i madh dhe më i lartë në Shqipëri. Ai përfshin 6 fakultete, 50 departamente akademike, dhe 41 programe studimi. Shumica e programeve janë të ofruara në Tiranë, disa kampuse më të vogla lidhura me ta janë të vendosura në qytete të tjera të Shqipërisë, duke përfshirë Sarandën në jug dhe Kukësin në veri. Sot, Universiteti i Tiranës është universiteti më i madh publik në vend. Ai është zgjedhja e parë për maturantët e shkollave të mesme. Në Universitetin e Tiranës studiojnë rreth 40 mijë studentë në të tre ciklet e studimit në sistemin me kohë të plotë dhe atë të pjesshme.

Më 2 shtator të vitit 1958 u lind Teodor Keko,  shkrimtar shqiptar. U  lind në Tiranë. Prindërit e tij ishin regjisorët e kinematografisë Endri dhe Xhanfize Keko. Ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Në fillimet e tij punoi si gazetar në gazetën letrare “Drita”, dhe në gazetën e përditshme “Koha jonë”, më vonë ka punuar në gazetën “Aleanca” si redaktor. Për një periudhë kohe mbahet mend si pjesëtar i parlamentit shqiptar. Teodor Keko ka filluar publikimet e tij në vitin 1980 dhe është autor i 15 volumeve në: poezi, dramë, novelë si dhe veçanërisht i historive të shkurtra. Vdiq ne selanik ne duart e mikut te tij, Stilian Buxheku. Ai vdiq më 20 gushtit te vitit 2002.

Më 3 shtator të vitit 1878 forcat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të udhëhequra nga Sylejman Vokshi,  vranë në Gjakovë mareshalin turk, Mehmet Ali Pashë Magjari, në kullat e Abdullah Pashë Drenit. Gjatë përleshjeve disa ditore janë vrarë rreth 400 kryengritës shqiptarë dhe 92 ushtarë të Perandorisë turke. Mareshali turk kishte shkuar në Gjakovë me qëllim për t’ i bindur shqiptarët t’i lëshonin Malit të Zi Plavën Gucinë, Ulqinin e toka të tjera, sipas vendimeve të Konferencës së Berlinit të qershorit të vitit 1878, ku ishte injoruar ekzistenca e Shqipërisë, ndërsa emri i saj ishte cilësuar vetëm si shprehje gjeografike. Turqia, pas humbjes në Plevne në vitin 1877,   me qëllim që të ruante territoret e tjera të Perandorisë kishte nënshkruar Traktatin e Berlinit në dëm të tokave shqiptare.

Më 3 shtator 1987 është vrarë Aziz Kelemdi.  Ai kishte lindur në fshatin Karaçicë të  Drenicës. Ishte vrarë në dalje të Kazermës së Paraçinit, në Serbi më 3 shtator të vitit 1987, pasi paraprakisht dyshohej se kishte vrarë katër  ushtarë jugosllavë.  Kjo vrasje mbeti enigmatike për faktin se u krijuan dy versione krejtësisht të kundërta. Versioni zyrtar i eprorëve të Armatës së Jugosllave, i politikës zyrtare  dhe i komunistëve të Kosovës, deklaronte se i riu Aziz Kemendi ishte i indoktrinuar me nacionalizëm dhe irredentizëm shqiptar dhe  kishte vrarë katër ushtarë jugosllavë e pak më vonë e kishte vrarë edhe vetën. Versioni tjetër i përfolur në Kosovë, që i shkonte përshtati politikës durimtare pacifiste, kishte projektuar versionin se Shërbimi  Sekret Serb  brenda Ushtrisë së Jugosllavisë kishte vrarë vetë katër ushtarët, duke përzgjedhur në mesin e tyre një serb, një kroat një boshnjak dhe një tjetër, me qëllim për të t’ia adresuar ushtarit Aziz Kelmendi, të cilin e kishin zgjedhur se qengj të flijimit.  Armata jugosllave asokohe dënoi me burg të rëndë shtatë nga shokët e tij,  prej 3 deri në 20 vjet burg, të akuzuar se kishin ditur se Aziz Kelmendi po projektonte vrasjen e ushtarëve.  Fushata kundër Aziz Kelmendit, familjes dhe të njohurve të tij ishte fushatë e egër me shpifje, izolim të familjes, madje edhe me shkrime  të ulëta e fyese.

 Më 3 shtator të vitit  1998 në frontet e luftës së UÇK-së kanë rënë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës:  Esat Kastrati, Mazllum Kastrati dhe Xhafer Vehapi.

 

Më 4 shtator të vitit 1885 lindi, Vinçenc Prenushi, klerik, publicist, poet, mbledhës i folklorit dhe përkthyes. Lindi në një familje modeste, në Lagjen Rus. Prindërit e tij ishin Gjon e Drande Prenushi. Është pagëzuar me emnin Kolë. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe i vazhdoi në seminarin e njohur të Troshanit, Më 25 mars 1908, shugurohet meshtar i Urdhrit Françeskan duke marrë dhe emrin Át Vinçenc. Shkollën për teologji e filozofi e kreu në Tirol të Austrisë. U bë njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe kulturave evropiane, sidomos asaj gjermane. “Kangët” e Prennushit u bënë themeli mbi të cilin më vonë do të ngrihej vepra monumentale kombëtare; “Visaret e Kombit”. Në vitin 1921, në moshën 36 vjeçare, boton përmbledhjen e njohur poetike: “Gjeth’ e Lule”. Ai ishte penë letrare dhe shkencore ndër fletoret më në zë  të klerit, ishte një drejtues i “Hyllit të Dritës”, ”Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, “Zani i Shna Ndout” por, ai ishte edhe një ndër thëmeluesit e bashkëpunëtorët e grupit ma me rëndësi të Opozitës Shqiptare, që në vitin 1923–24 formuan edhe fletoren e tyre “Ora e Maleve”. Vdiq në burgun e Durrësit, 19 mars  të vitit 1949.

Më  4 shtator të vitit  2010, vdiq shkrimtari shqiptar, Jamarbër Marko. U lind në Tiranë në vitin 1951 në familjen e artistëve Petro e Safo Marko. Përfundoi studimet për gazetari në vitin 1974. Në dhjetor të vitit 1975 u dënua me shtatë vjet burg. E kreu një pjesë të dënimit në burgun e Spaçit të cilin e la me kusht në vitin 1978. Jamarbër Marko është autor i dy botimeve në poezi: „Rastësisht me dashje“, botimi i parë, Tiranë 1995, dhe „Pro Nobis“, Tiranë 2001. Ai vdiq me 4 shtator 2010 dhe la pas shumë dorëshkrime të pabotuara.

Më 4 shtator të vitit 1998 kanë rënë duke luftuar për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe  Arben Bytyçi dhe Mark Sopjani

Më 5 shtator të vitit 1933, vdiq Milo Duçi, atdhetar i njohur, shkrimtar, dramaturg e publicist. Milo Duçi lindi në vitin 1870 në Korçë.  Ishte edhe pjesëmarrës i lëvizjes kombëtare të shqiptarëve të Egjiptit. Ishte ndër organizatorët e shoqërisë “Vëllazëria”, themeloi dhe drejtoi disa organe si: Revistat “Toska” (1901-02), “Besa-Besë” (1904-05), gazetat “Shqipëria” (1907) dhe “Bisedimet” (1925-26). Shkroi artikuj për çështje të gjuhës letrare të përbashkët dhe të zhvillimit të kulturës dhe letërsisë shqiptare si dhe disa pjesë komike (“E Thëna”, “Gjaku” etj.) Boti tregime e poezi të shpërndara në shtypin e kohës.

Më 5 shtator të viti 1963, vdiq në Tiranë, Josif Pashko. U lind në Vodicë të Kolonjës, më 25 maj të viti 1918. Ishte   i biri i Pais Vodicës. Kreu Normalen e Elbasanit. Në kujtimet e ish-ministrit Pandi Kristo përmendet si anëtar i bërthamës së Grupit të Korçës në Ersekë në vitet ’30. Më 1938 – 1941 punoi si mësues në Rehovë dhe Starje në krahinën e vendlindjes.  U arrestua në gusht të 1941, por u lirua për mungesë provash.

Qe komisar politik i batalionit “Hakmarrja”, më pas zëvendës-komisar i Brigadës së katërt dhe shef politik i Divizionit. Punoi në strukturat e larta të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit.  Më 1950 – 1951 u caktua zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Më 1952 – 1953 qe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Më 1951 deri më 1952 qe ministër i Kontrollit të Shtetit, më 1952 – 1954 sekretar i Komitetit Qendror të PP-së. Më 1954 – 1956 pati portofolin e ministrit të Ndërtimit dhe Komunikacionit dhe më 1956 atë të ministrit të ndërtimit deri kur vdiq më 1963.

5 shtator të vitit  1998 ka rënë duke luftuar kundër forcave okupatore serbe, luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  Afrim Bajraktari

Më 6 shtator të vitit 1970, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore i Shqipërisë mori çmimin, “Gjerdani i Artë” dhe u shpall fitues i vitit 1970, në Festivalin ndërkombëtar të Dizhonit,  në Francë.

Më 6 shtator të vitit 2017 ka vdekur profesor doktor, Muhamet Tërnava, historian, i burgosur politik i viteve 80, profesor i anatemuar në kohën e regjimit jugosllav. U lind në vitin 1947 në fshatin Lismir. Ishte djali i mulla Ademit hoxhë i njohur,  atdhetar. Muhamet Tërnava ka kryer fakultetin e Historisë, në Prishtinë. Ka magjistruar në Zarë, ndërsa ka doktoruar në Zagreb të Kroacisë, meqë në Prishtinë dhe në Beograd nuk ishte pranuar zbulimi i tij shkencor lidhur me popullsinë shqiptare të Kosovës në shekujt 14-16-të. Ai me punën studimore  dhe njohuritë e thella prej shkencëtari arriti t’i thyejë tezat e akademikëve serbë rreth përkatësisë  popullsisë së Kosovës gjatë periudhës mesjetare. Vepra shkencore e Profesor Tërnavës “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI” e botuar në Prishtinë në vitin 1996,  mbetet bazament i fortë i argumentimit të vazhdimësisë së popullimit të territorit të Kosovës me popullsi shqiptare gjatë gjithë periudhës mesjetare. Në vitin 1981 u burgos për shkak të lidhjeve që kishte mbajtur me Jusuf Gërvallën dhe për   shkak të zbulimeve të tij shkencore. Gjatë vuajtjes së dënimit, në Burgun e Prishtinës inspektorët serbë e kishin goditur, me qëllim për ta paaftësuar për jetë. Pas luftës për disa vjet ka ligjëruar historinë e Mesjetës në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Pas lirimit nga burgu në vitin 1983 gjatë tërë jetës pati  probleme  të rënda shëndetësore.

Më 6 shtator të viti 2012, në Prishtinë, në moshën 87 vjeçare ndërroi jetë veterani i arsimit shqip, Qerim Qerimi nga Presheva. U lind në Preshevë më 1925. Shkollën fillore e kreu në gjuhën serbe, mësimet fetare i vijoi në Medresen e Preshevës. Normalen dhe Akademinë pedagogjike-degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, pa shkëputje nga puna, i kreu në Shkup. Punën edukative-arsimore e filloi në vitin shkollor 1950-1951 në Gerajt. Punoi edhe në Lluçan të Bujanocit, në Norçë, Preshevë dhe në Gjimnazin “Skënderbeu” të Preshevës, ku u vlerësua lartë kontributi i tij edukativo-arsimor. U pensionua më 1986. Në shkollën fillore të Preshevës qe ndihmësdrejtor dhe drejtor shkolle. Ai  i takon familjes intelektuale Qerimi nga Presheva.

Më 6 shtator të vitit 1998 kanë rënë heroikisht në luftë kundër forcave serbe, luftëtarët e përkushtuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës:  Shani Hoti dhe Fehmi Berisha.

Më 7 shtator të vitit 1457 u zhvillua “Beteja e Albulenës”, në afërsi të Laçit. Beteja e Albulenës, u zhvillua prej 2 deri më 7 shtator të  1457 midis forcave shqiptare te drejtuara nga Skënderbeu dhe një force ekspedite te forcave te perandorisë osmane. Ajo ishte një ndër fitoret më të rëndësishme të Skënderbeut kundër osmanëve në fushë të hapur. Ushtria osmane kishte përafërsisht 80.000 ushtarë, edhe pse është vënë në dyshim që të kenë qenë më shumë se 40.000 në fushëbetejë, pasi që mijëra ushtarë kanë qenë të shpërndarë në vise të ndryshme të vendit. Forcat shqiptare që numëronin rreth 20 mijë vetë u përballën me ato osmane në fushën e Ujëbardhës në mes të Krujës dhe Lezhës dhe fituan betejën, e cila shërbeu për konsolidimin dhe përparimin e  më tejmë të forcave shqiptare të Skënderbeut

Më 7 shtator të vitit 1819 u lind Françesko Anton Santori. Ai u lind  në Piçilia të Kozencës, në Itali. Në moshe të re filloi te merret me mësim për murg. Në moshën 16 vjeçare në vitin 1842 hyri në Manastirin Françeskan. Në vitin 1885 u emërua  prift ne famullinë e Shën Mjakut ku edhe vdiq në shtator të vitit 1894. Ndonëse pjesën më të madhe e kaloi si murg, ai mori pjese edhe në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Shqipëri. Santori është autor i një numër të madh poezish, pjese teatrale, tregime, novela. Shumë komedi të shkruara nga Santori nuk u botuan asnjëherë pasi disa nga ato mbeten edhe të papërfunduara por me dy romane dhe gjashtë novela Santori arriti të bëhej shumë i njohur. Subjektet e novelave janë jo të papritura të jetës së përditshme. Santori përshtati rreth 112 fabula të Ezopit si dhe shkroi rreth 1845 vargje satirike të cilat kanë dalë në dritë në kohët e fundit. Santori është autor edhe i një gramatike të shqipes e shkruar në vargje, gjithashtu është edhe hartuesi i një fjalori të Shqipes.

Më 7 shtator 1910, lindi Aleks Buda. Mësimet e para,  i nisi kur ishte 7 vjeç në shkollën fillore të qytetit të lindjes. Pa kryer klasën e dytë i vijoi studimet në Leçe të Italisë. Më 1920 bashkë me dy vëllezërit e tij shkon me studime në Austri. Atje plotësoi filloren dhe kreu më 1929 gjimnazin në Salzburg. Më tej ndoqi studimet në Universitetin e Vienës, në Institutin Ballkanistik, në vitet 1930 – 1935 ku mori mësime nga profesorë të njohur, si Karl Paç, Reiniger dhe Norbert Jokl. Gjatë kësaj periudhe u aktivizua në Shoqëninë e studentëve shqiptarë Albania të Vjenës, së bashku me Lasgush Poradecin, Skënder Luarasin, Eqrem Çabejn, Krist Malokun, Qemal Butkën etj., duke qenë edhe bashkëpunëtor i revistës “Dialëria” të kësaj shoqërie. Në vitin 1938 u kthye në Shqipëri. Punoi së pari, si arsimtar në Gjimnazin e Tiranës.  U lidh me lëvizjen Nacional-Çlirimtare dhe më 1944 zgjidhet nënkryetar i Këshillit antifashist  të qarkut të Elbasanit. Në vitin 1955 u bë njëri nga organizatorët dhe studiuesit më me përvojë të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë, i sapokrijuar. Me krijimin e Universitetit të Tiranës më 1957, A. Buda do të ishte një nga themeluesit e katedrës së historisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë në këtë universitet. Aleks Buda vdiq pas një sëmundjeje të rëndë, në Tiranë, më 7 korrik 1993.

Më 8 shtator të vitit 1913 lindi në Selanik, Filip Mazreku. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Shkodër, kurse studimet e larta në Fakultetin e Teologjisë në në Itali në vitin 1934. Më 7 shtator 1928 veshi petkun e Shën Françeskut. Kushtet e para i kreu më 8 shtator 1929, kurse Kushtet e Përjetshme më 8 shtator 1934. Dy vjet më vonë, më 13 shtator 1936, u shugurua meshtar. Gjatë viteve 1937-1946 është profesor i muzikës në liceun “Illyricum”, drejtues i korit dhe profesor i gjuhës italiane. Pas mbylljes së liceut, dërgohet famullitar në Bushnesh të Pukës, pastaj në Iballë e në fund në Bajzë të Shkodrës, ku dhe u arrestua më 1946. Bën 10 vjet burg në Shkodër e Burrel. Mes viteve 1952-1955, është rektor i kishës së Shën Ndout në Tiranë. Nga 1955-a deri më 1961 shërbeu si famullitar në Laç, ndërsa nga viti 1961 deri më 1967 si famullitar në Troshan të Lezhës. Vdiq më 11 nëntor 1975, në Troshan të Lezhës.

Më 8 shtator të vitit 1943 kishte  kapitulluar zyrtarisht  Italia fashiste, njëra nga tri shtetet e mëdha fashiste të botës pas Gjermanisë dhe Japonisë. Itali më 6 prill të vitit 1939 kishte pushtuar Shqipërinë me ç’ rast edhe kishte filluar lufta e armatosur e forcave shqiptare kundër pushtimit të huaj. Në verë të vitit 1941 forcat italo-shqiptare kishin hyrë në Kosovë dhe në viset shqiptare të okupuara nga Jugosllavia e Greqia dhe për katër vjet, viset shqiptare kihsin qenë në protektoratin italo-gjerman.

Më  8 shtator të vitit 1998  kishte rënë në luftime kundër focave serbe, luftëtari i UÇK-së, Driton Zeneli. Pas ofensivës së gushtit, në fillim të shtatorit të vitit 1998, forcat serboçetnike ndërmorën edhe një tjetër ofensivë të ashpër kundër Shqiponjës. Pas disa ditë luftimesh, të përcjella me një rezistencë e qëndresë heroike të luftëtarëve të lirisë, më 8 shtator të atij viti të zjarrtë për Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit, në pikën “Shqiponja” të Shqiponjës së Zenelëve, Brahimajve e Hoxhajve, u përjetësua Dritan Zeneli – Fatoni, atëherë kur rezistuan edhe Mustafë Abazi, dëshmor i kombit dhe Sadri Hoxha.

Më 9 shtator të vitit 1945 në rrethinat e Shkodrës  dhe të Postribës kishte shpërthyer një kryengritje e forcave nacionaliste shqiptare, kryesisht të Ballit Kombëtar kundër pushtetit komunist, i cili kishte filluar të instalohej në tërë Shqipërinë. Forcat antikomuniste përsuan disfatë në terren dhe u vranë shumë prej tyre. Disa nga ata kishin çarë rrethimin dhe kishin ikur nga vendi. Përpjekjet për rrëzimin e Qeverisë në Shqipëri nuk kishin rreshtu për shumë vjet, por pa asnjë sukses. Në përpjekje të tilla sidomos në vitet 50 dhe 60 janë vrarë qindra shqiptarë, diverzantë të cilin kishin hyrë tinës nga Greqia, Jugosllavia, Italia, e shpeshherë edhe ishin lëshuar  nëpër male  parashuta të aeroplanëve të shteteve perëndimore.

 Më 9 shtator të vitit 1944 kur kishte kapitulluar Bullgaria fashiste, Kosovs në Lindje u shpall zonë e lirë. Aso kohe nënprefekti i Gjilanit Hamit Kroi, me direktivën e Qeverisë së Tiranës ftoi në mbledhje në Gjilan parinë e këtyre viseve që deri atëherë ishin në okupimin bullgar dhe disa kryetarë e sekretarë të komunave tjera të këtij rajoni. Në atë mbledhje ishin të pranishëm: Liman Staneci e Ali Staneci, të dy nga Staneci i Karadakut, Adem Stançiqi nga Stançiqi, prof. Ibrahim Kelemndi nga Presheva, Sylë Hotla nga Hotla e Kumanovës, Fazli Seferi nga Seferi i Karadakut, Hajriz Kajolli nga Gjelekreshta, Xhemë Rexhepi nga Mogilla e Vitisë, Hasan Kabashi nga Begunca, Ramiz Cërnica, kryetar komune në Partesh, Ramiz Begunca nga Begunca, Mustrafë Uka nga Lubishta e të tjerë. Në atë mbledhje u vendos që Muharrem Fejza dhe Ismail Hoxha ta organizojnë pushtetin dhe administratën shqipe në komunë, ndërsa mç rrethin e Kaçanikut, Liman Staneci, Ali Staneci dhe Ibrahim Kelmendi ta organizojnë pushtetin dhe administratën shqipe në Preshevë”. Deri në vitin 1955 zona e Preshevës, Bujanocit dhe e Medvegjës ishte në përbërje të Kosovës.

Më 9 shtator të vitit 1871, në fshatin Bellanicë të Malishevës u lind, mulla Rexhep Ismail Shaqiri.  Babai  i tij ishte me profesion hoxhë dhe asokohe  ishte duke shërbyer në Bellanicë. Nga i mori mësimet e para fetare islame. Haxhi Rexhepi mësoi plotë 17 vite nga mësimdhënës dhe muderrizë të njohur të asaj kohe, por më të njohur ishin: Mulla Vehbiu dhe Murteza efendiu në medresenë “Mahmud Pasha” dhe Abdyl Aziz efendiu në medresenë “Mehmed Pasha”, ku edhe nga ata do të merr ixhazetnamen, një titull  lart dhe licencë për të qenë mësimdhënës i shkencave islame. Vdiq në vitin 1956, në moshën 85 vjeçare.

 

Më 10 shtator të vitit 1988 vdiq aktori i njohur, Avni Resuli.  Lindi në vitin 1926 në Durrës. Pas një përvoje si amator në disa shfaqje, në janar të 1948 fillon punë pranë Teatrit Popullor si aktor. Roli i tij i parë ishte në pjesën “Për ata që janë në det” premiera e së cilës u shfaq në 12 qershor të vitit 1948. Në jetën e tij të gjatë skenike Avni Resuli që nga 1948 e deri sa u shkëput prej saj në 1988, plot 40 vjet, ai interpretoi dhjetëra role, mbi 100 si në pjesët kombëtare, ashtu edhe në ato të huaja. Nga viti 1967 deri në 1974 ai punoi si inspektor skene, por që nuk u shkëput nga interpretimi në skenë. Në filmin artistik Avni Resuli ka dhënë një kontribut modest. Që nga viti 1980 – 81 Avni Resuli iu përkushtua më shumë punës si asistent regjisor, derisa doli në pension.

Më 10 shtator 1934, lindi Ndue Shyti, instrumentist i njohur shqiptar. Qysh fëmijë ekzekutonte me çifteli  në vendlindjen e tij në Gojan, buzë Fanit të Madh. Ka qenë jo vetëm instrumentisti numër një i çiftelisë, kësaj vegle magjike, në krejt botën shqiptare, por dhe krijuesi i një orkestrine me 100 instrumentistë popullorë në ansamblin “Puka”.

Ishte i nderuar me titullin “Artisti i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”. Kishte  punura mbi 60 vjet në Radio dhe Televizion me pjesët e tij instrumentale. Vdiq më 20 prill të vitit 2017

Më 10 shtator të vitit 1970 u lind, Hasan Dema. Familja e dëshmorit të kombit ishte përparimtare. Shkollën fillore e kreu në Pollatë, ndërsa të mesmen, gjimnazin e përgjithshëm në Besianë dhe gjithherë i shkëlqyeshëm me sukses. Në vitet 1988-1989 u gjend në shërbimin ushtarak, në kohën e fillimit të luftës serbo-kroate. Pa hamendje kaloi në krahun e kroatëve. Kushtrimi i vendlindjes për liri edhe Hasanin e mobilizoi në radhët e luftëtarëve të lirisë. Që nga nëntori i vitit 1998, hyri në njësitin e Faik Durmishit në fshatin Fierishtë.  Mori pjesë në betejën e Tashefcit , në vendin e quajtur “Te Potokët”, luftime të cilat u zhvillaun nga 24-26 mars 1999. Po ashtu mori pjesë në luftën e prillit e cila u zhvillua nga 25-28 prill 1999 ku u zhvilluan luftime të rrepta dhe më 28 prill 1999 dhe në betejat tjera deri në rënien e tij heroike . Beteja vazhdoi edhe më 28 maj 1999 ku gjatë luftimeve në Pollatë mes njësiteve të UÇK-së dhe forcave serbe në vendin e quajtur “Qarrat e Pollatës” bie dëshmor Hasan Dema dhe Behram Behrami, ndësa plagosën disa luftëtarë të tjerë.

Më  10 shtator të vitit 1998, në luftime përballë forcave ushtarake e policore serbe   ka rënë dëshmor, luftëtari i lirisë,  Përparim Krasniqi.

 

Më 11 shtator të vitit 2005, vdiq shkrimtari, Rifat Kukaj. U  lind më 25 tetor të vitit 1939,  në fshatin Tërstenik të Drenicës. Ka kryer mësimet e mesme në shkollën Normale të  Prishtinës. Rifat Kukaj është prozator, poet, dramaturg, përkthyes dhe skenarist i letërsisë për fëmijë dhe të rritur. Shkrimtari Kukaj po ashtu ka udhëhequr programet për fëmijë të Radio Prishtinës dhe ka redaktuar librat për fëmijë të Shtëpisë Botuese “Rilindja”. Përktheu letërsi për fëmijë nga autor slloven, kroat, serb, e hungarez por edhe botoi shkrime vetanake në shumë nga këto gjuhë. Emrin e tij e mbajnë rreth 100 vëllime librash dhe 30 radio-drama. Kontribuoi në afirmimin e krijimtarisë letrare sidomos asaj për fëmijë në rrjedhat ndërkombëtare dhe se ndihmoi autorë të shumtë të rinj.

Më 11 shtator të vitit 1997, aktorit të njohur shqiptar, Mirush Kabashi iu dha çmimi “Sfinksi i Artë” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove në Kajro të Egjiptit.

 Më 11 shtator të vitit 1998 ka rënë luftëtari i lirisë, Mirush Dakaj, i cili kishte luftuar edhe në frontet e luftës në Kroaci dhe në Bosnje e Hercegocinë  kundër forcave serbe të regjimit të Milosheviqit. Mirush Dakaj ishte njëri ndër luftëtarët dhe komandantët më emblematikë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U lind në fshatin Caravik të Klinës, më 1 janar të vitit 1962. Mësimet e para i kreu në shkollën fillore të fshatit Kijevë, ku shquhet në mësime. Shkollën e mesme e filloi në Klinë, ndërsa e kreu në Drenas. Më 11 shtator të vitit 1998, derisa pikat luftarake të UÇK-së ishin duke rezistuar nga një ofensive e forcave serbe që vinte nga Rezalla,  duke kaluar nëpër fshatin Golluboc, në krye të detyrës bie dëshmor, Mirush Daka.

Më 11 shtator të vitit 200i me rastin e sulmit mbi Kullat Binjake ku u vranë mijëra amerikanë janë vrarë edhe tre shqiptarë:  Rrok Camaj, Mon Gjonbalaj dhe Simon Dedvukaj, që punonin në Qendrën Tregtare Botërore, të njohur në gjuhën popullore si “Kullat Binjake”. Ata humbën jetën në sulmin terrorist dhe përkujtohen çdo vit bashkë me viktimat e tjera të asaj tragjedie.

 Më 11 shtator të vitit  1998  kanë rënë dëshmorët e UÇK-së: Sadri  Vishaj dhe Xhevat Sejfijaj.

Më 12 shtator të vitit 1882 lindi Qazim Kokoshi, atdhetar i njohur antizogist e më vonë edhe antifashist. U lind në Vlorë ku dhe mbaroi mësimet e para. Më vonë ndoqi gjimnazin e njohur “Zosimea” në Janinë. Ishte delegat i Vlorës në Kuvendin e Greçës në vitin 1911. Mori pjesë në luftën partizane. Vdiq në vitin 1947.

Më 12 shtator te vitit 1949 vdiq në burgun e  Lezhës, Dom Kolë Jak Bushati. Lindi në Shkodës më 8 gusht të vitit 1890. Mësimet e para i mori në shkollën françeskane, kurse të mesmet në Seminarin Papnor të Shkodrës. U shugurua meshtar më 30 maj 1915 në Kishën e Seminarit. Për 26 vjet shërbeu si meshtar në Abacinë e Mirditës. Më 1946 u transferua në Kallmet të Zadrimës. U arrestua nga komunistet në prill të vitit 1949, me akuzën se «Në kishën e tij është organizuar mbledhja e organizatorëve të revoltës së Kallmetit, me synim rrëzimin e Pushtetit Popullor». Pas shumë torturash, vdiq në hetuesinë e Lezhës, më 12 shtator 1949, para se të dilte në gjyq.

Më 12 shtator 2004  vdiq Ramadan Shala, veprimtar, bashkëveprimtar  i Adem Demaçit.

U lind më 17 janar 1934 në Pejë. Veprimtaria atdhetare e Ramadan Shalës zë fill qysh në fillmvitet ’60-ta. Në vitin 1963-1964,  së bashku me Adem Demaçin themelon LRBSH-në, ku bashkohen disa grupe ilegale në një organizatë. Mirëpo, për shkak të veprimtarisë së tij patriotike, Ramadan Shala burgoset më 1964 dhe dënohet me 14 vjet burg. Për herë të tretë burgoset më 1986 dhe dënohet me 6 vjet burg. Është edhe pjesëmarrës në formimin  e LPK-së. Nga regjimi i atëhershëm është izoluar  në periudha të ndryshme, kohë pas kohe. Në vitin 1999 Ramadan Shala lajmërohet vullnetar për të shkuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

13 Shtator 1968 – Kuvendi popullor i Shqipërisë  denoncoi njëzëri Traktatin e Varshaves, sepse me intervenimin në disa vende të bllokut socialist kishte ndryshuar  karakteri dhe qellimi i tij. Nga nje traktat per mbrojtjen e lirise dhe te pavaresise se shteteve socialiste, per mbrojtjen e popujve dhe te paqes, ai u shnderrua ne nje traktat per skllaverine e vendeve pjesmarrese ne te ddhe ne mjet te politikes imperialiste te rrezikshme sovjetike kunder popujve dhe sigurimit nderkombetar.

Më 13 shtator të vitit  1907  lindi, Dhimiter Pasko, i njohur si Mitrush Kuteli. Ai ka qenë shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist shqiptar. Leximet e tij të para lidhen me emrin e Naimit, Çajupit, Spiro Dines, Gramenos, Lumo Skëndos, më vonë edhe të Fan Nolit. Shkollën fillore e kreu në Pogradec, më 1919. Pasi priti dy vjet t’i plotësoheshin kushtet ekonomike të familjes, më 1921 Kuteli shkoi në Selanik, ku i ati kish mundur t’i siguronte një bursë për në Shkollën Tregtare Rumune. Kishte prirje për letërsi e dëshirë për mjekësi, por mundësitë iu krijuan në degën ekonomike. Më 1926, 19 vjeçari Kuteli ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit e Shoqërisë së nxënësve shqiptarë të Selanikut ku merrnin pjesë të rinj nga të gjitha shkollat e qytetit. Shoqëria u quajt “Kostandin Kristoforidhi”, siç propozoi Dhimitri. Kuteli shkoi në Bukuresht në vitin 1928 dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëkohësisht si llogaritar. Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë, në faqet e së cilës hapi më 1929 rubrikën “Shënime Letrare”. U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare. Disa nga veprat e Mitrush Kutelit, janë Rrjedhin lumenjtë, Vjeshta e Xheladin Beut,  Net Shqipëtare, Pylli i gështenjave, Ago Jakupi, e të tjera rrëfime, poema Kosova e të tjera. Mitrush Kuteli ka qenë edhe përkthyes nga shumë gjuhë të botës.

Më  13 shtator të vitit 2010, vdiq aktori i madh  shqipar, Llazi Sërbo. Lindi më 9 mars të vitit 1945. Pasi diplomohet për aktor nga Instituti i Lartë i Arteve (sot Akademia e Arteve) fillon punën si aktor profesionist në teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë. Për meritat e tij artistike Llazi Sërbo është nderuar me titullin i lartë “Artist i Popullit”. Ka luajtur shumë role në film dhe teatër.

Më 13 shtator të vitit 1998 ka rënë në luftë kundër forvace serbe,   Skënder Salihaj nga fshati Mollapolc i Shtimes. Ishte dëshmori i parë i kësaj treve i rënë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 14 shtator të vitit 1916 lindi,  Adem Hasan Selimi, i njohur si Adem Gllavica. Ai ishte djali i  vetëm i babë Hasanit dhe i nënë Fatimesë. Shkollën fillore ai e kreu në fshatin Llugaxhi ndërsa të mesmen në Shkup, në “Medresenë e Madhe”. Studimet e larta i vijoi në Zagreb, në Fakultetin e Agronomisë, ku u diplomua ua në vitin 1943. Gjatë periudhës 1941 – 1944 ai shërbeu disa muaj si nënprefekt në Ferizaj, pastaj si mësimdhënës në “Normalen “ e Prishtinës, si drejtor i “Fermës Bujqësore “ në Fushë – Kosovë, si Inspektor për Bujqësinë në Komunën e Prishtinës. Në verë të vitit 1944, Ademi u martua me mësuesen Vezire Gjeraku, nga Sllatina e Prishtinës. Pas hyrjes së forcave komuniste jugosllave në Prishtinë, Ademi e vijoi luftën e rezistencës në mal, së bashku me mijëra bashkëluftëtarë të tjerë, deri në vjeshtë 1945. Në këtë kohë u mor vendimi për ta lëshuar Kosovën dhe për ta dalë, me luftë, në Greqi, ku atë dhe intelektualë të tjerë si Ibrahim Kelmendi, Luan Gashi etj, i mbajtën në kampet politike deri në qershor 1951. Pastaj Ademi kaloi në Gjermaninë Perëndimore, për dy vjet. Në pamundësi për t’u ribashkuar me bashkëshorten, ai mori udhën e mërgimit në Australi, ku krijoi një familje të re. Vdiq më 4 shkurt të viti 2001.

Më 14 shtator të vitit 1921 lindi, Ndreko Rino, veprimtar partizan, gazetar, shkrimtar, “Heroi i Popullit”. U lind në Libohovë, një familje të njohur atdhetare. Ka marrë pjesë në luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Ishte komandant i parë i njësitit gueril të Libohovës. Pas luftës e kreu Akademinë ushtarake në Moskë.

Më 14 shtator të vitit 1998 ka rënë dëshmori i UÇK-së,  Asllan Kleçka. U lind në Krushë të vogël më 24 maj të vitit 1947. Nëna e tij  Qelebia kishte vetëm Asllanin dhe Saninë, por edhe pa Sanijen  mbeti shumë herët. Pasi e mbaroi shkollën fillore. Në fshatin Drenaj të Zatriqit shtegton për t’u bashkuar me të bijtë: Luanin dhe Destanin të cilët veç ishin sistemuar në pikat “Vlora 1-2” në Drenaj e Zatriq në radhët e UÇK-së. Asllani udhëton së bashku me Ismet Tarën -Hoxhën e Rahavecit dhe kështu kyçet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Shtabin Operativ Lokal të fshatit Drenaj të Zatriqit prej nga evoluon Brigda 124 e Zonës Operative të Pashtrikut. Asllani ishte  luftëtar në radhët e Xhemë Gashit, Mahir Hasanit, Selim Krasniqit, Gani Paçarizit, Xhelal Hajdës dhe Selajdin Mullabzit. Vritet në mënyrë shumë tinëzare më 14 shtator të vitit 1998 në kodrinat e “Mellave” të Nagacit, jo larg Celinës, Nagacit, Hoçës së Vogël, Brestosit dhe Rahavecit.

Më 15 shtator të vitit 1920 lindi, Hekuran Pobrati, luftëtar partizan, “Hero i Popullit”. Ka marrë pjesë në LNAÇ, ndërsa pas luftës ishte i angazhuar në kapjen dhe likuidimin e diversantëve që shkonin në Shqipëri nga Greqia, Jugosllave e Italia.

Më 15 shtator të viti 1940 lindi aktori i njohur shqiptar, Reshat Arbana. U lind  në Tiranë në një familje qytetare tiranase. Ai është aktor teatri dhe filmi dhe njëri ndër  aktorët më popullorë të kinemasë shqiptare, me mbi 35 role, duke filluar që nga viti 1963.

Pasi kreu studimet në shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu”, pranë Teatrit Kombëtaë në Tiranë, më 1968, filloi punë në Radio Tirana. Nga viti 1977 e deri sa doli në pension ishte aktor i Teatrit Kombëtar të Tiranës. Ndër rolet më të spikatura në film Samiu tek “Fije që priten” 1976, Prefekti tek “Gjeneral gramafoni” 1978, Bimbashi tek “Liri a vdekje” 1979, Isa Boletini tek “Nëntori i dytë” 1982, Ahmeti tek “Dora e ngrohtë” 1983, Adnani tek “Hije që mbeten pas” 1985, Aliu tek “Binarët” 1987, Emili tek “Rikonstruksioni” 1988, Kukë Memini tek “Balada e Kurbinit” 1990. Për rolet e Dajlan Beut tek “Kush vdes në këmbë” 1984 dhe Kryetarit të Këshillit tek “Kur hapen dyert e jetës” 1986 ka fituar Medalionin e Festivalit të Filmit më 1985 e 1987. Në maj të viti 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar me rolin e protagonistit në dramën, “Streha e të harruarve”. Është i njohur për personalitetin e jashtëzakonshëm dhe erudit, cilësinë artistike dhe frymëzimin me të cilin ka interpretuar role, histori, ngjarje, duke i pasuruar me humanizmin dhe kulturën që e karakterizon përherë.

Më 15 shtator të vitit 1943, u lind Kristo Pano  është mjek i njohur shqiptar. Mbaroi studimet e larta në fakultetin e mjekësisë, ku u specializua në fushën e sëmundjeve infektive, në vitin 1975. Në shkurt të vitit 1991, Kristo Pano emërohet dekan i Fakultetit të mjekësisë dhe në prill të vitit 1993 do të mbajë postin e Ministrit të Shëndetësisë në qeverinë e Stabilitetit. Në vitin 2002 u zgjodh si dekan i fakultetit ku ishte angazhuar. Që prej 22 vjetësh profesor Pano ka qenë shef i departamentit të sëmundjeve infektive në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Ai është autor i shumë teksteve dhe botimeve të tjera në fushën e sëmundjeve virale, duke lënë kështu gjurmë në literaturën mjekësore shqiptare. U nda nga jeta më 25 tetor 2007.

Gjatë betejës së Kaqanollit në Zonën Operative  Llapit, më 15, 16 dhe 17 shtator të vitit  1998 kanë rënë shtatë dëshmorë: Bekim Maliqi, Bekim Lushaku, Habib Zeka, Nazmi Zhegrova, Fadil Sejdiu, Islam  Rekaliu dhe Selim Rekaliu, si dhe u plagosën disa luftëtarë tjerë.

 

Më 16 shtator të vitit 307  të epokës sonë ka vdekur perandori romak me origjinë Ilire,  Flavius Valerius Severus.

 Më 16 shtator  të vitit 1588 vdiq  në Stamboll, Mimar Sinani, i njohur si Arkitekt Sinani. Lindi më 29 maj  të vitit 1489 në afersi të Kajserit Si i ri, Sinani ishte rradhitur ne repartet e Jenicereve të Sulltanit. Gjate fushatave ne rajone te ndryshme si ushtar i Sulltan Sulejmanit ai u njoh me arkitekturen ne vende te ndryshme duke filluar nga Egjipti,Persia,Siria etj.   Karriera e tij si arkitekt është e njohur pas ndërtimit të ures mbi Lumin Prut, në Moldavi. Këtë ure, Sinani e projektoi dhe ndertoi brenda 13 ditëve qe ti shërbente Ushtrisë së Sulltan Sulejmanit,  i cili po merrte pjesë në fushatën e Kara Budanit. Sulltan Sulejmani e mbante Sinanin afër dhe me urdher të tij më vone punoi si kryeartitekt i perandorisë. Evropianët e krishterë, Sinanin e krahasonin me Mikelanxhelon dhe e thërrisnin “Mikelanxheloja i Orientit”. Mimar Sinani ka projektuar e ndërtuar  92 xhami, 52 mesxhide, 55 medrese,  20 tyrbe , 17 imarete streha të varfërish, 13 spitale, 6 rrugë uji , 10 ura, 20 kervansaraje(hotele), 36 saraja , 8 podrume ve 48 de hamame dhe gjithsej bëjnë 384 vepra. Ne Shqiperine Otomane te asj perudhe Arkitekt Sinani ka vene vulen e tij ne xhamine Muradie ne Vlorë dhe në  xhamine e Plumbit ne Shkodër .

Më 16 shtator të vitit 1942 u mbajt Konferenca e Pezës, e cila pati për qëllim organizimin e forcave të ndryshme politike në një luftë të përbashkët kundër Italisë fashiste. Kë vonë ky organizim mori emrin Fronti Nacional-Çlirimtar, Konferenca e Pezës u mbajt në Pezë, një fshat pak kilometra distant nga Tirana. Protagonistë të këtij kuvendi ishin 20 delegatë përfaqësues të krahinave, dhe besimeve të ndryshme fetare, klasa dhe shtresa me bindje politike nga më të ndryshmet. Pjesëmarrësit vinin nga rryma të ndryshme politike. Ndërmjet tyre ishin Abaz Kupi, Aziz Çami, Halim Begeja, Haxhi Lleshi, Ismail Petrela, Mustafa Xhani, Myslim Peza, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Skënder Jegeni dhe Skënder Muço. Nga PKSH morën pjesë Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Nexhmije Xhuglini (më vonë Hoxha). Kryetar i konferencës u zgjodh Ndoc Çoba dhe sekretar, Mustafa Gjinishi.

Më 16 shtator të vitit 1905, lindi Agustin Ashiku. Mësimet e para dhe të mesme i kreu në shkollën françeskane në Shkodër, kurse të lartat në Milano e Sergjeno të Italisë. U shugurua prift më 12 korrik 1931. Pas kthimit në atdhe, u emërua profesor në Liceun «Illyricum». Më 1932 u kthye në Itali, në Firence, ku kreu studimet për literaturë klasike. Në vitin 1940 u zgjodh drejtor i Shoqërisë Antoniane, kurse një vit më vonë drejtor i Liceut «Illyricum», detyrë të cilën e ushtroi deri në vitin 1944. U arrestua më 2 janar 1948 dhe u akuzua «se ka marrë pjesë në pritjen e Italisë Fashiste, se ka propaganduar me të rinjtë etj. Më 4 janar 1948, Këshilli i Gjykatës Ushtarake të Shkodrës e dënoi me «5 vjet privim lirie. Më 21 qershor 1952 u zgjodh definitor i Provincës Françeskane Shqiptare, post në të cilin qëndroi deri më 20 qershor 1955, kur u bënë zgjedhjet e reja të Provincës. Tre vjet më vonë, më 21 qershor 1958, u zgjodh Provincial i Françeskanëve. U rizgjodh në të njëjtin post më 22 qershor 1961. Me mbylljen e Kuvendit, u strehua tek të kushërinjtë, ku jetoi deri sa vdiq, më 16 shtator të vitit 1986. U varros në Stom Golem.

 Më  17 shtator të vitit 1825, lindi në Shkodër,  Pashko Vasa, i njohur si Vaso Pashë Shkodrani. Vdiq në  Bejrut, 29 qershor 1892. Ka qenë atdhetar, diplomat, poet, romansieri i parë shqiptar, nëpunës i konsullatës britanike në Shkodër, oficer kalorësie në Bolonjë, revolucionar i Rilindjes italiane nëpunës i Perandorisë Osmane dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Më 1847 vajti në Itali, ku ziente lufta kryengritëse për liri. Ai mori pjesë gjallërisht në radhët e forcave kryengritëse italiane. Në Bolonjë u caktua si oficer i Rojës Qytetare. Ishte frymëzuar nga atdhetarët e shquar italianë, si Mazzini, Garibaldi, Gjoberti. Në Itali, në vitin 1850  botoi librin Burgimi im. Pashko Vasa  është autor i poezisë programatike të Rilindjes Kombëtare.  «Moj Shqypni, e mjera Shqypni!», e cila në vitin 1879 u botua si fletë fluturuese. Me dashurinë e flaktë për atdheun që dergjej nën thundrën e të huajit, me notën e dhimbjes për të, me grishjen drejtuar bashkatdhetarëve për të kapërcyer dasitë fetare dhe për t’u bashkuar në emër të çlirimit të vendit, vjersha luajti rol për zgjimin kombëtar të shqiptarëve. Vepër tjetër e Pashko Vasës në lëmin e letërsisë është «Bardha e Temalit”, një nga romanet e para në letërsinë shqiptare. Botoi edhe një përmbledhje me vjersha italisht. Që nga viti 1883 e derisa vdiq Pashko Vasa shërbeu si Guvernator i Përgjithshëm i Libanit, ku edhe vdiq.  Më 1978, me rastin e një qind vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, eshtrat e tij atdhesohen dhe vendosen të prehen në varrezat e dëshmorëve të Shkodrës.

Më 17 shtator të vitit 1942 u vra Mine Peza, Heroinë e Popullit. U Lind në Tiranë, në vitin 1875. Mori pjesë aktive në Demonstratat e Grave para dyerve të Burgut të Tiranës. U godit me armë zjarri dhe më pas vdiq. Ajo ishte dëshmorja e parë e Luftës Antifashiste Nacional=ë në rrethin e Tiranës. Peza  në krye me atdhetarin dhe legjendarin e luftës Antifashiste Myslim Peza ishte bërë baza e parë  e luftës Antifashiste në Shqipëri dhe në Evropën e asaj kohe. Gjatë luftës, Peza 3 herë radhazi, ishte sulmuar nga forcat fashiste. Ajo i dha atdheut 327 dëshmorë, prej tyre 24 ishin gra dhe vajza me në krye nënën heroinë Mine Peza, pionieri 15 -vjeçar “Heroi i Popullit” Met Hasa, Hasan Çoku, Kajo Karafili, Mihal Duri dhe Maliq Muça e shumë te tjere.  Mbi bazën e këtij heroizmi masiv të popullit të trevës së Pezës, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NAÇl në Pezë u krijua Brigada 22 më 18 shtator 1944. Më 4 batalione të grupit partizan të Pezës, i cili luftoi nga Peza deri në Vishegrad të Bosnjes duke bërë një rrugë prej 3500 km me temperaturë minus 25 gradë 2 metra dëborë, sidomos në Malin e Zi deri në Vishegrad.

Më 17 Shtator të vitit 1946 ka vdekur, Jup Kazazi  nëpunës, ministër në qeverinë e Mustafa Krujës, udhëheqës ushtarak i Ballit Kombëtar dhe organizator i Luftës së Reçit. Lindi në Shkodër më 1905, i biri i Muharrem agë Kazazit dhe Hamide Shuti Koplikut. Familja Kazazi që në Shkodër u vendos me ardhjen e Hamz agë Kazazit gjysmën e parë të vitit 1800, sipas gojëdhënës janë nga fshati Beltojë pranë qytetit me origjinë Kastrati i Malësisë së Madhe. Me bëmat e Hamz Kazazit gjatë revoltave të Tanzimatit zuri një vend të nderuar mes qytetarisë shkodrane. Shkollimi fillor dhe atë të mesëm e kryen në vendlindje, të mesmin pranë Gjimnazit të Shkodrës.  I pezmatuar nga politikat anti-shqiptare të Monarkisë Serbo-Kroato-Sllovene, pas 1929-Jugosllave del hapur kundër regjimit.  Dëbohet nga Jugosllavia, vijon studimet në Torino të Italisë. Me hyrjen e italianëve në Shqipëri, anëtarësohet me Ballin Kombëtar. Organizon Luftën e Reçit në Malësinë e Madhe në gusht të 1943 bashkë me të vëllanë,  major Zenel Kazazin. I rrethuar nga komunistët, pas kryengritjes së parë antikomuniste të Postribës, Jup Kazazi vret veten më 17 shtator 1946.

Më 17 shtator të vitit 1998, gjatë kohës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare kundër forcave ushtarake e policore serbe ka rënë në ballë të luftimeve dëshmori i UÇK-së,  Musa Begu

Me 18 shtator të vitit 324, në betejën e Krysopolisit, Perandori me origjinë ilire dardane, Konstandini i Madh  ia dha goditjen përfundimtare Licinit dhe u bë perandori i vetëm i Perandorisë më të madhe në botë. Atëherë, qetësisht dhe i pa penguar nga askush tjetër, filloi të merrej me organizimin dhe forcimin e Perandorisë, duke ndërmarrë refoma të shumta administrative, monetare etj. Për të definuar organizimin, funksionimin dhe dogmat e krishterimit, në vitin 325 ai thirri Koncilin e Nikesë, ku luajti një rol të rëndësishëm në vendimet që u morën aty. Por, vetëm disa vite më vonë, ai do bënte veprimin e tij të dytë që përbënte një ngjarje të rëndësishme botërore. Me 11 maj te vitit 330 ai themeloi qytetin e Konstadinopojës. Stambolli i sotëm, që u bë qendra kryesore e Perandorisë Romake.

Më 18 shtator të vitit 1992 vdiq shkrimtari dhe poeti, Andrea Varfi. Lindi më 21 shkurt të vitit 1914  në Qeparo. Mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen e ndoqi në Shkollën Tregtare të Vlorës ku ishin edhe Petro Marko, Spiro Çomora, Aleks Çaçi, Mehmet Shehu e Shefqet Musaraj. Më 1935 mbaron degën klasike të gjimnazit në Tiranë. Më 1941 kreu studimet Fakultetin e Shkencave Agrare në Universitetin e Peruxhias, Itali. Më 1941 kthehet në atdhe, ku bëhet pjesë e Grupit Komunist të Zjarrit. Andrea Varfi u rreshtua në radhët e Brigadës V Sulmuese. Së bashku me Dhimitër Mandron, ai u caktua në shërbimin ndihmës të agjitacionit dhe të propagandës në këtë brigadë.. Pas Çlirimit emërohet drejtor i Kulturës dhe Propagandës Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, ku drejton edhe revistën “Bujku i Ri”. Punoi në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” e më pas në Lidhjen e Shkrimtarëve. Vdiq më 18 shtator 1992, në Tiranë.  Krijimtaria letrare e Andrea Varfit nis në vitet ’30 me bashkëkohësit Nonda Bulka, Aleks Çaçi, Dhimitër Shuteriqi, Sterjo Spasse, Migjeni. Poezitë dhe proza e shkruar para dhe pas Çlirimit u përmblodhën në dy vëllime letrare, më 1989.

Më 18 shtator të vitit 1998  kanë rënë dëshmorët e UÇK-së, Xhemajl Agushi, Islam Rekaliu dhe Shkelzen Krasniqi.

Më 19 shtator të vitit 1908 u themelua “Kanonizma e Shoqërisë Shqiptare, “Dielli i Shqipërisë” e cila vepronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kanonizma kishte 22 nene.

Më 19 shtator të vitit 1966 në një fjalim të tij, prijësi komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha duke folur për trevat shqiptare të mbetura nën Jugosllavi kishte thënë: Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë” Populli i Kosovës mund të udhëhiqet drejt në këtë rrugë e të fitojë të drejtat e tij të plota, vetëm nga revolucionarë të vërtetë shqiptarë. Kjo është konditë absolutisht e domosdoshme për sukses. Të dhënat që dihen janë këto: Kosova e viset e tjera shqiptare në Jugosllavi, pjesë të Shqipërisë, u shkëputën nga mëma e tyre prej fuqive imperialiste dhe iu dhanë mbretërisë serbe. Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë. Xhelatët serbomëdhenj bënë kërdinë mbi shqiptarët, për t’i shfarosur krejtësisht. Shqiptarët rezistuan heroikisht dhe gjenocidi i praktikuar nga shovinistët serbo-malazezë nuk u dha rezultatet që ata pritnin. Urrejtja e shqiptarëve kundër serbëve dhe malazezëve, me të drejtë, u ngrit në kulm dhe s’ka dyshim që kjo u zhvillua në rrugën nacionaliste. S’kishte si të bëhej ndryshe, në një vend, ku s’kishte fare lëvizje komuniste.

19 shtator  të vitit 2000 në luftën e Ushtrisë Çlirimtare  të Preshevës, Medvegjes e Bujanoci kanë rënë dëshmorë  Eqrem Hoxha dhe Shkëlzen  Krasniqi.

Më 19 shtator të viti 1952  u lind në Tiranë, Fatos Nano, politikan shqiptar, ish kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ai filloi karrieren e tij politike ne vitin 1991 pasi u zgjodh Kryeminister i Qeverisë së Tranzicionit me qëllim që të organizojë zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri, në po atë vit dhe të përgatise vendin për tranzicionin drejt një ekonomie tregu dhe sistemi demokratik. Në Mars të vitit 1992 kur Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe një vit me pas Fatos Nano u burgos nga regjimi i Sali Berishës  pasi u akuzua për korrupsion dhe abuzim detyre nga gjykata. Burgosja e tij u be problemi kryesor i Shqipërise post komuniste, sepse shumë socialistë besonin se ishte Partia Socialiste vazhdoi qeverisjen e vendit dhe fitoi zghedhjet ne qershor 2001. Nano u bë Kryeministër për të tretën herë në korrik, 2002 i emëruar nga presidenti Alfred Moisiu. Më 1 shtator 2005 Nano dha dorëheqje  nga posti i  kryetarit të  Partisë Socialiste.

Më 20 shtator të vitit 1931 vdiq Kasëm Qafëzezi. Kasem Qafzezi, ishte njëri ndër themeluesit kryesorë  të Ushtrisë Shqiptare, ish ministër i luftës.

Më 20 shtator të vitit 1940 lindi, Xhozef DioGuardi, në Bronks, të New Yorkut. Ai u diplomua me rezultate të shkëlqyera në vitin 1962. Babai i tij, i cili emigroi në Amerikë në vitin 1929, ishte shqiptar i lindur në krahinë Greçi afër Napolit, fshati më i vjetër shqipfolës në Itali. Nëna e tij ishte italianoamerikane e brezit të parë të emigruar në Nju Jork më 1910. Joseph DioGuardi u martua me Shirley Cloyes në vitin 1998. Joseph J. Dioguardi prej rreth dyzet vjetësh është i përkushtuar dhe ka dhënë ndihmesë të jashtëzakonshme ndaj çështjes shqiptare. Zotëri Joseph J. Dioguardi dhe e shoqja zonja Shirley Cloyes DioGuardi janë liderët e lobit më të fuqishëm shqiptar në Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbrojtës të flaktë dhe të paepur të të drejtave kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve në Ballkan: Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi, Maqedoni, Kosovë Lindor  dhe Çamëri. I pari shqiptaro-amerikan i zgjedhur në Kongresin Amerikan, i cili nëpërmjet një Rezolute të Kongresit të sponsorizuar prej tij futi në rendin e ditës seancën e parë të Kongresit për Kosovën në vitin 1987, ku për herë të parë shpalosi barbarinë serbe kundër shqiptarëve të pambrojtur. Në mars të vitit 1998 Lidhja Shqiptare vuri në qendër të Seancës dëgjimore të Kongresit Robert Gelbardin, i dërguar në Bosnjë dhe Kosovë. Përballë argumenteve të Lidhjes Shqiptare, Gelbardi detyrua të tërhiqte deklaratën e mëparshme se UÇK ishte një organizatë “terroriste”. Cloyes i tha Gelbardit se “UÇK nuk ëshë një grup terrorist, por edhe  500. 000 shqiptarë në Amerikë janë të gjithë  me UÇK-në.

Më 20 shtator të vitit 1950 vdiq në Spitalin e Shkodër, Marie Tuçi. Ajo lindi më 12 mars 1928, në fshatin Ndërfushaz në Mirditë. Ka qenë nxënëse e shkollës së mesme të motrave Stigmatine në Shkodër e më pas, aspirante e jetës rregulltare. Në vitin 1946, abati Frano Gjini e dërgoi mësuese në shkollën e Mirditës, me qëllim që  së bashku me Davida Gjonmarkajn, të luftonin për bindjet e tyre fetare. U arrestua gjatë fushatës  në Mirditë nga qeveria komuniste, me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës, sekretar i Partisë Komuniste në Mirditë. Maria arrestohet dhe pritet të dënohej, por vdiq në spitalin e Shkodrës, më 20 shtator të vitit 1950.

 

 

Më 21 shtator të vitit 1944 ra trimërisht Heroi i Popullit, Hysen Çino.  U lind në Vranisht të Vlorës në vitin 1920. Ishte atdhetar, partizan, veprimtar i vendosur i lëvizjes punëtore dhe i Luftës ANÇ, Hero i Popullit. Ishte punëtor në guroren e Ujit të Ftohtë, ku edhe përqafoi idetë komuniste. Si aktivist i shquar e njeri i aksioneve të guximshme, mori pjesë në grevat e punëtorëve. U hodh në radhët partizane, në fillim në Çetën Plakë të Vlorës në viti 1942, më pas zëvendëskomandant në çetën «Sali Murati» në vitin 1943, ku ishte edhe komandant batalioni në Brigadën e Pestë Sulmuese. Ra heroikisht në luftë kundër armiqve në Buzëmadh të Lumës, më 21 shtator të vitit 1944.

Më 21 shtator të vitit 1979 vdiq, Sotir Papahristo. U lind më 11 dhjetor të vitit  1887. Ka qenë arsimtar, studiues hartues i teksteve të para të pedagogjisë dhe përkthyes i klasikëve të letërsisë antike greke. Lindi në Vëmbell, afër Follorinës, atëherë pjesë e Shqipërisë, tani pjesë e Greqisë. Mësimet e para i mori në shkollën e vendlindjes, më pas të mesmen në gjimnazin e Korçës. Mitropolia e Korçës i mundësoi bursë për të vijuar studimet në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Athinës. Pas pesë vitesh studime, më 5 tetor 1912, u diplomua me lavdërime. Papahristoja nisi t’i përkushtohej më tërë energjitë e tij arsimit shqip. Në mars 1925, ai u ftua në Tiranë, për të marrë në dorë drejtimin e arsimit shqiptar në postin e drejtorit të Drejtorisë së përgjithshme të Arsimit shqiptar, që në atë kohë zëvendësoi Ministrinë e Arsimit,[3] detyrë që e kreu për 6 muaj e ca. Pasi shumë specialistë ishin pushuar, me ndihmën e kryeministrit Kotta, thirri në Tiranë një komision specialistësh, ndër to Aleksandër Xhuvani, Leonida Naçi, Mirash Ivanaj e Ndue Paluca. Pas këmbënguljes së tij për t’u rikthyer në vendlindje, u caktua drejtor administrativ në Liceun e Korçës.

 

 

Më 22 shtator  të vitit 1895 në një familje me ndjenja atdhetare u lind, Avni Rrustemi. Mbasi kreu arsimimin fillestar në vendlindje, vijoi arsimimin e tij në Janinë dhe më pas më 1909 shkoi në Normalen e Ebasanit me shpresë për t’u pranuar në bangat e saj. Drejtori i shkollës Luigj Gurakuqi, Hero i Popullit, tregonte se një ditë të errët të motit 1909, i ishte paraqitur një djalë i ri, i urtë, i dobët nga shëndeti dhe me një fytyrë të mallëngjyeshme. Në 1915 emërohet arsimtar në fshatin Tragjas të Vlorës ku u njoh me disa personalitete, si Jani Minga, Halim Xhelo etj. Në vjeshtë 1918, me nismën e tij, në fshatin Brataj u krijua Shoqëria “Lidhja e Djelmoshave”, me qëllim bashkimin dhe organizimin e të rinjve. Më 1919 ndoqi studimet në Shën Mitër Korona mes arbëreshëve të Italisë. Tetë ditë pas fillimit të luftës legjendare të Vlorës, ai vrau nëpërmjet një atentati në Paris tradhtarin, Esat Pashë Toptani. Për këtë akt ai arrestohet nga autoritetet franceze, por lirohet përsëri nën presionin e protestave të popullit shqiptar. Më 24 dhjetor 1920 kthehet në Vlorë dhe merr pjesë në Kongresin Kombëtar të 25 shoqërive demokratike të vendit, ku u vendos shkrirja e tyre në federatën “Atdheu”. Më 20 prill 1924, Avniu plagoset rëndë me atentat, organizuar nga Ahmet Zogu, dhe dy ditë më pas vdes. Po të kishte shpëtuar gjallë, prap Shqypnisë do t’ia falte jetën, sepse për Shqypninë kishte le Avnia!” kishte thënë Bajram Curri.

Më 22 shtator të vitit 2002 vdiq Jup Kastrati. Ka lindur në Shkodër, me 15 prill të vitit 1924. Ka kryer shkollën fillore pesëklasëshe,  gjimnaz klasik dhe  dhe licé në qytetin e lindjes. Një kohë qëndroi në Itali. Për shkak të  bindjeve antifashiste, autoritetet përgjatë pushtimit italian e internuan në kamp përqendrimi, në Kodrat e Tepes, Shkodër, në pastaj në burgun e Prizrenit në vitin 1943. Pas çlirimit ka kryer studimet e larta në fakultetin e filologjisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Tema e tij e diplomës titullohet: “Kontribute për studiumin e Ndre Mjedes” më 1958. U bë Doktor i Shkencave Filologjike më 1982 me disertacionin “Historia e gramatologjisë shqiptare. Jup Kastrati ka shërbyer në arsim 47 vjet (1946-1993) nga të cilat 37 vjet në shkollën e lartë. Është një nga themeluesit e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, më 2 shtator 1957, dhe ka punuar shumë për themelimin e Universitetit të Shkodrës. Është dekoruar me urdhrat “Mësues i Popullit” si dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”. Ka qenë shef i Katedrës së gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës më 1973-1990.

Më 22 shtator të vitit 1998 ka rënë dëshmor, veprimtari politik, profesori i gjuhës shqipe  pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mustafë Shyti.

Më 22 shtator të vitit 1998, në një betejë të përmasave të mëdha, kanë rënë në altarin e lirisë, Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi – Lladrovci,  Fatime Hetemi,  Shefqet Zeka.

 Fehmi Lladrovci ishte veprimtar dhe i burgosur politik i viteve ’80, pjesëmarrës në luftën Atdhetare të Kroacisë, në vitin 1991, pjesëmarrës në organizimin e luftës së UÇK-së dhe Komandant i Zonës Operative të Drenicës në verë  të vitit 1998.

 

Më 23 shtator të vitit 1903 vdiq Said Najdeni, i njohur si Hoxhë Voka. U lind në Dibër të Madhe më 13 maj, 1864. Ishte hoxhë, arsimtar dhe veprimtar i çështjes shqiptare.   Kreu shkëlqyeshëm shkollimin në vendlindje më 1882. I ati e  dërgoi në Stamboll ku ndoqi studimet e larta teologjike në medresenë “Hajdar Pasha”. Njihet me parinë atdhetare të shqiptarëve si Sami e Naim Frashërin dhe Ismail Kemal bej Vlorën.  Pasi mbaron shkollën kthehet në atdhe me një sasi abetaresh të shtypura nga Shoqëria e Stambollit. Jep mësim gjuhën shqipe më ato abetare në Dibër po atë vit. Autoritetet turke në vitin 1895 duke parë aktivitetin e Saidit e internuan në Edrene. Pas kthimit në Dibër, Said Najdeni vepron së bashku   me nxënësit e tij: Shaqir Daci, Shyqyri Qoku, Kadri Fishta, Hamdi Ohri, Nazif Sharofi, Hajdar Varvarica etj. Mbajti lidhje sidomos me shoqëritë shqiptare “Dituria” të Bukureshtit dhe “Dëshira” të Sofjes, me Kosovën dhe me Shqipërinë e Mesme nga vinin në Dibër abetare e libra shqip të rilindësve. Në Dibër u përhap në këtë kohë “Abetarja” e Sami Frashërit Deri në vitin 1899, kishin mësuar të shkruajnë e të lexojnë shqip më shumë se 300 dibranë”. Më 1903 merr pjesë në një takim të mbajtur në Tarabulluz, me Ismail Qemali, Refik bej Toptanin aty ku ishte vali Rexhep pashë Mati. Shkoi për shërim në Itali meqë vuante nga tuberkulozi por pas pak i kthyer  në vendlindje dhe vdiq  më 23 shtator.

Më 23 shtator të vitit 1920 lindi Marie Logoreci, aktore e Teatrit dhe Kinematografisë, Artiste e Popullit. Ishte aktore shqiptare e teatrit dhe filmit. Pioniere e kinematografisë shqiptare. Paraqitja për herë të parë në film ishte tek Skënderbeu, më pas në filmin e parë shqiptar me metrazh te shkurtër Fëmijët e saj, dhe me pas ne filmin e pare shqiptar Tana dhe Toka jonë etj. Maria bëri regjinë e dramës Drita. Ajo luajti ne filmin televiziv, Gjenerali i Ushtrisë se Vdekur. Ka mbetur si një nga aktoret më të mëdha të Shqipërisë. Ajo ngriti në art karaktere te ndryshme të nënave shqiptare duke u kthyer vete në simbol të Nënës shqiptare. Në vitin 1945 ajo filloi te këndoje ne Radio Tirana dhe në koncerte qe jepeshin ne qytete te Shqipërisë si dhe shkoi turne jashtë shtetit si soliste e Korit Përgjithshëm i Shtetit. Në repertorin e saj ishin rreth 100 këngë. Në 1947 filloi punën ne Teatrin Popullor.  Filmi i pare ku mori pjese ishte Skënderbeu, ku luajti rolin e Konteshës,  Nëna te “Toka jonë”  dramë e Kolë Jakovës e shumë filma të tjerë.

Më 23 shtator të vitit 1944 u vra Ibe Palikuqi, partizane antifashiste, Heroinë e Popullit. U lind në Dibër në vitin 1927. Shtëpia e saj ishte bazë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

23 shtator të vitit 1998 ra duke luftuar kundër forcave serbe luftëtari i lirisë, Hamit Hysen Lladrovci.

 

 

Më 24 shtator të vitit 1821 u vra kapedani i njohur arvanitas, Gjergj Kërxhaliu, pjesëmarrës në luftën e popullit grek për çlirim nga Turqia. Ka luftuar në radhët e kryengritësve edhe në Rumani e Moldavi në përpjekjet e atyre popujve për çlirim nga robëria.

Më 24 shtator të vitit 1911 në Zarë të Dalmacisë u lind këngëtarja e njohur shqiptare, Marie Kraja. Në moshën 6 vjeçare, familja e saj vendoset në Shkodër. Studimet e larta për kanto i kreu në Konservatorin e Gracit, në Austri, në vitet 1930-1934. Aktiviteti i saj koncertal fillon më 1934 së bashku me pianistin Tonin Guraziu, në një koncert që kanë dhënë në Tiranë. Para këtij koncerti, Maria kishte marrë pjesë në “Mbrëmjen e kombeve” në Vjenë ku kishte përfaqësuar Shqipërinë me interpretimet e dy këngëve popullore. Mbas përfundimit të studimeve kthehet në Shqipëri më 1938 ku dhe fillon një aktivitet të dendur koncertal. Punon si mësuese muzike në Institutin,  Nëna Mbretëreshë. Punon pranë Radio-Tiranës dhe Liceut Artistik prej vitit 1946. Edhe pse me një jetë artistike të pasur në skenat e Italisë, Austrisë, Gjermanisë, e vende të tjera, karriera e saj lidhet ngushtë me muzikën shqiptare.  Për meritat e saj si artiste dhe mësuese Maria Kraja u nderua me çmime, medalje dhe tituj të ndryshëm. Është “Artiste e Popullit”, mban Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë, medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe Laureate e Çmimit të Republikës së Klasit të Parë. Vdiq në Tiranë më 21 nëntor 1999.

Më 24 shtator të vitit 1915 u vra Dedë Gjo Luli, udhëheqës i shquar i Malësisë së Mbishkodrës në luftën për çlirimin kombëtar dhe për ruajtjen e tërësisë territoriale të atdheut, Hero i Popullit. Mori pjesë në qëndresën e organizuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për mbrojtjen e Hotit e të Grudës që qarqet shoviniste malazeze kërkonin t’i aneksonin në bazë të vendimeve të Kongresit të Berlinit. Ishte në ballë të forcave shqiptare, me pushkë në dorë kundër ushtrisë së Malit të Zi, të cilën e udhëhiqte, ish-shqiptari i dikurshëm i Fisit të Kuqit i kthyer në malazez-Mark Milani, me të cilin Dedë Gjon Luli, në krye të 18 trimave të zgjedhur të Hotit dhe Grudës, luftoi tek ura e Rrzhanicës. Atë ditë të përgjakshme në luftime, për veç Dedë Gjo Lulit ranë edhe Mark Llesh Doda, 2. Ndue Kol Pjetri, 3. Zef Ndue Gjoka, 4. Preng Qup Deda, 5.Preng Gjok Skana, 6.Bib Marlula dhe 7.Llesh Deda), Deda nuk e lëshoi veten dhe dha jetën, në Sheshëz t’Oroshit në Mal të Shejt, në grykë të shpellës së Akullit, 15 metra e thellë. Dhe me 18 mars të vitit 1964 kishte vdekur edhe Nora, pjesëmarrësja e të gjitha luftërave të lavdishme për çlirimin e vendit dhe bashkimin gjithë shqiptar dhe dëshmitarja e fundit e legjendave të trimërisë shqiptare.

Më 24 shtator të vitit 1998, në frontet e ndryshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rënë dëshmorë, duke luftuar kundër forcave okupatore serbe  Agim Ramadani, mjeku i luftës Lec Gradica Leci, Skënder Alushani e luftëtarë të tjerë.

Më  25 shtator të viti  1903 u lind në Konja të Turqisë, Shadan bej Toptani. Ishte njëri  nga 9 djemtë e Murat bej Toptanit dhe Asije Frashërit, bijë e familjes Frashëri. Në Turqi lindën pjesa më e madhe e fëmijëve të Muratit, i internuar asokohe në Anadoll nga Turqia për shkak të aktivitetit të tij patriotik. Shadani kreu shkollën fillore në vendlindje, shkoi në kolegj në Austri dhe për 13 vjet në Itali, së pari në Shën Mitër Korone të Kozencës dhe më pas në Akademinë e Arteve të Bukura në “Brera” në Milano, ku studioi arkitekturë dhe dy vjet specializim për skenografi pranë kësaj akademie. Para se të fillonte punë në Teatrin e Operas dhe Baletit ai bashkë me të vëllanë, Enver Toptanin, ka realizuar dekoret e filmit “Skënderbeu”. Pas daljes në pension në vitin 1967, vite më vonë kthehet në punë për realizimin e bokaskenave në disa shtëpi kulture në qytetet e Përmetit, Pogradecit, Shkodrës, Peshkopisë, Tiranës, Bajram Currit, ku ka qenë edhe puna e tij e fundit, pas së cilës u sëmur dhe u shtrua në spital. Vdiq më 10 tetor të viti  1979.

Më 25 shtator të viti 2006, vdiq në Prishtinë, Muharrem Qena është njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqiptare në Kosovë. Ai punoi si regjisor, producent, këngëtar dhe skenarist. Muharremi lindi në Mitrovicë më 1930, në një familje që kontribuoi shumë për artin. Gjimnazin e kreu në Prishtinë, kurse shkollën e filmit në Beograd. Ai shkriu talentin e tij prej regjisori, aktori, shkrimtari dhe këngëtari. Ishte regjisor i më se 200 shfaqjeve teatrale. Shpërblimet e shumta lokale e ndërkombëtare e radhisin në krijuesin më të mirënjohur kosovar. Me “Ervehenë” e autorit Ahmet Qirezi 1932), e cila mori 5 shpërblime kryesore në Festivalin e Novi Sadit në vitin 1967.  ishte nismëtar i punës së teatrove në Prizren, në Gjakovë dhe në Gjilan. Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese në frymën bashkëkohore. Ka lënë  pas tij një veprimtari të gjerë prej shkrimtari, regjisori e këngëtari dhe më shumë se 200 shfaqje teatrale.

Më 25 shtator të vitit 1998, në frontet e ndryshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rënë dëshmorë, duke luftuar kundër forcave okupatore serbe: Xhevat Shala, Besim Muleta, Bashkim Muleta, Ramadan Muleta, Naim Kluna, Ahmet Pantina,  Zenel Morina etj.

 

Më 26 shtator 1886 lindi Kolë Kamsi, folklorist, historian, gjuhëtar, përkthyes, shkrimtar e pedagog. Kolë Kamsi lindi në Shkodër me 26 shtator 1886. Në historinë e kulturës kombëtare shqiptare njihet si ajo e një personaliteti shkencor dhe letrar, historian, filolog, gjuhëtar, folklorist, mësues dhe pedagog i gjuhës shqipe, hartues tekstesh shkollore, përkthyes, prozator e fabulist, publicist e redaktor. Duke ecur në gjurmët e një tradite patriotike e kulturore shekullore të të parëve të vet, Kolë Kamsi ndoqi shkollën fillore e të mesme duke marrë diplomën në Shkollën Teknike Tregtare italiane në qytetin e lindjes. I vijoi, pra, me 1904 studimet në Kolegjin e Shën Adrianit, duke kryer me 1907 shkollën normale në atë qendër arbënore. Po atë vit emërohet mësues i gjuhës shqipe në Shkollën e Vlorës. Ndërsa më 1915-1916 emërohet drejtor kur çelet shkolla fillore për djem në Vlorë. Gjatë viteve të Luftës së parë Botërore boton disa libra për shkollat fillore. Ka punuar si mësues në qytete të ndryshme të vendit, si në Vlorë, Korçë, Shkodër e Tiranë, duke dhënë një kontribut të madh për gjuhën shqipe. Për të gjitha këto, Kolë Kamsi është nderuar me tituj si “Urdhrin e Flamurit”, “Mësues i Popullit”, “Profesor”, “Mirënjohje e qytetit të Shkodrës”, ndërsa dhe një titull nderi që jepet në Shkodër për personalitetet e arsimit mban emrin “Kolë Kamsi”.

Më 26 shtator të vitit 2011, vdiq aktori i njohur shqiptar, Vasilaq Vangjeli.  Ai u lind më 19 shkurt të vitit 1948. Për më shumë se 45 vjet në skenë, ai ka luajtur mbi 100 role në teatër, kinematografi dhe estradë. Në vitin e tretë të Mjekësisë, e braktis shkollën për të hyrë në Institutin e Lartë të Arteve (vitet 1973-1975). Pas përfundimit të tij e çuan për të bërë stazhin në teatër. Nga Teatri Popullor e kaluan në Estradën e Shtetit si aktor i humorit dhe që nga viti 1976 deri më 1 prill 2005 ka qenë aktor dhe regjisor në estradë dhe aktor i Estradës së Tiranës. Në këto kushte aktivizohej që atëherë në Estradën e Shtetit, që nga viti 1967-1968 kur ka qenë regjisor Bujar Kapexhiu.  Ishte një aktor me diapazon të gjerë, vokal, humorist, recitues, aktor tragjik-komik me cilësi të mëdha artistike, intuitë e depërtues i thellë në tipa e karaktere, këto ishin  disa nga cilësitë e Vasilaqit, i cili me mjeshtëri e finesë diti të verë në shërbim të asaj çfarë ai bën. Janë të njohura rolet e tij në filmat: Zonja nga qyteti, Tokë e përgjakur. Komisari. Pylli i lirisë, Partizani e shumë të tjerë

26 shtator të vitit 1998, gjatë luftimeve kundër forcave policore dhe ushtarake serbe në fronte të ndryshme të luftës së UÇK-së kanë rënë dëshmorët: Fatos Sherif Krasniqi Valdet Xhemajlaj,  Syl Balaj, Fitim Jakupi, Idriz Balaj, Afrim Hajdaraj,  Vesel Demaku e të tjerë.

 

 

Më 27 shtator të vitit 1944 vdiq, Petro Poga, veprimtar e atdhetar. I takonte brezit të fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Lindi në Erind të Gjirokastrë, në vitin 1860. Në vendlindje ndoqi mësimet e para. Më pas shkollohet në Gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe pastaj në degën e Drejtësisë së Universitetit të Stambollit ku fitoi një kulturë të gjerë. Njihte mirë disa gjuhë të huaja si frëngjisht, gjermanisht, greqisht dhe turqisht. Në Stamboll bashkëpunoi me vëllezërit, Frashëri. Në vitin 1884 themeloi dhe botoi gazetën “Drita” të Stambollit. Në vitet 1906-1908, Petro Poga gjendet në Gjirokastër ku dha ndihmesën në përhapjen e gjuhës shqipe dhe ndjenjave Kombëtare. Roli i tij më i dukshëm u shfaq në themelimin e Klubit Patriotik “Drita” të Gjirokastrës, të cilin me vone e udhëhoqën atdhetarët Hasan Xhiku, Idriz Guri, Hysen Hoxha dhe Elmaz Boçe. Në nëntor të vitit 1912, parësia e Gjirokastrës e zgjedh delegat në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Petro Poga bëhet kështu një nga nënshkruesit e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, caktohet Ministër i Drejtësisë. Më 25 dhjetor, të 1918 ishte përfaqësues i Gjirokastrës në Kongresin e Durrësit, ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i kabinetit të Turhan Pashës. Vitet e fundit të jetës,  Petro Poga i kaloi në vendlindjen e tij, Erind.

Më 27 shtator të vitit 1967 vdiq në Shkodër Çiril Cani, klerik katolik, veprimtar i lëvizjes kombëtare shiptare. Lindi në Shkodër, më 3 qershor të vitit 1875. Kreu Kolegjin e Fretërve në Kuvendin e Gjuhadolit në Shkodër. Më 1890 u nis për në Kërshivë të Bosnjës, ku mbaroi studimet për filozofi e teologji. U shugurua më 10 gusht 1894. Në vitin 1895 u dërgua famullitar në Prevezë. Pas kthimit, në vitet 1900-1912 shërbeu në Dukagjin. Në vitin 1913 mobilizoi popullsinë e Dukagjinit në luftë kundër Malit të Zi. Bënte pjesë në delegacionin shqiptar pranë komisionit të caktimit të kufijve. Me ardhjen e Zogut në fuqi, u caktua zëvendëskomandant i forcave të Shkodrës. U arrestua më 21 shtator të vitit 1946 në famullinë e tij në Bajzë të Kastratit, «për veprimtari kundra Pushtetit Popullor». Më 4 janar 1948, Këshilli i Gjykatës Ushtarake të Shkodrës e dënoi me «5 vjet burg por i mbajti vetëm tri vjet.

Më 27 shtator  të vitit 1897 u lind në Elbasan, Fuad Asllani, jurist, nëpunës, diplomat dhe ministër i shtetit shqiptar. U lind në Bejrut, në gjirin e një familjeje libohovite. Në vitet 1908-1917 ndoqi në Stamboll arsimin fillor dhe atë të mesëm. Më 1917-1923 me anë të një burse akorduar nga komanda ushtarake austro-hungareze në Shkodër, i jepet një bursë me anë të së cilës studioi në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Vienës. Më 1923-24 u punësua si sekretar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Më 14 korrik 1924 sekretar i organizatorit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Sterling, pas tri ditësh caktohet anëtar i Gjyqit të Diktimit. Me humbjen e Lëvizjes së qershorit, në dhjetor largohet nga Shqipëria për në Itali, ku qëndroi pak kohë në Brindisi e Bari. Kaloi në Zvicër, ku drejtoi gazetën “Liria Kombëtare”, pastaj u kthye në Bari dhe në vitin 1926 në atdhe. Më 1947 u largua nga Tirana dhe u vendos në Elbasan ku vazhdoi duke ushtruar profesionin e avokatit. Më 3 maj 1951 e arrestojnë dhe më 4 tetor 1951 Gjykata e Korçës e dënoi me 15 vjet heqje lirie me akuzën se i kishte “shërbyer regjimeve të Zogut e fashizmit. Vendim  u ndryshua nga Gjykata e Lartë. U lirua nga burgu më 3 maj 1956. Në vitet 1959 – 1957 vazhdoi të punonte si avokat në Elbasan, ku dhe ndërroi jetë më 27 maj 1981.

27 shtator 1998  në frontet e luftës së UÇK-së kanë rënë dëshmorët: Afrim Hajdaraj dhe Sadri Lokaj

Më 28 shtator të vitit 1730, në Stamboll, filloi kryengritja e jeniçerëve në krye me Halil Patronën. Kjo kryengritje del e shënuar në të gjitha enciklopeditë historike botërore. Halil Patrona një shqiptar me origjinë nga Hurpishti, fshat i rrethit të Manastirit, arriti që me një kryengritje gjithë popullore të turmave të pakënaqura të Stambollit dhe me përkrahje të regjimentit të Pestë të Jeniçerëve, të cilin e përbënin rreth 12.000 jeniçerë shqiptarë, të ndërronte nga froni Sulltan Ahmedin e Tretë dhe ta vendoste në post, djalin e vëllait të tij, Sulltan Mahmudin e Parë. Halil Patrona lindi rreth vitit 1690 në fshatin e quajtur Hurpisht, mbase afër Kavadarit apo Manastirit në Maqedoni. Qysh si fëmijë ishte rrëmbyer nga turqit dhe ishte dorëzuar në mesin e jeniçerëve. Në vitin 1720 ishte komandant i jeniçerëve në Vidin. Mori pjesë në një kryengritje që u zhvillua asokohe në Nish, dikur qytet shqiptar, tash i mbetur nën Serbi. Halil Patrona, apo Halil Arnauti  tubonte rreth vetes jeniçerët e pakënaqur shqiptarë, në një mejhane të Gallata Sarajit. Bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë kanë qenë: Musli Bashi, Ali Kafexhiu, greku i pasur, Janaqi, Emir Aliu, Ahmet Çinari, Mehmet Onduçi, Mustafë Llazi, Ismail Tursuçi, Ali Gavuri, Ramazan Çigerxhiu e të tjerë. Sami Frashëri e kishte radhitur në mesin e personaliteteve të njohura shqiptare të kohës së Perandorisë Osmane.

Më 28 shtator të vitit 1968 në fshatin Nashec të Prizrenit u lind  Vetim Shala. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes me sukses shembullor, ndërsa shkollën e mesme në Prizren, drejtimi Mjekësi e Përgjithshme, po ashtu me sukses shembullor. Ka marrë pjesë në protestat e demonstratat e marsit të vitit 1989 kundër regjimit kriminal të Milosheviqit i cili kishte suspenduar autonominë e Kosovës. Në orët e mbrëmjes së 27 marsit vitit 1989 afër xhamisë së Llapit bie heroikisht, Vetim Shala së bashku me Ismet Krasniqin, Mustafë Veselajn, Sevdat Xhafollin dhe Shukrije Obertincën.

Më 28 shtator të vitit 1998, në Zonën Operative të Neredimës kanë rënë dëshmorë. luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Lulzim Guta, Bashkim Vishi, Sejdi Sejdiu, vëllezërit Bajram Sylejmani, Gursel Sylejmani, Kemajl Hetemi dhe  Nazim Terziu.

Më 29 shtator të vitit 1886 vdiq, Vinçenco Stratigo, poet e veprimtar i shquar arbresh. U lind në vitin 1822 në Ungër të Kozencës në Itali. U shkollua në Shën Miter Korone, ku ishte  nxënës i De Radës. Në gjuhën shqipe shkroi veprat: Bersalieri, Vajtim mbi vdekjen e atij që nuk ka, Shqiptari, një vepër që i kushtohet Historisë së Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

Më 29 shtator të viti 1931, vdiq në Berat, Kasëm Qafëzezi. Ai ishte  ushtarak i Perandorisë Osmane dhe i shtetit shqiptar, luftëtar  kundër kriminelëve  andartë greke në jug të Shqipërisë. Lindi në Qafëzez në kazanë e Kolonjës në vitin 1881. Ishte pinjoll i një shtëpie shumë të njohur të fisnikërisë së mesme, në Dangëlli. Mbaroi Akademinë Ushtarake të Stambollit dhe nga 1899. Deri më 1910 shërbeu si ushtarak i Perandorisë Osmane. Gjatë viteve 1908 – 1910 shërbeu si oficer në Janinë. Pas vitit 1912 u caktua në krye të një njësie xhandarësh për të luftuar andartët grekë në jugun e Shqipërisë nën urdhrat e qeverisë shqiptare.  Më 1920 bën pjesë në shtabin ushtarak të “Mbrojtjes Kombëtare” në Vlorë. Përgjatë viteve 1920 – 1924 shërbeu si oficer në Shqipëri.  Në vitin 1922 u emërua komandant i trupave të kufirit jugor me seli në Përmet.  Qershorin e 1924 mobilizohet me Lëvizjen e organizuar nga elementët opozitarë, duke qenë komandant i garnizonit të Përmetit me gradën nënkolonel. Kryesoi marshimin drejt Tiranës të këtij garnizoni duke mundësuar një pjesë të suksesit të Lëvizjes, prej të cilës u emërua ministër i Luftës i kabinetit të Fan  Nolit. Ndërroi jetë në qytetin e Beratit më 29 shtator 1931.

Më 29 shtator të vitit 2007 vdiq aktori i njohur shqiptar,  Serafin Fanko. U lind më 24 maj të vitit 1937 në Shkodër.  Ishte një aktor dhe regjisor shqiptar i nderuar me titullin. “Artist i Popullit” . Ai ka qenë i biri i Nikolla Fankos dhe Milicës së Serafin Bellkos. Asokohe i ati ishte kapiten i ushtrisë së Mbretërisë Shqiptare me shërbim në Shkodër, por  me pushtimin italian mbajti qëndrim antifashist, arsye për të cilën u vra më 1943 nga bajraktarët e Mirëditës. Serafin Fanko studimet e larta i kreu në Akademinë e Arteve në Pragë dhe në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Filmi i tij i parë është “Fije që priten”. Më pas shkëlqeu në filmat “Gunat mbi tela” Emblema e dikurshme.  Fije që priten, Shembja e idhujve,  Frat Engjëlli, Ditët që sollën pranverën, Yjet mbi Drin,  Qortimet e vjeshtës. Pranvera s’erdhi vetëm. Di dhe filma e drama   të tjera.

Më 30 Shtator të vitit 1876, u lind në Korçë, muzikanti e atdhetari i njohur shqiptar,  Spiridon Ilo. Mërgoi që herët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku krahas punës së përditshme, ndoqi dhe studimet e larta për muzikë. Ai ishte shqiptari i parë, që ngriti një firmë për ndërtimin e pllakave të gramafonit dhe regjistroi shumë këngë patriotike dhe popullore shqiptare.  Në vitin 1913 u largua nga Shqipëria dhe u kthye në Rumani. Në vitin 1916 emigroi në New York, të Amerikës ku hapi një kafene të vogël. Spiridon Ilo themeloi shoqërinë e parë diskografike  me këngë shqip,  në vitin 1923. Nën drejtimin e tij,  diskografia luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës shqiptare në vitet 1920-1940. Ilo kreu regjistrimin e parë të himnit kombëtar të Shqipërisë. Në këtë regjistrim, me numër regjistrimi E-3948, himni u këndua nga Spiridon Ilo dhe tenori arbëresh, Gjuzeppe Mauro. Në vitet `20 botoi e shpërndau kartolina me temë patriotike. Ka botuar komedinë “Vërtet ëndërr” si dhe përmbledhjen me këngë patriotike “Dëshirat e zemrës”. Mbas disa vjetësh u rikthye në Rumani dhe në vitin 1926 u vendos përfundimisht në Korçë. Më 1 prill të vitit 1945 iu akordua pension si Patriot i Rilindjes Kombëtare. Kallëpet e pllakave të gramafonit Spiridon Ilo i solli në Shqipëri dhe më 1946 ia dhuroi Komitetit Ekzekutiv. Vdiq në Korçë në vitin 1950.

30  shtator të vitit  1998, ka rënë dëshmor, veprimtari dhe mjeku i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  Shpëtim Robaj. Atë ditë në hyrje të fshatit Likoc, në Abri të Ulët, kamioni i ndihmës mjekësore, të cilin e ngiste zonja Braison, bie në minat që i kishin vendosur forcat armike serbe. Nga shpërthimi i fuqishëm, doktor Shpëtim Robaj merr plagë të rënda vdekjeprurëse, ndërsa plagosen edhe kolegu i tij mjeku Ilir Tolaj, zonja Margaret Braison dhe Linda Bunjaku.  Gjatë luftës së UÇK-së kanë rënë dëshmorë edhe mjekët: Lec Leci-Gradica, Hafir Shala( i zhdukur), Izet Hima, Igballe Oshlani, Vesel Elezi, Blerim Dema, Fahredin Hoti, Masar Radoniqi, Faton Huma, Nuredin Zejnullahu, Xhevat Gashi e të tjerë.

Më 30 shtator të vitit 1998, ka rënë në altarin e lirisë edhe luftëtari i UÇK-së, Esat Ibishi.

 

Kontrolloni gjithashtu

Marrëveshja e Mukjes

Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – Gusht

Kalendari,  Gusht Më 1 gusht të vitit 1942 vdiq, Abdi Toptani, atdhetar, veprimtar i njohur …