leoni

Flamuri Kuq e Zi

Kalendari kombëtar i Radios-Kosova e Lirë, – Shkurt

Më 1 shkurt të vitit 1818, në Shkodër  u lind Zef Jubani, shkrimtar folklorist, rilindës i shquar. Ai i ka dhënë kontribut të veçantë mbledhjes së trashëgimisë gojore Më 1871, botoi në Trieshtë “Përmbledhje këngësh popullore dhe rapsodish shqiptare”: Në këtë  libër autori ka përfshirë edhe disa krijime të autorëve tjerë, si dhe një poezi të bukur nga një autor anonim me titull “Zâni i kasnecëve”, kjo vjershë ishte një kushtrim për çlirim,  ishte e përkthyer edhe frëngjisht dhe kishte pasur ribotime. Prej saj u frymëzua edhe Pashko Vasa dhe shkroi poezinë “O moj Shqypni”, Jubani shkroi edhe libra tjerë me tema historike e ekonomike, por edhe librin “Histori e Gjergj Kastriotit”, që i mbeti i pa mbaruar dhe pa botuar. Vdiq në vitin  1880, në Shkodër.

Më 1 shkurt të vitit 1949 në Gjirokastër u lind, Petrit Qejvani, një nga fëmijët e Ago e Asife Qejvanit, me origjinë nga Kallarati i Vlorës. Gjatë viteve 1968-1972 mbaroi studimet në Universitetin  e Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi dhe më vonë  në vitet 1977-1978 kursin pasuniversitar për Kritikë Letrare. Prej disa vitesh 1973-1987 punoi si mësues letërsie, fillimisht në Kukës e më vonë në Llakatund dhe në disa shkolla të qytetit të Vlorës. Në vitet 1987-1990 për tre vjet kreu detyrën e drejtorit të Teatrit të Vlorës. Më vonë për disa vite punoi drejtor në disa shkolla të qytetit po në Vlorë. Karrierën e tij pedagogjike e mbylli si pedagog pranë Departamentit të Gjuhë-Letërsisë në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës. Pas një sëmundje të rëndë poeti, prozatori, publicisti, kritiku letrar, Petrit Qejvani në gusht 2014 ndahet nga jeta, duke lënë pas një sërë dorëshkrimesh në poezi, prozë, shkrime publicistike dhe kritikë letrare.

Më 1 shkurt 1999, në Jabllanicë të Gjakovës  me nderime ushtarake u varros eprori i lartë i UÇK-së, Agron Rama i cili kishte rënë në pritë të forcave serbe më 29 janar

Më 2 shkurt të vitit 1924, në Dibër  u lind Sylejman Pitarka, dramaturg, skenarist, artist i popullit. Ai ka luajtur me sukses 50 role në Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe 20 të tjerë në kinematografi. Ka hyrë në historinë e dramës shqipe si autor i dramës “Familja e peshkatarit”. Më 1927, kur ishte në moshën trevjeçare, familja e tij u vendos në Durrës. Këtu kaloi fëmijërinë. Pas mbarimit të shkollës së mesme, filloi punë në bankë. Libri i tij Trimi i mirë me shokë shumë është një dramë për fëmijë ku flitet për Skënderbeun (Gjergj Kastriotin). Vdiq më 24 mars të vitit 2007 në Tiranë.

Më 2 shkurt të vitit 1991  filloi në Kosovë Aksioni për Pajtimin e Gjaqeve, në krye me profesor Anton Çettën dhe disa intelektualë nga Kosova. Aksioni kishte për qëllim pajtimin e vrasjeve dhe armiqësive në mes të shqiptarëve në kohën kur regjimi serb kishte pezulluar autonominë e Kosovës dhe pritej pajtimi kombëtar si  kusht për luftë të armatosur për çlirim nga robëria.

Më 3 shkurt 1828 u lind, Elena Gjika, e njohur si Dora d’ Istria. Ishte shkrimtare rumune me origjinë shqiptare. Elena mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kulturore përparimtare të Evropës si kundërshtare e sundimit despotik monarkist dhe e shtypjes Kombëtare. U radhit në mes të 10 femrave më të ngritura intelektualisht ne botën e asaj kohe. Përkrahu Rilindjen Kombëtare Shqiptare, mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar të saj, si: Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko etj. Në shenjë mirënjohjeje për ndihmesën e dhënë në njohjen e çështjes Shqiptare nga opinioni publik botëror, patriotët rilindës dhe arbëreshë të Italisë e të Greqisë i kushtuan librin me titull : Dora d’Istrias-Shqiptarët një përmbledhje vjershash patriotike.

Më 3 shkurt të vitit 1913, lindi Riza Lushta, futbollist shqiptar i përmasave botërore. Riza Lushta  u lind në Mitrovicë të Kosovës. Futbollist i Skuadër kombëtare të Tiranës, më vonë i Barit, Juventusit, Napolit, Aleksandrisë, Kannes në Francë  Kampion me Skuadrën kombëtare të  Tiranës 4 herë.  Golshënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar në dy edicione: 1936 dhe 1937.  I pari futbollist shqiptar i përmasave europiane me një karrierë të shkëlqyer edhe në Itali. Qendër-sulmues dhe golë shënues i madh. Në vitet 1942, 1943 ishte golshënuesi më i mirë i lojtarëve të huaj në kampionatin italian. Me 85 ndeshje dhe 47 gola të shënuar ai është midis 23 shënuesve më të mëdhenj për të gjitha kohërat në historinë e Juventusit, gjithnjë deri më 2005. Vdiq në vitin 1997.

 

Natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit   2000, “Rojat e urës” në Veri të Mitrovicës vranë 10 shqiptarë  plagosën qindra  të tjerë dhe dëbuan nga qyteti rreth 12 mijë banorë të pjesë veriore. Aksionin spastrues të policës së Serbisë dhe serbëve vendorë të veriut, nuk e penguan forcat franceze të KFOT-it. ‘Rojat serbe të Urës mbi Lumin Ibër, të cilat ishin vendosur në qershor të vitit 1999 vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq, plagosën shumë të tjerë, ndërsa dëbuan rreth 12 mijë shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit, duke lënë prapa shtëpitë e tyre në flakë. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) kishte thënë se të gjitha këto vrasje janë bërë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe policisë ndërkombëtare. Në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit 2000 janë vrarë Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi. Sipas dëshmitarëve, operacionin e vrasjeve e kishte udhëhequr MUP-i i Serbisë, në krye me ish-komandantin, Dragan Delibashiq, politikanin tashmë të vrarë serb Oliver Ivanoviq dhe të tjerë. Gjykata Themelore në Mitrovicë më 2014 shpalli fajtor Oliver Ivanoviqin, të cilin e kishte dënuar 9 vjet burg për krime lufte shqiptarëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë

 

Më 4 shkurt 1927 u lind Tano Banushi,  aktor, humorist, Artist i popullit. Në korrik të 1958 u krijua në Shkodër estrada profesioniste, e përfshirë në kuadrin e teatrit “Migjeni” të porsandërtuar, ku Banushi u emërua aktor profesionist. Më 14 nëntor të po atij viti doli premiera e parë e Estradës së Shkodrës me titullin “Reparti i operacionit të zemrës”, ku Tanoja ishte edhe inspektor skene. Më 1962 estrada nisi turnetë në mbarë Shqipërinë, u dekorua me Urdhërin e Punës të klasit I dhe në njëzet vjetorin e saj më 1978 u dekorua me Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të Parë. Më 5 shkurt 1986 doli në pension, 4 vjet pasi kishte mbushur moshën e pensionit. Megjithatë, e vijoi veprimtarinë artistike, duke shkruar e botuar edhe skeçe, tregime humoristike e anekdota. Ndërroi jetë më 7 gusht 1993

Më 4 shkurt të vitit 1944 nazistët gjermanët dhe mercenarët e Xhafer Devës vranë e masakruan në Tiranë 84 qytetarë të pafajshëm, në përpjekje për të arrestuar partizanët. Kjo është njëra ndër masakrat më të mëdha gjatë LANÇ në Shqipëri.

Më 4 shkurt të vitit 2001  ka rënë dëshmor në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Shpend Mazrekaj.

Më 5 shkurt të vitit 1887, në Gjirokastër  lindi, Omer Nishani, atdhetar, burrë shteti. Ka qenë mjek, politikan shqiptar, pas Luftës së Dytë Botërore u bë presidenti i parë i shtetit komunist, ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë dhe kryetar i Presidiumit të Kuvendit që në atë kohë mbante edhe postin e Kreut të Shtetit. Në vitin  1914 ishte mjek në batalionin e Gjirokastrës e më pas në Vlorë. Më 1914 dërgohet nga qeveria në Vienë për të praktikuar si mjek ndër klinikat e atjeshme. Më 1915-1918 doktor i Bashkisë së Ballshit në varësi të Prefekturës së Beratit. Më 1920 emërohet mjek në spitalin e Tiranës. Më 1923-24 mjek i Bashkisë Durrës. Në fillim të 1924 burgoset për dy javë për shkak të pjesëmarrjes në atentatit ndaj Zogut në parlament. Në dhjetor të 1924 largohet nga Shqipëria për në Itali e më pas në Austri. Më 1925 ishte ndër themeluesit e Konaresë së bashku me Fan Nolin. Vdiq më 26 maj 1954 në Tiranë.

Më 5 shkurt të vitit 1931 vdiq,  Mihal Grameno, atdhetar, shkrimtar, luftëtar i lirisë. U lind në Korçë në vitin 1871, në një familje tregtare. U shkollua në vendlindje dhe më 1885 mërgoi drejt Rumanisë. Në Bukuresht u lidh me lëvizjen kombëtare shqiptare, ku më 1889 u zgjodh edhe sekretar i shoqatës “Drita”. Më 1907 iu bashkua çetës së porsaformuar të Çerçiz Topullit, duke marrë pjesë në vrasjen e peshkopit grek te Guri i Cjapit për të marrë gjakun e Spiro Kosturit, vrarë nga grekët në Selanik. Grameno si gazetar bëri të mundur raportin e përleshjes së çetës në Mashkullorë. Më 1908 çeta shkoi të takonte Njazi bej Resnjën për të diskutuar më 23 korrik duke diskutuar për përparësitë që do t’i jepte shqiptarëve shpallja e një kushtetute. Po atë vit në nëntor përfaqësoi Klubin e Korçës në Kongresin e Manastirit. Më 1910  proklamoi themelimin e një kishe shqiptare, dhe nuk u njoh nga Perandoria Osmane.  Gjatë kryengritjeve të vitit 1911 Grameno kryente ndërlidhjen mes grupeve të çetave ndër viset shqiptare dhe prijësve të lëvizjes kombëtare në Stamboll për të koordinuar kryengritjet.  Vdiq në Korçë më 5 shkurt, 1931. Për meritat e shquara në dobi të atdheut, i është dhënë titulli “Hero i Popullit”.

Më 6 shkurt 1997, vdiq, Nexhip Vinçani, luftëtar partizan, gjeneral. U lind më 11 gusht të viti t1916, në familjet patriotit dhe luftëtarit, komandantit Kareman Vinçani, lindi Nexhip Vinçani. Shkollën e mesme fillimisht në Liceun e Korçës, më pas në shkollën ushtarake Tiranë dhe e përfundoi në gjimnazin e Shkodrës.  Që në moshë të re, si student i Liceut të Korçës, ai ra në kontakt me rrethe studentore e punëtore përparimtare, me përfaqësues të Shoqërisë “Puna”. Në Shkollën Ushtarake dhe në gjimnazin e Shkodrës njihet me Reshit Çollakun, Skënder Çaçin, Vojo Kushin, Emin Durakun etj.   Nexhip Vinçani do të vlerësohej dhe nderohej me 11 medalje të larta dhe urdhra nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë, medaljen “Shqiponja e Artë“ nga Presidenti i Shqipërisë, dy herë medalje si pjesëmarrës dhe kontribues i veçantë në Luftën e Dytë Botërore nga Presidentet e Rusisë. Këshilli i Qarkut të Korçës i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi”.

Me 6 shkurt të vitit 1999 nga Aeroporti i Prishtinës, u nis  për në Rambuje të Francës, delegacioni i Kosovës. Sipas marrëveshjen me autoritet ndërkombëtare delegacioni që përfaqësonte UÇK-në nuk iu ka nënshtruar formaliteteve të kontrollit, ndërkohë që për në Francë kanë udhëtuar dy aeroplanë civilë. Delegacioni i UÇK-së ishte përcjellë nga fshati Shalë i Drenicës drejt Aeroportit të Prishtinës  me prani të një numri të madh të luftëtarëve të UÇK-së dhe popullatës liridashëse të Drenicës jugore.

Më 7 shkurt të vitit 1923 lindi, Stefanaq Pollo. U lind në Përmet. Studimet i kreu në Liceun Francez të Korçës. Në vitin 1942 ka hyrë në radhët e Rinisë Komuniste dhe në majin e 1943 doli partizan.  Nga Tetori 1944 e deri në Tetor 1945 ka punuar redaktor i gazetës “Kushtrimi i Lirisë”, dhe më vonë si redaktor i gazetës “Bashkimi”. Me krijimin e Universitetit të Tiranës në vitin 1957 emërohet dekani i parë i Fakultetit te Historisë dhe të Filologjisë. Në vitet 1972 – 1989 qe drejtor i Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në vitet 70 qe për tetë vite deputet në Kuvendin Popullor. Në mjaft artikuj shkencorë, referate, kumtesa dhe diskutime të mbajtura në Kongrese, konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit prof. Stefanaq Pollo, në mënyrë të veçantë, është ndalur në trajtimin e problemeve thelbësore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Vdiq më 15 maj të vitit 1997.

Më 7 shkurt të vitit 1999, në Rambuje të Francës, pas disa orë konsultimesh, u vendos që në krye të delegacionit negociatar të Kosovës  të emërohet, Hashim Thaçi, i cili ishte edhe kryesuesi i delegacionit të UÇK-së. Përfaqësuesit e tjerë ishin dr. Rexhep Qosja nga Lëvizja e Bashkuar Demokratike,  Ibrahim Rugova nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe një përfaqësuese i shoqërisë civile.

Më 8 shkurt të vitit 1920,  tetë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, qyteti i Tiranës zyrtarisht u shpall kryeqytet i Shqipërisë. Tirana dikur ishte një qytet tipik i lindjes, sot është kthyer në një qytet modern me rreth 1 milionë banorë.

Tirana ndodhet në qendër të Shqipërisë, rreth 35 km në lindje të Durrësit dhe rreth 40 km në veri-perëndim të Elbasanit, në një luginë të rrethuar nga Mali i Dajtit në lindje, kodrat e Kërrabës dhe Saukut në jug, kodrat e Vaqarrit dhe Yzberishtit në perëndim dhe ato të Kamzës në veri. Qyteti u themelua në vitin 1614. Emri i Tiranës përmendet në vitin 1418 në një dokument të Venedikut. Gjatë gjithë historisë së saj ajo ishte një qendër romake. Ajo u pushtua në shekullin e pesëmbëdhjetë nga Perandoria turko-osmane, i cili ndikoi dhe ndryshuar politikën, shoqërinë, kulturën, arkitekturën dhe fesë në shekujt e mëvonshëm. Tirana e shpalli pavarësinë në 26 nëntor 1912. Përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925 nga Asambleja Kushtetuese.

Më 8 shkurt të vitit 1923 lindi, Jakov Xoxa, romansier i njohur shqiptar. Xoxe në letërsinë shqipe ka mbetur si shkrimtari më i madh i realizmit, i njohur sidomos me romanin “Lumi i vdekur” ku në mënyrë letrare simbolike parasheh bashkimin e Kosovës me Shqipërinë Xoxe ka shkruar edhe romane e novela, si Lulja e Kripës, Juga e Bardhë e të tjera,  Vdiq në vitin 1979.

Më 8 shkurt të vitit 1999 SHP i UÇK-së me një deklaratë publike njoftonte se me fillimin e bisedimeve  në Rambuje, regjimi i Milosheviqit kishte intensifikuar sulmet kundër shqiptarëve dhe bazave të UÇK-së. Luftime ishin zhvilluar në Zonën e Llapit në rrugën, Prishtinë- Podujevë –Kerpimeh. Forcat serbe kishin sulmuar fshatrat e Mitrovicës, Malishevës, Suharekës. Duke u përballur me këtë gjendje, SHP i kishte dërguar një notë proteste Grupit të Kontaktit dhe kërkonte që serbët t’ i ndalonin sulmet, për t’i dhënë shans  bisedimeve.

Më 8 shkurt të vitit 1984 ka rënë dëshmor, Bajram Bahtiri. Ai ishte rrethuar në shtëpinë e tij në Prishtinë  nga milicia jugosllave dhe inspektorët e UDB-së. Kishte rënë pas  një qëndrese meritore kundër milicisë dhe UDB-së.

Më 9 shkurt të vitit 1898 u lind Bilall Golemi, mjek veterinar, mikrobiolog i shquar në fushën veterinare e mjekësore, patriot, atdhetar e demokrat përparimtar. U largua nga Golemi kur ishte 7 vjeç, duke shkuar pas të atit në Stamboll. Kreu shkëlqyeshëm studimet e larta në mjekësinë veterinare. U specializua për mikrobiologji në institutin «Paster» në Paris. Në vitin  1952 emërohet sekretar i përgjithshëm i institutit qendror veterinar në Ankara, po këtë vit zgjidhet ekspert i Organizatës Ndërkombetare të Shëndetësisë. Studimet e tij patën jehonë të madhe në Evropë e në botë. Vdiq në Stamboll, në vitin 1955.

Më 9 shkurt të vitit 1999, SHP i UÇK-së kërkonte nga Grupi i Kontaktit, një armëpushim zyrtar mes forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me ndërmjetësimin e forcave ndërkombëtare. Në kushte dhe rrethana të bombardimeve e luftimeve të përditshme nuk mund të ketë dialog as bisedime të suksesshme, në Ramuje. Nën tytat e armëve nuk mund të dialogohet por vetëm të luftohet thuhej mes tjerash në komunikatën numës 32 të SHP të UÇK-së.

Më 9 shkurt të vitit 1999, pavarësisht bisedimeve që po zhvilloheshin, në Rambuje, forcat serbe kishin ndërmarrë një fushatë ushtarake në rajonin e Pejës e veçmas në Grykën e Rugovës ku vepronte brigada 136, Rugova e Zonës Operative të Dukagjinit. Përforcime ushtarake ishin vërejtur edhe në rajonin e Shtimes, kur pritej që në ditët në vazhdim të varroseshin trupat e 45 shqiptarëve të masakruar nga serbët, më 15 janar në Reçak.

Më 9 shkurt të vitit 1999 me nderime ushtarake dhe në prani të shumë pjesëmarrësve u varros trupi i dëshmorit, Naim Xhafer Gashi nga Sferka e komunës së Klinës. Ai kishte rënë më 29 janar në Rogovë të Hasit

Më 10 shkurt  lindi, Haki Mbroja, atdhetar, mjek luftëtar i Pavarësisë. Vdiq në vitin 1931.

Më 10 shkurt të vitit 1897 lindi, Mati Logoreci, veteran i shkollës shqipe, historian, gjuhëtar,  vdiq në vitin 1941.

Më 10 shkurt të vitit 1910, lindi Gjon Serreçi, atdhetar idealist, njëri nga krerët kryesorë të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare. Më 31 gusht të vitit 1947, pas dënimit me vdekje, ishte pushkatuar nga regjimi titist, në vendin e quajtur Tok bahçe, në Prishtinë,  së bashku me Ukë Sadikun, Osman Bunjakun dhe Ajet Gërgurin.

Më 10 shkurt të vitit 1891 lindi, Abaz Kupi, atdhetar nacionalist, zogist. Vdiq në vitin 1976.

Më 10 shkurt 1900 lindi, Hysen Lepenica, atdhetar, ballist, antifashist. U vra nga italianët, në vitin 1943.

Më 10 shkurt të vitit 1917, lindi Mysime Kokollari, studiuese, shkrimtare, folkloriste. Vdiq në internim në vitin 1983.

Më 10 shkurt të vitit 1926 vdiq, Aqif Pashë Elbasani, atdhetar, bashkëveprimtar i Ismail Qemalit.

Më 10 shkurt të vitit 1999, forcat serbe, pasi i kishin mbajtur për afër një muaj në morgun e Prishtinë, me ndërmjetësimin e verifikuesve të OSB-së kishin kthyer në Reçak 45 kufomat e masakruara të shqiptarëve në Reçak më 15 janar të po atij viti, nga forcat kriminale serbe.

Më 11 shkurt të vitit 1920,  në Tiranë u vendos Qeveria e votuar nga Kongresi i Lushnjes. Kongresi i Lushnjes kreu punimet në shtëpinë e patriotit lushnjar, Kasëm Fuga, nga 21 deri më 31 janar te vitit 1920. Në Kongres morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria. Qëllimi i Kongresit ishte studimi i situatës së brendshme dhe të jashtme të vendit dhe masat që duhet të merreshin për shpëtimin nga rreziku i copëtimit të Shqipërisë. Delegatëve i uroi mirëseardhjen në Kongres Ferit Vokopola që ishte delegati i Prefekturës së Beratit, Lushnjes dhe Skraparit. Pas Vokopolës, fjalën e mori patrioti i famshëm i asaj kohe Aqif Pashë Elbasani i cili iu përgjigj shkurt të gjitha pyetjeve të bëra nga delegatët duke mbyllur ceremoninë  e hapjes së Kongresit.

Më 11 shkurt të vitit 1900 u lind në Pejë, Ali Kelmendi, militant komunist, anëtar i Kominternës, Hero i Popullit.  Ali Kelmendi, njëri ndër personalitetet më të njohura të lëvizjes komuniste të Shqipërisë dhe të Kosovës. U lind dhe u rrit në një familje të varfër fshatare por me ide atdhetare. Në qershor të vitit 1924, përkrahu Revolucionin borgjez demokratik në krye me Fan Nolin. Pas rënies së Qeverisë së Nolit në dhjetor të vitit 1924, Ali Kelmendi ashtu sikur edhe shumë  intelektualë përparimtarë, u largua nga Shqipëria duke emigruar fillimisht  në Itali pastaj në Francë e më vonë edhe në Bashkimin Sovjetik. Ishte pjesëmarrës i Internacionales Komuniste. Në vitin 1930 dërgohet nga Internacionalja për ta aktivizuar lëvizjen komuniste në Shqipëri dhe në Kosovë, ku dha kontribut të madhe. Mori pjesë në luftën e Spanjës por u sëmur rëndë dhe Vdiq në një spital të Parisit në vitin 1939.

Më 11 shkurt janë varrosur në Reçak të Shtimes, 45 martirët e masakruar barbarisht nga forcat serbe më 15 janar. Gjatë ceremonisë, ambasadori amerikan, Viliam Voker mbajti një fjalë rasti, në prani të mijëra pjesëmarrësve në varrim.

Më 11 shkurt të vitit 1999 janë varrosur dëshmorët e ushtrisë çlirimtare të Kosovës: Bahtiar Morina nga Lubizhda e Malishevës,  dhe Naim Dreshaj nga Priogoda e Burimit.

Më 11 shkurt të vitit 1999, u takuan dhe biseduan  me delegacionin e Kosovës në Rambuje, ministri i Jashtëm të Anglisë, Robin Kuk dhe zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Xhejms Rubin.

 

Më 12 shkurt të vitit 1905 kriminelët grekë masakruan Papa Kristo Negovanin. Lindi më 1875 ne Negovan afër Follorinës. Shkollën e kreu në Athinë. Luftoi kundër synimeve shkombëtarizuese të kishës e të qarqeve shoviniste të borgjezisë greke. Propagandoi idenë e bashkimit të forcave patriotike në luftën kundër lakmive të shteteve shoviniste fqinje. Më 10 shkurt 1905 Negovani mbajti një shërbesë kishtare shqip në prani të Karavangjelisit, peshkop i Kosturit. Pas dy ditësh, të shtunën, 12 shkurt 1905, fshati u rrethua nga banditët grekë. Në mes të natës, andartët grekë duke i sulmuar me sëpata  vranë mizorisht Papa Kriston, vëllanë e tij dhe katër shqiptarë. Për të marrë hak për këtë akt që kisha ortodokse greke ua veshi shqiptarëve, luftëtarët popullorë Bajo e Çerçiz Topulli zunë pritë dhe vranë Peshkopin grek Fotis, në  Korçë,  në shtator 1906.

 

Më 12 shkurt të vitit 1948 u pushkatua në Prishtinë, Kadri Bebë Ribari, veprimtar dhe luftëtar i NDSH-së.

Luftëtari i Shqipërisë Etnike, Kadri Beba u lind në vitin 1878 në lagjen Graiçevci të fshatit Ribar i Madh afër Lypjanit. Në kohën e Mbretërisë serbe, kroate,  sllovene ka qenë i përndjekur familjarisht nga regjimi. Në vitin 1937 është dënuar për aktivitete kudër regjimit dhe në vuajtje të dënimit është dërguar në Pozhegë të Uzhicës, në Serbi.  Në pranverë të viti 1941 ka përkrahur depërtimin e forcave italo-shqiptare në Kosovë dhe në viset shqiptare, të cilat nga vitit 1918  i kishte  mbajtur  nën pushtim Jugosllavia monarkike.  Ilaz Agushi, ministër i Kosovës në Qeverinë e Tiranës,  e kishte emëruar kryetar të komunës së Lypjanit. Gjatë periudhës prej vitit 1941 e deri në fillim të fund të vitit 1944 ka mbajtur kontakte me krerët më të lartë të kohës. Ka kontribuar në dërgimin e forcave vullnetare për mbrojtjen e kufijve të  Shqipërisë Etnike, sidomos në Frontin e Prapashticës ku kishte caktuar, vëllanë e tij Salih Rexha komandant të njësive të rrethit të Lypjanit.  Në vitin 1944 ishte në radhët e Nacional-demokratike shqiptare, së bashku me Ajet Gërgurin, Gjon Serreqin, Arif Shalën, Ibrahim Lutfiun, Azem Jashanicën, e shumë të tjerë. Ka marrë pjesë në Kongresin e Lypovicës më 25 korrik të vitit 1946, dhe në luftimet në Hoqë të Prizrenit më 8 gusht. Duke qenë se forcat partizane komuniste ia mbanin në burg të gjithë meshkujt e familjes, duke e kushtëzuar me dorëzimin e tij, ai pranon të sakrifikohet për familjen dhe arrestohet  në prill të vitit 1947.  Më 26 dhjetor të  atij viti  Gjykata Supreme e Serbisë  mori vendimin definitiv për pushkatimin e Kadri Bebë Ribarit. Dënohet me vdekje pushkatim si kundërshtar i regjimit komunist jugosllav dhe ishte ekzekutuar në lagjen Taukbahqe të Prishtinës, vend i cili më vonë u quajt “Strelishte” vend-pushkatim.  Nuk janë gjetur eshtrat as i dihet varri.

 

Më 12 shkurt të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kishin marrë një sulm në shkallë të gjerë kundër forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit. Po kështu atë ditë kanë hyrë nga Serbia në Kosovë forcat të shumta të motorizuara serbe. Edhe në rajonin e Shtimes, të Klinës dhe të Pejës ka pasur lëvizje të mëdha të forcave ushtarake e policore serbe.

Më 12 shkurt të vitit 1999 SHP i UÇK-së kishte reaguar kundër paraqitjes së Halil Bicajt në postin e Ministrit të Mbrojtjes  së Kosovës. Ai në cilësi të ministrit kishte vizituar edhe Republikën e Turqinë. Bicaj asnjëherë nuk kishte qenë në radhët e luftës dhe pozita e tij fiktive nuk pranohet nga SHP i UÇK-së.

 

Më 13 shkurt të vitit 1885 vdiq Albert Stratigo, arbëresh, politikan studiues i gjuhës shqipe. Lindi në Lungro në vitin  1822. Ishte student i Kolegjit Italo-Shqiptar të Sant’Adriano dhe dallua për dashurinë ndaj letërsisë romantike evropiane. Duke lexuar shkrimtarët kryesorë të kësaj letërsie  ai erdhi në kontakt me idetë e para socialiste në Itali dhe ndër arbëresh.  Në ato ide gjeti  frymëzimin për të krijuar  veprat e tij “Proletari” dhe “Bersalieri””. Në lirikën e tij L’Albaneze, “Shqiptari”  rrëfen historinë e Shqipërisë, virtytet e popullit shqiptar dhe aspiratat e tyre për çlirim dhe bashkim.

Më 13 shkurt të vitit 1937 vdiq, Halim Xhelo, atdhetar, revolucionar demokrat, Hero i popullit.

Halim Xhelo lindi në  Tërbaç të Vlorës më 13 shkurt të vitit 1894. Ishte arsimtar, luftëtar, organizator i Luftës së Vlorës në vitin 1920, pjesëmarrës në revolucionin e qershorit të vitit 1924. dhe përkrahës i qeverisë së Nolit, drejtues i gazetës “Politika” dhe “Liria Kombëtare” në Paris, veprimtar i Kominternit. Kreu shkollën e mesme në Korfuz. Mori pjesë në çetën kryengritëse të Spiro Ballkamenit më 1911. Pas Shpalljes së Pavarësisë punoi si arsimtar në fshatrat e Vlorës. Në Matogjin hapi shkollën e parë shqipe, më shtator 1913. Zhvilloi propagandë dhe veprimtari të dendur për mbrojtjen e tërësisë territoriale të shtetit shqiptar, ku spikati me shkrimet atdhetare. Më 1915-1916 kur çelet shkolla fillore për djem në Vlorë u caktua mësues së bashku me Jani Mingën e Thoma Papanon me drejtor Kolë Kamsin. Vdiq në Moskë në vitin 1937. Varrimi iu bë në krematoriumin e Moskës, hiri i trupit të tij mbeti në një poçe porcelani.

Më 13 shkurt të vitit 1949 u  themelua “Bashkimi i Gazetarëve të Shqipërisë”.

Më 13 shkurt të vitit 1999  ka rënë dëshmori i UÇK-së,  Avni Koshtova.

Më 13 shkurt të vitit 1999 banditët  serbë të maskuar në një veturë,  sulmuan me bomba në mesin e popullatës civile në qendër të Ferizaj me ç’ rast pati dhjetëra të lënduar rëndë.

Më 14 shkurt të vitit 1917 u lind në Tiranë, Beqir Balluku, luftëtar antifashist. ushtarak, gjeneral. Në vitin 1943 ishte anëtar i Partisë Komuniste dhe anëtar i Komitetit Qendror i Partisë komuniste,  U arrestua nga italianët  më 1943 për pak muaj dhe më 20 maj 1943 u caktua komandant i batalionit partizan Krujë-Ishëm. Më 18 shtator 1943 komisar i Brigadës së 3-të dhe më pas komandant i Brigadës së 2-të. Më 1944 ka qenë komandant i shtabit operativ të brigadave 2, 9 dhe 20. Më 1945 qe anëtar i Gjyqit Special.  Për shkaqe politike u pushkatua në vitin 1974.

14 shkurt të vitit 1998 ka rënë   Avdullah Nikaj, dëshmor i luftës së UÇK-së.

Më 14 shkurt të vitit 1999 Drejtoria për Marrëdhënie me Publikun e UÇK-së në Shtime kishte bërë të ditur se 430 banorë shqiptarë të Jezercit për më shumë se dy muaj ndodheshin nën rrethim të forcave serbe dhe në kushte  dimri dhe në mungesë ushqimi  rrezikoheshin për ekzistencë, meqë serbët nuk lejonin organizatat humanitare të lëviznin në artë drejtim.

Më 14 shkurt të vitit 1999, sekretarja amerikane e Shtetit, Medlin Olbrajt kishte takuar dhe kishte biseduar me delegacionin e Kosovës në Kështjellën e Rambujesë, në krye me Hashim Thaçin, i cili përfaqësonte  delegacionin e Kosovës në këtë konferencës.  Zonja Olbrajt kishte kërkuar qëndrim unik të delegacionit.

 

Më 15 shkurt të vitit 1870 lindi Lazër Lumezi, mësues, gjuhëtar, veprimtar. Ishte veprimtar i arsimit, mësues në Shkollën e Parë Shqipe në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, metodist i gjuhës shqipe, autor tekstesh shkollore, etnograf, folklorist e vjershëtor, bashkëkohës  dhe bashkëpunëtor i Mati Logorecit dhe vazhdues i veprës së tij. U lind në Prizren ku edhe mbaroi shkollën fillore. Përveç gjuhës amtare zotëronte edhe gjuhët serbe, gjermane, turke e italiane. Dha kontribut të madh në përhapjen e alfabetit të Manastirit, çeljen e shkollës së parë shqipe në Zhur, formimin e shoqërisë “Besa-Besë”, të Pejës. Në Mësonjëtoren e parë shqipe në Prizren punoi plot 40 vjet, mbajti mësim nga të gjitha lëndët. Lazër Lumezi vdiq në vitin 1941.

Më 15 shkurt të vitit 1999, ministri i Jashtëm i Rusisë, Igor Ivanov kishte kundërshtuar vendosjen e trupave të NATO-s në Kosovë, edhe nëse arrihej ndonjë marrëveshje mes palëve në bisedime. Të trimëruar me këtë përkrahje të Rusisë, forcat serbe kishin dërguar  nga në Kosovë kontingjente të reja ushtarake, të pajisura  me armatim të rëndë.

Më 15 shkurt të vitit 1999, në Likoc të Drenicës, njëri prej bastioneve të njohura qysh prej fillimit të luftës së UÇK-së, filloi mësimin dhe stërvitjen  gjenerata e tretë e kadetëve të shkollës Ushtarake: Hamëz Jashari. Me këtë rast Komandanti për moral  i Zonës Operative të Drenicës, Shaban Shala kishte porositur kadetët e rinj të përcjellin përvojën e tyre ushtarake dhe dijen e arritur gjatë shkollimit.

Më 16 shkurt 1806 lindi Pjetër Zarishti, klerik, poet shqiptar i shekullit 19-të. Pjeter  Zarishi me veprimtarinë e tij shënon një  “ure kalimi” nga letërsia e vjeter shqipe ne letersine e re te Rilindjes Kombetare. Ai bëri lidhjen me  letersine e Rilindjes, e cila do te njohe shkelqimin e vet me poete te tille si De Rada, Naimi, Mjeda etj. Vdiq ne vitin 1866.

Më 16 shkurt të vitit 1916 lindi, Qemal Haxhihasani, etnolog dhe folklorist i njohur. Ai ishte olklorist i shquar, hartues i veprës madhore “Epika legjendare 1 dhe 2”, studiuesi që u mor shumë me tema të palëvruara më parë te ne siç është p.sh. cikli i kreshnikëve, të cilat i përmblodhi në “Këngë popullore legjendare” dhe “Këngë popullore shqiptare”. Ai ka bërë shpjegimin e disa termave të shkencës e të teknikës për hartuesit e Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980. Vdiq në vitin 1992.

Më 16 shkurt të vitit 1981 vdiq Zihni Sako, shkrimtar, studiues. Lindi në Gjirokastër më 1912. Është autori i njërit prej teksteve të parë të folklorit në shkollat e larta. Ndër veprat letrare të tij janë novelat: “Bereqeti”, “Ditë të gëzueshme”, disa vëllime me vjersha për fëmijë, vëllime me tregime etj. Ka kryer një veprimtari te gjere patriotike duke luftuar deri ne çlirimin e vendit. Ka punuar në Institutin e Shkencave ku ka qene sekretari i tij dhe drejtues i sektorit te folklorit.

Më 16 shkurt të vitit 1944 forcat gjermanë vranë e masakruan 74 burra gra e pleq në fshatin Vranisht të Vlorës.

Më 16 shkurt të vitit 1999, përfaqësuesi i Përgjithshëm Politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Demaçi, priti në zyrën e tij në Prishtinë, një grup kongresistësh amerikanë në krye me z Frank Volf. Duke folur për Konferencën e Rambujesë, Adem Demaçi kishte shfaqur rezerva në rezultatin e saj.

Më 17 shkurt 1946 u vra Ndrec Ndue Gjoka, arsimues, Mësues i popullit. Ndrecë Ndue Gjoka u lind më 1919 në fshatin Bisak të Fanit ( rrethi i Mirditës). U rrit në kushte jashtëzakonisht të vështira sikurse shumica e moshatarëve të tij të varfër të Mirditës. U vra nga bandat mercenare për shkak të aktiviteti të tij atdhetar në hapjen e shkollave shqipe në Mirditë dhe emancipimin e femrës shqiptare

Më 17 shkurt të vitit 2008 Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Në një mbledhje ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur.

Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar kërkoi vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme. Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 22 korrik 2010, Gjykata konstatoi se Deklarata e Kosovës për Pavarësi, nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të dhimbshëm lotësh e gjaku për qytetarët e Kosovës. Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së trupave ndërkombetare në Kosovë, në nëntor 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar.

Më 17 shkurt të vitit 1999, ambasadorët e 16 vendeve anëtare të NATO-s ishin takuar  me qëllim për t i njoftuar autoritetet e larta të Britanisë së Madhe dhe të Francës lidhur me rrjedhën e negociatave në Konferencën e Rambujesë.  Këshilli i NATO-s kishte konstatuar se ende nuk ishte arritur ndonjë marrëveshje meqë këtë e kundërshtonte pala serbe.

Më 18 shkurt të vitit 1931 agjentët serbë kanë vrarë albanologun e mirënjohur kroat, Millan Shuflaj. Ai  u lind në vitin 1879 në Zagreb ku edhe kreu studimet. Interesimi  i tij për shqiptarët dhe Shqipërinë e ndeshim që në fillim të karrierës së tij shkencore, kur, duke hulumtuar e mbledhur dokumente nëpër arkivat e Dalmacisë, për “kodeks diplomaticus” zbulon materiale burimore shumë interesante, të pabotuara, që i takonin mesjetës shqiptare. Kjo periudhë, në atë kohë ishte e pahulumtuar fare dhe zgjon interes të jashtëzakonshëm tek studiuesi i ri, interesim ky që e preokupon aq shumë, sa bëhet qëllim kryesor i veprimtarisë shkencore për gjithë jetën e tij.

Më 18 shkurt 1975 vdiq, Naim S. Frashëri, artist filmi dhe aktor teatri. Artist i popullit.  U  lind në Leskovik më 15 gusht të vitit 1923 dhe vdiq më 18 shkurt të vitit 1975, ishte aktor i njohur shqiptar. Karrierën profesionale si aktor e filloi në fillim të vitit 1945, por dashuria për teatrin i lindi që në 1942. Naim Frashëri do të luante me sukses një sërë rolesh kryesore e të suksesshme, Gjoni “Trimi i mirë me shokë shumë”, “Familja e peshkatarit”, “Gjenerali i ushtrise së vdekur”, “Përkolgjinajt”,  “Orët e Kremlinit”, “Rrënjët e thella”, “Hamleti”. Ka interpretuar 8 role ne filmin artistik. Naim Frashëri është nderuar me shumë tituj dhe çmime të ndryshme. Mbetet nga ikonat e teatrit shqiptar. Ështe dekoruar edhe me urdhrin e lartë “Hero i punës socialiste”, si dhe mban titullin “Artist i Popullit”.

Më 18 shkurt të vitit 1999, zyrtarë të lartë amerikanë kanë ripërsëritur kërcënimin kundër kryetarit të Serbisë Milosheviq lidhur me krimet dhe masakrat në Kosovë. Ndërsa sekretarja amerikane e Shtetit Medlin Olbrajt ka kërcënuar me ndërhyrjen ushtarake  të NATO-s nëse ai vazhdon ta shpërfill Konferencën e Rambujesë.

Më 19 shkurt 1470 vdiq, Pal Gazulli, humanist, pedagog, bashkëkohës i Skënderbeut. ishte humanist shqiptar, diplomat, pedagog, orator dhe një ndër bashkëpunëtorët e Skënderbeut. Familja Gazulli në mesjetë ishte një nga familjet e njohura feudale shqiptare nga Kabashi i Pukës dhe Ndërfana e Mirditës. Më 1442 u emërua rektor i shkollave të Raguzës, detyrë që e mbajti dy vjet. U kthye në atdhe pas formimit të Lidhjes së Lezhës dhe qe një ndër bashkëpunëtorët besnikë të Skënderbeut. Nga viti 1452 deri më 1459 shërbeu si ambasador në Republikën e Raguzës dhe nënshkroi në emër të Skënderbeut një sërë marrëveshjesh me të. Në vitin 1462 ai i kërkoi Republikës ishujt Hvar dhe Korcula për ushtrinë shqiptare në rast të një tërheqjeje të mundshme. Jetoi dhe vdiq në Raguzë.

Më  19 shkurt të vitit 1879 lindi Luigj Gurakuqi. Lindi në Shkodër. U  rrit në gjirin e një familjeje tregtare shkodrane, nga Pjetër Gurakuqi e Lezja e Kolë Prekës.  Me edukimin e tij u mor në mënyrë të veçantë i ati.  Shkollën fillore e të mesme i ndoqi në Kolegjin Saverian në rendin tekniko-tregtar, prej ku doli më 1897. E plotësoi arsimin e mesëm në Kolegjin arbëresh e Shën-Mitër Koronës, ku pati mësues De Radën, që e frymëzoi për tërë jetën; ishte nxënësi i parë shqiptar aty. Me 1911 ishte një prej hartuesve të Memorandumit të Gërçes gjatë kryengritjes se malësorëve të Mbishkodrës të vitit 1911. Ne vitin 1912 mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit, pastaj  më 28 nëntori të po atij viti  mori pjesë në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Ishte pjesëmarrës i  Revolucionit  Demokratik borgjez të qershorit të vitit 1924 bashkë me Fan Nolin, Bajram Currin, Hasan Prishtinën e shumë atdhetarë të tjerë. U vra, në Bari të Italisë,  nga forcat zogiste më 2 mars të vitit 1925.

Më 19 shkurt 1999, sekretari  amerikan i Mbrojtjes, Viliam Kohen urdhëroi zhvendosjen e 51 avionëve luftarakë në Evropë. Po atë ditë edhe ministri i Jashtëm gjerman Joshka Fisher  kishte paralajmëruar se do të ketë luftë nëse do të dështojë Konferenca e Rambujesë.

 

Më 20 shkurt 1815 lindi, Sylejman Vokshi, atdhetar komandant ushtarak i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Fillimisht  ka qenë delegat i Lidhjes e Prizrenit dhe më pas prijës ushtarak i saj. Si anëtar i komitetit qendror të Lidhjes në krye të komisionit të financave, Vokshi qe prijës me rëndësi në krahun ushtarak të Lidhjes. U lind në Voksh të Gjakovës, në një familje spahinjsh. Në periudhën e Tanzimatit mori pjesë në lëvizjen e Dervish Carës, arsye për të cilën e internuan në Anadoll. Më 1878 mori pjesë në mbledhjen e Prizrenit si delegat i Gjakovës, ku dhe firmosi Kararnamenë. Po atë vit, më 6 shtator, qe ndër organizatorët që mësyen kullën e Abdullah pashë Drenit për të shtënë në dorë mareshallin Mehmet Ali pashë Maxharrin që ishte mik tek ai, ndodhi që shënjoi të parin veprim ushtarak të Lidhjes. Në dhjetor të 1880 Lidhja u riorganizua dhe Vokshi mbajti krahun aktiv autonomist. Luftoi përkrah Haxhi Zekës dhe njësitë e tij zunë Shkupin më 4 janar 1881, Prishtinën me 18 janar dhe Mitrovicën, U kap nga forcat turke më 1885, fillimisht u dënua me vdekje, por më pas Sulltan Abdyl Hamidi i Dytë e fali dhe u dënua me internim dhe punë të detyruar.

Më 20 shkurt të vitit 1897, në Kozencë të Kalabrisë u mblodh Kuvendi i Dytë i Arbëreshëve të Italisë.

Më 20 shkurt të vitit 1999, zëdhënësi politik i SHP të UÇK-së, Jakup Krasniqi, kishte bërë me dijes se delegacioni i Kosovës në Rambuje do të insistonte që në marrëveshjen e mundshme të Rambujesë të parashihej edhe Referendumi pas tri vitesh.

Më 20 shkurt të vitit 1999, delegacioni i Serbisë në Rambuje vendosi definitivisht që të mos e nënshkruajë marrëveshjen, që kishte dalë nga konferenca e Rambujesë.

Më 21 shkurt të vitit 1902 u vra Haxhi Zekë Byberi.  Lindi më 20 dhjetor në fshatin Shoshan të Malësisë së Gjakovës, ishte  i biri i Mehmet Abedinit dhe Zelfije Doçit nga Deçani. Familja e tij më pas u  shpërngul në Pejë. Ishte një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga luftëtarët më të vendosur për autonominë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e tërësisë së saj territoriale. Në Kuvendin e parë të Lidhjes, më 10 qershor 1878, u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj. Mori pjesë, si komandant ushtarak, në krye të forcave të Lidhjes në aksionin e Gjakovës, në shtator 1878 kundër Mehmet Ali Pashës. Krahas udhëheqësve të tjerë politikë e ushtarakë të Lidhjes Haxhi Zeka në fund të vitit 1879 dhe në fillim të vitit 1880 luftoi për mbrojtjen e Plavës dhe të Gucisë kundër forcave të Malit të Zi. Në pranverën e vitit 1881 mori pjesë në betejat kundër ushtrisë së Dervish pashës.

Më 21 shkurt të vitit 1945 pas luftimeve të ashpra kundër brigadave partizane e çetnike, që kishin rrethuar rajonin e Drenicës, në fshatin Tërstenik, ka rënë heroikisht duke luftuar ballë për ballë forcave serbe, komandanti  Shaban Polluzha, njëri ndër luftëtarët  më të njohur shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shaban Polluzha ishte njëri ndër komandantët  më të shquar gjatë viteve 1941- 1945, kur trojet shqiptare ishin bashkuar në një Shqipëri Etnike, por për shkak të ndasive dhe sulmeve nga forcat partizane jugosllave, nga ato bullgare e greke, nuk u arrit  ruajtja e tërësisë territoriale. Ai me luftëtarët e tij ka marrë pjesë në mbrojtje të kufijve të Shqipërisë Etnike edhe në Sanxhak, së bashku me Aqif Blytën e luftëtarë të tjerë ku kanë  luftuar kundër forcave partizane çetnike, që  ishin përpjekur të shfarosnin popullatën jo serbe të asaj krahine  Kryetrimit të Drenicës dhe të Kosovës së asaj kohe iu kishin bashkuar luftëtarë të njohur të Kosovës si kapiteni Mehmet Gradica, luftëtarët e NDSH-së dhe tërë popullata liridashëse.

Më 21 shkurt 1914 u lind Andrea Varfi, poet, studiues, publicist. Lindi në Qeparo të krahinës së Bregut, i biri i Epaminonda Varfit, mësuesi i shkollës së parë të fshatit. Mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen e ndoqi në Shkollën Tregtare të Vlorës ku ishin edhe Petro Marko, Spiro Çomora, Aleks Çaçi, Mehmet Shehu e Shefqet Musaraj. Më 1935 mbaron degën klasike të gjimnazit në Tiranë. Më 1941 kreu studimet Fakultetin e Shkencave Agrare në Universitetin e Peruxhias, Itali. Më 1941 kthehet në atdhe[1], ku bëhet pjesë e Grupit Komunist të Zjarrit. Pas Çlirimit emërohet drejtor i Kulturës dhe Propagandës Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë. Më pas punoi në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” e më pas në Lidhjen e Shkrimtarëve. Vdiq më 18 shtator 1992, në Tiranë.

Më 21 shkurt 1998 ka rënë dëshmor, Gafurr Xhafer Loku, veprimtar i njohur politik. Po atë ditë ka rënë edhe djali i tij, Driton Gafurr Loku, të dy luftëtarë të dalluar të  Zonës Operative të Neredimes.

Më 22 shkurt të vitit 1999, forcat serbe kishin ndërmarrë një aksion të përgjithshëm kundër forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim që para nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë, të pushtonin  sa më shumë territor që e mbante nën kontroll Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Radio-Kosova e Lirë kishte bërë të ditur për minimin e urës në Kaçanik nga forcat serbe, shtimin e forcave ushtarake e policore në Drenicë, granatime në Godishnjakë dhe në  Majac të llapit, vrasjen e civilëve shqiptarë  në Gjakovë, Prizren si dhe një  ofensivë në Zonën e Shalës.

Më 22 shkurt të vitit 1999, pas vrasjes në pritë të shtëpinë e tyre të luftëtarëve, Gafurr Lokut dhe Dritan Lokut, në fshatin Paldenicë të Zonës së Kaçanikut, nga forcat serbe, popullata e këtyre fshatrave ka filluar t’i braktisë shtëpitë dhe të vendoset në Maqedoni. Rreth 1500 banorë, me shumicë fëmijë gra e pleq nga fshatrat e Hanit të Elezit janë shpërngulur në kushte të rënda të dimrit dhe janë vendosur në Kumanovë, Shkup e në Tetovë.

Më 22 shkurt të vitit 2008, vetëm pesë ditë nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës shumë shtete të botës e njohën shtetin më të ri të Evropës, në mesin e tyre ishte edhe Peruja e cila e njohu Kosovën shtet të pavarur.

Më 23 shkurt 1848 doli numri i parë i Gazetës: “L albanese d’ Italia” (Shqiptari i Italisë) e Jeronim De Radës. Kjo gazetë mbrojti të drejtat e shqiptarëve, duke radhitur  fakte e argumente të historisë së Shqipërisë, me qëllim që të njihej edhe opinioni në Itali e më gjerë.

Më 23 shkurt të vitit 1999, delegacioni i Kosovës në Rambuje, i cili përfaqësohej nga Drejtoria politike e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye me Hashim Thaçin, Lidhja Demokratike e Kosovës me Ibrahim Rugovën dhe Lëvizja e Bashkuar Demokratike në krye me akademikun, Rexhep Qosja, mori vendim për formimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. Qeveria do të funksiononte deri në kohën kur në Kosovë do të mbaheshin zgjedhjet e lira. Mandatari  i Qeverisë me marrëveshje, ishte nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Këtë marrëveshje e kishin nënshkruar: Hashim Thaçi, Rexhep Qosja dhe Ibrahim Rugova.

Më 23 shkurt të vitit 1999, pas 17 ditë pune kishte përfunduar Konferenca e Rambujesë dhe ndërkohë pritej të nënshkruar nga palët pjesëmarrëse. Edhe pse ajo mbaroi pa sukses nuk u shpall e dështuar meqë ende pritet të ketë lëvizje politike në këtë drejtim

Më 24 shkurt 1871  lindi Sevastie Qiriazi-Dako, arsimuese, veprimtare e çështjes kombëtare. Ishte atdhetare dhe nismëtare e organizimit të arsimit shqiptar për femra. Ishte Naim Frashëri ai që i dha mundësi Sevasti Qiriazit të studionte në kolegjin me emër Robert Kolegj në Stamboll e të luante një rol aktiv në arsimimin e grave. Ajo qe e para grua shqiptare që studioi në këtë institucion amerikan, të cilin e kreu në qershor 1891. Me t’u kthyer në Shqipëri ajo mori pjesë në ngritjen e shkollës së vashave në Korçë më 1891. Kjo shkollë është edhe fillimi i një shkolle mbi bazën laike. Pas Luftës së Parë Botërore kjo shkollë njihej ende me emrin e familjes Qiriazi. Ajo mori pjesë edhe në Kongresin e Manastirit, ku u mor kryesisht me përgatitjen e teksteve shkollore. Me të shoqin, gazetarin dhe shkrimtarin Kristo Anastas Dako e me të motrën Parashqevi ajo vajti në Rumani e prej andej emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku bashkëpunoi me të përdyjavshmen “Yll’ i mëngjesit”. Motrat Qiriazi ishin mësueset dhe edukatoret e para të shkollës së vashave që u hap më 1891 në Korçë. Nga kjo shkollë dolën shumë emra të njohur të femrave të cilat kontribuan, jo vetem në fushën e arsimit , por u bënë edhe luftëtare të njohura të çështjes kombëtare. Vdiq më 30 gusht të vitit 1949.

Më 24 shkurt të vitit  1879, në Shën Kozmo Albaneze të Kalabrisë,  u lind studiuesi e shkrimtari  arbëresh Kozomo Serembe, nipi i poetit Zef Serembe. Ai është autor i disa përmbledhjeve poetike si  Këngë lirie, Aleksandri i Madh shqiptar,  Në kërkim të varrit të Skënderbeut, dhe  autor i poemës Kënga e Krujës.  Vdiq në vitin 1936.

Më 24 shkurt 1997  në burgun e Prishtinës është vrarë mizorisht, Besnik Muharrem Restelica, bashkëluftëtar i komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti.

Më 25 shkurt të vitit 1887 lindi, Norbert Jokl, albanolog austriak, gjuhëtar dhe mik i madh i shqiptarëve. Ishte albanolog austriak me prejardhje hebreje. Njihet si një ndër themeluesit e albanologjisë. Por, para se të njihej si albanolog i madh ai ishte i çmuar si studiues i filologjisë balto-sllave. Kalvari i Joklit zë fill në maj të vitit 1938, atëherë kur nacionalistët e ekstremit të djathtë nazist nisën ta persekutonin e t’i mohonin të drejtat profesionale. Kërkoi me ngulm që Jokli të vinte në Shqipëri. Fundi i jetës së tij ishte  tragjik. Norbert Jokli u arrestua nga Gestapoja në 4 mars 1942 në banesën e tij, në  Vjenë dy nëpunës të Gestapos e morën profesorin prej shtëpisë së tij në. Si datë e vdekjes së Norbert Joklit konsiderohet 6 maji i vitit 1942.

Më 25 shkurt 1917 vdiq Prek Doçi, klerik, poet e veprimtar. U lind në lagjen Paraspor të fshatit Bulgër të kazasë së Lezhës, i biri i Prendit dhe i Mrikës. Lindi më  25 shkurt të vitit 1846. Studimet i mori në Shkodër, më 2 gusht 1859 hyri në të porsahapurin Seminar Papnor dhe më tej vijoi shkollimin në Romë në Kolegjin e Propagandës Fide më 1861.

Më 1871 u kthye në vendlindje, ku shërbeu si famullitar në Korthpulë, Orosh si kapelan i Imzot Gaspër Krasniqit dhe sërish famullitar në Kalvare. Më 1877 përfshihet në një rrymë revolte. Doçi u fsheh në Vuthaj, pranë Gucisë. Më vonë u arrestua, e dërguan në burgun e Selanikut dhe më pas në Stamboll. Me ndërhyrjen e Patriarkut armen Stefan Azarian, mori rrugën për në Romë me kusht që të mos kthehej në vendlindje. Pasi u kthye në Romë, u dërgua në Indi, ku ishte emëruar  sekretar i delegatit apostolik – më vonë Kardinalit – Antonio Agliardi. Ndërroi jetë më 22 shkurt 1917.

Më 26 shkurt të vitit 1823 lindi Vinçenc Dorsa, arbëresh, studiues i gjuhës dhe kulturës shqiptare.  Ai përfundoi studimet e tij të para në Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër Korone  dhe nga viti 1848 ai bashkëpunoi me revistën “Kalabrese” të Cosenza të Italisë. Ai u dallua për studimet e tij mbi traditat popullore të Kalabrisë dhe të kulturës shqiptare. Ishte një studiues dhe dijetar i njohur në fushat intelektuale kalabreze të shekullit të nëntëmbëdhjetë, ai ishte autori, midis shumë shkrimeve filologjike dhe të letërsisë popullore shqiptare. Shkroi: Hulumtime dhe mendime, në Napoli, të vitin 1847, Tradita Greko-Latine në Përdorime dhe në besimet popullore të Calabria, botoi në Cosenza, 1884. Vdiq në vitin 1885.

Më 26 shkurt të vitit 1999  ka rënë në altarin e lirisë, Muhamet Gashi.

Më 26 shkurt të vitit 1999 ka rënë trimërisht luftëtari i lirisë  Gazmend Baliu.

 

Më 26 shkurt të vitit 1936 lindi Simboli i Rezistencës kombëtare shqiptare, Adem Demaçi. Ai u lind në Prishtinë, në një familje  me prejardhje nga fshati Lupç i Besianës.  Në vitin 1958 është dënuar 5 vjet me burg për shkak të shkrimeve dhe bindjeve  të tij, politike e atdhetare. Në vitin 1963 ka themeluar në Prishtinë organizatën e quajtur “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, me program unik kombëtar të çlirimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Kjo Lëvizje kishte arritur të zgjerohej në shumë qendra të Kosovës, por edhe në trojet e tjera shqiptare nën pushtimin Jugosllav. Për shkak të vazhdimit të  aktivitetit atdhetar, pas daljes nga  Adem Demaçi në vitin 1964 dënohet 15 vjet burg. Edhe në vitin 1975 regjimi jugosllav e kishte dënuar 15 vjet burg. Demaçi ka mbajtur rreth 28 vjet burg gjatë kohës së regjimit të RSFJ-së.

Pas lirimit nga burgu në vitin 1990, Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, në Prishtinë  deri në vitin 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës së viteve 1998- 1999 ka qenë  zëdhënës politik i UÇK-së, në zyrën e tij,  në Prishtinë. Pas luftës, ishte tejet aktiv në jetën shoqërore, por nuk iu ofrua  ndonjë pozitë zyrtare, në Shtetin e Kosovës, së cilës ia kishte kushtuar tërë jetën. Në vitin 2012, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës  ka botuar kompletin i veprave të tij në dhjetë libra.  Në vitin 2016 Adem Demaçi me disa veprimtarë ish të burgosur politikë, themeloi TV-Diellin, por meqë ndërkohë ishte sëmurë familja e tij i tërhoqi mjetet, të cilat ai i  kishte investuar në këtë medium. Ideja e themelimit të TV-Dielli, ishte mbështetur fort nga disa besnikë të tij, ish bashkëvuajtës nëpër burgjet jugosllave, dhe, ka më shumë se gjashtë vjet që është bërë realitet dhe që transmeton program me përmbajtje, kombëtare, arsimore, kulturore,  edukative e shoqërore.

 

Më 27 shkurt të vitit 280, ka lindur në Nish,  perandori romak, Konstandini i Madh me origjinë nga Iliria. Ai filloi zgjerimin e krishterimit  në Perandorisë Romake. Në vitin 313 ai nxori ediktin e Milanos ndaj tolerancës që krishterimi ishte i barabartë me fetë e tjera, kurse në vitin 325 mblodhi Këshillin e parë Ekumenik të Nikesë, i cili ka formuar bazën e sistemit dogmatik dhe kanonik të kishës së krishterë. Më 330 ai themeloi Konstandinopojën (Stamboll), kryeqytetin e ri të Perandorisë Romake.

Më 27 shkurt të vitit 1897 – U botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe” e përgatitur nga Sami Frashëri, Vaso Pasha dhe Koto Hoxhi. Kjo Abetare e shkruar në gjuhën shqipe  hapi një epokë të re në fushën e teksteve shkollore për mësonjëtoret e para shqipe që po hapeshin në trevat shqiptare, të cilat ishin nën sundimin e Perandorisë Osmane.

Më 27 shkurt 1908 lindi Pjetër Dungu, kompozitor i njohur shqiptar,  Artist i Popullit. Pjetër Dungu, ishte i njohur si instrumentist, kompozitor dhe veprimtar i shquar i artit muzikor shqiptar.

 

Më 28 shkurt 1919 lindi Mojsi Zaloshnja, shkrimtar shqiptar. Veprimtaria e tij letrare është e gjerë dhe e hershme. Ajo zë fill që në moshën 16 vjeçare, kur ai ishte nxënës shkolle. Pas çlirimit shkroi më se 30 libra për të vegjël e për të rritur si dhe shumë të tjerë që kanë mbetur si dorëshkrime. Veprat letrare:  “Kohët e ndryshuan”,  “Nën hijen e Tomorit”,  “Tregime të zgjedhura”,    “Kur malet kërkonin diellin”  “Gurë stralli” e të tjera.

28 shkurti i vitit 1998 shënon Betejën e  Qirezit e Likoshanit, që ishte përballja e dytë e fuqishme e luftëtarëve të lirisë kundër policisë serbe, pas Betejës së Ludovikut ( Rezallë e Re) më 26 nëntor të vitit 1997, të cilën e kishte udhëhequr kryekomandanti, Adem Jashari me trimat e tij  dhe që dy ditë më pas rezultoi me  daljen publike të UÇK-së, më 28 nëntor të po atij viti, në fshatin Llaushë.

Më 28 shkurt  të vitit 1998 pas luftimeve me policinë serbe, në Qirez dhe Likoshan të Drenicës,  kanë rënë 4 dëshmorë të UÇK-së, Rexhep Rexhepi, Beqir Rexhepi, kanë rënë në luftime të drejtpërdrejta,  më pas kanë rënë edhe Muhamet Gjeli dhe Naser Gjeli. Atë ditë janë kanë marrë plagë lufte edhe shumë luftëtarë të UÇK-së. Serbët, në shenj hakmarrjeje mizore për pësimet përballë luftëtarëve të lirisë iu kishin drejtuar popullatës civile ku kishin derdhur mllefin e mizorinë barbare. Më 28 shkurt ata  kanë masakruar 20 pjesëtarë të popullatës civile: Beqir Sejdiun, Ilir Nebihun, Rukie Nebihun, (shtazënë) Xhemshir Nebihun, Nazmi Sejdiun, Bedri Sejdiun, Bekim Sejdiun, Ibish Ramën, Ismail Behramin, Behram Fazliun. Nga familja Ahmeti janë martirizuar: Ahmet Ahmeti, Gani Ahmeti, Hilmi Ahmeti, Hamzë Ahmeti, Driton Ahmeti, Naim Ahmeti, Lumni Ahmeti, Shemsi Ahmeti, Basri Ahmeti dhe Elhami Ahmeti, dy të fundit të mitur.

Beteja në Qirez e Likoshan, pasohet me Betejën e 5. 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, në Prekaz, e cila shënoi epopenë e lavdishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më pas masivizimin e konsolidimin e saj dhe luftën e pandërprerë kundër regjimit vrastar të Serbisë së Millosheviqit, e cila zgjati deri në qershor të vitit 1999, kur edhe me ndihmën nga ajri të NATO-së, përgjithmonë e dëbua nga Kosova regjimi okupator e kolonialist serb.

Më 28 shkurt të vitit 1999  ka rënë luftëtari i lirisë, Albesian Salih Mataj.

Më 28 shkurt të vitit 1998  ka rënë dëshmor Hetem Hasaj. Luftëtar i dalluar i Zonës Operative të Neredimes.

Kontrolloni gjithashtu

Marrëveshja e Mukjes

Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – Gusht

Kalendari,  Gusht Më 1 gusht të vitit 1942 vdiq, Abdi Toptani, atdhetar, veprimtar i njohur …