Komiteti "Mbrojtja kombëtare e Kosovës"

Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – muaji Maj

Më 1 maj të vitit 1918 u themelua komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, organizatë politike atdhetare, e cila mori përsipër organizimin e çetave kryengritëse në Kosovë dhe trojet shqiptare në mbetura nën okupimin serb malazez e bullgar. Këto troje të Shqipërisë në Kongresin e Versajës së po atij viti iu dhanë Jugosllavisë monarkike. Drejtues të Komiteti kanë qenë: Hoxhë Kadri Prishtina, Hasan Prishtina, Avni Rrustemi, Bajram Curri, Sali Nivica, Hysni Curri e të tjerë. Me direktiva të këtij komiteti ka luftuar Çeta e Azem e Shote Galicës deri në vitin 1924 kur ra në altarin e Atdheut, Azem Bejta, ndërsa lufta në çeta çlirimtare nuk pushoi asnjëherë në Kosovë dhe trevat shqiptare që shtypeshin barbarisht e mizorisht nga serbët, malazezët, bullgarët e grekët, me bekimin e shteteve të Evropës e të Rusisë.

Më 1 maj të vitit 1897 lindi Myslym Peza, atdhetar, revolucionar, themeluesi i Çetës së parë Antifashiste në Shqipëri dhe në Evropë. U lind në fshatin Pezë afër Tiranës, Pjesëmarrës në Revolucionin e Qershorit të vitit 1924, antizogist. Në kohën e regjimit ëZohir ka organizat rezistencë të armatosur dhe ka mbijetuar nëpër malet e Shqipërisë me çetën e tij. Në vitin 1941 iu bashkua radhëve të Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Shqipërisë. Pas luftës ka qenë kundër i lartë i qeverisë dhe i shtetit. Heroi i popullit. Vdiq në Tiranë më 7 shkurt të vitit 1984.

Më 1 maj të vitit 1913 lindi, Haxhi Lleshi, luftëtar partizan, atdhetar, Heroi i popullit. U lind në fshatin Rashan të Dibës. Mori pjesë aktive në LANÇ dhe ishte kuadër i lartë i Partisë dhe i Shtetit. U bë edhe më i njohur me qëndrimin e tij konsekuent në mbrojtje të vlerave të luftës antifashiste dhe rindërtimi të vendit në kohën e regjimit socialist. Vdiq më 1 janar të vitit 1998.

Më 1 maj të vitit 1914 lindi Pandi Stillu, regjisor i Teatrit Popullor. Vdiq në Tiranë më 1 qershor 1970.

Më 1 maj 1935 lindi shkrimtari, Bilall Xhaferi me origjinë nga Çamëria. Në vitin 1969 arriti të arratisej nga Shqipëria dhe u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku edhe krijoi e botoi vepra të ndryshme. Vdiq në Çikago më 22 gusht të vitit 1986.

Më 1 maj festohet Dita ndërkombëtare e punëtorëve, festë internacionale ndërkombëtare e punëtorisë së mbarë botës.

Më 1 maj të vitit 1999 duke luftuar përballë forcave kriminale serbe kanë rënë dëshmorë: Emrush  Bislim Buzhala, Agim Ali Selmanaj, Emin Murat Musliu. Hajdar Sylë Agaj.

 

Më 2 maj të vitit 1982 vdiq në Tiranë, artisti i madh shqiptar, Pjetër Gjoka. U lind në Ulqin në vitin 1912. Pjetër Gjoka ishe djali i Gjokë Pjetrit nga Dushmani i Shllakut, në Dukagjin. Aktivitetin në teatër në lëvizjen amatore e filloi që vitet 30 në Shkodër. Në vitin 1947 vjen si aktor në Teatrin Popullor, pasi kishte debutuar me Teatrin e Ushtrisë. Roli i parë ishte në komedinë “Tartufi”. Ka interpretuar rreth 90 role në këtë teatër, dhjetëra kryerole nga dramaturgjia botërore, ndërsa në skenë qëndroi 52 vjet rresht, duke interpretuar edhe i verbër krejtësisht. Disa nga kryerolet e tij janë: Haritonov, Shpend Gjeta, Plaku, Mac Donald, Miler, Zabeliku, Klaudi, Mbreti Lir, Gjini, Ali Pashë Gucia, etj. Në vitin 1961 ai është ndër katër aktorët që u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Ka intertretuar edhe në disa filma artistikë, duke krijuar figura të arrira. Roli i fundit i tij në Teatrin Kombëtar ishte në dramën “Epoka para gjyqit”. Krahas punës si aktor, ka vënë në skenë edhe disa pjesë, si regjisor.

Më 2 maj 1999 kanë rënë dëshmorët e UÇK-së:  Fetah Ahmet  Gega, Adnan Sherif Bunjaku, Agim Hasan  Sadiku, Basri Jemin Hyseni, Faruk Nazmi  Beqiri, Feriz Sheremet Thaçi, Avdyl Islam Duçi, Nusret Osman Musa, Xhavit Bajraktari. Xhavit Bajraktari përveç angazhimit të tij në frontet e luftës në Anadrin ishte edhe reporter i luftës për Radion Kosova e Lirë dhe Agjencinë Kosovapress gjatë kohës së luftës e deri në rënien e tij heroike.

Në fshatin Studime të Vushtrrisë  prej 2 majit të vitit 1999 e në vazhdim gjatë atij muaji, serbët  vranë, ekzekutuan dhe u masakruan 140 shqiptarë, moshash dhe gjinish të ndryshme. Vetëm në dy maj serbët kanë vrarë e masakruar 83 shqiptarë moshash e gjinish  të ndryshme.

 

Më 3 maj të vitit 1937, në një familje me origjinë dibrane, u lind Agim Krajku. Dashuria dhe pasioni për muzikën tek Agimi lindën që në fëmijëri, të cilën ia ushqeu edhe vetë i ati. Në vitin 1963  fillon studimet për teori e kompozicion dhe i përfundon ato në vitin 1968. Degën e Kompozicionit e ka kryer nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja. Në vitin 1960 filloi punë në Ansamblin e Ushtrisë ku punoi 2 vjet. Në vitet 1962-1964 kalon në Radio Tirana si fizarmonicist dhe drejtues i kompleksit të vogël instrumental. Viti 1964 e gjen pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore; në fillim si instrumentist, e më pas si kompozitor dhe drejtues orkestre.  Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pas viteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961. Ai është nderuar me mbi 15 çmime. Ka lëvruar mjaft motive vallesh të cilat janë nderuar edhe me çmime të para si: vallja e Librazhdit, vallja e Tiranës, vallja çame etj.

Për aktivitetin dhe kontributin e tij artistik është vlerësuar me çmime, urdhra e medalje dhe mban titullin :Mjeshtër i Madh”.

Më 3 maj të vitit 1999, Qeveria e Bullgarisë ka refuzuar kërkesën e Rusisë për të dërguar ndihma humanitare në Serbi, nëpërmes territorit të Bullgarisë. Refuzimi i kërkesës është bërë me faktin se Serbia ndodhej nën embargo nga BE-ja dhe Amerika.

Më 3 maj të vitit 1999 kanë rënë dëshmorët e UÇK-së, Besim Rizah Tiku, Rifat Xhafer Goxhufi, Tahir Gashani. Më 3 maj të vitit 1999 ka rënë dëshmorë edhe Nysret Ramadan Halili nga  Shtutica e Drenicës, mësimdhënës i burgosur politik dhe luftëtar i përkushtuar i lirisë.

Më 3 maj të vitit 1999, Federeta Kombëtare e Helsinkit  ka konstatuar se spastrimi etnik në Kosovë nga ana e Serbisë po kryhet me një brutalitet  mesjetar. Federata ka paraqitur shifra e fakte lidhur me dëbimin e dhunshëm të shqiptarëve nga trojet e tyre në Kosovë.

 

Më 4 maj të vitit 1931, lindi Jovan Cico Kosturi. Ishte një personalitet i njohur dhe tejet i  i angazhuar në zgjimin kombëtar të shqiptarëve. Vdiq në vitin 1924. Në fillim të viteve 1880, doli  revista Drita e cila në virin  1884 u drejtua nga  Jovan Kosturi së bashku me Orhan Pojanin dhe Thimi Marko ndërsa u shpërnda në të gjithë Toskërinë dhe mbështeti arsimin në gjuhën shqipe në dialektin Toskë. Gjatë vitit 1885, Kosturi krijoi një komitet të fshehtë në Korçë me qëllim të përgatitjes së një shoqërie kulturore shqiptare në brendësi të vendit.  Në vitin 1906, çeta e Çerçiz Topullit vrau priftin grek Fotis, në shenj hakmarrje për masakrimin e Papa Kristo Negovanit dhe vëllait të tij, ndërsa autoritetet osmane nuk mundën të arrestonin vrasësit, Kosturi dhe shqiptarë të tjerë atdhetarë të përfshirë në lëvizjen kombëtare nga Korça,  burgosën. Pas disa muajsh grekët u hakmorën duke vrarë djalin e Kosturit, Spiro Kosturin në Selanik, në moshën 18-vjeçare.

Më 4 maj të vitit 1995 në fshatin Malësi e Vogël ka rënë dëshmor Besim Ndreca. Paraprakisht ai  kishte vrarë në zyrën e tij komandantin famëkeq  serb të Therandës, ish Suharekë, i cili i keqtrajtonte publikisht shqiptarët.

Më 4 maj të vitit 1999 duke luftuar përballë forcave kriminale serbe kanë rënë trimërisht Hadie Mustafë Spahiu, Muharrem Smajl  Vuthaj Mursel Rrustem  Boletini, Nazmi Xhemajl Bashota.

Më 4 maj të vitit 1999, kryeministri i Britanisë së Madhe Tony Bler , gjatë vizitës së tij në Maqedoni kishte vizituar edhe shqiptarët e dëbuar dhunshëm nga Kosova, nga regjimi serb i Milosheviqit. Bler me atë  rast ka premtuar se ata së shpejti do të kthehen në vendet e tyre pasi regjimi i Milosheviqit nuk mund të qëndrojë gjatë. Beteja e NATO-s është betejë për njerëzimin dhe jo për të pushtuar kombe as territore, kishte saktësuar Toni Bler.

 

Më 5 maj të vitit 1842 u lind Jorgji Karabunara, i njohur si Babë Dudë Karabunara. U lind në Berat në një familje atdhetare. Ka qenë rilindës, mësues i gjuhës shqipe, atdhetar dhe iluminist shqiptar. Jorgji Karbunara u rrit në dyqanin e të atit, mes bisedave për çetat patriotike të Sinjës, Tërpanit e bëmave të Rrapo Hekalit. Shqipen e shkruar e mësoi fshehur me abetaren “Evëtari” të Naum Veqilharxhit. Në vitin 1898, Babë Duda u bë nismëtar në krijimin e degës së shoqërisë “Bashkimi” në Berat. Punoi për shpërndarjen e librave në gjuhën shqipe.  Që ditën kur u shpall Kushtetuta Turke më 1908, patriotët beratas hapën shkollën shqipe në katin e fundit të një dyqani 3-katësh të Muharrem Rulit, të drejtuar nga Babë Duda e ku mësonin fillimisht 55 nxënës. Gjatë viteve 1911-1912, Babë Duda luftoi me atdhetarë për rritjen e lëvizjes së armatosur me çetat e Hysen e Servet Zaloshnjes. Beratasit në vlerësim të veprës së mësuesit të shqipes e zgjodhën delegat 72-vjecarin Jorgji Karbunara në Kuvendin e Vlorës të 28 nëntor 1912 ku edhe nënshkroi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. U nda nga jeta më 17 dhjetor 1917, në moshën 75-vjeçare.

Më 5 maj 1900 u lind, Spiro Mojsiu, atdhetar, pjesëmarrës i LANÇ-së, kuadër ushtarak i shtetit dhe i partisë së Punës së Shqipërisë. Vdiq në Tiranë në vitin 1980.  Spiro Moisiu ka qenë ushtarak i lartë shqiptar, gjeneral-major i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Ishte i ati i ish-presidentit të Shqipërisë, Alfred Moisiu.  Pasi mbaroi shkollën unike në qytetin e Kavajës dhe Durrësit, nga viti 1918-1919, ai mbaroi një kurs disa mujor në shkollën e plotësimit të oficerëve ne Tirane. Një vit më pas Moisiu mori pjesë në përbërje forcave qeveritare që u caktuan në mbrojtje të Kongresit të Lushnjes dhe po atë vit ai u caktua me detyrën në luftimet që zhvilluan në Kaptinë të Martaneshit kundra forcave serbe.  Në Lëvizjen e qershorit të vitit 1924, Mojsiu u rreshtua përkrah forcave të Fan Nolit dhe Revolucionit Demokratik borgjez. Mori pjesë aktive në luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Komunistet i dhanë Komanden e Shtabit Pergjithshem me graden Gjeneral major.

Sot më 5 maj shënohet Dita e Dëshmorëve të Kombit që kanë dhënë jetën e tyre për liri, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari. Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Në vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”. Më 24 prill të vitit 2000, pas shumë përpjekjeve u miratua ligji Nr. 8607 për  “Statusin e  Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike dhe të rënët në vitet 1997-1999, në Luftën Çlirimtare të Kosovës, të UÇPMB dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Më 5 maj, të vitit 1999, zëdhënësi i NATO-s Xhejmi Shia ka bërë të ditur se Komanda e NATO-s ka refuzuar kërkesën e Serbisë për ndërprerjen e përkohshme të bombardimit, duke i bërë të qartë Beogradit se paraprakisht duhej të nënshkruante pesë kërkesat e Aleancës, në mesin e të cilave ishte tërheqja  pa kusht nga Kosova të të gjitha forcave ushtarake e policore.

Më 5 maj 1999 kanë rënë dëshmorë: Pal Mark Paluca, Ramadan Rexhep Rexhepi, Florim Maliqi, Shabi e Bafti Kajolli, Halit Coka, Abedin Murtezi…

 

Më 6 maj të vitit 1405 u lind Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ai, ishte një fisnik dhe udhëheqës ushtarak shqiptar. Skënderbeu gjithmonë e nënshkroi veten si Zot i Arbërisë. Si anëtar i familjes fisnike të Kastriotëve, ai u dërgua si peng në oborrin perandorak osman, ku u arsimua dhe hyri në shërbim të sulltanit për njëzet vitet e ardhshme. Ai u ngrit sipas gradave, duke kulmuar në sanxhakbej të Sanxhakut të Dibrës në vitin 1440. Në vitin 1443, ai braktisi osmanët gjatë betejës së Nishit dhe u bë sundimtar i Krujës, Sfetigradit dhe Modriçës Në vitin 1444, ai u emërua prijës i Lidhjes së Lezhës, që konsolidoi fisnikërinë në atë që sot është Shqipëri. Përkundër vlerës së tij ushtarake, ai nuk ishte në gjendje të bënte më shumë se sa të mbante zotërimet e tij brenda një treve shumë të vogël në Shqipërinë e veriut, ku ndodhën pothuajse të gjitha fitoret e tij kundër osmanëve. Skënderbeu zhvilloi luftë mbrojtëse, dhe për 25 vjet, nga viti 1443 deri në vitin 1468, ushtria e tij luftoi e fitoi kundër forcave osmane, të cilat ishin vazhdimisht më të mëdha dhe më të furnizuara. Vdiq më 17 janar të vitit 1468, në Lezhë.

Më 6 maj të vitit 1893 lindi Gjon Shyt Jubani, atdhetar, rilindës, arsimues, pionier i tipografisë shqiptare, Vdiq në Shkodër më 6 maj 1944.

Më 6 maj të vitit 1910 lindi Anton Mazreku, ishte djali i motrës së Luigj Gurakuqit. Ka qenë atdhetar, sportist e përkthyes. Vdiq në Tiranë në vitin 1969.

Më 6 maj të vitit 1997 ka rënë në pritë të forcave serbe, luftëtari i radhëve të para të UÇK-s, Luan Haradinaj. Ai ishte në krye të një grupi luftëtarësh që po përpiqeshin të hynin në Kosovë duke kaluar malet e Hasit të Pashtrikut. Në mesin e bashkëluftëtarëve ishte vëllai i tij, Ramush Haradinaj nga Gllogjani i Deçanit, i cili edhe pse i plagosur e kishte tërhequr trupin e vëllait, për të mos rënë në duart e armikut. Gjatë luftës së UÇK-së ka rënë dëshmor edhe Shkëlzen Haradinaj, vëlla i Luan dhe Ramush Haradinajt.

Më 6 maj të vitit 1998, gjatë një rezistencë në qytetin e Mitrovicës ka rënë dëshmor, Artim Sejdi Jashari.

Më 6 maj të vitit 1999 në frontet e luftës së UÇK-së kanë rënë dëshmorë: Gani Kelmendi, Safet Rexhepi, Liman Rakaj,  Tafil Osmani, Liman Aziz Rekaj, Avdi Smajl Kelmendi.

 

Më 7 maj të vitit 1947 vdiq, Jani Minga, veprimtar i Lëvizjes kombëtare, pedagog, mësues i popullit. Luftëtar kundër analfabetizmit, iluminist e mësues popullor. U lind në Shën Pjetër të Fierit më 1 gusht të vitit 1872.  I ati, Kostandini, ka qenë mësues i shqipes në manastirin e Apollonisë. E shoqja, Ana rridhte prej familjes Topia të Beratit. Në Berat kreu shkollën fillore, ndërsa të mesmen në shkollën “Koto Hoxhi” në Qestorat. Shkollën e lartë e kreu në Universitetin e Athinës, fakulteti filologjik. Njihte greqishten e vjetër dhe të renë, latinishten, italishten dhe frëngjishten. Pas largimit nga vendlindja, familja Minga vendoset përfundimisht në Vlorë. Jani Minga mori pjesë në të gjitha kongreset arsimore. Ishte nismëtar për krijimin e klubit atdhetar “Labëria” më 1889 dhe i hapjes së shkollës së parë shqipe në Kaninë më 1909, ndërkohë hartonte edhe tekstet shkollore: “Abetare kombëtare shqip, përgatitore”, “Abetare shqip, këndimore”, “Gramatikë e gjuhës shqipe”, etj. Në korrik 1911 mori pjesë në Kuvendin e Drashovicës, në mbështetje të Memorandumit të Gërçës. Jani Minga mori pjesë në Kuvendin Kombëtar që shpalli pavarësinë. Ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë. Atë kohë, me hapjen e shkollës së Vlorës, u emërua drejtor i saj.

Më 7 maj të vitit 1998, duke kaluar kufirin nga Shqipëria për në Plavë e Guci, ka rënë dëshmor, revolucionari e atdhetari i mirënjohur i Kosovës, Bahri Rrahman Fazliu. Ai ka qenë ideatori dhe redaktori i gazetës  “Çlirimi” organi i LKÇK-së. Kjo gazetë ka ndikuar në propagandimin e idesë së luftës së armatosur, në kohën kur Lëvizja pacifiste e Kosovës kërkonte zgjidhjen e çështjes së Kosovës përmes bisedimeve me Serbinë dhe bashkësinë ndërkombëtare. LKÇK-ja me kohë iu bashkua radhëve të luftës së UÇK-së, pas një marrëveshjeje paraprake.

Më 7 maj 1999 kanë rënë dëshmorët e UÇK-së: Françesko Xhyzepe Bider nga Biella e Italisë, Pjerë Arno Pajar nga Franca, Murad Muhamet Ali nga Algjeria, pastaj: Nuhi Rrustem Berisha, Adnan Nexhmedin Krasniqi, Demush Isuf Lata, Demush  Mavraj, Sinan Latif Berisha, Tomë Gjokaj, Hamdi Çetaj, Luan Krasniqi, Luan Smajli, Osman Tafa Visar Juniku,  Bujar Roka, Ahmet Xhikolli etj.

Më 7 maj të vitit 1999, Qeveria e Përkohshme e Kosovës përmes një deklarata ka kërkuar sqarim të pozicionit  lidhur me vizitën e  kryetarit të LDK-së Ibrahim Rugova, në Beograd dhe pastaj ikjen e tij për  në Itali. Qeveria e Përkohshme ka kërkuar nga Rugova, t’i përmbahet marrëveshjes së 23 shkurtit, të arritur në Rambuje, nënshkrues i së cilës ishte edhe ai.

 

Më 8 maj të vitit 2004 vdiq në një azil të San Marko të Kalifornisë, Tomor Zavalani, autor i një projekti sa madhështor, aq dhe utopik, sikurse krijimi i një gjuhe ndërkombëtare me shenja grafike. Tomor Zavalani lindi më 1921 në Korçë, te një familje me tradita patriotike të shquara. Ai mbaroi me sukses Liceun francez, një nga shkollat e mesme më serioze të paraluftës. Pasioni për gjuhët e shpuri te projekti i krijimit të një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme për të gjithë, të cilën e quajti, Glifet e epokës supersonike). Nisur nga qëllimi fisnik të mundësonte komunikimin midis njerëzve me kombësi dhe kultura të ndryshme, ai iu përvesh punës me zell e durim. Në erën moderne, megjithë shtimin e madh të mjeteve të masmedias, të fjalorëve dy-gjuhësh e shumë gjuhësh, problemi i ndërkomunikimit vazhdon të jetë pengesë për përvetësimin e kulturës së popujve të tjerë dhe sidomos për emigrantët, që jetojnë në mjedise të huaja dhe duhet t’i përshtaten vendit.

Më 8 maj të vitit 1952, në një familje me origjinë armene, u lind, Hajg Zaharian. Ai filloi të mësoje piano dhe teorinë e muzikës në shkollën fillore të qytetit të tij të lindjes. Nga 1969-73 ai ndoqi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Pas diplomimit ka punuar si drejtues artistik i ansambleve amatore. Ai u kthye në Durrës në vitin 1977, ku vazhdoi punën me ansamblet amatore në pallatin ” Rinia” të qytetit. Pas kësaj, nga 1980-86 ai u emërua mësues i lëndëve teorike në Shkollën e Muzikës “Jan Kukuzeli” të Durrësit. Ndërmjet 1986 dhe 1992 Zacharian punoi si kompozitor në krijimtari të lirë.  Që nga viti 1998-2009, ka qenë edhe President i Shoqatës Shqiptare të mbrojtjes së të drejtave të kompozitorëve dhe autorëve, ALBAUTOR.

Në 8 maj të vitit 1999, Zona Operative e Dukagjinit ka formuar Brigadën 137 Gjakova, të UÇK-së,  me qëllim për të operuar në qytet, pasi forcat serbe po e masakrojnë popullatën civile. Gjatë luftimeve ballë për ballë kundër forcave serbe, më 8 maj luftëtarët e kësaj brigade kanë vrarë rreth 20 pjesëtarë e policisë armike, ndërsa në mesin e luftëtarëve të lirisë kanë rënë dëshmorë: Visar Juniku, Mërgim Shala, Tom Gjoka, Ahmet Gjikoka, Kushtrim Hoxha, Bujar Roka dhe janë plagosur disa luftëtarë të tjerë.

Më 8 maj të vitit 1999, kanë rënë dëshmorët e UÇK-së: Mustafë Tahir   Shabanaj, Haki Dinë Kameraj, Ibish  Daut Mavraj, Menderes Osman Dervishaj, Bekim Sefer  Mavraj, Safet Elshani, Bekim Halil Kelemndi, Muharrem Sejdi Morina,

 

Më 9 maj të vitit 1884 në Shkodër, u lind Lec Kurti, Në vitin 1909 filloi studimet në Liceun e Pesaros pranë Urbinos, ndërsa më vonë, thellohet më tej në fushë të muzikës në Akademinë e Arteve të Bukura në Venecia. Më pas për Shkenca Politike në Romë. Dorëshkrimet tregojnë se aty janë shkruar edhe një numër i madh veprash. Nga dorëshkrimet e mbetura mësohet se Lec Kurti kompozoi muzikë në harkun kohor 1908-1916 dhe më pas duket se iu kushtua në fillim diplomacisë e më pas politikës. Më 1918 u internua nga francezët bashkë me të atin në Korfuz. Më tej e gjejmë përfaqësues të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, në vitet 1930-1935), si Ministër në Londër, Pas pushtimit të Shqipërisë prej Italisë fashiste nuk pranon t’i dorëzojë përfaqësuesit italian ambasadën. Vdes në Romë në dhjetor të vitit 1948.

Më 9 maj të vitit 1998 forcat e disa njësiteve të UÇK-së, pas një beteje ballë për ballë kundër forcave policore serbe ishte zënë Grykën e Llapushnikut. Luftëtarët e lirisë me atë aksion  heroik i kishin  pamundësuar  ushtrisë serbe të depërtojë në Dukagjin dhe Anadrin për disa muaj. Atë ditë ka rënë dëshmor, Besim Daut Halilaj dhe janë plagosur disa luftëtarë të tjerë.

Më 9 maj të vitit 1998, në një pritë të organizuar nga trafikantët e armëve, në veri të Shqipërisë, gjatë rrugës për të hyrë në Kosovë, kanë rënë Komandanti i Logjistikës së UÇK-së Ilir Konushevci dhe mjeku i luftës, Hazir Mala. Vrasja e Ilirit shkaktoi një humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe Shtabin e saj Qendror. Ishte ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe është njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në në përgjithësi.

Më 9 maj 1999 në frontet e luftës së UÇK-së në Kosovës   kanë rënë dëshmorë: Fatmir Hajdar Hyseni, Skender Hamdi Gashi, Azem Ukë Muslijaj, Bajram Ukë Muslijaj, Shemsi Ukë Muslijaj e të tjerë.

Më 9 e 10 maj të vitit 2015 në Kumanovë, kanë rënë 10 pjesëtarë të grupit të armatosur të luftëtarëve  shqiptarë, shumica syresh ish luftëtarë të UÇK-së dhe  8 policë të Njësive speciale të Maqedonisë, në mesin e të cilëve ishte edhe një shqiptar.

Më 9 e 10 maj të vitit 2015, gjatë rrethimit  në Kumanovë kanë rënë luftëtarët:  Xhafer (Hysen) Zymeraj nga Prizreni, Beg (Miftar) Rizaj nga Prekolluku i Deqanit, Mirsad (Osman) Ndreca nga Gjakova Valon (Selim) Kabashi nga Opterusha e Rahovecit, Turgaj (Mehmet) Gashi, i lindur në Prishtinë, Samid (Bajram) Kastrioti, i lindur në Zojz të Prizrenit. Hysen (Latif) Rushiti nga Vushtrria, Fatlum (Kadri) Vishesella, i lindur në Rufc të Ri të Lipjanit dhe Arben (Qerim) Rexhaj nga Ferizaj i lindur në vitin 1971.

 

Më 10 maj të vitit 2015, pas luftimeve të përgjakshme në Lagjen e Trimave, në Kumanovë  gjatë aksionit të policisë sllavomaqedone janë arrestuar 37 pjesëmarrës në luftime, shumica shtetas të Kosovës, të cilët janë akuzuar dhe janë dënuar për gjoja terrorizëm. Shtatë nga kreu i grupit, më vonë janë dënuar me burg të përjetshëm,  12 me nga 40 vjet burg, të tjerët  prej 12 deri në 20vjet burg

Më 10 maj  të vitit 1999, në frontet e luftës së UÇK-së duke luftuar kundër forcave policore dhe ushtarake serbe kanë rënë:  Afrim Halil Behrami, Beke Sadik Muslijaj, Hamdi Qazim Ferati, Ilir Ali Sadrijaj, Islam Asim Neziraj, Ismet Hasan Osmani, Naim Qazim Lubovci, Shaqir Tershani e të tjerë.

 

Më 11 maj të vitit 1771, në një burg të Stambollit,  lindi më Laskarina Bubulina e bija e Stavro Pinoçit nga ishulli Hidhra, pranë Peloponezit, vdiq tragjikisht në vitin 1825. Bubulina ishte komandante e anijes luftarake “Agamemnom” me të cilën i dha ndihmë të madhe Ali Pashë Tepelenës, kur Janinën e rrethuan turqit. Pas vdekjes së burrit, Dhimitër Bubulit në vitin 1811, ajo iu kushtua çështjes së çlirimit të kombit shqiptar dhe atij grek duke dhënë përveç ndihmës së saj heroike, edhe pasurinë e madhe që e trashëgoi nga bashkëshorti. Arbërorët e Moresë, përveç heroizmave të saj, me të madhe lavdëronin dhe  bukurinë   e saj fizike.

Më 11 maj të vitit 1930 u lind Luçije Miloti, këngëtare e mirënjohur shqiptare. U lind në Shkodër në një familje me tradita të muzikës e këngës popullore. Përveç në Shqipëri ajo ka kënduar edhe në vende të ndryshme të Evropës e botës.

Më 11 maj të vitit 1999, mijëra forca ushtarake e policore serbe kanë vënë nën rrethim një territor të gjerë të maleve të Qyqavicës në Drenicë duke granatuar për ditë fshatrat: Galicë, Duboc Beçiq, Krasmiroc, Kozhicë, Baks, Prelloc, Qirez Lokoshan, Godanc, Gllanasellë, Korroticë, Dobroshec, Vasilevë, Poklek e Graboc. Luftëtarët e lirisë të Brigadës, 114, Fehmi Lladrovci, po bëjnë përpjekje të shpëtojnë popullatën gjatë dyndjes nga një vend në tjetrin.

Më 11 maj 1999 kanë rënë në luftë për çlirimin e vendit nga regjimi serb i Milosheviqit  Nazim Kadri  Bakiu, Nikoll Himë Dodaj, Hamdi Ferati e të tjerë.

Me 11 Maj 1999, në luftën e UÇK-së të Zones Operative të Karadakut, në një rrethim të hekur të policisë dhe ushtrisë serb, me një përballje të pa barabartë bie në altarin e lirisë dëshmori i UÇK-së, Nevzad Balë Kryeziu në Roganë të Kamenicës.

Më 12 maj të vitit 1910 lindi, Zekeria Rexha, atdhetar, arsimtar pedagog. U lind në Gjakovë ku edhe kreu Shkollën fillore. Në vitin 1925 së bashku me familjen e vendos në Tiranë. Shkollën e mesme e kreu në Liceun frëng në Korçë, studimet e larta i ndoqi ne Francë. Kur fashistët italianë e okupuan Shqipërinë, atij iu pre bursa në Fakultetin Filozofik të Tuluzit.  Në shtator 1932 ishte emëruar sekretar i Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Përveç gjuhës amtare, ai kishte studiuar edhe shumë gjuhë të huaja. Në vitin  1941 u kthye në vendlindje,  në Gjakovë ndërsa një vit më vonë  themeloi dhe e drejtoi për një  Shkollën e parë Normale shqipe në këtë qytet. Ishte Luftëtar i radhëve partizane ” Emin Duraku” dhe ” Bajram Curri” Pjesëmarrës dhe kryesues i Konferencës Historike të Bujanit me 30, 31 dhjetor 1943 dhe 1 janar 1944 në të cilën u themelua Këshilli i parë Nacionalçlirimtar i Kosovës dhe i Rrafshit të Dukagjinit, është edhe hartuesi dhe nënshkruesi i Rezolutës së kësaj Konference për vetëvendosja pas çlirimit të vendit. Në korrik të vitit 1949 ishte njëri nga themeluesit dhe drejtori i parë i revistës letrare ” Jeta e re”. Nga marsi 1958 kur u dëbua me dhunë nga Kosova nga pushteti i atëhershëm jugosllav e deri sa vdiq jetoi në Shqipëri. Vdiq në Tiranë më 26 shkurt 1972.

Më 12 maj të viti 1920 u lind Vexhi Buharaja, atdhetar, dijetar, poet, përkthyes, shkrimtar, historian, studiues, hulumtues, njohës i dhjetë gjuhëve kryesore Lindore e Perëndimore. Lindi në lagjen “Murat Çelepi” në Berat. Rrjedh prej një familje intelektuale, me trashëgimi të pasur fetare, kulturore, atdhetare. Babai i tij, Ibrahim Efendi, ishte hoxhë, myderriz, atdhetar, si edhe gjyshi i tij, Ismail Efendi, që të dy, burra të përmendur për dituri, në Berat e nëpër Shqipëri. Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, në Berat. Pas kësaj vazhdoi studimet në Medresën e Përgjithshme në Tiranë, ku u diplomua në vitin 1940 si një nga studentët më të dalluar. Menjëherë pas diplomimit, në moshën 20 vjeçare, u punësua në redaksinë e revistës “Kultura Islame”, e përmuajshme fetare, diturore, artistike, letrare, organ i Komunitetit Musliman Shqiptar në Tiranë. Vdiq më 5 korrik të vitit  1987,

Më 12 maj të vitit 1924 lindi, Mentor Xhemali, këngëtar dhe interpretues i njohur, Artist i Popullit.

Më 12 maj 1998 ka rënë heroikisht, luftëtari i lirisë, bashkëluftëtari i Bahri Fazliut,   Agron Muharrem Rrahmani

12 maj 1999 kanë rënë:  Milam Isa Krasniqi, Bedrush Avdush Gashi, Asllan Sadik Batusha, Adem Sadik Bajrami.

Më 12 maj të vitit 2010 në një pritë të organizuar nga policia sllavomaqedone, në Radhushë të Shkupit kanë rënë:  ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Harun Aliu dhe bashkëluftëtarët e tij: Shaban Zenuni,  Xhafer Shala  Qemajl Fejzullahu.

 

Më 13 maj të vitit 1842 u lind Mehmet Ali Pashë Vrioni. Ishte atdhetar politikan dhe diplomat shqiptar, nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mehmet Ali Pashë Vrioni, është babai i Kryeministrit të shtetit shqiptar, Ilias Bej Vrioni dhe gjyshi i përkthyesit të shquar, Jusuf Vrioni.  Nën-Kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878, kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në  Berat, anëtar i Shoqërisë së Stambollit, nëtar i Komitetit të Janinës, anëtar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptarëve, deputet i Beratit në Parlamentin e Perandorisë Osmane. Misioni më i madh i jetës së Mehmet Ali Pashës qe zgjidhja e çështjes shqiptare. Forcat e tij u përqendruan në ndërmarrjen më të madhe kombëtare te asaj kohe, e cila ish Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Lidhja e Prizrenit hapi Kuvendin  më 10 qershor 1878 në Prizren. Ajo i filloi punimet pikërisht në këtë ditë me qëllim që kërkesat shqiptare t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i Berlinit më 13 qershor 1878. Kryetar i Lidhjes së Prizrenit u shpall Abdyl Bej Frashëri dhe nën-kryetar i saj Mehmet Ali Pashë Vrioni. Vdiq në vitin 1895.

 Më 13 maj të 1981, në fshatin Prekaz  të Drenicës, të rrethuar nga njësitë speciale të Jugosllavisë, Pas një luftë krejtësisht të pabarabartë, kanë rënë në altarin e lirisë,  Tahir Nebih Meha dhe babai i tij, Nebih Emin Meha. Atë ditë forcat e Milicisë së Jugosllavisë, të cilat mbanin në rrethim të hekurt tërë Kosovën meqë  kishte kulmuar kryengritja e marsit dhe e prillit me kërkesë për krijimin e Republikës së Kosovës, ishin kthyer në Drenicë me qëllim për të shënuar edhe një “fitore” kundër nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë. Gjatë luftimeve që kishin zgjatur 17 orë, sipas komunikatës zyrtare ishin vrarë 5 ushtarë jugosllavë dhe ishin plagosur dhjetëra të tjerë.

Më 13 maj të vitit 1999, ka rënë dëshmori i UÇK-së, Hamdi Ismet Krasniqi.

 

Më 14 maj të vitit 1448 është zhvilluar Beteja e Sfetigradit, njëra ndër betejat më të gjata të Skënderbeut. Ushtria turke ishte komanduar nga vetë Sulltan Murati i Dytë.  Pas shumë ditë luftimesh ushtria perandorake ishte tërhequr drejt Adrianopojës.

Më 14 maj 1921 lindi, Haxhi Hafiz Sabri Koçi, klerik i njohur islam, atdhetar dhe arsimues fetar. Lindi  në fshatin Orenjë të Librazhdit. Babai i tij ishte larguar në kurbet, në Selanik. Pa u mbushur viti i vdes babai dhe Sabriu mbeti jetim.  Ishte klerik mysliman shqiptar i cili shërbeu si Myftiu i Madh i Shqipërisë në vitet 1990. Shërbeu si imam i Drishtit nga viti 1938-1939, përpara se të merrte të njëjtin rol në Shkodër. Koçi u promovua në mufti i Krujës në vitin 1955. Vitin tjetër, ai u emërua myfti i Kavajës. Ai u persekutua për besimin e tij dhe  kaloi 23 vjet burg për refuzimin për të mbështetur lëvizjen e re drejt ateizmit të plotë. Pasi që komuniteti mysliman i Shqipërisë u njoh në vitin 1991, Koçi shërbeu si Myfti i Madh. Vdiq   më 18 qershor 2004

Më 14 maj të vitit 1999 kanë rënë dëshmorët e UÇK-së:  Burhan Mexhit Zeneli, Mehdin Avdullah Morina

14 maj  të vitit 2001 kanë rënë dëshmorët e UÇPMB-së Sami Nevzat Ukshini dhe Bardhyl Osmani.

Më 14 maj forcat kriminale policore dhe ushtarake të Serbisë së Milosheviqi në fshatrat Qyshk, Zahaq Llabjan e Pavlan të Pejës kanë ekzekutuar dhe më pas i kanë masakruar mizorisht 100 shqiptarë nga radhët e popullatës civile, në mesin e tyre edhe babanë e Agim Çekut, shef i SHP të UÇK-së.

 

Më 15 maj të vitit 1921,  lindi në Korçë, Guri Madhi, piktor i mirënjohur, artist i Popullit, njëri ndër piktorët më të mëdhenj shqiptarë. Pas përfundimit të shkollës fillore ndoqi për dy vite shkollën e mesme italiane në Korçë, që kishte për bazë vizatimin. Gjatë viteve të luftës e mobilizuan dhunshëm në ushtrinë italiane, në batalionin Tarabosh. Pas kthimit nga shërbimi ushtarak në Korçë, ai vazhdon të punojë dhe njëkohësisht të ndihmojë lëvizjen antifashiste. Studimet e larta për pikturë i mbaroi në Bashkimin Sovjetik. Që nga viti 1950 ai fillon studimet në Akademinë e Arteve në Leningrad  ku merr Diplomën në 1956 dhe e përfundon shkollimin e lartë me rezultate të shkëlqyera. Më pas ai do të kthehej në Shqipëri, ku do të ndërmerrte postin e inspektorit pranë Ministrisë së Kulturës në Tiranë. Për shumë vite angazhohet me mësimdhënie në liceun artistik Jordan Misja dhe në Akademinë e Arteve të Bukura. Në 1983 del në pension dhe në atë kohë është një nga piktorët më të njohur të brezit të tij. Vdes në vitin 1988 në Budapest, ku kishte shkuar për shërim.

Më 15 maj të vitit 1916 në Gjakovë u lind, Fadil Hoxha, ku edhe kreu mësimet e para. Pas mbylljes së Gjimnazit në Gjakovë,  filloi të merret me tregti. Në vitin 1932 Fadil Hoxha së bashku me shokun e tij Emin Duraku, kalojnë ilegalisht në Shqipëri me qëllim të  arsimimit në gjuhën amtare. Për shkak të aktiviteteve të tija komuniste përjashtohet nga Gjimnazi i Shkodrës. Asokohe  merr udhëheqjen e të “Grupit komunist të Shkodrës”. Fadil Hoxha, së bashku me Emin Durakun, nga qarqet komuniste që vepronin në Elbasan, marrin për detyrë të kthehen në Kosovë dhe të krijojnë lidhje me Partinë Komuniste të Jugosllavisë. Ka qenë figurë me rëndësi politike e ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore, si pjesëtar i LKJ-së. Ka kryer funksione të larta e me rëndësi poltike në Kosovë por edhe në RSFJ.  Ishte përkrahës i luftës së UÇK-së. Vdiq më 23 prill  të vitit 2001, në Prishtinë.

Më 15 maj 1999 në fronet e luftës sonë çlirimtare ka në rënë dëshmorët e UÇK-së, Adem Shaban Mulaj, Faik Imer Goxhuli, Ilmi Smajl Bahtjari, Malush Ahmeti, Muharrem Fadil Mehmeti.

Më 15 maj ka rënë në altarin e Atdheut komandanti i Brigadës 162 të Zonës Operative të Neredimes, Qamil Hafiz Ilazi. Po atë ditë kanë rënë edhe dëshmorë edhe Selim Shehu, Esat Axhmi, Burhan Zeneli, Sakip Mulaku, Rizvan Bela, Xhevahir Bela e Ejup Dushkaja luftëtarë të Zonës së Kaçanikut.

 

Më 16 maj të vitit 1884, në Marjan të Oparit u lind, Milto Sotir Gurra. Ishte atdhetar, shkrimtar e publicisti, që botoi revistat “Shkëndija”, “Zekthi”, “Mituria” dhe shkroi veprat: “Rrëjenjë”, “Goca e malësisë”, “Kur rilindej Shqipëria”, vëllimin poetik “Dëshirë”, etj. Gjithashtu ai përktheu mjaft shkrimtarë të mëdhenj botërorë. Vitet më krijuese të jetës i kaloi jashtë vendit: në fillim në Odesë buzë Detit të Zi, kurse më pas në Amerikë, Stamboll, Sofje dhe Konstancë. Ai bashkëpunoi aktivisht me shumë organe shtypi kombëtare e letrare në mërgim shpesh me pseudonimet Nomadhi, Gjon Zeza. Një përmbledhje me njëzet e dy nga këto tregime u botua me titullin Plagët e kurbetit, Tiranë 1938. Milto Sotir Gurra, sikundër Mitrush Kuteli më pas, përktheu letërsi ruse.  Vdiq në Tiranë në vitin 1972.

Më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pa ndriçuara  është zhdukur Ukshin Hoti

Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti ka lindur më 17 Qershor të vitit 1943 në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor,shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë  viteve 1981-1999. Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues ne disa universitete të Amerikës  ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar. Për aktivitetin e tij atdhetar  ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Milosheviqit. Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundra Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’ rast shte dënuar  5 vjet burg.  Më 16 Maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë. Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi  i të burgosurve. Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti konsiderohet i zhdukur.

Më 16 maj të vitit 1999 kanë rënë në altarin e atdheut dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Abaz Thaçi dhe Gani Salih Uka. Abaz Thaçi i njohur me nofkën “Komandant Bjeshka”, ka qenë ushtarak i shkolluar dhe me përvojë. Ai ka dhënë kontribut të madh në aspektin strategjik dhe taktik në fronin  e Koshares. Eprori dhe komandanti Abaz Thaçi ishte dallura  për vetëmohim dhe trimëri deri në rënien heroike të tij,  më 16 maj 1999 në Koshare.  Po atë ditë  ka rënë edhe dëshmori, Gani Salih Uka.

 

Më 17 maj të vitit 1895 lindi Haki Stërmilli, shkrimtar i njohur, atdhetar dhe demokrat. U lind në Dibër të Madhe në një familje atdhetare. Ka shkruar romanet: Sikur të isha djalë, Burgu, Dashuri e besnikëri, Kalorësi i Skënderbeut, Shtigjeve të lirisë, e vepra të tjera. Ka vdekur më 17 janar të vitit 1953.

Më 17 maj të vitit 1949 u vra Rifat Berisha, atdhetar, veprimtari i LANÇ-së. Ka lindur në fshatin Berishë të Drenicës në një familje atdhetare. Ka kryer shkollimin ushtarak në Tiranë. Ka marrë pjesë në Luftën Antifashiste Nacional çlirimtare. Ka qenë pjesëmarrës i Konferencës së Bujanit dhe më vonë i konferencës së Prizrenit ku me shumicë votash të delegatëve shqiptarë serbë e malazezë u mor vendim që Kosova t’ i bashkohej Serbisë e Jugosllavisë.  Rifat Berisha më pas nuk ishte pajtuar me këto vendime dhe doli haptas kundër regjimit duke organizuar edhe kryengritje.  Së bashku me të afërmit, natën e 16 dhe 17 majit të vitit 1949 ndodhej në fshatin Gajrak të Malishevës. Ishte rrethuar nga forcat e UDB-së dhe pas një qëndrese heroike bien në altarin e atdheut, Rifat Berisha, Mustafë Berisha, Brahim Berisha dhe Islam Berisha.

Më 17 maj të vitit  1998, kanë rënë dëshmorët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Brahim Demush Morina, Ramadan Halil Morina, Sefer Halil Morina

Më 17 maj të vitit  1999 në altarin e atdheut kanë rënë dëshmorë  Musli Nebih Demaku, Driton Musli Demaku.

Më 17 maj të vitit 1999, Ibrahim Rugova nuk iu ka përgjigjur ftesës së Havier Sonalës për të vizituar NATO-n. Edhe zëdhënësi i NATO-s, Xhejmi Shia kishte konfirmuar lajmin se Rugova  nuk iu kishte përgjigjur  ftesës për vizitën e trupave të Aleancës Veriatlantike. Madje ai nuk kishte të dhëna pse Rugova ishte në Bruksel dhe pse deri tani nuk kishte mbështetur aktivitetin e trupave të NATO-s.

 

Më 18 maj 1906 lindi, Nonda Bulka, shkrimtar, atdhetar, pedagog dhe demokrat. Ka marrë pjesë aktive në krijimtarinë letrare publicistike në vitet 30 të shekullit 20-të dhe është dalluar me humorin dhe satirat e tij kundër regjimit të Zogut. Veprat e tij janë: Kur qan dhe qesh bilbili, Skica dhe tregime, Vargje satirike, Legjenda e një fisi e vepra të tjera. Vdiq në Tiranë më 14 nëntor të vitit 1972.

Më 18 maj të vitit 1999, zëdhënësi i SHP të UÇK-së, Jakup Krasniqi kishte vizituar të dëbuarit nga Kosova që ishin vendosur në Pallatin Asllan Rusi në Tiranë. Ai u kishte premtuar atyre se së shpejti do të ktheheshin në Kosovën e lirë.

Më 18 maj të vitit 1999 në zona të ndryshme të luftës të UÇK-së  kishin rënë dëshmorët e lirisë së Kosovës: Burim Ajet Graiçevci, Fitush Rrustem Kukaj, Nexhmi  Brahim Llumnica,  Safet Imer Gjinovci,  Enver Berisha, Lulzim Naim Veselaj

Më 18 maj të vitit 1999, Ibrahim Rugova ishte takuar me Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana i cili kishte kërkuar që Rugova ta përkrahte Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, por ai i kishte thënë se përkrah vetëm Qeverinë Bukoshi dhe kishte kërkuar që edhe  “qunat” e UÇK-së ta përkrahin atë Qeveri dhe jo Qeverinë që kishte dalur nga Marrëveshja e Rambujesë, të cilën edhe e kishte nënshkruar.

Më 19 maj të vitit 1942 u lind në Korçë, Aleko Prodani,  aktor shqiptar, humorist. Ka luajtur me sukses në Teatrin e Korçës më shumë se  20 role. Pas sukseseve në teatër, arrin të tjera në kinematografi, ku interpreton në tri kinokomedi, si edhe TV, ku interpreton në një seri spektaklesh dhe telekomedish. Këto arritje i japin, më 1992, titullin “Artist i Merituar”.  ndërroi jetë në skenën e Teatrit “A. Z. Çajupi” të Korçës, ndërsa luante në premierën më të re të këtij teatri. Vdiq në vitin 2006.

 

Më 19 maj 1999 forcat serbe në Burgun e Dubravës, afër Burimit ish Istog kanë vrarë të burgosurit politikë shqiptarë:  Enver Bajram  Topalli, Abdullah Ramadan  Tahiri dhe të burgosur të tjerë në tri ditët në vazhdim. Po atë ditë në fronte të ndryshme të luftës së UÇK-së kanë rënë dëshmorë: Afrim Xhafer Gashi, Hesat Sami Axhami, Mentor Isë Hummolli e të tjerë.

Më 19 maj të vitit 1999, forcat e bashkërënditura të disa batalioneve të UÇK-së në Zonën e Llapit kanë sulmuar forcat ushtarake dhe bandat e uniformuara serbe, të cilat iu kishin vërsulur popullatës civile, në rajonin e Zllatarit, Dyzit e Koliqit kanë vrarë 20 kriminelë serbë. Radio Kosova e Lirë, e cila raporton në zonat e luftës,  ka publikuar  emrat e të gjithë të vrarëve të cilët kishin qenë nga  Prokupja, Kurshumlia, Beogradi, e vende të tjera.

Më 19 maj të vitit 1999, eprorë dhe luftëtarë të lirisë të Brigadave 121 dhe 114, në krye me komandantin Besim Mala, kishin ndërmarrë një aksion spektakolar në rrëmbimin e armëve  dhe minave në kazermën e ushtrisë serbe afër Magurps, Aksioni ka filluar në orët e mbrëmjes, pasi ishte errësuar. Duke qenë se roja serbe e bunkerit me të filluar terri largohej nga depoja për shkak të sulmeve të mundshme të aeroplanëve të NATO-s, depoja mbyllej por nuk ruhej. Ndërkohë, luftëtarët e lirisë afrohen te depoja bunker dhe fillojnë të ngarkojnë mbi supe mina antitank dhe sasi të konsiderueshme të municionit. Ishin tërhequr disa tonë municion. Pasi ishte larguar edhe ushtari i fundit komandanti, Besim Mala kishte dhënë urdhër të minohej e më pas të hidhej në erë bunkeri depo, ku kishin mbetur shumë raketa të tipit tokë-tokë, predha të kalibrave të ndryshëm dhe municion. Pas disa minutash, xhenierët kishin aktivizuar minat dhe bunkeri ishte hedhur në erë, ndërkohë kishte filluar edhe shpërthimi i qindra predhave. Herë pas herë nga shpërthimi i fuqishëm tërë vendi ndriçohej dhe shumëkush kishte menduar se ishte sulm nga ajri i aeroplanëve të NATO-s. Shpërthimi i municionit kishte zgjatur rreth 30 minuta. Luftëtarët dhe pjesëtarët nga radha e popullatës civile ishin kthyer të ngarkuar me municion në relacionin Shalë – Krojmir. Municioni ishte grumbulluar në “Grykën e Shpëtimit”, në Krojmir ku ndodheshin të strehuar rreth 30 mijë pjesëtarë të popullatës civile nga fshatrat e Drenicës dhe nga vende të tjera të përfshira në luftë.

Më 20 maj 1903 lindi Ernest Koliqi, poet prozator, klerik, përkthyes dhe studiues i gjuhës shqipe. Në kohën  e Luftës së Dytë Botërore ka qenë ministër i arsimit dhe me iniciativën e tij janë dërguar 200 mësues nga Shqipëri për të hapur qindra shkolla shqipe në Kosovë, Maqedoni dhe në trojet shqiptare nën pushtimin e Jugosllavisë. Ka shkruar: Kushtrimi i Skënderbeut, Poetët e mëdhenj të Italisë, Tregtar flamujsh, Epika popullore shqipe dhe shumë vepra me rëndësi për gjuhën dhe letërsinë shqiptare. Vdiq në Romë më 15 janar të vitit 1967.

Më 20 maj të vitit 1999, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Transnacionale Radikale, dhe deputet i Parlamentit Evropian, Oliver Depyi ka reaguar kundër qëndrimit të Ibrahim Rugovës, dhënë medieve në Gjermani. Ai me mosnjohjen e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, po minon edhe marrëveshjen  e Rambujesë të cilën e ka nënshkruar vetë,  kishte deklaruar mes tjerash Oliver Depyi,

Më 20 maj të vitit 1999, Komanda e forcave të NATO-s, në Bruksel kishte propozuar të dyfishohej numri i ushtarëve që do të intervenonin në Kosovë, duke planifikuar që të dislokoheshin rreth 40.ooo trupa. Kancelari gjerman Shroder kishte kundërshtuar planin për dërgim të trupave tokësore, në Kosovë.

Më 20 maj të vitit 1971 lindi Harun Aliu, kryetar i  i partisë Alternativa Kombëtare dhe është njëri ndër eprorët  që formoi Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, ku njihej me nofkën Komandant Kushtrimi. U vra pabesisht  nga forcat maqedonase më 12 maj të vitit 2010.

 

Më 21 maj të vitit 1912 u mblodh Kuvendi i Junikut, në krye me Hasan Prishtinën që kishte për qëllim bashkimin e katër vilajeteve të Shqipërisë me një shtet të vetëm.

Kuvendi i Junikut i cili zgjati deri më 25 maj të vitit 1912 parashihte zgjerimin veprimeve luftarake të kryengritësve. Të parët që e ndjenë këtë nevojë të organizimit ishin udhëheqësit e forcave kryengritëse të Kosovës. Në thirrjen drejtuar popullit shqiptar në fillim të muajit maj nga Malësia e Gjakovës shtrohej kërkesa e bashkimit të kryengritësve nën drejtimin e një komiteti të vetëm kombëtar, i cili, duke pasur edhe një organ shtypi në gjuhë të huaj, të propagandonte programin e luftës së armatosur të popullit shqiptar, Thirrja ishte nënshkruar nga Mahmut Zajmi, Bajram Daklani, Zefi i Vogël, Pjetër Çeli, Halil Mehmeti, Idriz Jaha, Hasan Ballanca dhe nga Sali Hoxhë Elbasani, si sekretar i përgjithshëm. Përmasat që po merrte lëvizja kryengritëse në trevat verilindore të vendit bënë të mundur organizimin e shtrirjen e kryengritjes në të gjithë Shqipërinë dhe bashkimin e të gjitha forcave rreth një programi politik kombëtar.

Më 21 maj të vitit 1928 vdiq në Tiranë,  Dervish Hima, atdhetar, publicist, diplomat shqiptar. Lindi me emrin Ibrahim Mehmet Naxhi në një familje pronare tokash, në vitin  1868. Shkollën fillore e krey në Ohër. Ai ndoqi shkollën e mesme në Manastir dhe studioi mjekësi për dy vjet në Stamboll. Përpara se t’i mbaronte studimet, miqtë e lajmërojnë se kërkohet nga forcat e rendit si Turk i Ri. Ikën jashtë shteti dhe nga idetë nacionaliste që kishte, u shkëput prej Turqve të Rinj. Punoi si ndihmës-mësues në Rumani, Belgjikë dhe Zvicër, ku në Gjenevë u njoh me Leninin. Ishte atdhetar e publicist i Rilindjes Kombëtare, organizator i Kongresit të Bukureshtit, pjesëmarrës në Kongresin e Napolit, më 1908 botues i gazetës “Shqiptari” në Stamboll me Eqrem bej Vlorën dhe Hilë Mosin; e më pas “Albania” në Zvicër. Shkroi e botoi këto libra: “Varri i liridashësve”, “Pasqyra e krimeve të Sulltanit”, “Një zë nga burgu në kohën e lirë”, etj.

Më 21 maj të vitit 1998  kanë rënë dëshmorët e UÇK-së, Arben Aziz Haliti dhe Myrtë Rexhë Zeneli, ndërsa më 21 maj të vitit 1999, në fronet e luftës së UÇK-së e cila ishte përshkallëzuar në të gjitha frontet kanë rënë duke luftuar përballë forcave serbe, në frontet e luftimeve dhe duke mbrojtur popullatën civile, si dhe në burgun e Dubravës:   Faruk Kamer Elezi, Hetem Cenë Rexhaj,  Ahmet Hysen Hoxha, Ajet Cenë Rexhaj, Behar Nazmi Begolli, Ekrem Shukri Gudaqi,  Kemajl Halim Thaçi, Mejdi Dalloshi, Nazim Misin Buduri, Sahit Mursel Avdulli, Mehmet Cenë Rexha, Xhemshir Islami, Arben Krasniqi Xhezair Syla, Faik Beqir Qabrati.

 

Më 22 maj të vitit 1986  vdiq, Mustafa Greblleshi, poet shkrimtar, përkthyes. Ka shkruar romanet: “Gremina e dashurisë”, përmbledhjen me tregime, Albumi i një bojaxhiu. Ka përkthyer përrallat arabe 1001 net e të tjera. U lind në Tiranë më 15 dhjetor 1922.  Shkollimin fillor e mori në Vlorë, ku ishin me banim si familje ngaqë i ati ishte me shërbim. Shkollimin e mesëm në vendlindje, pranë Gjimnazit të Tiranës ku ishte drejtor Eqrem Çabej. Gjen përkohësisht punë tek Drejtoria e Përgjithshme e Postë-Telegrafeve. Boton skica e tregime, herë humoristike dhe herë me një qëndrim të qartë mbi gjendjen e pushtimit. Njëri prej të cilëve “Nji trandafile” – ku trëndafili ishte alegoria e Shqipërisë së pushtuar – provokoi autoritetet dhe e çuan para prefektit Qazim Mulletit. Pas Çlirimit ishte redaktor i gazetës “Bashkimi” nga dita e parë e botimit të saj deri në vitin 1946, kur u arrestua bashkë me kolegët  Andrea Varfi dhe Petro Marko. Pas lirimit nga burgu punon disa vjet si mësues gjuhe në disa qytete.

Më 22 maj të vitit 1910 u lind në Sevastopol Lola Aleksi Gjoka. Ajo ka qenë muzikante, pedagoge dhe përkthyese shqiptare. Lindi në një familje emigrantësh shqiptarë, me origjinë nga Bulgareci i Korçës. Shkollën e përgjithshme e kreu në qytetin e lindjes, ku studioi për piano dhe danc në klasën e Karallova-s. U kthye në atdhe, në Korçë, në vitin 1932, ku së bashku me Jorgjia Trujan, Thoma Bezhanin, e Llambi Turtullin debutoi në koncertin e parë profesionist, në kinema “Mazhestik” të Korçës. Në vitet 1933-1934 kreu një varg koncertesh si soliste e koncertmaestre e këngëtarëve Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Marie Kraja, Kristo Koço e Mihal Ciko. Me hapjen e Konservatorit të Tiranës, në vitin 1962 emërohet pedagoge e pianos dhe jep koncerte edhe jashtë vendit, si në Rusi, Kinë, Hungari, Kubë etj.  Merr titullin “Artiste e Merituar” për merita si artiste e veprimtare artistike më 1966 dhe titullin “Artiste e Popullit” në vitin 1978, për veprimtari të shquara si pedagoge pianiste dhe përpunuese e këngës popullore.

 

Më 22 maj të vitit 1999 qytetarët e Vushtrrisë, kanë përjetuar një sulm barbar nga makineria vrastare e Sllobodan Millosheviqit dhe njësitë e banditit vrastar  Arkan, i njohur për krime edhe në Kroaci dhe në Bosnje-hercegovinë. Atë ditë shumicën e qytetarëve shqiptarë ushtarët e policët  serbë i kanë larguar me forcë nga shtëpitë e tyre, dhe i kanë detyruar të grumbullohen te vendi i njohur “Te varrezat” në qytetin e Vushtrrisë. Familjet në ish rrugën “Abdullah Shabani”, tani rruga “22 Maji”, janë larguar nga shtëpitë e tyre. Mirëpo, një grup shqiptarësh prej 68 vetash, i kanë detyruar të ndalen në shtëpinë e Kahriman Pasomës. Ndërsa, të tjerët e kësaj lagjeje i kanë detyruar të shkojnë te vendi i quajtur “Te varrezat” në Vushtrri. Gjatë kësaj kohe, serbë i kanë plaçkitur qytetarët shqiptarë e pastaj i kanë ndarë në tri grupe: Gratë me fëmijë deri në moshën 15 vjet, të moshës së re dhe mesatare dhe të moshuarit. Disa nga të grumbulluarit, rreth 1000 veta, i dërguan në sallën e sportit, ku i kanë torturuar në forma të ndryshme, dhe pastaj, disa i kanë dërguar në burgun e Smrekonicës (fshat në veri të Vushtrrisë) dhe disa të tjerë për në Shqipëri. Atë ditë qindra qytetarë janë torturuar  brutalisht në forma çnjerëzore, pastaj janë ekzekutuar të gjithë, shumica me një plumb në kokë – në ballë. Në mesin e të ekzekutuarve kishte femra dhe fëmijë të moshës 15 vjeçare, si dhe pleq e plaka.

 

Më 22 maj të vitit 1999, në frontet e luftës së UÇK-së kanë rënë dëshmorë: Arsim Ahmet Zogiani, Avdyl GafurrLuma, Besim Aziz Kabashi, Blerim Hamit Zuqaku, Danush Tefik Kurtaj, Halil Nezir  Metaj, Ramiz Ramë Memia, Suad Isen Brava, Tefik  Bafti Raka, Zahir Sadik Agushi, Gafurr dhe Qani Luma, Adem Idriz Jasiqi.

Prej 19 deri më 22 maj të vitit 1999, në Burgun e Dubravës së Istogut, policia dhe ushtria serbe kanë vrarë e masakruar mizorisht rreth 150 shqiptarë të burgosur paraprakisht.

 

Më 23 maj 1997  vdiq Fadil Pëllumbi, piktor akademik. Ka kryer Akademinë e Arteve  të Bukura në Romë, Ishte sekretar i  Komitetit Mbrojtës të Arbëreshëve. Realizoi me sukses Pllakatin “Nëna Kosovë” . Më 1945 hapi ekspozitën e parë.  Ka punuar  piktor në Estradën e Shtetit. Fadil Pullumbi, u lind në Tiranë, më 14 mars 1918. Në periudhën 1932-1936, studion në shkollën e vizatimit duke qënë brezi i parë i kësaj shkolle. Më 1939 përfundon studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë, me profesorë të njohur si Guido Agostini etj. Në vitin 1946 projektoi dhe zbatoi Pavionin e parë Shqiptar në panairet ndërkombëtare në Zagreb, e më pas në Rumani, në Bullgari, në Poloni, në Pragë, në Gjermani etj. Deri më 1960 punon për kulturën tregtare pranë Ministrisë së Tregtisë. Në vitin 1960-1963 punoi si piktor pranë Estradës së Shteti, e më pas në Ndërrmarrjen Artistike “Migjeni”. Në vitin 1992, hapi në Tiranë një ekspozitë vetiake me 120 punime akuarel, pastel e teknika te tjera. Krijime të ndryshme të tij gjenden në vende të ndryshme të Evropës. Ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve që nga themelimi i saj. Vdiq më 23 maj të vitit 1997.

Më 23 maj të vitit 1999, forcat kriminale serbe, në fshatin Studime e Poshtme vranë mizorisht 7 femra shqiptare, të cilat i kishin ndarë paraprakisht nga radhët e pupullatës civile.

Më 23 maj 1999 kanë rënë dëshmorët: Fazli Haxhi Jakupi, Fejzullah Brahim Hajdaraj, Hasan Beqir Shala, Shani Avdyl Shala, Valdet Qerkin Sopi, Blerim Ahmeti, Sahit Tixhaj, etj.

Më 23 maj të vitit 1999 është raportuar se qindra ushtarë serbë kanë dezertuar nga radhët e Armatës jugosllave. Po ashtu raportohet edhe për protesta në disa vende të Serbisë ku familjarët e ushtarëve serbë po kërkojnë kthimin e bijve të tyre nga Kosova në Serbi për shkak të intensifikimit të sulmeve të NATO-s kundër ushtrisë së kriminelit Milosheviq.

 

 Më 24 maj të vitit 1944 u mbajt Kongresi i Përmetit, i cili i hodhi themelet e shtetit të ri shqiptar, që po  dilte nga lufta e Dytë Botërore dhe mori një varg vendimesh që u bënë bazë e pushtetit popullor të Shqipërisë. Kongresi i Përmetit ishte një takim i liderëve komunistë shqiptarë në 24 maj 1944. Takimi u zhvillua në Përmet dhe zgjodhi qeverinë provizore. Kongresi ndoqi të njëjtin model si Këshilli Anti-Fashist për Çlirimin Kombëtar të Jugosllavisë. Në kongresin e Përmetit morën pjesë 188 delegatë, ku me përjashtim të 5-6 prej tyre, të gjithë të tjerët ishin nga Shqipëria e Jugut: 18 delegatë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm e të Këshillit nacionalçlirimtar; 25 delegatë nga Korça, 48 nga zona e I Operative Vlorë-Gjirokastër, 15 nga zona e Berati, 8 nga zona e Elbasani, 10 nga Tirana, 3 nga Peza, 2 delegatë nga Durrësi. Të tjerët ishin: 10 delegatë nga Rinia antifashiste.

Më 24 maj të vitit 1999, kanë rënë dëshmorët e UÇK-së:  Islam Rexhep Krasniqi, Liman Morina, Nuredin Mehmet Gervalla, Përparim Ismet Ferizaj, Valjant Njazi Ferizi

Më 24 maj të vitit 1999, përfaqësuese diplomatik i Kosovës për vendet skandinave, dr. Shaqir Shaqiri u prit nga ambasadori amerikan, Lindon Olson. Shaqir Shaqiri e kishte lajmëruar ambasadorin amerikan lidhur me zhvillimet në Kosovë, krimet që po kryente Serbia kundër popullatës civile dhe përpjekjeve që po bënte UÇK-ja për t i ardhur në ndihmë asaj. Diplomati Shaqiri kishte kërkuat nga ambasadori amerikan  intervenimin tokësor kundër Jugosllavisë me qëllim të ndërprerjes së barbarive serbe.

Më 24 maj të vitit 1999, mediet e huaja kanë raportuar për përleshje mes qytetarëve në Serbi për shkak të luftës. Ishte bërë e ditur se militarët serbë kishin vrarë zëvendës-prefektin e qytetit Kryshec, për shkak të thirrjeve publike për të dezertuar nga armata jugosllave. Pë shkaqe të njëjta  ishte vrarë deputeti Millunoviq.

 

Më 25 maj të vitit 1846 ka lindur Naim Frashëri, poeti më i madh i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, atdhetari i shquar, mendimtari dhe intelektuali më i njohur shqiptar i kohës së tij. Lindi në Frashër të Përmetit dhe vdiq më 20 tetor 1900 në lagjen Erenqoj të Stambollit, ku edhe u varros. Rridhte nga dega e Dakollarëve e Familjes Frashëri. Eshtrat e tij janë sjellë në Shqipëri në vitin 1937. Ishte poeti më i madh i rilindjes kombëtare shqiptare, atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit e i kulturës shqiptare. Veprat e Naimit janë: Ëndërrimet, Shqipëria, Bagëti e Bujqësi, Dëshira e vërtetë e shqiptarëve, Vjersha për mësonjtoret e para, Histori të përgjithshme Lulet e verës, Historia e Skënderbeut, Qerbelaja, Fjalët e Qiririt e vepra të tjera

Më 25 mars të vitit 1903 u lind Ramiz Cërnica. Ai lindi  në familjen Hoxha në fshatin Cernicë të Gjilanit. 25 maji për veç  ditëlindjes shënon edhe ditën e vdekjes të atdhetarit e  tribunit popullor, më 25 maj të vitit 1979. Ramiz Cernica është dhe mbetet një nga figurat më meritore të historisë së popullit shqiptar e të luftës për çlirim e bashkim të kombit. Ai me veprimin e tij dhe aktin e qëndrimit burrëror e heroik në Kuvendin e Prizrenit më 1945, dha shembullin e madh se si duhet të veprojë biri besnik për interesat e shenjta të popullit dhe Atdheut. Përfundimi i luftërave çlirimtare nga tri ushtritë tona kombëtare, përfundimisht i ka hapur udhë realizimit të qëndrimit të tij historik : “ME SHQIPËRINË, JO ME SERBINË”. Ai ishte  frymëzuesi i qindra dhe mijëra atdhetarëve, që ishin bërë barrikada të gjalla para pushtuesve, kriminelëve e gjakpirësve serbë, ishte fanari ndriçues i rrugës së lavdishme për çlirim e pavarësi. Ishte udhërrëfyes për gjithë atdhetarët deri me vdekjen e tij.

Më 25 maj 1998 ka rënë dëshmor, Ramiz Sadik Batusha

Më 25 maj të vitit  1999, në frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përballë forcave kriminale serbe, duke mbrojtur pozicionet dhe popullatën civile shqiptare të cilën po e masakronin forcat serbe, kanë rëndë dëshmorët e UÇK-së: Bekim Abdullah Sylka, Emin Pajazit Sinani, Milazim Fetah Fazliu, Avdullah Shukri  Bahtiu, Fetah Adem Selca, Nazmi Ilmi Osmani, Përparim Qazim Shala, Sadik Ymer Guri, Sakip Sakip Hysa, Shaqir Rrustem Kuka, Fadil Bajram Nimani, Bekim Avdullah Sylka, Islam Berisha, Shaqir Kukaj, Adrian Xhemajl Kelmendi, Avdi Smajl Berdynaj, Hilmi Osman Berdyna  Muharrem Sadri Kelemndi, Tahir  Berisha, etj.

 

Më 26 maj 1913 lindi Androniqi Vangjeli, Antoniu, piktore e njohur e ikonografisë. U lind në Dardhë të Shkodrës. Shkollën e Arteve të Bukura e kreu në Athinë. Fillimisht i mor me pikturimin e ikonave më vonë me  portrete e tabllo. Ishte piktorja e  parë shqiptare.

Më 26 maj të vitit 1941, varet në litar, atdhetari shqiptar Vasil Laçi,  i cili u përpoq të vrasë mbretin e Italisë dhe uzurpatorin e fronit të Shqipërisë,  Viktor Emanueli i tretë dhe Shefqet Bej Vërlacin, Kryeministër i Shqipërisë, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Vasil Laçi u lind në fshatin Piqeras në Shqipërinë jugore, afër qytetit të Sarandës në vitin 1922. Fëmijërinë e kaloi në Piqeras, ku mësoi shkollën fillore lokale. Në 1939 ai u transferua në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, pasi u ftua për të punuar atje. Në Tiranë ai zhvilloi marrëdhënie me grupet patriotike, dhe ka ndihmuar disa nga anëtarët e tyre të shpëtuar nga trupat italiane dhe policia. Më 17 maj, 1941, 19-vjeçari Vasil Laçi i veshur me një kostum kombëtar shqiptar ka shtirë mbi makinën e cila transportonte Viktor Emanueli III dhe Shefqet Bej Vërlacin, Ai goditi me revolver katër herë në drejtim të tyre, por pa mundur të vrasë perandorin.

Më 26 maj të vitit  1998 kanë rënë dëshmorët e UÇK-së  Arben Shaqë Qerimaj  dhe Luan Isuf Qerimaj

Më 26 maj të vitit  1999, në frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përballë forcave kriminale serbe, duke mbrojtur pozicionet dhe popullatën civile shqiptare të cilën po e masakronin forcat serbe, kanë rëndë dëshmorët e UÇK-së:Florim Rrahman Rushiti, Abit Pajazit Sinani, Haki Ali Krasniqi, Hasan Ramë Jashari, Ilaz Selim Selimi, Mentor Ismet Ratkoceri, Milaim Hashim Qerimi, Musa Rexhep Qerimi, Xhavit Ragip Kozhani, etj.

 

Më 27 mars të vitit 1866, u lind Anton Zako Çajupi, atdhetar, shkrimtar i madh i Rilindjes sonë Kombëtare. Lindi në Sheper të Zagorisë. Vdiq në Egjipt. Në Nivan kreu mësimet gjysmë të mesme, të cilat i plotësoi në një lice francez në Egjipt, ku jetonte i ati. Më 1887, pasi bëri një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për të, Çajupi shkoi në Zvicër, atje kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit të drejtësisë. Në Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një farë kohe si avokat. ga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu. ë 1902 botoi librin”Baba Tomorri”, një nga veprat më të shquara të letërsisë së Rilindjes Kombëtare. ë historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Çajupi u mor edhe me përkthime. Përveç një varg vjershash dhe fabulash që botoi në “Baba Tomorri”, më 1921 nxori në dritë “Përralla të zgjedhura” të vjershëtarit të madh La Fonteni. Më 1922 u botua Lulet e Hindit, përmbledhje me vjersha të poetëve indianë.

Më 27 maj 1922 u lind Kin Dushi, shkrimtar dhe publicist. U lind në Shkodër ku edhe i mori mësimet e para.  U radhit  në lëvizjen Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe përjetoi kampin e përqendrimit të Prishtinës, skëterrën e te cilit e përshkroi në romanin “Në gojën e ujkut”. Pas çlirimit punoi dhe botoi si shkrimtar, publicist e libretist. Me komedinë “Banorët e shkallës së gjashtë” fitoi çmimin e Republikës. Pas vitit 1961 u kritikua dhe u përndoq, Ka shkruar: Autobiografia,  Karvani i fundit i Qamil Mekës e vepra të tjera.  Vdiq në Tiranë,  në viti 1994.

Më 27 maj  të vitit 1984 vdiq poeti i madh arbëresh, Lluka Perone. Ishte mbledhës i trashëgimisë gojore të arbëreshëve të Kalabrisë e Sicilisë. Botoi përmbledhjen poetike: Lule shkëmbi, Hija e ariut, Vjersha lirie etj. Ka lindur më 1920 në Ejaninë, të Kalabrisë, në Itali, Pasi kreu studimet e larta për drejtësi dhe gjuhë frënge, ka punuar për një kohë si profesor i gjuhës dhe i letërsisë frënge.

Më 27 mars 1931, në Shkodër u lind në Pjetër Gaci. Studimet e larta për violinë i kreu  në Moskë. Punoi në Tiranë në liceun artistik dhe bashkëpunoi me Ansamblin e Valleve Popullore, Teatrin e Operës dhe Baletit, Radio Tiranën etj. Në vitin 1975 rikthehet në Shkodër ku dha mësim në shkollën e muzikës. Më 1979 merr titullin “Artist i Merituar”, më 1989 titullin “Artist i Popullit”, më 1989 urdhërin “Naim Frashëri” klasi I. Më 1970 nderohet me çmimin e Republikës Klasi I për Këngën “Për ty Atdhe”. Vdes më 27 mars 1995 në Shkodër.

27 maj  të vitit 1998 kanë rënë dëshmorë:  Kadri Dushi, Feim  Avdi Gashi, Përparim Ali Thaçi  Sakip Xhemajl Bellaqa etj.

Më 27 maj të vitit  1999, në frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përballë forcave kriminale serbe, duke mbrojtur pozicionet dhe popullatën civile shqiptare të cilën po e masakronin forcat serbe, kanë rëndë dëshmorët e UÇK-së: Astrit Hekuran  Suli nga Berati , Bujar  Shefqet Thaçi  Hajrush Elezaj,  Tasim Elezaj, Mexhit Murtezan Mustafa, Sadedin Bajram Hajda, Valon Metë Myrtaj. Jeton Ali Kabashi . Nazmi  Haki Hasani etj.

 

Me 28 maj të vitit  1891 lindi Ali bej Këlcyra, pinjoll i familjes së shquar Këlcyra. Qysh i ri luftoi kundër bandave të  andarteve grekë. Ishte  udhëheqës në Luftën e Vlorës të vitit 1920, deputet,  gazetar e jurist. U largua nga Shqipëria me 1944, ndërkohe qe vendi po kalonte nen regjimin komunist. Jetoi kryesisht ne Romë, ku edhe vdiq më 24 shtator të vitit 1963. Sot eshtrat e tij prehen ne vendlindje.

Më 28 maj të vitit 1932 u lind Loni Papa, dramaturg dhe autor i letërsisë për fëmijë, i prozës, poezisë, shkrimeve publicistike, rrëfenjës, fabulës etj. Autor i më shumë se 35 veprave letrare të botuara dhe laureat i Çmimit të Republikës. Mban titullin “Qytetar Nderi” i qytetit të tij të lindjes, Lushnje, për kontributin e përkushtimin e tij në letërsinë shqipe. Loni Papa u lind në Bubullimë të rrethit të Lushnjës, në një familje intelektuale. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe shkollën shtatëvjeçare e ndoqi në qytetin e Elbasanit. Arsimin e mesëm e kreu në Shkollën Pedagogjike “17 nëntori” në Tiranë. Studimet e larta i përfundoi në degën Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Fakultetin Histori – Filologji në Universitetin e Tiranës. U nda nga jeta në 22 qershor 2018, në Montreal, Kanada. Trupi i tij prehet në atdhe.

Më 28 maj të vitit  1999, në frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përballë forcave kriminale serbe, duke mbrojtur pozicionet dhe popullatën civile shqiptare të cilën po e masakronin forcat serbe, kanë rëndë dëshmorët e UÇK-së: Ismail Malush Gashi, Avni Rexhep Hodaj, Hasan Sejdi Dema, Arsim Arif Tahiri, Bedri Bajram Berisha, Habib Jakup Gashi, Menhend Osman Dervishaj, Mensur Sefer Zymberaj, Mustafë Mursel Haxhiu, Sinan Haradin Morina, Feriz Hasan Blakaj, Kurtish Bajram Hasanaj.

Më 28 maj të vitit 1999, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krime lufte mori vendim për ndjekje penale të kryekriminelit serb, Milosheviq dhe bashkëpunëtorëve të tij, Millan Millutinoviq, Nikolla Shainoviq, Vllajko Stoilkoviq, Dragoljub Ojdaniq.

 

Më 29 maj të vitit 1917  vdiq Dom Nikollë Kaçorri, atdhetar, klerik, nënshkrues i aktit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe nënkryetar i parë i Qeverisë së Shqipërisë.  U lind në Krej të  Lurës në vitin 1862. Ishte atdhetar dhe dhe diplomat shqiptar. Zëvendës-kryeministri i parë i Shqipërisë në kabinetin e Ismail Qemalit. Rridhte nga një familje, me babanë katolik, ndërsa nënën myslimane. Ipeshkvi i Durrësit, dom Ambrosio, e mori me vete dhe e çoi në shkollë. Më 1882 mbaroi kolegjin urban për retorikë dhe grmatikë. Po atë vit shkoi në Romë ku vijoi studimet në kolegjin urban të atjeshëm, duke kryer 4 vjet për gramatikë dhe 2 vjet për retorikë. Më pas studjoi për teologji, filozofi e shkenca politike në Universitetin “Zeking” në Zyrih. Më 1893 u kthye në Shqipëri, Gjatë 1905 – 1907 drejtoi kryengritjen e armatosur, në Kurbin. Pajis popullin me 500 armë, armë që u shpërndanë në Kthellë të Mirditës. Në bashkërendim me Gjin Pjetrin e Skurajve, i paraprin shpalljes së pavarësisë, duke udhëhequr me pushkë e penë kryengritjen mbarëkombëtare nga veriu në jug, në gjithë Shqipërinë etnike. Më 1908, Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit.

Më 29 maj të vitit  1999, në frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përballë forcave kriminale serbe, duke mbrojtur pozicionet dhe popullatën civile shqiptare të cilën po e masakronin forcat serbe, kanë rëndë dëshmorët e UÇK-së: Adnan Adem Berisha, Muharrem Rrustem Lataj, Shaban Rexhe Kasumaj, Sami Feriz Bogiqi, Tafil Brahim Kasumaj, Adnan Sadik Shyti, Halit  Allan Asllani, Manush Ahmet Berisha, Zeqir Rexhepi, Avni Pergjegjaj

Më 29 maj të vitit 1999, ishte raportuar për Radion-Kosova e Lirë se shumë pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë serbe po dezertonin duke flakur uniformat ushtarake,  Ata po vishnin rrobat civile dhe largoheshin nga frontet e luftës. Po ashtu vërehet edhe dukuria e ngarkimit të kamionëve me mallra të plaçkitura dhe ikja e tyre për në Serbi. Dezertimet janë shtuar sidomos në muajin e fundit, kur serbët kanë kuptuar tashmë se dita e kapitullimit nuk do të vonojë.

 

Më 30 Maj të vitit 1911 lindi Skënder Dako.  U diplomua për shkenca politike në Romë dhe 6 vjet punoi në ambasadën e Republikës së Kilit në kryeqytetin Italian. Më 1943 kthehet në Atdhe dhe familjarisht internohet prej nazistëve në kampin e Banjicës. Pas tre vitesh bashkë me të vëllanë, Skënder Dako arrestohet dhe dënohet me 7 vjet burg. Ai projektoi të gjitha uzinat mekanike bujqësore rajonale në Shqipëri, stacionet ujitëse të Thumanës, Vrinës, Vorës, etj. Pesëmbëdhjetë vjet të jetës së tij Skënder Dako i shfrytëzoi për përkthimin dhe sistemimin e materialeve të familjeve Qiriazi-Dako, që ishin grumbulluar në Arkivin Qëndror Shtetëror.

Më 30 maj 30 maj të vitit 1998 kanë rënë dëshmorë Nagip Muharrem Cacaj, Brahim Zenun Mushkolaj.

Më 30 maj të vitit 1999, kryetari i Shqipërisë, Rexhep Mejdani kishte kërkura nga Prokuroria e Shtetit të përgatiste dëshmi e të dhën  për krimet të kishte kryer Serbia në Kosovë dhe në brezin kufitar me qëllim për të ia dorëzuar Tribunalit të Hagës, kundër kriminelit, Milosheviq.

Më 30 maj të vitit 1999, kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova kishte refuzuar të qëndronte edhe më tej në Gjermani, meqë shteti nuk ia paguante shpenzimet. Ai kishte zgjedhur Italinë dhe atje kishte shkuar me tërë familjen.

Më 30 maj të vitit  1999, në frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përballë forcave kriminale serbe, duke mbrojtur pozicionet dhe popullatën civile shqiptare të cilën po e masakronin forcat serbe, kanë rëndë dëshmorët e UÇK-së: Rasim Rrahman Kiqina, Shahin Rifat Syla. Ismet Sahit Syla, Ragip Halilaj.

 

 

Më 31 maj të vitit 1796 u lind kapedani arbëresh, Andrea Miauli, kapedan arvanitas, admiral i Flotës.  Mori pjesë në çlirimin e Greqisë në vitet 1821-1928. E themeloi flotën ushtarake greke. Ishte bir i Dhimitër Bokut ose Vokut me prejardhje nga Eubeja. Andrea lindi në ishullin e Hidhrës dhe që në rini ishte pirat. Në vitin 1822 Andrea u zgjodh komandant i flotës detare të ishullit Hidra. Revolucionit të 1821-shit Andrea Miauli i fali 250. 000 franga floriri dhe tri anije luftarake. Miauli ishte një njeri i thjeshtë dhe trim. Dinte të fliste gjuhën e mëmës arbërishten dhe anglishten. Gjuhën greke nuk e dinte dhe mësoi të shkruante greqisht vetëm emrin e tij kur u bë admiral. Ai nuk pranoi shumë dekorata dhe privilegje. Kryetari i parë i Greqisë arvanitasi Kapodistria dhe disa drejtues politikanë në vitin 1827 ia hoqën  Miaulit komandën e flotës. Admirali i madh Miauli mbas dorëheqjes u kthye në kapiten i thjeshtë i anijes së tij. Miauli ndërroi jetë më 21.7.1835, dhe u varros në Pire.

 

Më 31 maj të vitit 1926 në Ladorisht të Strugës u lind atdhetari revolucionar,  Kadri Labenishti. Rrjedh nga një familje e përmendur në lëvizjet shoqërore dhe përpjekjet atdhetare për liri. Kadri Labënishti, si i ri 16 vjeçar, u rreshtua me plot vullnet, e përkushtim në luftën antifashiste nacional-clirimtare kundër nazifashistëve. Në vitin 1942 ai u arrestua për herë të parë nga fashistët Italian dhe u mbajt deri në kapitullimin Italisë në gusht të vitit 1943. Në burgun e Tiranës pati rastin të njihet me shumë bashkëvuajtës antifashistë e komunistë nga të cilët u frymëzua dhe vetëdijësua. Ishte veprimtar i dalluar  i kombit, i burgosur politik, pjesëmarrës i Lëvizjes së rezistencës. Pasi u sëmur në vitin 2003 ilegalisht shkon në Strugë, meqë iu kishte marrë nënshtetësia nga regjimi sllavomaqedon, Vdiq më 2 nëntor të vitit 2006 në moshën 80 vjeçare.

 

Më 31 maj të viti 1999 në luftimet e zhvilluara në Frontin e në Koshares ka rënë dëshmor, Xhemajl Fetahaj, atdhetar, veprimtar e revolucionar  i njohur . Fetahaj ishte veprimtar i shquar i çështjes kombëtare dhe luftëtar i radhëve të para të UÇK-së. U lind më 27 maj të vitit 1964, në fshatin Raushiq të Pejës, në një familje bujare e njohur për tradita të larta atdhetare. Më 27 janar të vitit 1984, milicia jugosllave e arreston së bashkë me  vëllanë Demën dhe bashkëveprimtarë të tjerë. E kishin dënuar 6 vjet burg. Në sallën e gjyqit, Xhemajli iu kishte drejtuar gjykatësve me fjalët: “Ju mund të më dënoni sa të dëshironi, por në veprimtarinë time patriotike nuk mund të më ndalni kurrë. Nëse kam fat të dal nga burgu veprimtarinë time për pavarësimin e Kosovës s’do ta ndali për asnjë çast!”. Këtij betimi të bërë në gjyq iu përmbajt besnikërisht deri në rënien e lavdishme me 31 maj të vitit 1999, në frontin e Kosharës. Po atë ditë ka rënë dëshmor edhe Milazim Shala. Këta janë  dëshmorët e parë, që u varrosën dy javë pas rënies në Kompleksin e Varrezave të  Dëshmorëve në Koshare. Xhemajl Fetahaj është shpallur hero i Kosovës.

Më 31 maj të vitit 1989 bie heroikisht,  Ali Ajeti, i burgosur politik atdhetar dhe revolucionar  i njohur i kohës. Lindi në vitin 1957 në fshatin Sfeçël të komunës së Besianës. Ai i takonte një grupi të organizuar dhe të armatosur të cilët kryenin  sulme kundër milicisë vrastare serbe. Më 30 maj të vitit 1989 ishte organizuar një demonstratë masive e shqiptarëve liridashës në Besianë, meqë gjatë atyre ditëve Kosovën po e vizitonte një delegacion diplomatësh nga Parlamenti Evropa, mbase  me qëllim për t’ u njohur për së afërmi me rrjedhat në Kosovë, pas pezullimit të Autonomisë  së Kosovës nga regjimi kriminal i Milosheviqit. Ali Ajeti i armatosur  printe në ballë të demonstratës masive e cila mori përmasa. Më 31 maj të po atij viti, militanti i lirisë, komandanti i “Çetës heroike të Llapit” Ali Ajeti bie duke luftuar trimërisht e heroikisht  kundër milicisë së Milosheviqit,  në fshatin Shtedim të Besianës, (ish-Podujevë). Jeta dhe veprimtaria atdhetare e Ali Ajetit u bë burim frymëzimi jo vetëm për bashkëveprimtarët e tij të ilegales, por edhe për tërë rininë militante të kohës.

Më 31 maj të vitit  1999, në frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përballë forcave kriminale serbe, duke mbrojtur pozicionet dhe popullatën civile shqiptare të cilën po e masakronin forcat serbe, kanë rëndë dëshmorët e UÇK-së:  Avni Mursel Buqaj, Gani Saramati, Selatin Xhelil Gergjaliu me 10 anëtarë të familjes,  Selver Bajram Maqkaj, Shpend Sefer Berisha Asllan Hoti dhe Salih Halilaj.

Kontrolloni gjithashtu

Deputetët kanë votuar kundër amendamentit për ndarjen buxhetore për kompleksin e Jasharëve në Prekaz

Kalendari kombëtar i Radios-Kosova e Lirë, muaji Mars

Më 1 mars 1945 lindi, Xhevahir Spahiu, shkrimtar, poet. U lind në Malind të Skraparit, …