Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar, muaji Tetor

Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar, muaji Tetor

Më 1 tetor të vitit 1913 doli numri i parë i Revistës, “Hylli i Dritës”, e cila me disa ndërprerje vijoi të dalë nga shtypi deri në vitin 1944. «Hylli i Dritës» ka qenë e para revistë e botuar në Shqipëri, me një program të qartë atdhetar, politik e kulturor, dhe që u bë shprehja më e pastër e intelektualëve katolikë dhe e kryesisë së Proviniencës Françeskane në Shqipëri, përfaqësuesit e së cilës qenë jo vetëm drejtori i saj, Át Gjergj Fishta, por madje një plejadë letrarësh, gjuhëtarësh, folkloristësh dhe ekonomistësh që nderuan jo vetëm Kishën Françeskane por edhe Kombin.

Më 1 tetor të vitit 1920, lindi në Leskovik, Petrit Radovicka, profesor, pedagog, akademik.  Pasi kreu gjimnazin në Tiranë me rezultate të shkëlqyera në vitin 1939 filloi studimet universitare në Institutin Politeknik,  në Torino të Italisë,  të cilat i ndërpreu në vitin 1942 dhe kthehet në Shqipëri, për të marrë pjesë në luftën Nacional Çlirimtare. Në vitin 1945 shkon në Moskë për të ndjekur studimet në Institutin Energjetik dhe në vitin 1950 përfundon studimet me rezultate të shkëlqyera dhe diplomohet Inxhinier Hidroenergjetik. Në vitin 1950 pasi kthehet nga studimet emërohet në detyra të rëndësishme të fushës si inxhinier, drejtuesi i parë i Kombinatit Energjitik mbi të cilin u ngrit më pas Sistemi Unik Elektro-energjitek Shqiptar. Skema e shfrytëzimit të lumit Drin shërbeu si bazë e studimit konkret, hartimit të projektit dhe ndërtimit të hidrocentraleve në Vaun e Dejës në Fierzë dhe në Koman. Ka qenë kryeinxhinier i projektimit të tre hidrocentraleve më të mëdhenj të vendit tonë mbi Drin. Ka përfaqësuar gjithashtu Shqipërinë në shumë Kongrese Ndërkombëtare si në Moskë ku Shqipëria u pranua anëtare e Qendrës Ndërkombëtare Atomike, në Pragë, Edinburg, Stamboll, Meksiko, Paris, Torino dhe Pekin.  Vdiq në vitin 1991.

Më 1 tetor të viti  1948 në fshatin Shajkofc, lindi Hasan Ramadani. Ende pa i mbushur 1 vit i vdes babai dhe mbeti jetim. Në moshën 8 vjeçare mbeti edhe pa nënë.  Për Hasanin u kujdesen axha i vet Hamiti dhe gruaja e tij Raza. Ishte i edukuar  në frymë kombëtare ndërsa personaliteti më i adhuruar për të kishte  qenë Adem Demaçi. Ka bashkëpunuar me Afrim Zhitinë, Pas shpërthimit të demonstratave të fuqishme të vitit 1981  Ai u bashkua me Çetën e Llapit, e cila u themelua në vitin 1978 e cila luftoi me pushkë në dorë për çlirimin e Kosovës. Ishte anëtar i Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës.  Pas shumë aktiviteteve ishte arrestuar dhe burgosur nga policia serbe në vitin 1984 së bashku me shumë veprimtarë të tjerë. Në gusht të vitit 1994 milicia serbe e kishte vërejtur se Hasani ishte kthyer në shtëpi, ndërsa me 6 gusht rrethohet shtëpia nga forcat e mëdha të policisë të përcjella me tanke dhe blinda ushtarake. Vajza e Hasanit, Fidajetja i ndihmoi babait të mbush armët me municion dhe largonte lotsjellësit që hidhnin policia. Hasan Ramadani  ra duke luftuar kundër forcave serbe më 7 gushtit të vitit 1994 në fshatin Shajkofc të Besianës.

 

Më 2 tetor të vitit 1894 lindi Bernardin Palaj, klerik katolik, shkrimtar, mbledhës i folklorit. Lindi në Shkodër më 2 tetor 1894. Mësimet fillore e të mesme i mbaroi në Shkodër, pranë Kolegjit Françeskan. U konfirmua më 18 maj 1902 në Dioqezën e Shkodrës. Pas gjimnazit, kreu edhe studimet e Liceut, në Salzburg, e në Insbruck, të Austrisë, në drejtimin filozofi-teologji. Gjatë studimeve ai tregoi një interes të veçantë për studimet shqiptare, si dhe për autorët e huaj që studiuan zakonet, gjuhën, doket shqiptare. Kryesisht e tërhiqnin albanologët gjermanë. Për disa vjet mësoi shqip e latinisht, në liceun “Illyricum”, pastaj shërbeu në famullitë e Toplanës, Palçit, Shalës, Bushkashit dhe të Rubikut. Më 15 prill të vitit 1923, bashkë më vëllezërit Mjeda, Fishtën, Anton Harapin, Prenushin e disa të tjerë, botuan në Shkodër gazetën “Ora e Maleve”. Ka botuar në organet “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Tomori” etj. Gjithashtu Palaj ishte anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare qysh prej 1940. Ndërsa më 1944 rikthehet famullitar i turbulluar në shpirt mësohet t’i ketë thënë mikut të tij, Karl Gurakuqit. U akuzua si agjent dhe bashkëpunëtor i fashizmit. Vdiq në burg, para se të “gjykohej” më 2 dhjetor të vitit 1946. U varros në oborrin e ish-sanatoriumit në Shkodër.

Më 2 tetor të vitit 1927 vdiq Foqion Postoli, atdhetar dhe shkrimtar i njohur i kohës. Lindi në Korçë më 1889, ku mori edhe mësimet e para. Në faqet e gazetës “Dielli” botoi si nënfletë romanet “Për mbrojtjen e Atdheut” në vitin 1919) dhe “Lulja e Kujtimit” në vitin 1922.  Veprimtaria letrare, politike dhe shoqërore e Foqion Postolit u zhvillua gjatë viteve të fundit të Rilindjes dhe periudhës së pavarësisë tonë kombëtare. Kjo ishte periudha e ngritjes më të madhe që pati lëvizja jonë kombëtare dhe përfundoi me pavarësinë e vendit më 1912. Por kjo ngritje u shoqërua edhe me rënie te menjëhershme që erdhi si pasojë e ndërhyrjeve të huaja dhe luftërave botërore. Edhe pse jetoi në periudha të ndryshme të historisë në vepra shkrimtari pasqyroi idetë e rilindësve tanë, siç ishin dashuria për atdheun, urrejtja e madhe për pushtuesit otomanë, dhe krenaria për historinë e vendit. Autori në librat e tij është frymëzuar nga temat aktuale të asaj kohe.

Më 2 tetor të vitit 1947 vdiq, Ahmet Dakli  ka qenë nëpunës karriere dhe politikan shqiptar. U lind në Elbasan më 15 dhjetor të vitit 1879. Mësimet fillore dhe të mesme, i mori në vendlindje, në vitin 1895, pastaj punoi praktikant në zyrën qeveritare të financës në vendlindje. Më 1907 u emërua në Manastir zëvendësshef i korrespodencës së vilajetit. Ndihmon në Kongresin e Elbasanit dhe qe pjesë e komisionit administrativ të themelimit të Normales. Më 1912-1914 kreu funksionin e këshilltarit në Ministrinë e Financave. Me pushtim-administrimin austro-hungarez, u caktua kryebashkiak i Elbasanit. Më 1921 si delegat i shoqërive “Përparimi” dhe “Afërdita” merr pjesën në krijimin e Federatës “Atdheu” të Avni Rustemit. Në zgjedhjet e dhjetorit 1923 qe pjesëtar i grupit opozitar të përmendur. Në dhjetorin e  vitit 1924, me rikthimin e Ahmet Zogut largohet nga Shqipëria dhe qëndroi në Vienë dhe Zarë të Dalmacisë. Më 21 mars 1929 u kthye në Elbasan, po atë vit u zgjodh kryebashkiak i Durrësit deri më 1937.  Pas çlirimit iu cakrua një tatim i madh dhe iu sekuestrua shtëpia. Në shenjë proteste ndaj këtij vendimi arbitrar dhe regjimit komunist, Ahmet Dakli u vetëvra në shtëpinë e tij.

 

 Më 3 tetor të vitit 1949 vdiq, Mit-hat Frashëri. Ai ishte nëpunës i lartë në Perandorinë Osmane, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë ishte publicist, shkrimtar, përkthyes, albanolog, diplomat, veprimtar i çështjes kombëtare dhe kryetar i Ballit Kombëtar e i Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Lindi në Janinë më 25 mars 1880. Ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami dhe Naim Frashërit. Pas mbarimit të shkollës, deri në vitin 1905, punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore. Ka qenë pjesëtar i klubit të Selanikut. Mit’hat bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit, kryetar i Komisionit ishte Gjergj Fishta. Duke qenë kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, dhe përkrahës i qeverive kuislinge u detyrua që në nëntor 1944, të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Mbas përpjekjeve për të krijuar Komitetet Ndërkombëtare, i afrohet autoriteteve amerikane më 1947 për t’u vendosë në krye. Pas 2 vjetëve, më 12 maj 1949 i jepet viza. Gjatë një udhëtimi për në Amerikë  vdes si pasojë e një ataku kardiak.

Më 3 tetor të vitit 1951 në Rexhin të Kurveleshit, u lind Zaho Balili. Shkollën tetëvjeçare dhe të mesme e ka mbaruar në Tepelenë. Ka filluar të shkruajë në moshë shumë të re dhe është autori i disa vëllimeve si Drithërimet e pranverës, Paskan çelur manushaqet, Brengat e shpirtit, Lotë kurbeti dhe Kur dy zemra dashurohen. Gjithashtu këngët e tij janë kënduar nga shumë grupe labe, si grupet e Vlorës, Gjirokastrës, dhe të Tepelenës me grupin kryesor atë të Hormovës i cili u shkrua nga ai në vitet ’80. Me këtë grup ai fitoi dhe çmimin e parë në festivalin folklorik të Gjirokastrës në vitin 1985 me këngën “Flaka mbuloi fshanë” një nga këngët më të bukura të tij është balada e nënës e kënduar nga grupi i Vlorës në vitin 1997, kjo këngë është kënduar dhe nga shumë këngëtarë të tjerë, në vitin 2001 krijoi në Athinë grupin “Lot kurbeti” i cili grup ka nxjerrë në shitje tre disqe me këngët e tij. Vdiq në Athinë në ditën e ditëlindjes së tij në 3 tetor 2001.

Më 3 tetor  të vitit 1961 në Svircë të Dardanës (ish Kamenicë) u lind atdhetari Nuhi Berisha. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Gjilan, ndërsa Fakultetin juridik dhe të Kulturës fizike i vijoi, në Prishtinë. Ishte nxënës dhe student i shkëlqyeshëm. Si student me iniciativën e Rexhep Malës dhe të bashkëveprimtarëve të tjerë formohet Komiteti i Studentëve në kuadër të Grupit Revolucionar,  i cili do t’ i shërbejë Lëvizjes  çlirimtare të shqiptarëve si bërthamë e parë për lëvizën e pranverës studentore të 1981. Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha provuan të vihen në themelet e një organizimi të lëvizjes çlirimtare, që vepronte në vazhdimësi  kurse me 1973 filluan  veprimtarinë në botimin e gazetës “Zëri i Kosovës”. Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala në mesnatën e 11 e 12 janarit 1984 ranë heroikisht gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave, në Prishtinë.

 

Më 4 tetor  të vitit 1818 lindi Françesko Krispi. Ishte një arbëresh i Italisë, atdhetar italian,  luftëtar për të drejtat shoqëror dhe burrështetas i njohur. Ishte ndër protagonistët kryesorë të Rilindjes italiane dhe një mik i ngushtë e mbështetës i Gjuzeppe Mazzinos  dhe Gjuzeppe Garibaldit.  Konsiderohet si njëri  nga arkitektët e bashkimit të Italisë në vitin 1860.  U lind në një familje arbëreshe  në Robera të Sicilisë. Kreu seminarin greko shqiptar të Palermos ku edhe u diplomua. Crispi ishte Kryeministër i Italisë për gjashtë vjet, nga 1887 deri në 1891 dhe përsëri nga 1893 deri në 1896; ai ishte kryeministri i parë i Italisë Jugore. Crispi ishte i njohur ndërkombëtarisht. Fillimisht ishte një atdhetar italian i ndritur dhe liberal demokrat vazhdoi të bëhej një kryeministër i zjarrtë autoritar. Karriera e tij përfundoi mes polemikave dhe dështimeve: ai u përfshi në një skandal të madh bankar dhe ra nga pushteti në 1896 pas humbjes shkatërruese të Betejës së Adva, e cila ndikoi ambiciet koloniale të Italisë mbi Etiopinë. Vdiq më 12 gusht të vitit 1901.

Më 4 tetor të vitit 1937 u vra në Spanjë, Asim Vokshi luftëtar për çlirimin e Spanjës nga fashizmi i Françisko Frankos.  Ishte luftëtar vullnetar, pjesëmarrës i dalluar në Luftën e Spanjës. Hero i Popullit.  Lindi në Gjakovë në vitin 1909. Mësimet fillore i nisi në qytetin e lindjes më 1916-18 dhe i mbaroi në Kolgecaj, të mesmen e kreu në Shkodër. Ndoqi Akademinë Ushtarake në Itali prej nga u kthye më 1932 me gradën nëntoger. Bashkëpunoi me Ali Kelmendin. Në vitet 30-të zhvilloi veprimtari të gjerë aktive, mori pjesë në përgatitjen e kryengritjes antizogiste të Fierit më 1935. Në pragun e kryengritjes u arrestua dhe u dënua me burg. Në bashkëpunim me Vasil Shanton e të tjerë më 1936 nxori revistën demokratike “ABC”. Asim Vokshi shkoi vullnetar në Luftën e Spanjës dhe u rreshtua në Brigadat vullnetare Ndërkombëtare. Ra heroikisht duke luftuar në Frontin e Ebros, në krye të repartit garibaldin që komandonte.

Më 4 tetor të viti 1932 u lind, Sten Dragoti regjisor dhe aktor i mirënjohur amerikan  me origjinë shqiptare.  Lindi në New York City nga prindër shqiptarë, të cilët kishin emigruar në vitet 1920 nga rrethi i Tepelenës. Interesimi i tij për kinematografinë e çoi atë  në New York dhe më vonë në Kolegjin Arteve Vizuale. Ai gjithashtu ka prodhuar reklama për industrinë e udhëtimit ajror dhe automobilave. Stan Dragoti njihet sidomos për videoklipet komerciale, shumë prej të cilëve konsiderohen si vepra arti, si dhe është regjisor i 7 filmave, disa prej të cilëve mjaft të njohur në Amerikë. Vdiq më 13 korrik 2018, në Los Angeles, në  California të Amerikës.

 

Më 5 tetor të vitit 1884 lindi, Sylejman Delvina, atdhetar burrështetas dhe diplomat i njohur. Ishte  politikan i shquar shqiptar, kryeministër dhe pjesëtar i qeverisë së Fan Nolit, në vitin 1924. Arsimin fillor e kreu në vendlindje ndërsa atë të mesëm ne gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Studimet e larta i kreu në Stamboll në vitin 1898, Universitetin “Mylkije”. Bashkë me patriotë të tjerë iu kundërvu politikës xhonturke dhe synimeve shoviniste ndaj Shqipërisë të monarkive fqinje. Në korrik 1911 udhëhoqi manifestimin e studentëve shqiptarë në Stamboll për të mbështetur alfabetin dhe kërkesat shqiptare. Ishte një nga nënshkruesit e thirrjes së 18 nëntorit dorëzuar përfaqësive të Fuqive të Mëdha në Stamboll ku kërkohej të njiheshin të drejtat kombëtare të popullit tonë. Në prill 1919 kolonia shqiptare në Turqi, e dërgoi atë në Konferencën e Paqes në Paris, për të mbrojtur në emër të saj interesat e Shqipërisë. Më pas, Delvina mbështeti luftën kundër bandave esadiste. Në vitin 1920 ndihmoi në përfundimin me sukses të luftës së Vlorës kundër pushtuesve imperialistë italianë. Mori pjesë në revolucionin e qershorit 1924 dhe në qeverinë e kryesuar nga Fan Noli u emërua ministër i Punëve të Jashtme. Pas dështimit të këtij revolucioni, Delvina u largua nga Shqipëria dhe u end në Evropë për disa vjet si emigrant politik. Më vonë i sëmurë u kthye në Shqipëri dhe vdiq, në Vlorë më 1 gusht të viti 1933.

Më 5 tetor të viti 1914 – Në Durrës, Esad Pashë Toptani e shpall veten president, kryeministër dhe komandant të forcave të armatosura të Shqipërisë. Ai kërkon konfirmimin nga anëtarët e Senatit, duke i kërcënuar se do t’i vriste një nga një të gjithë ata që do të votonin kundër. Ka marrë pjesë në likuidimin e Hasan Riza Pashës, i cili kishte mbrojtur qytetin nga forcat serbe e malazeze, të cilat kanë lënë të vrarë mbi dhjetëmijë ushtarë në luftë për pushtimin ne Shkodrës. Pastaj, Esad Pasha merr në dorëzim pallatin mbretëror në Durrës dhe menjëherë i shpall luftë Austro-Hungarisë, për të treguar se ishte në krahun e aleancës Francë, Britani, Rusi. Për shkak të qëndrimit antikombëtar dhe pazareve që bënte me tokat e Shqipërisë, e vrau në Paris, atdhetari Avni Rrustemi.

 

Më 6 tetor të vitit 1944 u vra Liri Gero, partizane, heroinë e popullit.  Liri Gero u lind në Fier, Shqipëri qendrore, në vitin 1926. Në një moshë shumë të re ajo ishte e përfshirë në rezistencën komuniste që kundërshtonte pushtimin fashist. Më 14 shtator 1943, Gero dhe 67 vajzat nga Fieri, 68 gjithsej u bashkuan të njëjtën natë me radhët e partizanëve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, një moment i shquar në historinë e rezistencës shqiptare, duke pasur parasysh faktin se Fieri kishte rreth 5.000 njerëz në atë kohë. Liria u bashkua me Brigadën e 16-të të Sulmuese. Më 6 tetor 1944, ndërsa luftoi kundër forcave gjermane përgjatë rrugës kombëtare në Çukas pranë Lushnjës, ajo u plagos. Në pa mundësinë për të lëvizur, ajo vazhdoi të luftonte derisa kishte humbur ndjenjat Nazistët e gjetën pa ndjenja. Të zemëruar nga rezistenca e parashikuar e 17-vjeçares e lidhën atë me një pemë, derdhen  benzinë mbi të dhe e vunë zjarrin. Ajo mori pas vdekjes titullin “Heroinë e Popullit”.

Më 6 tetor të vitit  1968,  në Prizren, u mbajt demonstrata e parë e vitit 1968, për të vazhduar më pas, në muajt nëntor e dhjetor, në Prishtinë dhe në shumë qytete të Kosovës  madje  edhe në Ulqin, Preshevë e në Tetovë. Parullat dhe kërkesat që u shfaqën në këto demonstrata, ishin: “Rroftë flamuri kuq e zi!”, “Rroftë populli shqiptar!”, “Duam Universitet!”, “Duam barazi!”, “Duam vetëvendosje”, “Askush të mos luajë me fatin tonë”, ”Poshtë politika kolonialiste ndaj Kosovës”, ”Viset e banuara me shqiptarë t´i bashkohen Kosovës”, ”Për të drejtat tona gjak do të derdhim”, ”Në një dorë kazmën e në tjetrën pushkën”, ”Duam Republikë”, “Duam vetëvendosje deri në shkëputje”, “Duam Kushtetutë!”, “Duam bashkimin e Preshevës me Kosovën!”, “Poshtë burokracia!”, “Poshtë tradhtarët!”, “Poshtë Veli Deva!”, “Rroftë Klasa punëtore!”, “Rrofshin minatorët”, “Rroftë fshatarësia”, “Rroftë rinia”, “Poshtë Fadil Hoxha”, “Rroftë vëllazëria shqiptare”, “Rroftë Adem Demaçi”, “Rroftë Kadri Halimi”, “Duam lirimin e të burgosurve politikë”…

 

Më 7 tetor të vitit 1942 u vranë në një pritë nga forcat fashiste italiane, Vojo Kushi, Sadik Stavileci dhe Xhorxhi Martini. Atë ditë Vojo Kushi, Sadik Stavileci dhe Xhorxhi Martini u gjendën të rrethuar nga fashistët në një bazë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (shtëpia e atdhetares Ije Farka), në lagjen Kodra e Kuqe, të Tiranës. Në operacion merrnin pjesë shumë forca fashiste të shoqëruar me tanke e autoblinda. Pas disa orë luftimesh ranë Sadik Stavaleci dhe Xhorxhi Martini. Kundër Vojo Kushit armiku hodhi në sulm tanket, të cilët rrëzuan murin e shtëpisë ku ai luftonte. Vojo Kushi u hodh mbi njërin prej tyre, me qëllim që të hapte kapakun e çeliktë dhe të asgjësonte tankistin, por u godit për vdekje nga tanku tjetër. Emrin e Vojo Kushit e mbajnë sot rrugë, lagje, shkolla, institucione sportive etj. Në një shesh të Tiranës gjendet busti i tij.

Më 7 tetor të vitit 1945 – Krijohet në Tiranë Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve me vetëm 70 anëtarë, më pas numri i tyre erdhi duke u shtuar. Si kryetar i saj u zgjodh Sejfulla Maleshova; president nderi, Fan Noli. LSHA ka kaluar shumë kohë e sprova të vështira dhe në statutin e saj ekzistues thuhet: LSHA është një institucion i lirë dhe i pavarur, një bashkësi krijuesish profesionistë, i hapur për çdo shoqatë tjetër letrare dhe artistike, i pakushtëzuar nga bindjet politike, rrymat dhe platformat artistike. Sot LSHA ka rreth 1300 anëtarë.

Më 7 tetor  të vitit 2009, ka vdekur aktori i njohur shqiptar, Kolë Kaftalli. Lindi më 2 shkurt  të vitit 1946 në Shkodër. Ishte aktor dhe regjisor i mirënjohur i skenës shqiptare. Rrjedh nga një familje e shquar artistesh . Një nga emrat e njohur të artit skenik sidomos në qytetin e Shkodrës. U diplomua në Institutin Arteve të Bukura në Tiranë. Pas diplomimit fillon punën në teatrin “Migjeni” në Shkodër. Me trupën e këtij teatri interpreton rreth 60 drama e komedi, përfishirë edhe disa ne Teatrin Kombëtar. Ka interpretuar në role të ndryshme edhe ne filma artistik te kinostudios. Në vitin 1978 luan në filmin “Nusja dhe shteterrethimi”. Ndër filmat e tjerë mund te permendim: “Ditët qe sollën pranverën”, Nderlidhesi i bandës 1979; “Sketerre 43” (Nje nga te burgosurit) 1980; “Qortimet e vjeshtës” 1981; “Flaka e maleve” (Halili) 1982; “Njeriu i mire” (Agroni) 1982; “Te paftuarit” 1985; “Kur hapen dyert e jetës” (Gjeka) 1986; “Bregu i ashpër” (Kryetari) 1988: “Nje i trete” (Skulptori) 1988 etj. Në periudhën e fundit të jetës ai iu kushtua teatrit të fëmijëve, duke qënë edhe i pari në qytetin e Shkodrës dhe në veri të Shqipërisë që ngriti teatrin e kukullave. Ndahet nga jeta ne moshën 63 vjecare me 7 tetor 2009, pas një sëmundjeje te rëndë.

 

Më 8 tetor të vitit 1895 u lind Ahmet Zogu, burrështetas, i shpallur Mbreti i Parë i Shqipërisë. Ahmet Zogu indi më 8 tetor 1895, në Burgajet të Matit.  Ishte politikan shqiptar, Ministër i Brendshëm, kryeministër i Shqipërisë, kryetar  dhe mbret i vetëshpallur i shqiptarëve.

Mësimet e para i mori në vendlindje. Më 15 qershor 1905, largohet për në Stamboll dhe fillon studimet në liceun e Gallatasarajit.  Gjatë Luftës së Parë Botërore doli vullnetar në krah të Perandorisë Austro-Hungareze. U mbajt në Vjenë në 1917 e 1918, e në Romë në 1918 e 1919 përpara se të kthehej në Shqipëri më 1919. Gjatë kohës në Vjenë, mori mësimet në gjuhën gjermane dhe thelloi njohuritë në artin ushtarak dhe në diplomacinë perëndimore. Më 24 dhjetor 1921 emërohet sërish ministër i Punëve të Brendshme. Në qershor të vitit 1924 shkon në Jugosllavi, ku edhe merr përkrahjen ushtarake nga Nikolla Pashiqi për ta rrëzuar regjimin demokratik të Fan Nolit e Bajram Currit në Shqipëri.  Më 25 janar 1925 Kuvendit Kushtetues shpalli Republikën Shqiptare. Me 7 prill të vitit 1939, me rastin e fillimit të pushtimit të vendit nga Italia fashiste, Ahmet Zogu me familjen e tij, bashkëpunëtorët e ngushtë dhe me arkën e Shtetit, iku nga vendi dhe u strehua në Greqi e pastaj në disa shtete të Evropës derisa vdiq  më 8 prill të vitit 1961. Në memorien e kombit ka mbetur në kujtesë për vrasjen e kundërshtarëve politikë, të cilët kishin qenë atdhetarët më të merituar  të kombit si: Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Elez Isufi, Bajram Curri e të tjerë.

Më 8 tetor të vitit 1912, filloi  Lufta e parë Ballkanike midis Perandorisë Osmane dhe Lidhjes Ballkanike. Pas dobësimit të Perandorisë Osmane shtetet sllave të Ballkanit të imponojë zgjidhjen e tyre, duke krijuar Lidhjen e Ballkanit: Bullgari, Greqi, Serbi e Mal i Zi, me qëllim që të okuponin të gjitha trojet shqiptare, të cilat konsideroheshin si pjesë e Turqisë. Lufta përfundoi në korrik 1913 me nënshkrimin e Traktatit të Londrës dhe pas 5 shekujsh, Perandoria Osmane humbi pothuajse të gjitha zotërimet e saj në Ballkan. Pastaj erdhi Lufta e Dytë Ballkanike, që filloi pa mbaruar ende e Para. Shkaku ishte pakënaqësia e Bullgarisë lidhur me ndarjen e Maqedonisë, që u bë në fshehtësi nga ish-aleatët e saj, Serbia dhe Greqia. Gjatë këtyre luftërave u vranë qindra mijëra shqiptarë dhe qindra mijëra të tjerë u shpërngulën në Turqi. Dy të tretat e trojeve të vilajeteve shqiptare u ndanë nga katër shtetet fqinje, ndërsa Shqipëria u cungua për të kënaqur orekset e shteteve të krishtera të Ballkanit dhe të Evropës.

Më 8 tetor të vitit 1998 është vrarë luftëtari emblematik i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Abedin Sokol Rexha, nga fshati Vajanik i Drenicës, bashkëluftëtari i legjendarit Adem Jashari.

 

Më 9 tetor të vitit 1943 u zhvillua “Lufta e Arbanës”, mes forcave partizane të Brigadës së Tretë dhe forcave pushtuese gjermane. Ishte e para betejë e partizanëve kundër Gjermanisë, e cila kishte pushtuar Shqipërinë në prill të vitit 1943 me rastin e Kapitullimit të Italisë.

më 9 tetor të vitit 1928 në një familje katolike  u lind Ernest Simoni.  Në moshën dhjetë vjeçare hyri ne Kolegjin Françeskan, ku qëndroi deri në vitin 1948 kur regjimi komunist i Enver Hoxhës mbylli manastiret.  Nga viti 1953 deri 1955 beri shërbimin ushtarak detyruar, pastaj më 7 prill 1956 u shugurua meshtar në moshën 28 vjeçare. Më 24 dhjetor 1963 u arrestua nga forcat autoritare komuniste, U dënua me vdekje, por ky dënim u ndërrua në burg nga ku u lirua pas 18 vitesh. Që prej viteve 90, ai ushtron shërbesën e tij priftërore në shumë fshatra katolike. Më 21 shator 2014, ai takoi Papa Franceskun. U bë kardinal së bashku me gjashtëmbëdhjetë prelatë të tjerë në 19 nëntor 2016 nga Papa Francesku nën titullin Santa Maria della Scala.

Më 9 tetor të vitit 1935 lindi  në Prishtinë, aktorja e njohur shqiptare Melihate Ajeti. Semimaturën she shkollën e aktrimit i kreu në Prishtinë. Ka  specializuar në Paris. Ishte aktorja  më e njohur e Teatrit të Prishtinas. E nisi aktrimin në moshën 16 vjeçare, në vitin  1951 në Teatrin Krahinor të Kosovës dhe luajti në skenë 180 role kryesore, me të cilat dëshmoi talentin, bukurinë e kapacitetin e madh prej aktoreje. Ka luajtur në dramat: Zullumqari, Vajza pa pajë, Zonja me kamelie, Besa, Sikur të isha djalë, Halili e Hajrija, Erveheja, Hanka, Hamleti, Shtetrrethimi, Othello, Ana Karenina, Vdekja e një mbretëreshe, Svinga e Gjallë, Magbeti, Antigona, e shumë role të tjera. Ka marrë shumë mirënjohje e shpërblime nga shoqatat dhe institucionet e Kosovës por edhe nga ato jugosllave.  Vdiq më 26 mars të vitit 2005.

 

Natën e 10 e 11  tetorit të vitit 1951 kanë rënë në pritë të UDB-së dhe janë likuiduar, luftëtarët e fundit të NDSH-së në Kosovë: Hasan Remniku, Mustafë Koka me bashkëshorten e tij  Rabijen, e cila ishte shtatzënë, si dhe Agush Mehmeti me bashkëshorten, Qibrie Misin Alidema. Trupat e tyre të vdekur ishin ekspozuar në Gjilan “te Lama e Miellit” ku i mbajtën  disa ditë me qëllim që të frikësoheshin qytetarët dhe ata të cilët eventualisht do të guxonin të përsëritnin veprimet luftarake antijugosllave të këtij grupi.  Mustafë Koka dhe Hasan Alia nga Remniku, kanë qenë luftëtarë të përkushtuar të lirisë  kundër ripushtimit jugosllav të pas Luftës së Dytë Botërore. UDB-ja me kohë kishte futur disa  agjentë në mesin e grupit dhe ata gjatë rrugëtimit për të shkuar në Shqipëri i drejtuan në vendin e caktuar ku kishte zënë pritë Milicia e UDB-së dhe ku i kishte likuiduar të pestit.  Agjentët ishin paraqitur si njerëz të cilët kinse do të ndihmonin Mustafë Kokën dhe Hasan Remnikun për të kaluar kufirin dhe për të hyrë në Shqipëri. Rrugëtimi për të kaluar kufirin besohet se ka filluar me 6 tetor 1951 për ta përfunduar në mes të natës së 10 e 11  tetorit në Pritën te kalimi i lumit Bistricë mbi Prizren.

Më 10 tetor të viti  1893 u lind Jorgji Pano. Ishte arsimtar i njohur dhe patriot me origjinë nga një nga familje ortodokse vllahe.. Arsimin 7 vjeçar e kreu në shkollën e Bashkësisë Ortodokse të Tiranës kurse arsimin e mesëm e vijoi në gjimnazin grek të Manastirit, të cilin e mbaroi në prill të vitit 1912. Pas mbarimit të studimeve vijoi disa kohë si mësues në shkollën e Bashkësis dhe kur më 1913 u hap zyrtarisht shkolla shqipe në Tiranë u emërua si drejtor i saj. Mori pjesë në Shoqërinë “Bashkimi” të udhëhequr nga Avni Rustemi. Më 1924 mori pjesë në Kongresin e parë të Arsimtarëve që u mbajt në Tiranë për krijimin e shkollës laike. Po atë vit mori pjesë aktive në Revolucionin e qershorit të udhëhequr nga Fan Noli për të cilin kishte simpati të veçantë.

1926 – 1927 Zgjidhet nga arsimtarët e Tiranës si kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve “Mësuesi”. Me fillimin e Lëvizjes Antifashiste mori pjesë dhe shtëpia e tij ishte gjatë Luftës së Dytë Botërore bazë e rëndësishme ndërsa dy fëmijët e tij Urani Pano dhe Aristidh Pano janë dëshmorë të atdheut.

Pas Luftës mori pjesë në Frontin Demokratik dhe u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë në legjislaturën e katërt. Vdiq në  janar të vitit 1970.

Më 10 tetor të vitit 1972  u themelua Akademia e Shkencave të Shqipërisë, institucioni më i larët arsimor i Shqipërisë Socialiste.

Më 10 tetor të vitit 1972  u themelua Akademia e Shkencave të Shqipërisë, institucioni më i larët arsimor i Shqipërisë Socialiste.

 

Më 11 tetor të vitit 2000, vdiq Aristidh Kola, historian, publicist, dhe jurist. Ishte kryetar i Lidhjes së Arvanitëve. Lindi në Kaskaveli të Thivës ne Greqinë Qendrore, më 8 korrik të vitit 1944, në një zonë e cila banohet kryesisht nga arvanitas. Aristidhi, si edhe mijëra e mijëra bashkëkombas të tij, u edukuan me frymën e dashurisë për traditat e të parëve, që trashëgoi kjo pjesë e popullatës shumëkombëshe e Greqisë së sotme. Studioi për jurisprudencë në Athinë dhe pas mbarimit të universitetit, për shumë kohë iu përkushtua traditave kombëtare të arvanitasve në Greqi. Vepra e tij kryesore, “Arvanitasit dhe origjina e grekëve”, bëri një jehonë të gjerë në botën arvanitase; njohu 9 botime brenda dhjetë vjetëve. Kola botoi revistën “Besa”, si dhe revistën tjetër “Arvanon”. Këto revista pasqyronin jetën dhe traditat e botës arvanitase. Bashkëpunoi me të gjitha rrethet e diasporës shqiptare në Botë. Ai mbante lidhje dhe bashkëpunoi me arbëreshët e Italisë, me shqiptarët e Amerikës, me intelektualë të Kosovës, të Turqisë dhe atyre të Shqipërisë. Ai ishte lidhur edhe me arbëreshët e Korsikës. Ai u  bë i njohur në Greqi sidomos për përkrahjen morale që i dha luftës së UÇK-së duke u shfaqur në disa emisione televizive. Kjo shkaktoi reagimin e disa grupeve proserbe, me të cilat u ndesh në rrugë gjyqësore. Vdiq më 11 tetor të vitit 2000 pas një sëmundjeje të rëndë. Veprat e Aristidh Kolës janë: Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve, 1983. Gjuha e Perëndive, 1989. Deklarata e Bashkimit Arvanitas. Fjalori Korrigjues i Fjalëve arvanite. Fjalori Korrigjues i Fjalëve arvanite. Fjalori Krahasues i Gjuhës Shqipe.

Greqia në Kurthin e Serbëve të Milosheviçit, Kënga e Mercenarëve, prejardhja e grekëve. Mithi dhe e Vërteta. Varrimi i Tretë i Marko Boçarit.

Më 11 tetor të vitit 1945 u themelua “lidhja e shkrimtarëve”. Katër vjet më vonë u themelua edhe “Lidhja e Artistëve”. Në vitin 1957 u themelua Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë”

Më 11 tetor, duke luftuar përballë forcave ushtarake e policore serbe  kanë rënë në fushën e nderit dëshmorët e UÇK-së, Arben Hajdaraj dhe Musa Balijaj

 

Më 12 tetor të vitit 642 vdiq Papa Gjoni i Katërt. Ai  lindi në Zarë, në një datë të papërcaktuar dhe vdiq në Romë. Ishte ne detyrën e kreut  të Vatikanit nga 24 dhjetori i vitit 640, deri në vdekje. Është Papa i 72 – të i Kishës katolike… I treti me origjinë ilire. Ishte dalmat, bir i diakonit Venançi. Perandori e miratoi papninë e tij vetëm katër muaj pas zgjedhjes, kohë gjatë së cilës Kisha e Romës qeverisej nga “Triumvirati” tradicional, i përbërë nga një kryediakon, një kryeprift e një kryenoter papnor.  Ndërmjet shumë veprimtarive të Papës, në qendër të vëmendjes, ishte Dalmacia, problemet e së cilës i pati fort për zemër pasi, siç deklaroi shumë herë, ishte vendlindja e tij. Prej këndej nuk i kurseu përpjekjet për t’iu bërë krah popullsive dalmate, asokohe të tmerruara nga dyndjet barbare. Dërgoi në Dalmaci Abat Martinin, me një shumë të madhe të hollash, për të liruar bashkatdhetarët, robër të sllavëve dhe të avarëve. Martini shkoi, çliroi shumë robër dalmatë e, më të kthyer, solli me vete reliket e shenjtorëve Venanci, Anastasi, Mauri e të shumë të tjerëve.

Më 12 tetor të vitit 1879 u themelua në Stamboll “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip”. Hovi që mori lufta për autonominë e Shqipërisë i dha gjithashtu një shtytje të fuqishme lëvizjes në fushën e arsimit e të letërsisë shqipe, të cilat tani synonin jo vetëm të ngrinin në një shkallë më të lartë ndërgjegjen atdhetare të masave popullore, por edhe të përballonin nevojat që shtronte zëvendësimi i administratës osmane me administratën shqiptare. Që me themelimin e Lidhjes së Prizrenit, u ndje më shumë se kurdoherë nevoja e ngutshme për të caktuar alfabetin e njësuar të gjuhës shqipe dhe për t’i dhënë fund anarkisë që sundonte në këtë fushë. Po ashtu, tani u ndje më shumë se më parë nevoja e ngutshme për të formuar një organizatë qendrore ose, siç thuhej atëherë, një shoqëri kulturore, e cila të merrte përsipër barrën e drejtimit e të organizimit të përpjekjeve për të ngritur shkolla shqipe në gjithë vendin dhe për të zhvilluar me ritme më të shpejta letërsinë shqiptare, duke botuar tekste shkollore, vepra letrare, broshura shkencore e organe periodike shqipe. Nismën për zgjidhjet e këtyre dy detyrave e mori drejtpërdrejt Komiteti i Stambollit. Për këtë qëllim ai formoi qysh në fillim të vjeshtës së vitit 1878 një komision të gjerë prej 25 vetash, i cili ngarkoi një komision të ngushtë me 7 anëtarë (Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa, Hoxha Tahsini, Koto Hoxhi, Ibrahim Bërzeshta, Said Toptani), për të zgjidhur çështjen e alfabetit të përbashkët.

 

Më 13 tetor të vitit 1911 lindi Millosh Gjergj Nikolla, poeti dhe prozatori më i njohur shqiptar i kohës, në vitet 30 të shekullit  XX.

Millosh Gjergj Nikolla ─ ky është emri i tij i vërtetë, sepse Migjeni, është pseudonimi ose emri i tij i shkrimit. Ishte poet dhe prozator i shquar shqiptar i viteve 1930. Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh. Konsiderohet që Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai pasqyroi varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni ?”, etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit. Ndikimi i Migjenit mbi rrethet e rinisë antiçifligare qe i ndjeshëm ne vitet kur shkroi. Një shtysë te posaçme mori përhapja e krijimtarisë se tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet 1930 kishin qenë pjesërisht të pabotuara. Vdiq në Torre Peliçe të Italisë më 26 gusht të vitit 1938.

Më 13 tetor të vitit 1931, lindi Dritëro Agolli. në Menkulas të Rrethit të Devollit afër Korçës dhe u nda nga jeta më 3 shkurt 2017 në Tiranë. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Ai vazhdoi studimet e tij në Falkutetin e Arteve në Shën Petersburg. Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës së madhe. Dritëro Agolli dhe brezi i tij letrar (vitet ’60) nuk u paraqitën me ndonjë poetikë të re, sido që u diskutua mjaft edhe për rimën dhe ritmin, për vargun e lirë dhe vargun e rregullt, për “rreptësinë” e poezisë. Më shumë përvoja e tij krijuese, se traktatet teorike, bëri që të ndryshohej rrënjësisht tradita e vjershërimit shqip. Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Vdiq më 3 shkurt të vitit 2017.

 

Më 14 tetor të vitit  1912 ra në altarin e atdheut, luftëtari popullor, Spiro Bellkameni.  Ishte komandant çete kombëtare në vitet 1908-1912. Kishte lindur në fshatin Bellkamen, në rajonin shqiptar të  Follorinës, sot në Greqi. Luftoi kundër kishës greke në shërbim të Fanarit. Jeta, veprat atdhetare të Spiro Bellkamenit janë të ditura prej çdo shqiptari. Që në fëmijëri u frymëzua me idetë e Rilindjes kombëtare dhe ishte nën ndikimin e ideve të Themistokli Gërmenit, Çerqiz Topullit e luftëtarëve të tjerë me nam të Shqipërisë. Me rastin e parë të rrëmbimit të armëve, Spiroja me bashkëluftëtarët e tij largoi  forcat ushtarake greke nga Ballkameni e Negovani, dy fshatra shqiptare të njohura për rezistencë shekullore kundër pushtimit turk dhe grek. Më 18 Maj 1901, në Follorinë, u plagos rëndë  duke luftuar kundër forcave që i kishte  dërguar  Qeveria greke me kërkesë së kishës. Mori pjesë në luftën kundër turqve në “Orman Çiflik”, më 29 dhe 30 korrik të vitit 1911. Në verë të vitit 1912, mori pjesë në Mbledhjen e çetave çlirimtare të jugut në fshatin Frashër. Spiro Bellkameni u priu çetave kryengritëse shqiptare që hynë në Korçën e çliruar. Ai me vëllezërit e bashkëluftëtarët hynë në Korçë me kësula të bardha mbi kokë, ku shkruheshin fjalët: Liri a Vdekje! U vra nga forcat turke,  më 14  tetor të vitit  1912, në fshatin Neveskë afër Follorinës.

Më 14 tetor u vra Qybra Sokoli, Heroinë e popullit.  U lind në Korçë në vitin 1924.

Më 14 tetor të vitit 1950, nga bandat diversante mercenare u vra, Dile Marku.  Kishte lindur në vitin 1931 në Fregen të Lezhës.  Ka qenë aktiviste në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Peqin më 1947 dhe më pas Durrës-Tiranë më 1948. U shpall “Heroinë e Popullit”.

Më 14 tetor të vitit 1998 ka rënë duke luftuar  kundër forcave serbe, në fshatin Makërmal  të Drenicës,  luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zymer Halim Goxhuli.

 

Më 15 tetor të vitit 1886 lindi Dhimitër Berati. Ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë atdhetar, politikan e publicist shqiptar. U lindi më 15 tetor të vitit 1888 në Korçë. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa studimet e larta i kreu në Fakultetin e Shkencave Politike Administrative të Universitetit të Bukureshtit. Pas përfundimit të këtij fakulteti përfundon aty edhe Fakultetin e Drejtësisë. Ndërkohë, ai përfshihet në lëvizjen patriotike për mëvetësinë e atdheut të shqiptarëve të emigruar në Bukuresht dhe në vitin 1904, zgjidhet këshilltar i kryesisë së tyre. Më 1907 kthehet në vendlindje dhe punon si mësues i Shkollës Shqipe të Korçës, së bashku me patriotët Thanas Floqi, Thoma Avrami etj. Anëtar i klubit patriotik “Dituria” të Korçës që në themelimin e tij më 1908. Po atë  vit merr pjesë në Kongresi i Elbasanit, kurse më 1910 në Kongresi i dytë i Manastirit. Nga të parët pjesëmarrës në mbledhjen e hotel “Kontinental”-it në Bukuresht. Zgjidhet delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Ka firmuar aktin historik të shpalljes së pavarësisë, me siglën “D. Beratti”, në emër të kolonisë së Bukureshtit. Më 1924 ndodhej në Sofje me detyrën e kryekonsullit. Në periudhën 1926 deri më 1934 punoi si sekretar në Ministrinë e Jashtme. Më 1935 ministër i ekonomisë kombëtare. Një vit më vonë ministër në Romë. Vdiq në Romë më 1970.

Më 15 tetor të vitit 1953 lindi në Tiranë aktorja e njohur, Yllka Mujo. Studimet i vazhdon në Liceun Artistik në degën “Kanto”. Që në moshë të re, kur ishte vetëm 17-të vjeçe, përzgjidhet nga regjisori Viktor Gjika (Artist i Popullit) për rolin e Almës në filmin, ‘I teti në bronz” duke kaluar kështu një përzgjedhje midis 150 vajzave kandidate për këtë rol. Afrimi me kinematografinë do të bëj që të vazhdojë studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, sot Akademia e Arteve, në degën “Aktrim. Ka luajtur në dramën: “Cuca e Maleve” e Loni Papës. Në vitin 1995 fitoi çmimin “Aleksandër Moisiu” si “Aktorja më e mirë” e Festivalit Kombëtar. Ka interpretuar edhe shumë role në kinematografi: në vitin 1971 filmin “Malet me blerim mbuluar”. Në vitin 1975 filmin “Rrugicat që kërkonin diell”, në vitin 1975 filmin “Beni ecën vetë” në rolin e Letës, nënës së Benit, në vitin 1976 në filmin “Zonja nga qyteti” në rolin e Shpresës, në vitin 1984 filmi “Taulanti kërkon një motër” në rolin e Zanës, rol për të cilin do të vlerësohet me Medaljonin e Festivalit në Festivalin e VI-të të Filmit Shqiptar të mbajtur në Tiranë prej datës 1 deri në 5 Tetor 1985. Roli i saj më i fundit është roli i Vevos në filmin “Muaji i Mjaltit” në vitin 2009.

Më 15 tetor të vitit 1998 kanë rënë dëshmorë në frontet e luftës së UÇK-së:  Enver Bytyçi dhe e Kujtim Bytyçi

 

Më 16 tetor të vitit 1908 lindi, Enver Hoxha, udhëheqës i Partisë Komuniste të Shqipërisë, më vonë i Partisë së Punës deri në vdekje. Prijës, organizator, strateg i Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare e i revolucionit popullor. Themelues e Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të RPS të Shqipërisë. Krijues e drejtues i pushtetit popullorë, burrë shteti i shquar dhe arkitekt i Shqipërisë Socialiste. Personalitet i shquar i revolucionit ndërkombëtar dhe i luftës çlirimtare të popujve të shtypur. Figura ndër më të njohurat dhe më me ndikim  të kombit shqiptar, i cili tërë jetën ia kushtoi atdheut e popullit shqiptar. Dy herë Hero i Popullit dhe Hero i Punës Socialiste. Enver Hoxha lindi në Gjirokastër në një familje me tradita të njohura patriotike.

Vazhdoi studimet në Liceun fracez, në fillim në Gjirokastër. Ishte admirues i Avni Rustemit, i shoqërisë përparimtare “Bashkimi”, i revolucionit demokratiko-borgjez të qershorit 1924. Më 8 nëntor 1941, pas dy vjetësh pune të palodhur e të ndërprerë në kushtet e rënda të terrorit fashist, Enver Hoxha bashkë me komunistët e vërtetë shqiptarë kryen veprën më të madhe: themeluan Partinë Komuniste të Shqipërisë, udhëheqësen besnike që do t’i tregonte popullit rrugën e luftës për çlirim kombëtar e shoqëror. Figura e Enver Hoxhës është një figurë e madhe poliedrike. Nuk ka fushë të aktivitetit politik, ideologjik e shoqëror të PPSH-së si dhe shtetit që të mos jetë shprehur mendimi i tij filozofik, forca organizuese dhe veprimtaria udhëheqëse. Ka shkruar vepra të shumta studimore historike, politike e filozofike. Vdiq më 11 prill të vitit 1985.

Më 16 tetor të vitit  1997  ka rënë në altarin e atdheut, dëshmori i UÇK-së Adrian Rexhep Krasniqi, ndër themeluesit dhe dëshmorët e parë të UÇK-së.

Më 16 tetor të vitit 1998, kanë rënë dëshmorë luftëtarët e paepur të UÇK-së,  Jetë Aziz Hasani nga fshati Godanc i Shtimes. Jetë Hasani ka qenë luftëtar i dalluar i UÇK-së.  Është përkujdesur dhe ka ndihmuar financiarisht në stërvitjen e një grupi të luftëtarëve të lirisë, në Tiranë qysh në vitin 1993. Asokohe ka mbajtur kontakte me veprimtarin, Halil Alidemaj, Shaban Braha, Ruzhdi Saramati, Muhamet Malësori, Sylë Qeriqi, Elez Durmishi, Ramiz Qeriqi e veprimtarë të tjerë të Lëvizjes Kombëtare. Ka qenë ndër luftëtarët e parë në zënien e Grykës së Carralevës më 14 qershor të vitit 1998, së bashku me Milaim Behën, Rrahman Tafën,  Ruzhdi Salihun, dëshmorë të rënë gjatë luftës së UÇK-së.

Më 16 tetor të vitit 1998 ka rënë në luftë ballë për ballë duke luftuar kundër forcave serbe, Fehmi Brahim Kastrati nga fshati Kisharekë i Drenicës.

 

Më 17 tetor të vitit 1938 ka rënë, luftëtari i brigadave internacionale, Xhemal Kada. Gjatë luftës  kundër fashizmit të Françisko Frankos, në Spanjë ishte rreshtuar edhe shumë luftëtarë shqiptarë në radhët e brigadave internacionaliste italiane dhe brigadave të tjera  nga mbarë bota. Xhemal Kada ka  rënë trimërish në Fuente del Ebro me shumë luftëtarë të tjerë. Në luftën kundër fashizmit në Spanjë kanë rënë shumë revolucionarë shqiptarë, të cilët kanë qenë të rreshtuar në Brigadën italiane, “Garibaldi”.

Më 17 tetor të vitit 1927 u lind në Tiranë aktori i njohur, Enver Dauti. Gjatë karrierës ai ka interpretuar disa role në filma, si drejtorin,  te Historiani dhe kameleonët, atë të drejtorit të burgut, te Kolonel Bunker, babanë e Petritit te Fushë e blertë fushë e kuqe, kooperativistin te Zambakët e Bardhë, drejtorin e gjimnazit te Qortimet e vjeshtës, përkthyesin te Këshilltarët, Kozin,  te Koncert në vitin 1936, ministrin e brendshëm te Nga mesi i errësirës, Kopin te Cirku në fshat, Lonin te Lulëkuqet mbi mure, xha Hakiun te Prita, Bardhokun te Toka Jonë, si dhe role te Fejesa e Blertës, Ne vinim nga lufta, Rrugicat që kërkonin diell, Kur hiqen maskat, Shtigje të luftës, Odiseja e tifozave, etj. vdiq më 16 shkurt 2012.

Më 17 tetor të vitit 1997, në burgun e Beogradi, në Serbi, pasi paraprakisht ishte kidnapuar nga policia serbe është mbytur mizorisht në tortura, Januz Salih Zeneli, atdhetari dhe pjesëtari i UÇK-së në Llap, që vepronte nën komandën e Zahir Pajazitit.

 

Më 18 tetor të vitit 1858, lindi në Manastir, Gjerasim Qiriazi, Ishte rilindës, atdhetar, shkrimtar dhe themeluesi i parë i shoqërisë, Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë. Nga martesa me Athina Mikelidin, lindi Stefani, djali i vetëm i Gjerasimit. Bashkëshortja i kishte vdekur  disa muaj pas lindjes së djalit. Djali i tij Stefani vdiq më 1959 në Amerikë duke lënë 6 fëmijë pas. Mori   ndihma dhe përkrahje nga shoqëritë shqiptare jashtë atdheut: nga Nikolla Naço, Pandeli Sotiri, Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Mihal Grameno, Kristo Dako etj. Në mars të vitit 1892 së bashku me motrën, Sevastinë, përgatit planin dhe projektin për hapjen e Shkollës së Vajzave dhe Shkollën e të Dielës në Korçë. Për shkak të aktivitetit të tij atdhetar e rilindas e mbrojtës i gjuhës shqipe e braktisjes së fese ortodokse, më 2 tetor 1892 Kisha Ortodokse lëshon mallkimin e saj kundër Gjerasimit, ashtu sikur edhe kundër  Petro Nini Luarasit, Naum Veqilharxhit, Kostandin Kristoforidhi e të tjerëve. Më 14 nëntor 1892 themelon Kishën Ungjillore të Korçës edhe shoqërinë “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” me qendër në Korçë. Në të njëjtin muaj boton numrin e parë të gazetës së shoqërisë “Letra e Vëllazërisë”. Për shkak të aktivitetit të tij më 17 janar, 1893 u bë një atentat i pasuksesshëm kundër  Gjerasim Qiriazit. Ka shkruar shumë vjersha e këngë. Ka vdekur më 2 janar të viti 1894 në moshën 35 vjeçare. Në vitin 1987 Gjerasimit iu dha titulli “Mësues i Popullit”. Në vitin 1992 iu akordua titulli: “Urdhri i Lirisë i Klasit të Parë.

Më 18 tetor të vitit 1925 lindi, Ramiz Alia, partizan, revolucionar, kuadër i lartë politik i Partisë Komuniste më vonë i Partisë së Punës së Shqipërisë. U diplomua në shkollën e Partisë në Moskë. Ka qenë njëri nga  personalitetet më të rëndësishme të Partisë së Punës së Shqipërisë, i cili udhëhoqi Shqipërinë mes viteve 1984 – 1990. Gjatë kësaj periudhe Ramiz Alia ka kryer detyra të larta në drejtim të PPSH-së, rrjedhimisht edhe të shtetit shqiptar. Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake në Shqipëri të zhvilluara më 31 mars 1991, parlamenti i ri pluralist i dominuar nga deputetët e PPSH-së, më 30 prill 1991 me propozim të PPSH-së e zgjodhi Ramiz Alinë, President të Republikës. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 22 marsit 1992 ku fitoi koalicioni i opozitës i udhëhequr nga Partia Demokratike, më 3 prill 1992 Alia dha dorëheqje nga posti i Presidentit. Vdiq më 7 tetor të vitit 2011 në Tiranë.

Më 18 tetor të vitit 1998 ka rënë dëshmor luftëtari i lirisë, i radhëve të UÇK-së në Dukagjin,   Ilir Mazllum Soba

 

Më 19 tetor të vitit 1913 lindi  në Dibër, Haxhi Lleshi. Studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Beogradit. Ka qenë politikan shqiptar dhe Ministër i Brendshëm i Shqipërisë në kabinetin e Enver Hoxhës me mandat nga 22 tetori i vitit 1944 gjer më 10 janar të vitit 1946 dhe nga 11 janari i vitit 1946 gjer më 18 mars të vitit 1946. Haxhi Lleshi ishte pjesëmarrës aktiv dhe njė nga drejtuesit kryesor tė Luftės Antifashiste Nacionalçlirimtare në zonën e Dibrës. Pas çlirimit ai mbajti postin e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor prej 1 gusht 1953 deri më 21 nëntor 1982. Ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë në të gjitha legjislaturat e periudhës komuniste si dhe në legjislaturën e parë që doli nga zgjedhjet pluraliste të vitit 1991. Haxhi Lleshi vdiq më 1 janar të vitit 1998.

Më 19 tetor të vitit 1920 në fshatin Gllaviçicë (Shëngjon-Kokaj) afër Pejës, lindi gjeografi e shkrimtari,  Mark Krasniqi. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, kurse më 1941 gjimnazin në Prizren. Prej vitit 1941-1943 ka studiuar letërsinë në Universitetin e Padovës, në Itali.  Pastaj ka studiuar gjeografinë e etnografinë në Universitetin e Beogradit. Më 1945-1946 ka qenë gazetar-redaktor i gazetës Rilindja në Prizren, bashkë me Esad Mekulin e Omer Çerkezin, kurse prej vitit 1947-l949 ka punuar në Radio-Beograd (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe) gazetar-redaktor. Prej 1950-1961 ka punuar në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd asistent, pastaj bashkëpunëtor shkencor. Ka diplomuar më 1950 në Beograd, kurse më 1960 ka doktoruar në Universitetin e Lubjanës. Ka qenë disa herë prodekan e dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik. Ka qenë nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës. Ka botuar më se 20 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish nga serbishtja e sllovenishtja në gjuhën shqipe. Vdiq më  28 gusht të viti 2015, në Prishtinë

Më 19 tetor të vitit 2003 – Nënë Tereza lumturohet në Romë nga Papa Gjon Pali II. “Jeta e saj në shërbim të të varfërve ka frymëzuar shumë njerëz të ndjekin të njëjtën rrugë. Dëshmia dhe mesazhi i saj përputhen me ato të çdo feje si shenjë se “Zoti vijon ta dojë botën “, tha Papa në ceremoninë madhështore në sheshin Shën Pjetri në Romë më 2003. Shumë njerëz besojnë se Nene Tereza, e cila sa ishte gjallë arriti të ngrihej mbi politikat kohës, e konsideruar prej kohësh si “shenjëtorje e të varfërve”, do të mundet t’i kapërcejë dhe pengesat burokratike që vonojnë shenjtërimin e saj zyrtar.

 

Më 20 tetor të vitit 1900 ka ndërruar jetë shkrimtari më i madh i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Naim Frashëri. U lind më 25 maj të vitit 1946, në Frashër të Permetit. Ka qenë vëllai i dy personaliteteve më të njohura shqiptare kohës, Avdyl Frashëri dhe Sami Frashëri. Për së gjalli u pagëzua “apostull i shqiptarizmës” dhe “bilbil i gjuhës shqipe”. Ishte  i biri i Halit beut dhe nënë Eminesë. Në vendlindje bëri mësimet fillore dhe nisi të mësonte turqishten, arabishten dhe persishten në Teqenë e Frashrit. Në vitin 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë,  Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” më 1869. Më 1871 shkoi në Stamboll, ku qëndroi vetëm tetë muaj, sepse dhembja e kraharorit e detyroi të kthehej në Janinë. Në vitet 1874-76 punoi si drejtor dogane në Sarandë. Më 1878 punoi tetë muaj si drejtor të dhjetash, në Berat. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll, ku punoi në fillim në detyrën e anëtarit e pastaj të Kryetarit të Komisionit të Inspektimit, pastaj të Kryetarit të Këshillit të Lartë të Arsimit. Më 14 gusht 1882, nënshkroi lejen për botimin e Gramatikës së Kristoforidhit. Mori pjesë në punën e Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip.  Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes atdhetare. Naimi i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve. Ka shkruar dhe ka përkthyer shumë vepra. Më të njohurat janë, Lulet e Verës, Bagëti  e Bujqësi, Ëndërrimet, Historia e Skënderbeut, Qerbelaja e shumë të tjera.

Më 20 tetor të vitit 1938 vdiq  Sali Butka, atdhetar. U lind në vitin 1852 në fshatin Butkë të Kolonjës. Bashkëpunoi për shumë kohë me Petro Nini Luarasin, duke e ndihmuar atë për ngritjen e shkollës së parë shqipe në Kolonjë. Saliu, së bashku me Nasuf Bej Novoselën, ishin dy njerëzit që e morën në mbrojtje Petro Ninin nga armiqtë e kundërshtarët e tij. Ai filloi të sillte nga Manastiri dhe Selaniku libra dhe gazeta të shkruara në gjuhën shqipe, të cilat më pas i përhapte në krahinat e Kolonjës, Korçës e Përmetit. Në vitin 1905, me nismën e Bajo Topullit, në qytetin e Manastirit u themelua Komiteti “Për lirinë e Shqipërisë”, i cili organizoi çetat e para patriotike. Në dhjetor të vitit 1905 Bajo Topulli shkoi vetë në fshatin Butkë, në shtëpinë e Sali Butkës, ku u formua çeta e parë kombëtare dhe u shpall fillimi i kryengritjes së armatosur. Në këtë çetë, me komandant Sali Butkën, bënin pjesë edhe patriotë të tjerë si: Qani Starja, Qamil Panariti, Riza Veleishti, Selim Pojani, Sefer Panariti, Dilaver Lubonja, Hasan Qinami, Myftar Butka, Thoma Pituli etj. Në vitin 1910 mori pjesë në mitingun e madh të shkronjave shqipe që u organizua në qytetin e Korçës. Në fillim të vitit 1911, në Kolonjë u krijua Komiteti Kryengritës me në krye Sali Butkën, si dhe vëllanë e tij, Myftar Butkën dhe Ganiun, të birin e tij. Në maj të vitit 1912 Sali Butka mori pjesë në kuvendin e Pejës, i cili mori vendime për fillimin e kryengritjes kundër Turqisë. Kur ushtritë franceze që kishin okupuar Korçën dhe qarkun e saj, mbështesnin kërkesat e Venizellosit për Shqipërinë e Jugut, Sali Butka, në krye të forcave të tij, që arrinin në 1500 veta u nis drejt Korçës dhe e rrethoi atë. Në krah të tij ishte edhe çeta e Themistokli Gërmenjit me 22 vetë. Sali Butka vdiq në vitin 1938.

Më 20 tetor të vitit 1944, u vra shkrimtari dëshmor, Gjikë Kuqali. Ishte një shkrimtar dhe dëshmor i Luftës së Dytë Botërore. Lindi ne Korçë dhe vdiq i pushkatuar nga nazistët  gjermanë në kampin nazist te Prishtinës.

Më 20 tetor 1944 u vra Ylbere Bilibashi, pioniere partizane, Heroinë e Popullit.

 

Më 21 tetor 1919  vdiq Xhelal Koprencka. U lindi në Koprenckë të  Skraparit në vitin 1876. Ishte veprimtar i luftës për çlirim kombëtar, sidomos me një të afërm të tij, Ali Koprëncka. Të dy pjesë e komitetit të fshehtë “Për lirin’ e Shqipërisë”, ushtronin veprimtarinë e tyre patriotike në Korçë dhe Manastir, në klubin e shqiptarëve të atjeshëm. U kujdes për shkollën shqipe të Korçës, atë të vashave dhe djemve. Anëtar i shoqërive patriotike jashtë vendit. Si delegat i Skraparit, merr pjesë në shpalljen e pavarësisë kombëtare dhe firmon dokumentin e independencës me siglën “Xhelal Ko”. Më 1918 mori pjesë në Kongresin e Durrësit., si delegat nga Skrapari. I ndjekur nga elementë antikombëtarë, Koprëncka u vra pabesisht në vitin 1919, në Pyllin e Sherës në Qafën e Martës.

Më 21 tetor të viti 1991, vdiq në Prishtinë, etnomuzikologu dhe kompozitori, Lorenc Antoni. I lind lindi në Shkup më 23 shtator të vitit 1909. Qysh fëmijë aktivizohet në ansamble të ndryshme muzikore të shqiptarëve. Studion privatisht muzikë në Shkup dhe Beograd. Pas shkollimit në Fakultetin Filozofik të Shkupit kthehet në Ferizaj dhe më pas ngre të parën shkollë të ulët dhe të mesme muzike “Josip Sllavenski” në Prizren më 1948. Po në këto vite drejton si dirigjent edhe korin e shkollës muzikore, atë të shoqërisë kulturore artistike “Agimi” si dhe orkestrën simfonike të qytetit të Prizrenit. Pas këtyre viteve vazhdon të merret intensivisht me kompozime, dirigjime të veprave, veprimtari pedagogjike etj. Në fushën e studimit të folklorit, Lorenc Antoni vlerësohet se i pari mblodhi dhe botoi shtatë vëllime të muzikës popullore shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Moravës Jugore të shoqëruar me analiza etnomuzikologjike mbi gjithë këtë lëndë që është transkiptuar po prej tij. Ka kompozuar edhe muzikë, ndër to dallohen kompozimet vokale. Ai bëri përpjekje për hapjen e shkollës së parë të muzikës qysh në vitin  1948 në Kosovë.

 

Më 22 tetor të vitit 1942 u var nga fashistët, Shyqri Ishmi, Hero i Popullit. Ai mori pjesë në njësitet guerile të Tiranës dhe kreu me sukses disa aksione, falë guximit të tij ai kreu detyra të veçanta. Ai u kap nga fashistët dhe në 22 tetor 1942 u dënua me varje. Shyqyriu u var në Pazarin e Madh të Tiranës. Fjalët e tij të fundit ishin: “Rinia shqiptare i ngjan barit të livadhit që, i kositur, bëhet më i gjallërueshëm, një bie një ngrihet. Poshtë fashizmi”! Akti barabar i varjes së Shyqyriut e ndezi edhe më shumë urrejtjen e popullit për pushtuesin.

Më 22 tetor të viti 1995 vdiq në burg, Shefqet Peçi.  Ai lindi më 30 qershor të vitit 1906 në fshatin malor të Picarit, në Gjirokastër, ishte politikan shqiptar, Ministër i Minierave dhe Ministër i Komunikacionit.  Më 1924 luftoi në Revolucionin Demokratik të drejtuar nga Fan Noli. Nuk qëndron gjatë në ushtrinë e mbretit Zog si oficer duke parë shtypjen dhe injorancën që mbretëronin në radhët e saj. Për veprimtarinë e tij antizogiste është arrestuar e burgosur dhe u çmobilizua si oficer nga radhët e ushtrisë. Më 1937 bëhet një nga krerët ushtarakë kundër monarkisë fashiste prandaj dhe u burgos. Shefqet Peçi merr pjesë në luftën antifashiste si drejtues i lëvizjes studentore të qytetit Elbasan. Qe në muajt e parë të vitit 1942 vihet në krye të formacioneve luftarake partizane dhe behet anëtar i Partisë Komuniste. Si komisar dhe komandant i çetave dhe batalioneve të para partizane në Zonën e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, do të shpaloste jo vetëm trimërinë dhe guximin e tij, por edhe përvojën, aftësitë dhe talentin si komandant. Shefqet Peçit iu ngarkua drejtimi i Brigadës së Pestë Sulmuese. Pas çlirimit të vendit ka kryer funkcione me rëndësi për Shtetin Për meritat dhe luftën e tji heroike, veç shumë dekoratave të tjera, i është akorduar medalja e artë me motivacion “ HERO I POPULLIT ” si dhe nderimi më i lartë ushtarak demokratik “Xhuzepe Garibaldi”. Vdiq në burg, në moshën 90- vjeçare  ku e kishte burgosur regjimi i Sali Berishës.

 

Më 23 tetor të vitit 1821 lindi Dhimitër Kamarda, në vendin e quajtur  Piana deli Albanesi (Në gjuhën arbërisht: Hora e arbëreshëve) të Sicilisë. Ishte  gjuhëtar, botues e folklorist arbëresh. Njihet si filozofi më i madh arbëresh. Pati krijimtari të pasur, por ajo që e bëri të njohur ishte vepra “Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe”. Nga veprat e tij : “Alfabeti i përgjithshëm shqiptaro – epiriot”, “Tri këngë popullore shqipe të Epirit” etj. Vdiq në Livorno të Italisë në vitin 1881.

Më 23 tetor të viti 1871 lindi Gjergj Fishta. Gjergj Fishta, Ishte i biri Ndokë Simon Ndocit dhe Prendes së Lazër Kaçit. Ai kishte tre vëllezër dhe një motër. Meqë në fshatrat aty përqark nuk kishte shkollë, e dërguan në Shkodër. Me hapjen e kolegjit të Troshanit më 1880 Fishta 11-vjeçar  kthehet nga Shkodra tashmë si nxënës dalluar. E dërgojnë për studime të mëtejshme në filozofi e teologji në Bosnje. Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, si politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit 1919 dhe gjatë vitit 1920 ishte sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar zgjidhet nënkryetar. Si nënkryetar i Parlamentit kreu veprimtari të shumta politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri. Vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali. Ndërkohë, krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, dramave lirike, tragjedive etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i “Lahutës së Malësisë”, (1937). Ishte kryetar i kongresit të Manastirit dhe propozimi i tij fitoi në unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në tetor 1913 nxjerr revistën “Hylli i drites”, ndërsa më 23 tetor 1913 shpalos flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.

 

Më 24 tetor të vitit 1876 lindi në Korçë, Kristo Floqi, qe avokat, gjykatës, nëpunës, ministër, botues dhe autor tragjedish e komedish.  Mësimet e para Kristo Floqi i mori në shkollën qytetëse në Korçë, ndërsa studimet e mesme dhe të larta i kreu në Greqi, ku familja e tij qe shpërngulur. Diplomoi për drejtësi në Athinë, po aty nisi të ushtrojë profesionin e avokatit më 1899.  Më pas shkon në Korçë, ku hap zyrë avokature, punoi gjatë viteve 1902-1908 avokat në vendlindje, Manastir dhe anëtar i gjyqit të shkallës së parë në Dibër. Më 1908 drejton gazetën “Dielli” në Shtetet e Bashkuara. Më 24 dhjetor 1911 drejton mbledhjen për krijimin Komisionit për Bashkimin e organizatave shqiptare në Amerikë. Më 28 prill 1912 themelues dhe anëtar i komisionit qendror të Federatës Vatra, të cilën e drejtoi më 1913-1915. Merr pjesë më 1913 në Kongresin e Triestes, si i dërguar së bashku me Faik Konicën. Më 1914 u emërua kryesekretar i ministrisë së Drejtësisë. Në maj të viti 1919 drejtonte botimin e të përkohshmes “Agimi”, organ degës letrare i shoqërisë “Vllaznia”, Më 1921 u emërua ministër Arsimi në qeverinë e Iljaz bej Vrionit. Më 1921 qe anëtar i “Bashkimit të Shenjtë” dhe në legjislaturën 1921-1923 u zgjodh deputet i prefekturës së Dibrës, u zëvendësua më 1922. Më 8 janar, 1922 ai hapi një zyrë avokatore në Rrugën e Dibrës. Në vitet 1925-1926 botoi gazetën “Indipendenca Shqiptare”, kur edhe u rizgjodh si deputet i prefekturës së Korçës.  Më 1932 përkujdeset për varrosjen e kunatës së tij, Marigo Posios. Më 1929 – 1944 me ndonjë ndërprerje qe anëtar i Këshillit të Shtetit, Ndërroi jetë në vitin  1951.

Më 24 tetor të vitit 1945 – Themelohet Organizata e Kombeve të Bashkuara. Më pak se dy muaj pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ratifikimi i Kartës së Kombeve të Bashkuara nga 5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, dhe shumica e nënshkruesve të tjerë, shënon themelimin zyrtar të OKB-së. Përkundër dështimit të Lidhjes së Kombeve për të arbitruar konfliktet që çuan deri në Luftën e Dytë Botërore, aleatët propozuan që në fillim të vitit 1941 krijimin e një organizate të re ndërkombëtare, për të ruajtur paqen në botën e pasluftës. Termi “Kombet e Bashkuara”, i propozuar nga presidenti amerikan Rusevelt u përdor zyrtarisht më 1 janar 1942, kur përfaqësuesit e 26 kombeve aleate u takuan në Uashington dhe nënshkruan Deklaratën e Kombeve të Bashkuara, miratoi Kartën e Atlantikut, dhe paraqiti synimet e përbashkëta të luftës të Aleatëve.

 

Më 25 tetor të vitit 1915 lindi Veli Stafa, poet vëlla i heroit të kombit Qemal Stafa. Lindi në Elbasan. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes, ndërsa arsimin e mesëm e kreu në Kolegjin e Etnëve Jezuitë në Shkodër, të cilin e mbaroi me rezultate të shkëlqyera më 1932. Në tetor të vitit 1933 fillon studimet në fakultetin e Mjekësisë në Bolonja. Më 5 korrik 1938 diplomohet duke mbrojtur temën ‘Kufizimet martesore nga pikëpamja e përmirësimit gjenetik’, duke pasur në këtë mënyrë të drejtën për t’u emërtuar studiuesi i parë shqiptar i problemeve gjenetike. Në muajin korrik të po atij viti kthehet në Shqipëri. Veten e quante doktor i të vobektëve e jetimëve, por edhe nga të tjerët kështu kujtohet edhe sot. Në shtator shkon për t’u mjekuar nga tuberkulozi, por nuk shërohet. Më 2 prill trupi i 24-vjeçarit përcillet për t’u varrosur në Elbasan, në Varrezat e Teqes së Madhe Bektashiane. Veliu ka bashkëpunuar me revistat e asaj kohe Arbenia e Nebil dhe Ikbal Çikës, Illyria, Përpjekja Shqiptare të Branko Merxhanit, ku ka shkruar prozë, poezi e recensione. Në vitin 1982 shkrimtari i njohur Andrea Varfi i mblodhi të gjitha shkrimet e të riut, duke i përmbledhur në librin “Vepra Letrare e Veli Stafës”.

25 tetor të vitit 1999, në luftime kundër forcave serbe ra trimërisht,   Avni Haki Shehu, luftëtar i Zonës Operative të Neredimës

25 tetor të vitit  1999, ka rënë në luftë kundër forcave serbe, dëshmori i UÇK-së, Naim Beka. Ai u lind  më 5 shtator të vitit 1966 në fshatin Pleshinë të Ferizajt. Shkollën fillore e kreu në fshatin e tij të lindjes, në Pleshinë, ndërsa shkollën e mesme teknike në Ferizaj.  Në moshën 15-vjeçare, qysh si nxënës i shkollës së mesme mori pjesë në demonstratat gjithëpopullore në Ferizaj, në prill të vitit 1981. Me fillimin e luftës së lavdishme të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, Naimi ishte interesuar të bëhej ushtar i ardhshëm i Kosovës Në kohën e ofensivave serbe të verës dhe vjeshtës së vitit 1998, gjithmonë ishte në logun e luftimeve.  Më 25 tetor 1999, luftëtari i paepur i lirisë, Naim Beka, ka rënë në krye të detyrës, në fshatin Doganaj të Kaçanikut, me bashkëluftëtarët e tij të ngushtë, Avni Shehu dhe Agim Matoshi.

 

Më 26 tetor të vitit 1948 vdiq Mihal Bellkameni. Lindi në vitin 1893 Ishte intelektual, atdhetar shqiptar. Ka marr pjesë si luftëtar kundër turqve me çetën e Spiro Bellkamenit. Ka qenë personalitet i shquar për sa i përket kulturës, ka hapur shkollën e parë shqipe të natës në Shqipëri, ka hapur shkollën shqipe në Pogradec, ka qenë për disa vite drejtor i arsimit në Pogradec, ka qenë përfaqësues i gazetës ”Shqipëria e re”, që për kohën në vitet ’30 ka qenë gazeta më e madhe. Në vitin 194o Mihali u lidh me forcat italiane  dhe u bë anëtar i thjeshtë i partisë fashiste. Pas çlirimit të vendit, në nëntor të vitit 1944 u arrestua dhe u burgos në Korçë. Pas gjyqit në Tiranë u burgos në Burrel me 1948 ku vdiq më 26 tetor të vitit 1948.

Më 26 tetor të vitit 2016 vdiq në Tiranë, Melpomeni Çobani. Lindi më 6 qershor të vitit 1928. Ishte aktore e skenës dhe ekranit, Artiste e Popullit. Në vitit 1947-1949 kreu shkollën për aktore nën kujdesin e Teatrit Popullor. Ajo interpretoi role të suksesshme si në dramë ashtu edhe komedi. Përmendim : “ Rrënjët e thella”, “Fejesa”, “Vajza nga fshati”, “Prefekti”. Për gati 10 vjet shkëputet nga aktrimi dhe i kushtohet tërësisht sportit, ku arriti sukses duke u cilësuar rekordmene dhe kampione në pingpong, në atletikë, në volejboll, etj. Në vitin 1955 ajo lë sportin dhe kalon përsëri në Estradën e Tiranës, ku talenti i saj duket veçanërisht në interpretimin e monologëve dhe të parodive. Ka interpretuar në më se 1500 role për gati 40 vjet punë në Estradë. Ka interpretuar edhe në kinematografi role të spikatura si në filmin “Kapedani”, “Tela për violinë”, etj. Në vitin 1961, mori titullin Artiste e Merituar, ndërsa në vitin 1975, Artiste e Popullit. Rolin e fundit e pati në Teatrin Kombëtar me pjesën “Kopjen e Parë”.

Më 26 tetor të vitit  2007 vdiq  në Itali, Viktor Gjoka. Lindi më 4 korrik të vitit 1922 në Peshtan të Tepelenës. Aktivitetin artistik e filloi në rininë e tij me lëvizjet amatore. Në vitin 1946, nisi punë në Teatrin Popullor dhe punoi deri në vitin 1971. Pa mbushur 20 vjeç, realizon rolet e para, pas provave të shumta me idhullin e tij, Mihal Popi. Ndër rolet më të suksesshme përmendim Hlestakovin ne veprën “Revizori” të Gogolit. “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Fytyra e dytë”, “Karnavalet e Korçës”. Pas rreth 13 viteve punë në teatër, në vitin 1959 mundi të marrë një bursë studimi për regjisor në Bashkimin Sovjetik për dy vjet. Me ndërprerjen e marrëdhënieve në vitin 1961, kthehet në Tiranë, për t’i vazhduar ato në Konservatorin e Tiranës. Ka luajtur në filmat “Kush është vrasësi”, “Vdekja e burrit”, “Zëvendësi i grave”, “Babai i studentit”, “Historiani dhe kameleoni”, e të tjerë

 

Më 27 tetor të vitit 2002 u vra, Ukë Bytyçi. U lind më 9 korrik të viti 1955 në fshatin Semetisht të Therandës në një familje me tradita patriotike. Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa të mesmen në Gjimnazin “Jeta e Re” në Therandë. Fakultetin e Bujqësisë e kreu në Prishtinë. Si student u dallua me aktivitetin e tij dhe mori pjesë në aktivitete të demonstratat e studenteve në vitin 1981, me kërkesë për Kosovën Republikë. Aktivisht u angazhua edhe në formimin e LDK-së nga Dhjetori i vitit 1989,ndërsa në vitin 1992 u shpall Kryetar i kësaj partie. Në vitin 1992 ishte ndër themeluesit e parë të celulave të para Ushtarake për Çlirimin e Kosoves për çka edhe u burgos më 5 tetor të vitit 1993 nga policia serbo-sllave dhe u dënua me 5 vite burgi. Me daljen e UÇK-së, ai u kyç që nga dita e parë dhe me disa bashkëpunetorë të tij formoi Zonën Operative të Pashtrikut së UÇK-së si ushtar, pastaj si Epror i cili qëndroi deri në Çlirimin definitiv të Suharekës. Pas luftës e vazhdoi aktivitetin politik, por në asnjë moment nuk lakmoi postet qeveritare duke e pritur votën e lirë të Popullit. U zgjodh Kryetar i Komunës së Therandës. Uka u vra një ditë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve duke festuar fitoren bashkë me Qytetarët e Komunës së Therandës, më 27 tetor 2002.

Më 27 tetor të viti  1943 lindi në  Shkodër, Roza Anagnosti. aktore e shquar e Teatrit Kombëtar dhe kinematografisë, bashkëshorte e regjisorit po ashtu mjaft të njohur Dhimitër Anagnosti. E filloi karrierën ne Teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Vetëm 20 vjeç, hyri në kinematografi me rolin e mësueses në filmin “Detyrë e posaçme”. Një vit më pas luajti Filen në filmin “Toka jone”. Viti 1966 ishte viti i bashkëpunimit të suksesshëm me regjisorët debutues Dhimitër Anagnosti e Viktor Gjika, ne filmin “Komisari i drites”. Pas këtij filmi Roza dhe Dhimitri martohen dhe jetojnë në Tiranë. Për Rozën fillon periudha më e shkëlqyer e karrierës, me role të shumta në Teatrin Kombetar në Tiranës dhe në kinematografi. Roza Anagnosti bëhet një aktore shumë e kërkuar nga regjisorët. Luan mbi 20 filma dhe fiton disa çmimet të rëndësishme kombëtare. Çifti Anagnosti bëhet simbol i suksesit në art. Disa nga filmat më të suksesshëm janë tek “Plagë të vjetra. ”Fije që priten” me të cilin fitoi Medalionin e Festivalit të vitit 1977, “Mesonjëtorja” me të cilin u shpall aktorja më e mirë dhe fitoi Kupën e Festivalit më 1981. Me filmin “Rruga e lirisë” fitoi Medalionin e dytë. Përveç shumë vlerësimeve e çmimeve për karrierën, Roza Anagnosti mban titullin “Artiste e Merituar”.

Më 27 tetor të vitit 1998 kanë rënë dëshmorët, luftëtarët e  UÇK-së  Xajë Sahit Jashari dhe Muhamet Alijaj

 

Më 28 tetor të vitit 1940,  Italia kishte sulmuar Greqinë përmes Shqipërisë, duke shënuar hyrjen e saj në Luftën e Dytë Botërore. Ushtria greke kundërsulmoi dhe detyroi italianët të tërhiqeshin. Në mars të vitit 1941, në një kundër-ofensive italianët përsëri humbën. Për këtë humbje, më vonë, gjeneralët italianë dhe Musolini do të fajësonin shqiptarët. Dy batalione të quajtur Tomorri dhe Gramshi, të formuar me shqiptarë iu bashkuan ushtrisë italiane gjatë konfliktit; Megjithatë, shumica e tyre dezertoi – Në prill të vitit 1941, Gjermania naziste i vjen në ndihmë Italisë dhe pushton Greqinë përmes Bullgarisë dhe Jugosllavisë. Në 12 prill, ushtria greke filloi të tërhiqej nga Shqipëria. Më 20 prill, ushtria greke e Epirit dorëzohet tek gjermanët, dhe më 23 prill të vitit 1941 nënshkruan armëpushimin. Kështu mori fund Lufta italo – greke. Greqia nuk e ka hequr ligjin e luftës me Shqipërinë edhe pse ajo ndodhej e pushtuar nga Italia.

Më 28 tetor të vitit 1944, forcat fashiste, në Lladorishtë të Strugës vranë 101 banorë të kësaj ane në mesin e tyre edhe gra e fëmijë. Kjo mizori e forcave fashiste gjermane njihet me emrin Masakra e Lladorishtës. Të gjithë banorët ishin shqiptarë. Fashistë kishin djegur edhe 100 shtëpitë e tyre.

Më 28 Tetor të viti  1981 u inagurua Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë.  Për ngritjen e këtij muzeu u mblodh një ekip me specialistët më të mirë të vendit, të fushave të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etnografisë, hartografisë, arkitekturës e artit. Për këtë muze u punua në mënyrë të organizuar, sipas seksioneve përkatëse, për gati 3 vjet, deri në hapjen e tij. Grupi i punës drejtohej nga personalitete të shquara si, Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Burhan Çiraku, Kleanthi Dedi, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksander Meksi etj.

 

Më 29 tetor të vitit 1943 u vra në Tiranë Iljaz Agushi, atdhetar, politikan, demokrat, deputet i shtetit shqiptar, ministër dhe zëvendës-ministër. U lind në Prishtinë më 15 prill 1882 në gjirin e një familjeje qytetare Pas arsimimit në vendlindje, kreu studimet e larta në liceun e Bursës, në Perandorinë Osmane. Pasi u kthye në Prishtinë, u emërua dy herë radhazi drejtor administrativ i Komunitetit Mysliman. Më 1939 – 1941 qe deputet në parlamentin jugosllav. Në maj – dhjetor 1941 prefekt i Prishtinës. Në vitet 1941 – 1943 u emërua ministër sekretar shteti i Punëve Botore në kabinetin Kruja, në Mbretërinë Shqiptare. Në vitin 1943 shërbeu si zv/kryeministër në kabinetin Bushati dhe atë Libohova. Në vitet 1942 – 1943 u zgjodh deputet. Drejtoi qeverinë pas largimit të kryeministrit Libohova «për punë private» në Itali. Kaloi pa probleme pushtetin në duart e qeverisë Mitrovica, u zgjodh sërish deputet, por nuk mundi të kontribuojë më pasi u vra më 29 tetor 1943 me atentat në Tiranë.

Më 29 tetor të viti 1895 lindi në Shkodër,  Karl Gurakuqi, figurë e njohur e kulturës shqiptare, nxënës i shkollës letrare të françeskanëve, bashkëpunëtor i ngushtë në mërgim, i jezuitit të madh, Atë Zef Valentinit.  Mësimet fillore dhe të mesme i kreu pranë shkollës françeskane në vendlindje. Studimet e larta në degën e filozofisë i vijoi dhe i përfundoi në Salcburg e më tej, në Grac të Austrisë, ku u formua një pjesë e intelektualëve më në zë të viteve ’30, që hodhën themelet e kulturës moderne shqiptare. Drejtoi të përkohshmen “Agimi”, “Revistën pedagogjike”, “Mësuesi”, “Shkolla kombëtare”. Qe redaktor i revistave “Atdheu” dhe “Illyria”. Bashkëpunoi në botimin e “Vizareve të Kombit” dhe të “Shkrimtarëve shqiptarë” – dy vëllime me vlera të jashtzakonshme për historinë e letërsisë shqipe. Karl Gurakuqi vdiq më 1971 në Palermo.

Më 29 tetor  të vitit 1960 u lind Agim Çeku, ushtarak, shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë muajve të fundit të Luftës në Kosovë, dhe me përfundimin e luftës mori drejtimin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, po ashtu me gradën gjeneral. Ishte kryeministër i qeverisë së Kosovës për një kohë. Agim Çeku kreu dy vite të akademisë ushtarake në Beograd dhe dy të tjera në Zarë të Kroacisë ku iu bashkua  Armatës Popullore të Jugosllavisë. Kur filloi lufta në ish-Jugosllavi në tetor 1991, iu përgjigj kushtrimit të gardës kombëtare të Kroacisë dhe fitoi komandën e njësive artilerike në Zarë, dhe pastaj u bë zëvendës-komandant i divizionit luftarak. Agim Çeku mori pjesë aktive në luftën që pasoi me Republikën Serbe të Krajinës e cila kërkonte ndarjen nga Kroacia. Në shtator 1993 gjatë luftimeve në Medak, Çeku u plagos. Çeku vendosi kontakte me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës rreth mesit të viteve ‘90. Ai dha dorëheqjen nga posti ne ushtrinë kroate në shkurt 1999. Më pas i bashkohet UÇK-së ku caktohet shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Në ditët përmbyllëse të Luftës së Kosovës, UÇK-ja filloi t’i ofrojë NATO-s informata të rregullta si dhe të sulmojë forcat serbe për t’i vënë në pah të avionëve të NATO-s.

 

Më 30 tetor  të viti 1912,  popullata e Dibrës me rrethinë duke ikur nga ploja barbare serbe e cila kishte për qëllim të shfaroste popullsinë shqiptare, ata ishin larguar nga vendi dhe ishin  vendosur në luginën e Matit, në Çermenikë, Tiranë dhe në Elbasan ku ishin strehuar rreth 80.000 të arratisur. Vetëm në Elbasan ishin strehuar 4  mijë vetë, në Reshan serbët  kishin pushkatuar 30 njerëz. Ata i kishin mbyllur në shtëpitë e tyre  dhe u kishin vënë  zjarrin. Me atë plojë barbare ishin djegur edhe shumë fëmijë e gra.

Më 30 tetor të vitit 1933 në qytetin e Delvinës u lind,  Agron Aliaj, Artist i Popullit. Studimet e larta i kreu në shkollën koreografike pranë Teatrit Akademik të Moskës,  në vitet 1950-1956. Me rikthimin në atdhe emërohet solist në trupën e  Teatrit të Operas dhe Baletit, ku realizoi me nivel të lartë artistik, interpretues disa kryerole të personazheve të baletit nacional dhe atij botëror si Delina në  “Halili dhe Hajrija” “Fatosi Partizan”, “Cuca e maleve”. Ka luajtur Baletet klasike: “ Kujdesi i kotë” “Romeo e Zhulieta“  “Lola”, “Zarema e humbur” dhe shumë vepra të tjera me famë botërore. Krijimi i baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria” ishte një ngjarje me rëndësi të madhe për ecurinë e mëtejshme të artit koreografik shqiptar. Me talentin e tij të jashtëzakonshëm Mjeshtri Agron Aliaj, krijoi një figurë origjinale artistike. Vdiq në Tiranë, më 17 maj të vitit 2012.

Më 30 tetor të vitit 1957  hyri në fuqi Traktati i Paqes së Shqipërisë me Italinë.  Për zbatimin e Traktatit u zhvilluan bisedime shumëvjeçare me Italinë, qeveritë e së cilës u munduan të mbronin politikën kolonialiste të imperializmit italian dhe t’u shmangeshin detyrimeve që rrjedhin prej tij. Më 22 qershor 1957 u arrit Marrëveshja midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës Italiane për rregullimin e çështjeve që rrjedhin nga Traktati i Paqes me Italinë,  hyri në fuqi me shkëmbimin në Tiranë të instrumenteve të ratifikimit më 30 tetor të vitit 1957.

 

 

Më 31 tetor të vitit 1843, në Gradec të Gostivarit  lindi,  Mehmet Deralla. Ishte  njëri  ndër protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, po ashtu ishte edhe  nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare. Mehmet Pashë Derralla ishte Ministri i Luftës në Qeverinë e Përkohshme të Shqipërisë. Arsimin fillor e mori në Tetovë, kurse atë të mesëm në Shkup. Pas shkollimit në vendlindje, ai ndoqi studimet e larta në Akademinë Ushtarake të Stambollit, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Pas diplomimit do të shërbente për disa vite në një regjiment këmbësorie në Anadoll dhe njëherazi, atij do t’i jepej e drejta për të ndjekur shkollën e lartë të Shtatmadhorisë në Stamboll, që ishte niveli më i lartë i arsimimit ushtarak në Turqi.  Mehmet Pashë Dërralla u caktua këshilltar i Sulejman Vokshit, i cili bënte detyrën e ministrit të Mbrojtjes të kabinetit qeveritar, Roli i tij  në organizimin dhe drejtimin e kryengritjeve të mëdha të Kosovës të viteve 1910, 1911 dhe 1912 ishte i gjithanshëm. Ishin këto beteja që kulmuan me atë të verës së vitit 1912, e cila shënoi marrjen e Shkupit, ish- qendrës së vilajetit të Kosovës.  Në zanafillën e shtetit të ri shqiptar, me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor 1912, Kuvendi i mbledhur në Vlorë e në të cilin merrnin pjesë të gjitha viset shqiptare, ministër i Mbrojtjes i qeverisë së kryesuar nga Ismail Qemali, i emërua  Mehmet Pashë Dërralla, i propozuar në këtë post të lartë nga Isa Boletini. Vdiq në Podgoricë në vitin 1918.

Më 31 tetor të viti 1994 vdiq shkrimtari Anton Pashku. Ai u lind më 8 janar të vitit 1937, në Grazhdanik të Hasit të Thatë, afër Prizrenit. Familja e tij i takonte Bytyçëve, i fisit Thaç, mbiemri Pashku u mbeti nga emri i gjyshit. Shkollën fillore dhe pesë klasë të gjimnazit të ulët i kreu në Prizren, kurse tri klasat e gjimnazit real, bashkë me maturën, në Prishtinë. Që nga viti 1958 punoi në gazetën “Rilindja”, në fillim gazetar e më vonë redaktor i rubrikës së kulturës. Më 1973 u inkuadrua në Redaksinë e Botimeve të  “Rilindjes”, redaktor i prozës dhe dramës. Pashku ka qenë edhe redaktor i revistës letrare Jeta e Re dhe revistës Fjala. Ka shkruar kryesisht tregime, romane, drama. Tregimin e parë e ka botuar më 1955 në revistën letrare Jeta e Re.

Kontrolloni gjithashtu

Deputetët kanë votuar kundër amendamentit për ndarjen buxhetore për kompleksin e Jasharëve në Prekaz

Kalendari kombëtar i Radios-Kosova e Lirë, muaji Mars

Më 1 mars 1945 lindi, Xhevahir Spahiu, shkrimtar, poet. U lind në Malind të Skraparit, …