valamobile
akp deri me 23 janar
mbpzhr 2018
kek baner i ri
Fillimi / Kalendari kombetar / Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – Janar
Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar - Janar

Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – Janar

RKL: Janari muaji i veçantë i lindjeve e vdekjeve,  i rënieve e ngritjeve shqiptare

Kalendari kombëtar i shqiptarëve ka në mesin e vet, tre muaj të veçantë,  që lidhen me rëniet e ngritjet, me humbjet e fitoret, me lindje dhe vdekje të personaliteteve ndër më të njohurit, në historinë e kombit tonë.

Nëse Janari mund të përkufizohet si muaj i lindjeve dhe vdekjeve të personaliteteve të rëndësishme të kombit, Marsi është muaji që shënon kryengritjet, rëniet e ngritjet, ndërsa Nëntori është muaji i fitoreve historike. Krejt këto gjykime e konstatime janë relative, por  konsiderojmë se këta tre muaj janë muajt më karakteristikë të Kalendarit Kombëtar, duke u mbështetur në të dhënat që janë prezantuar në:

Në muajin janar kanë lindur dhe kanë vdekur këto personalitete me peshë  për kombin e Atdheun:

Më 1 janar 1702 u lind, Gjon Nikollë Kazazi, doktor i teologjisë, hulumtues i gjuhës dhe i traditës shqiptare.

Po më 1 janar 1920, u lind akademiku dhe gjuhëtari i shquar shqiptar, Shaban Demiraj.

Më 2 janar 1894  vdiq Gjergj Qiriazi, arsimues. Lindi në Manastir të Maqedonisë 18 tetor 1858.

Më 4 janar 1894, vdiq atdhetari, pedagogu e publicisti, Gjerasim Qiriazi.

Më 4 janar 1924  u lind aktori i madh i teatrit dhe filmit shqiptar, Kadri Roshi.

Më 4 janar 1928, e  lind këngëtari dhe artisti i popullit, Avni Mula.

Më 4 janar filloi transmetimin në zonat e luftës të UÇK-së Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapress, dy institucionet informative të SHP të UÇK-së.

Vendimin për themelimin e Radios-Kosova e Lirë dhe të Agjencisë së lajmeve Kosovapress, e ka marrë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një mbledhje të mbajtur, më 13 nëntor të vitit 1998, në fshatin Lladrovc.

Nisma për të hapur një radiostacion të luftës doli nga disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rreth kësaj nisme janë angazhuar, zëdhënësi i SHP të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ndërsa idenë e kanë përkrahur: Azem Syla, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Ramë Buja, Fatmir Limaj, Salih Veseli, Naim Maloku, Kadri Veseli  e të tjerë.

Lidhur me themelimin e radios, qysh më 22 qershor të vitit 1998, Ahmet Qeriqi së bashku me Ramë Bujën, kanë biseduar në fshatin Negroc me zëdhënësin e SHP të UÇK-së, Jakup Krasniqi.

Më 23 korrik të vitit 1998, Nezir Myrtaj dhe Ahmet Qeriqi takuan në Kleçkë zëdhënësin Jakup Krasniqi, me të cilin biseduan lidhur me krijimin e kushteve për aktivizimin sa më të shpejtë të mediumeve informative të SHP të UÇK-së.

Angazhimi rreth hapjes së Radios është ndërprerë me rastin e ofensivave serbe të korrikut dhe gushtit të vitit 1998.

Në fillim të tetorit të vitit 1998 Ahmet Qeriqi u konsultua me Shaban Shalën, përfaqësues i Drejtorisë Informative të SHP të UÇK-së, dhe të dy angazhohen për të sjellë teknikën e shtypshkronjës në Rrafshnaltë, meqë ishin krijuar kushte për nxjerrjen e një informatori ditor. Pajisjet teknike të shtypshkronjës asokohe ndodheshin në Krasmiroc të Drenicës.

Teknikën transmetuese të Radios, Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ia dhuroi pronari i radios Zërit i Kumanovës, këngëtari, Ismet Behxheti.

Selia e parë e stafit të Radios-Kosova e Lirë dhe Agjencisë së Lajmeve Kosovapress ka qenë e vendosur në Shtëpinë e Arian Idriz Qeriqit në fshatin Krojmir. Në atë shtëpi gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 1998 janë  bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e transmetimit të programit. Aty, përveç, Ahmet Qeriqit, i cili banonte me tërë familjen, në nëntor të atij viti ishte vendosur edhe zëdhënësi i SHP të UÇK-së, Jakup Krasniqi, me familje si dhe kuadro të tjerë të lartë të luftës së UÇK-së. Në Selinë e parë në Krojmir, me qëllim për të ndihmura themelimin e dy insitucioneve të para informative të luftës asokohe kanë ardhur, Nezir Myrtaj, Isa Kraniqi, Martin Çuni, Nusret Pllana, Berat Luzha,  Hilmi Ramadani, i cili ndihmonte në kompletimin e stafit si dhe sigurimin e pajisjeve teknike, së bashku me Fatmir Xhelilin, e të tjerë. Një kujdes të veçantë për stafin dhe sigurinë e tyre kanë pasur lufëtari i radhëve të para të UÇK-së, Elez Durmishi, komandanti i batalionit, “Ruzhdi Salihu”,  i Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova, pastaj Komandanti i Policisë Ushtarake të këtij batalioni, Sylë Qeriqi, ndërsa në roje të përhershme të stafit dhe strukturave udhëheqëse ishte angazhuar Hasan Qeriqi, Avni Sylë Qeriqi e të tjerë.

Nga Prishtina kishte ardhur, Isë Krasniqi, i plagosur në luftë, muaj më parë, i cili për një kohë ishte shëruar Në koordinimin e punëve nga Hilmi Ramadani, vjen edhe Nusret Pllana, ish i burgosur politik, i cili kishte marrë pjesë në luftimet në Zonën e Dukagjinit dhe fillimisht ishte caktuar të punonte në Drejtorinë e Ekonomisë dhe të Financave, mirëpo duke qenë se kishte aftësi organizative, zë militant dhe lexim të pastër e të qartë, vendoset që Nusreti t`i bashkohej stafit të Radios dhe të Agjencisë. Zëri dhe aktiviteti i tij i përkushtuar ndihmuan shumë për fillimin serioz të punës sidomos në Radio. Kishte ardhur nga Gjermania, ishte inkuadruar në radhët e UÇK-së edhe Martin Çuni, i cili asokohe ishte sistemuar në Zonën e Drenicës, por me të mësuar lajmin lidhur me hapjen e radiostacionit, Martini vjen në Krojmir, ku ishte vendosur stafi i Radios dhe i Agjencisë.

Angazhimin rreth mbartjes ilegale të transmetuesit 250 wat, miksetës dhe pajisjeve përcjellëse, pas peripecive disa mujore nga kumanova i kanë sjellë në selinë e SHP të UÇK-së në Divjakë, ushtarët: Mentor Hoxha, Basri Beka, Shaqir Shaqiri, Islam Berisha, Bajram Jashari, Bekim Haxhiu e të tjerë. Teknika transmetuese fillimisht ka qenë vendosur në malet e Qyqavisë e prej andej u bart në Berishë, në Rrafshnaltën e Drenicës.

Në nëntor të vitit 1998, bëhen përpjekjet e para për të vendosur antenën në Fshatin e Ri dhe për të filluar transmetimi më 28 nëntor të vitit 1998. Për shkaqe objektive u shty data e fillimit të hapjes. Në përpjekjen e parë për ta vendosur antenën, në Fshatin e Ri, Blerim Peja ka qëndruar së bashku me Xhevdet Gashin më 25 e 26 nëntor 1998, me ç rast kanë biseduar me komandant, Musa Jasharin për vendosjen e antenës së Radios.

Në dhjetor të vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së vendos të themelojë Radion e cila do të quhej “Kosova e lirë” dhe Agjencinë e lajmeve “Kosovapres”, dy institucione informative të UÇK-së. Përgjegjës për Radio u caktua, Ahmet Qeriqi, ndërsa për Agjencinë, Berat Luzha.

Më 1 janar të vitit 1999, Martin Çuni, sipas rekomandimeve nga Shtabi, vendos që selia e Radios dhe e Agjencisë të vendosen në shtëpinë e Rizah Asllan Berishës, në fshatin Berishë. Rizahu kishte pranuar që odën ta lironte për shërbime të Radios dhe të Agjencisë.

Më 3 janar u bënë përgatitjet e fundit dhe u vendos që më datën 4 janar 1999, të transmetohet emisioni i parë eksperimental provues. Ahmet Qeriqi, së bashku me Martin Çunin  përgatisin informatën e parë, e cila u emetua me rastin e hapjes së programit.

Më 4 janar arrijnë nga Prishtina Xhevdet Gashi, inxhinier i studios dhe transmetimit, pastaj Blerim Peja, e të tjerë. Ndërkohë ishin bërë përgatitjet e fundit. Përcaktohet që sinjal paralajmërues të jetë sigla e komponuar nga Rauf Dhomi dhe e realizuar nga Efraim Kastrati. Sigla paralajmëruese mbërthente përmbajtjen e akorduar të tingujve autentikë të një radioje militante të luftës.

Për fillimin e emetimit Ahmet Qeriqi dhe Martin Çuni shkëpusin një efekt muzikor nga kënga “Jam Kosova e shqiptarisë”, e cila është përcjellë me fjalët, “Ju flet Kosova e lirë”, të zëruar nga folësi i parë i Radios, Nusret Pllana.

Në orën 15 e 55 minuta në Rrafshnaltë, përballë pllakës përkujtimore të atdhetarit, Rifat Berisha, ku paraprakisht ishte vendosur antena transmetuese, në prani të dhjetëra pjesëmarrësve, ka filluar të përhapet tingulli paralajmërues i Radios, i shoqëruar me togfjalëshin simbolik,  “Ju flet Kosova e lirë”. Emetimi ka qenë eksperimental dhe ka zgjatur 6 minuta. Veç tekstit të prezantimit të lajmërimit për fillimin e emetimit është lexuar edhe Komunikata e SHP të UÇK-së, që kishte të bënte me fillimin e punës në radio dhe në Agjenci.

Në hapjen solemne të radiostacionit “Kosova e lirë” kanë marrë pjesë: Jakup Krasniqi, Ramë Buja, Ahmet Qeriqi, Martin Çuni, Nusret Pllana, Xhevdet Gashi, Blerim Peja, Berat Luzha, Rizah Berisha, Milaim Berisha, Elez Durmishi, Isë Krasniqi, Ismet Sopi, Fadil Berisha, Nuri Bega, Adem Grabovci,  dhe disa ushtarë të shtabit lokal të Berishës. Në orën 18.00 të 4 janarit arrin në Krojmir edhe Nezir Myrtaj. Ai ishte vonuar meqë, një ditë më parë, policia sekrete serbe, nga prita, kishte vrarë, Enver Tefik Gashin nga Shtimja, një mik i Nezirit.

Studioja e parë e Radios Kosova e Lirë në tërësi ka qenë studio amatore e improvizuar në kushte dhe rrethana të luftës.

Emisionet e Radios Kosova e Lirë prej 4 janar deri më 21 qershor të vitit 1999 janë emetuar me energjinë elektrike të një gjeneratori, për shkak se programi është transmetuar në vende ku nuk ka pasur furnizim me rrymë elektrike. Falë përkujdesjes gjithnjë mobilizuese të tërë stafit teknik, gjatë luftës nuk ka ndodhur asnjë ndërprerje e programit për shkaqe teknike. Edhe me rastin e goditjes së bazës transmetuese, më 30 mars 1999, nga minahedhësit e forcave armike, me ç rast është defektuar njëra nga antenat, ato janë larguar nga vendi ku kanë qenë të vendosura dhe ndërkohë është evituar defekti. Teknika transmetuese dhe mjetet e tjera përkatëse vazhdimisht janë testuar dhe janë evituar paraprakisht defektet e mundshme.

Gjatë kohës së luftës, është emetuar në kushte të papërshtatshme për teknikën transmetuese, në temperatura të ulëta të cilat kanë dëmtuar gradualisht transmetuesin dhe të gjitha pajisjet përcjellëse.

Edhe pse në kushte dhe rrethana lufte, është arritur të kompletohen mjetet dhe pajisjet më se të nevojshme për të emetuar program. Përveç transmetuesit tip RVR elektronik është shfrytëzuar një miksetë amatore, dy palë kufje, një dek kasetë, një dek CD dhe një mikrofon, katër antena sistem YOGI me pajisjet e tjera përkatëse, kabëll, spina, diktafonë, etj.

 

Më 5 janar 1951 vdiq , Dom Ndoc Nikaj, atdhetar, shkrimtar, publicist.

Më 5 janar 2013 vdiq, Shaban Shala i burgosur politik, epror i lartë i UÇK-TMK-së.

Më 6 janar 1882 lindi, Fan Noli, kolosi i shqiptarizmës, prift, politikan, burrë-shteti, poliglot, enciklopedist…

Më 6 janar 1920 lindi, Sandër Prosi njëri ndër aktorët më të njohur të kohës dhe të kombit.

Më 8 janar 1826 lindi,  Gavril Dara i Riu, shkrimtar i njohur arbëresh, përfaqësuesi i Romantizmit shqiptar

Më 10 janar 1913 lindi, Mehmet Shehu, luftëtar i Spanjës, komandant partizan, burrë-shteti, komunist.

Më 10 janar 1920 u vra atdhetari, Sali Nivica.

Më 10 janar 1944 u vra, Kajo Karafili, komandant partizan, heroi i popullit.

Më 12 janar 1862 lindi, Andon Zanoni, klerik, gjuhëtar, shkrimtar.

Më 13 janar 1993 vdiq, Ndrekë Luca artist i popullit, aktor i teatrit dhe i filmit.

Më 14 janar  1892 lindi, Kristaq Cipo, gjuhëtar, veprimtar i arsimit, studiues i gjuhës.

Më 15 janar  1864 u lind Isa Boletini.

Më 15 janar në  Reçak të Shtimes serbët vranë e masakruan 45 civilë shqiptarë, ranë 13 dëshmorë të UÇK-së.

(Atë ditë forcat ushtarake e policore serbe pasi kishin zënë dhe i kishin arrestuar banorët e fshatit kishin filluar edhe likuidimin dhe masakrimin mizor të tyre.  Atë ditë në Reçak barbaroidët serbë  vranë dhe masakruan barbarisht këta 45 shqiptarë të paarmatosur:

Banush Azemi, Ragip Bajrami, Halim Beqiri, Rizah Beqiri, Zenel Beqiri, Lutfi Bilalli, Ajet Emini, Bujar Hajrizi, Myfail Hajrizi, Skënder Halili, Haqif Hysena, Hajriz Ibrahimi, Hakip Imeri, Murtez Imeri, Nazmi Imeri, Mehë Ismajli, Muhamet Ismaji, Ahmet Jakupi, Eshref Jakupi, Hajriz Jakupi, Mehmet Jakupi, Xhelal Jakupi, Jashar Jashari, Raif Jashari, Shukri Jashari, Fatmir Limani, Nexhat Limani, Salih Limani, Bajram Mehmeti, Hanumshahe Mehmeti, Arif Metushi, Haki Metushi, Ahmet Mustafa, Asllan Mustafa, Muhamet Mustafa, Sadik Osmani, Jashar Salihu, Shukri Salihu, Bajrush Shabani Ahmet Smajli, Sheremet Syla, Shyqëri Syla, Bajram Xheladini, Njazi Zymeri.

Në përpjekje për ta mbrojtur popullatën e rrezikuar në mënyrë fatale nga barbarët serbë kanë rënë dëshmorë: Ali Beqa nga Pusteniku i Kaçnikut, Ismail Luma nga Kraishta e Lypjanit,  Mehmet Mustafa Shaqir Berisha,  Kadri Syla, Enver Rashiti, të gjithë nga Reçaku, Skënder Çarri nga Graiçevci, Nazim Kokallari nga Budakova dhe Sadik Mujota nga Mallapolci. Me rastin e rënies së Sadik Mujotës është vrarë  edhe bija e tij Hanëmshaheja 16-vjeçare.  Janë shpallur dëshmorë edhe të rënët e asaj dite: Hasan Bilalli, Sadik Osmani, Nexhat Ramadani dhe Ragip Bajrami.).

Më 17 janar 1468 vdiq,  Gjergj Kastrioti Skënderbeu, themeltari i Shqipërisë dhe shqiptarizmit.

Më 17 janar 1880 lindi, Ndoc Martini, piktor-grafist.

Më 17 janar 1982 u vranë në pritë nga UDB-ja, afër Shtutgartit në Gjermani atdhetarët: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla.

Më  18 janar 1935 lindi, Pjetër Arbnori, i burgosur politik, shkrimtar, politikan.

Më 18 janar 1888,  u lind  Rexhep Mitrovica, veprimtar burrë-shteti në regjimin italo-shqiptar, diplomat.

Më 19 janar  1900 lindi, Skënder Luarasi, atdhetar, shkrimtar, përkthyes, arsimues.

Më 19 janar 1999, ra duke luftuar kundër forcave serbe në Reçak komandant, i Brigadës 162, Ahmet Kaçiku.

Më 20 janar 1925 vdiq, Hoxhë Kadri Prishtina, atdhetar, shkrimtar, politikan.

MË 21 janar 2006, vdiq veprimtari pacifist, shkrimtari dhe studiuesi, Ibrahim Rugova, kryetar i LDK-së.

Më 23 janar 1916 u vra në pritë, Isa Boletini, Robin Hudi i shqiptarëve, atdhetar, strateg ushtarak, hero i popullit.

Më 23 janar 1899 u mbajt Kuvendi kombëtar i Pejës në krye me Haxhi Zekën.

Më 24 janar 1844 lindi, Ismail Qemali, kryetari i parë i Shqipërisë së pavarur, politikan, burrë-shteti, diplomat, themelues i Pavarësisë.

Më 24 janar 1900, lindi, Kolë Mirdita, atdhetar, shkrimtar.

Më 24 janar 1909 vdiq, Halil Berzheshta, atdhetar veprimtar i Rilindjes kombëtare.

Më 24 janar 1926 vdiq, Sali Murati, atdhetar, hero i popullit.

Më 25 janar 1822 u vra, Ali Pashë Tepelena, sundimtar, politikan, kundërshtar i Perandorisë Osmane.

Më 26 janar 1989 vdiq, Vorea Ujko, (Domeniko Beliqi)  studiues arbresh i Kalabrisë.

MË 27 janar 1999 kanë rënë dëshmorët: Kasim Shala,  Driton Azemi,  Hamdi Berisha.

Më 28 janar 1896 lindi, Riza Cerova, revolucionar, nacional-demokrat, Heroi i popullit.

Më 28 janar 1936  lindi, Ismail Kadare, shkrimtar i njohur shqiptar.

Më 29 janar, forcat serbe masakruan 14 fshatarë në Rogovë të Hasit. Gjatë ditëve 27,28, dhe 29 janar kanë rënë 21  dëshmorët të UÇK-së, Agron Rama, Agim Zeneli, Sejdi Rama, Agush Gjocaj, Bahtiar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetaj, Gaspër Karaqi, Gëzim Ademaj, Hamdi Berisha, Haxhi Kleçka, Ilir Merturi, Kasim Shala, Luan Smajli, Vëllezërit Memë e Prend Lleshi, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Sahit Krasniqi, Valon Gashi dhe Vesel Avdyli.

Më 30 janar 1906  u formua Çeta atdhetare e Komitetit të Manastirit, në komandën e Çerçiz Topullit.

Më 31 janar lindi,  Spiro Çomora, shkrimtar komediograf.

Më 31 janar 1997, kanë rënë në një pritë të Policisë serbe dëshmorët e parë të UÇK-s-, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullau.

Janari përfshin lindjet apo vdekjet e disa personaliteteve të më njohura të kombit, si: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ismail Qemali, Isa Boletini, Skënder Luarasi, Gavril Dara,  Kadri Prishtina, Kajo Karafili, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla,  Ali Pashë Tepelena, Riza Cerova, Mehmet Shehu, Sandër Prosi, Kadri Roshi, Ismail Kadare, Ndrekë Luca, Pjetër Arbnori, Ibrahim Rugova,  Masakra e Reçakut, Ahmet Kaçiku, Shaban Shala,  etj.

Muaji janar përfshin 37 ngjarje, lindje, vdekje, zhvillime ndër më të rëndësishmet të historisë sonë kombëtare. 16 lindje, 19 vdekje, vrasje etj.

Nuk konsiderojmë se në këtë Kalendar kemi përfshirë të gjitha personalitetet  me rëndësi kombëtare. Ftojmë të gjithë ata që duan të kontribuojnë në këtë drejtim,  të na dërgojnë të dhëna shtesë, ndonjë plotësim apo përmirësim,  lidhur me personalitete të tjera të njohura, në mënyrë që të begatohet Kalendari kombëtar për muajin janar.

Literatura:

Kalendari enciklopedik I, Tiranë, 1998.

Fjalori enciklopedik, Tiranë,  1985.

Arkivi I-II- III Radio-Kosova e lirë, Prishtinë 2009.

Feniksët e lirisë, 1-15  ( 2001 – 2015)

Hasan Hasani: Të pavdekshmit e Dukagjinit. Pejë 2002.

Hajrush Kurtaj: Shungullon Gryka e Kaçanikut. Kaçanik 2000.

Në kërkim të dijes dhe lirisë, studentë dëshmorë, ( Grup autorësh). Universiteti i Prishtinës, 2004.

Skënder Zhitia, Dëshmorët e UÇK-së në Llap. Pejë 2000.

Kalendari ditor i Radios-Kosova e Lirë.

Vikipedia, Internet.

Enciklopedia e lirë, internet.

Vërejtje:

  1. Të dhënat shtesë të kalendarit do plotësohen nga dita në ditë dhe do të korrigjohen në vazhdimësi

 2. Të dhënat për dëshmorët e rënë të UÇK-së, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare nuk janë të plota. Ato pritet  të plotësohen ndërkohë. Të gjithë ata që disponojnë të dhëna dhe dëshirojnë të bashkëpunojnë, mund të na kontaktojnë në [email protected]

3. Mirëpresim çdo vërejtje, sugjerim, plotësim të faktuar e të dëshmuar.

 4. Ndalohet kopjimi, apo përvetësimi i të dhënave pa cituar burimin!

 

Kontrolloni gjithashtu

Lidhja Shqiptare e Prizrenit

Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – muaji qershor

Në 1 qershor të vitit 1850 u lind Sami Frashëri, ideologu i Rilindjes  Kombëtare shqiptare, ...