MIT
kek
Airport Adem Jashari
mbpzhr 2018
Fillimi / Kalendari kombetar / Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – Gusht
Marrëveshja e Mukjes

Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – Gusht

Kalendari Gusht

Më 1 gusht të vitit 1942 vdiq, Abdi Toptani, atdhetar, veprimtar i njohur i periudhës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. U lind në Tiranë në vitin  1864, në një familje të njohur atdhetare.  Studimet e larta i kreu në Stamboll.  Ishte në kontakt dhe vepronte me atdhetarin Murat Toptani. Ishte në mesin e intelektualëve shqiptarë që vepronin dhe përkrahnin alfabetin latin të gjuhës shqipe. Udhëhoqi forcat kryengritëse të Malësisë së Kurbinit dhe Shqipërisë së Mesme në kryengritjen e përgjithshme popullore të vitit 1912. Përkrahu Lëvizjen antizogiste dhe ishte në radhët e udhëheqësve  popullorë si Elez Isufi, Bajram Curri, Hasan Prishtina e të tjerë. Në vitin 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës dhe u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë. Ishte dënuar me vdekje nga regjimi i Zogut por u lirua.

Më 1 gusht të vitit 1937 ka vdekur, Ndre Mjeda. U lind më 20 nëntor të vitit 1866 në Shkodër. Si i ri me intelekt të zhvilluar, i talentuar tërhoqi vëmendjen e jezuitëve, të cilët menduan ta bënin prift. Në edukimin e tij patën ndikim shkrimtari, Anton Xanoni dhe poeti françeskan Leonardo de Martino. Ai vazhdoi më pas studimet fetare në Spanjë, Itali e Poloni.  Më 1883 e gjejmë në Kroaci, ku studion retorikë, latinisht dhe italisht. Nga 1884 deri në fillim të vitit 1887 u stërvit në një kolegj që drejtohej atje nga Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj Gregorian tjetër në Kieri. Më 1908 në Kongresin e Manastirit bashkë me At Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin dhe Mati Logorecin si përfaqësues i Shkodrës dhe variantit të shkronjave  latine. U zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes dhe i anëtar i Komisisë Letrare Shqipe. Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike. Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër, ku edhe vdiq më 1 gusht të  1937. Mjeda ka qenë ndër poetët më të shquar të kohës. Ka shkruar vjersha dhe poema ndër më të arrirat e letërsisë shqipe.

 Prej 1 deri më 3 gusht të vitit 1943  u mbajt “Mbledhja e Mukjës”, e cila kishte për qëllim bashkimin e të gjithë shqiptarëve në luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, një aleancë mes forcave të Ballit Kombëtar dhe forcave komuniste. Në delegacionin e   Ballit  Kombëtar morën pjesë, Hasan Dosti, Mit’hat Frashëri e të tjerë, nga Këshilli Nacional-Çlirimtar, Kolonel Jahja Çaçi, Myslim Peza e të tjerë. Në deklaratë kërkohej luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri aleatëve më të mëdhenj, Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si dhe popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar.

Më 1 gusht të vitit 2001, në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ka rënë dëshmor,  Rrahim Beqiri i njohur si Komandant Roki. Atë ditë mori plagë vdekjeprurëse në zonën e tij të luftimeve në Drenas të Tetovës. Rrahim Beqiri lindi më 1 janar të vitit 1957, në fshatin Kopërnicë të Kamenicës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Dardanë, (Ish Kamenicë). Ka kryer studimet në Degën-Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1980.  Ka qenë pjesëmarrës aktiv në demonstratat dhe protestat e vitit 1981, ku ishte afishuar  kërkesa për krijimin e Republikës së Kosovës. Duke qenë me prejardhje nga familjet atdhetare, ishte i ndjekur, i burgosur dhe i persekutuar nga regjimi jugosllav i asaj kohe. Mori pjesë në luftën e UÇK-së, të UÇPMB-së dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Më 2 gusht të vitit 1949 ushtria greke kishte ndërmarrë një sulm frontal kundër Shqipërisë duke përdorur mbi 70 mijë forca të armatosura, 50 avionë, 80 tanke dhe një skalion artilerie me afro 400 topa gjuajtës, ndërsa në vijën e mbrojtjes së Shqipërisë tonë u mobilizuan direkt në luftime rreth 10 mijë ushtarë, ndërkohë që u mbajtën rezervë në gatishmëri rreth 30 mijë trupa pranë vijës greke të sulmit. Nga trupat greke mbeten  të vrarë në tokën shqiptare 300 ushtarë, 500 të plagosur dhe 270 robër. Sipas botimeve në shtyp, prej datës 2 gusht, deri në orën 12.00 të datës 15 gusht 1949, mbetën të vrarë 29 ushtarë dhe oficerë të ushtrisë shqiptarë dhe u plagosën 127 të tjerë. Në mesin e të vrarëve më 2 gusht ishte edhe Memo Bejko, Hero i Popullit shqiptar, i cili u vra gjatë një ndeshjeje më forcat shoviniste greke në postën kufitare të Vidohovë.

Më 2 gusht të vitit 1924 lindi, Panajot Kanaçi, koreograf, mjeshtër baleti, pedagog. U lind në Delvinë. Studimet e larta për balet i ndoqi në Bashkim Sovjetik. Ka realizuar  baletet: Delina, Bija e peshkatarit, Shota dhe Azem Galica, Joniada etj. Vdiq në Tiranë më 14 korrik të vitit 1996.

Më 2 gusht të vitit 1997 vdiq Feim Ibrahimi, kompozitor, pedagog, Artist i Popullit. U lind në Gjirokastër më 26 tetor 1935.  Ka kompozuar  muzikën për shumë filma të Konostudios “Shqipëria e re”, si: “Ngadhënjim mbi Vdekjen”, “Balada Kurbinit, Poema Simfonike, “Tërë Shqipëria është bashkuar” dhe vepra të tjera.

 Më 2 gusht të vitit  1998, ra në altarin e Atdheut dëshmori i UÇK-së, Rexhep Kadrijaj

3 gusht të vitit  1859  lindi, Filip Shiroka, poet, atdhetar, veprimtar. Shkollimin e kreu në Shkodër. Gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u dërgoi javë për javë artikuj gazetave italiane L’osservatore triestino dhe Il Piccolo, përmes së cilat tregonte për gjendjen e rëndë të shqiptarëve nga Perandoria turke. Shiroka ka bashkëpunuar me disa revista në gjuhën italiane. Më 1880, emigroi në Lindjen e Afërt, ku punoi inxhinier ndërtimi hekurudhash. Atje formoi familje me një grua të huaj dhe u trashëguan me djalë, të cilit i dha emrin e të atit, Engjëll dhe një vajzë, të quajtur, Alisa.  Në vitin 1880 ishte  në  mërgim në Egjipt pastaj në Liban ku punoi inxhinier i hekurudhave.  Ka shkruar poezi dhe i ka botuar në revistat: “Albania”, “Besa”, “Toska” etj. Ka  shkruar me pseudonimin Gegë Postriba. Përmbledhja e tij letrare  me titull: “Zani i zemrës” u botua në Tiranë, në vitin 1933, ku edhe qëndroi për pak kohë dhe nuk u kthye më. Ka vdekur në Bejrut në vitin 1935.

Më 3 gusht të vitit 1964, milicia dhe inspektorët e UDB-së arrestojnë, mësuesin atdhetar, Fazli Graiçevci. Pas dy javë torturash intensive, në burgun e Prishtinës, regjimi i kohës ia merr jetën mizorisht, më 17 gusht 1964,  veprimtarit, mësuesit dhe poetit, Fazli Graiçevci. Mbytja të tortura e Fazli Graiçevcit,  mbytja po ashtu, në burg, një vit më parë e Shaban Shalës, qëndrimi i palëkundur dhe tejet militant i Adem Demaçit, gjatë gjykimi por edhe në vuajtje të dënimeve, vdekja nga pasojat e dhunës fizike që kishte ushtruar UDB-ja kundër mësuesit, Ejup Uka nga Dobraja, në fillim të vitit 1965,  vdekja nga pasojat e burgut e Hilmi Rakovicës, po ashtu mësues dhe poet, në vitin 1971, pak kohë pasi ishte liruar nga vuajtja e dënimit, degdisja dhe internimet e flamurtarëve të lirisë nëpër burgjet e Republikave jugosllave, kishin krijuar një atmosferë revolucionare, jo vetëm në Kosovë por kudo në trojet shqiptare nën okupimin jugosllav.

Më 3 gusht të vitit  1998, ka rënë dëshmor, luftëtari, Afrim Gashi.  Po kështu më 3 gusht të vitit 1998, ka rënë dëshmore edhe  heroina e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  Azë Brahimaj.

Më 4 gusht  të vitit 1922, në qytetin e Shkodrës lindi, Loro Boriqi, futbollisti i madh shqiptar. Ai rridhte nga një familje e vjetër shkodrane dhe shumë e njohur në qytetin e Shkodrës. Familja përbëhej nga gjashtë fëmijë, tre djem, Marku, Loro e Pjerini, si dhe nga tri vajza, Angjelina, Margarita dhe Klarinda. Loro Boriçi vdiq në vitin 1984, në moshën 62-vjeçare, që për një sportist mund të quhet vdekje e parakohshme. Lorua ishte tip shumë i ndjeshëm dhe i përjetonte thellë si momentet e gëzimit, ashtu edhe ato të hidhërimit. Në fakt, për kurimin e tij jashtë vendit, gjë për të cilën në atë periudhë kërkohej leje speciale e rezervuar për shumë pak shqiptarë, ndërhyri vetë Ramiz Alia, i cili, si shkodran që ishte, dha urdhër që Loros t’i bëheshin të gjitha përkujdesjet e mundshme për përmirësimin e shëndetit. Por, megjithëse u dërgua jashtë për kurim, ai nuk mundi të shpëtonte dot.

Më 4 gusht të vitit 1981 vdiq kompozitori i njohur, Baki Kongoli. Lindi në Elbasan në vitin më 11 maj të citit 1913. Mbaroi Shkollën Normale dhe filloi të punojë si mësues në Fier. Gjatë Shkollës Normale mëson violinën dhe muzika kthehet në ëndrrën e tij duke bërë që në vitin 1937 të mbarojë konservatorin e Pavios në Torino për violinë. Krahas saj merr mësime për kompozicion, orkestër dhe histori arti. Emërohet pedagog në Shkollën Normale për muzikën. Ndërton dhe drejton orkestrën e njohur me violina dhe mandolina. Me pushtimin fashist të vendit, Baki Kongoli lidhet me lëvizjen nacionalçlirimtare dhe del partizan në vitin 1943. Pas çlirimit u rikthye mësues në Normale dhe më pas u emërua në Tiranë në pozicione me rëndësi. Baki Kongoli njihet si autor i shumë krijimeve muzikore, si: opereta “Vajza e Portokalleve”, e realizuar në skenën e qytetit të Elbasanit, “Tangoja Shqiptare” etj. Në vitin 1956 zgjidhet sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve.

Më 4 gusht të vitit 2018 vdiq aktori i njohur shqiptar, Sylejman Lokaj. Ai u lind më 28 qershor 1934 në fshatin Lëbushë të komunës së Deçanit. Nga viti 1964 la arsimin dhe u punësua ne teatrin profesionist të kombësive në Shkup ku gjatë 12 viteve që qëndroi atje luajti mbi 60 role teatrore e disa tjera filmike. Më 1976 ai ndërpreu punën në Shkup dhe kaloi ne teatrin popullor te Gjakovës ku luajti mbi 40 role deri kur u pensionua, me 1991. Sylejmani nuk ju nda as artit piktural duke hapur disa ekspozita.

Më 5 gusht të vitit 1752  vdiq Gjon Nikollë Kazazi klerik i njohur shqiptar. Gjon Nikollë Kazazi lindi në Gjakovë me 1 janar 1702. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa studimet teologjike i filloi në Kolegjit Ilirik te Shën Pjetrit dhe i vazhdoi në Kolegjin e Shën Palit në Fermo, ku arriti me 21 maj te vitit 1720. Qe nga muaji qershor i te njëjtit vit, ai kaloi në Loreto, në Kolegjin Ilirik te atjeshëm. Sipas dëshmisë se Feliks Mandinit, dëshmitarit zyrtar me rastin e emërimit te tij si krye ipeshkv te Shkupit me 1743, Kazazi atëherë ishte 41 vjeç dhe i kishte filluar studimet si djalë i ri në moshën 18 vjeçare. Në Kolegjin Ilirik te Loretos,  studioi lendet gramatikore, duke i zëne vendin kandidatit te kryeipeshkvisë së  Shkupit. Kazazi ishte në Rome në vitin 1750 për here te fundit dhe me atë rast beri personalisht vizitën “ad Limina” në Bazilikën e Shën Pjetrit me 2 prill te vitit 1750. Po te njëjtën dite ka vizituar edhe Bazilikën e Shën Palit në rrugën e Ostias. Gjon Nikollë Kazazi la gjurme te pashlyera në historinë e albanologjisë si zbuluesi i pare i Mesharit të Gjon Buzukut me te vjetër te shtypur, te njohur deri me sot. Vdiq me 5 gusht te vitit 1752 në  qytetin e tij te lindjes në Gjakovë, ku edhe u varros ne Kodrën e Qabratit.

Më 5 gusht të vitit 1923 ka vdekur Pandeli Cale, atdhetar, veprimtar politik pjesëmarrës në formimin e Qeverisë së Parë Kombëtare të Ismail Qemelit më 28 nëntor 1912, kur edhe ishte emëruar, ministër i Drejtësisë.  U lind më 28 mars të vitit 1874. Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit  me Ismail Qemalin. Ishte pjesëmarrës  në të gjitha aktivitetet politike ndërkombëtare të Shqipërisë së kohës. Mori pjesë në luftën e Vlorës së vitit 1920. Ishte pjesëmarrës edhe në Kongresin e Lushnjës së po atij viti.

Më 5 gusht të vitit 2007 u nda nga jeta, Lec Shllaku. Ai  u lind më 3 nëntor të vitit 1921 në qytetin e Shkodrës, Shkollën fillore e kreu në “Shkollën Fretnore” dhe të mesmen në gjimnazin “Illyricum”.  Klasën e fundit dhe maturën e merr në shkollën “28 Nëntori”. Më pas përfundon shkëlqyeshëm institutin 2-vjeçar dhe studimet e larta në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi ne vitin 1966. Ishte  i ati i aktorit, Bruno Shllaku dhe poetit e studiuesit, Primo Shllaku. Ne vitet 1945-1949 vuri ne skene me grupin e teatrit pranë Shtëpisë se Kulturës Shkodër disa pjese, si:” Agimi”,” Kopraci”,” Jeta fillon përseri”, “Shërbëtori i dy zotërinjve”, “Tirani i Padoves”. Se toku me regjisorin Andrea Skanjeti, u be nder artistet qe dhane nje ndihmese te madhe ne ngritjen dhe kualifikimin e aktorëve te ardhshëm profesioniste te teatrit “Migjeni”* te Shkodres. Lec Shllaku është shpallur “Artist i popullit”

Me datën 4 dhe 5 gusht të vitit 1945 u mbajt kuvendi i Dobërdolit, në Llugë të Dan Pjetrit, në rrethin e Klinëa, ku u mblodhën 2000 luftëtarë e prijës të çetave kryengritëse të rajoneve të ndryshme të Kosovës, nga Shqipëria e Veriut, Sanxhaku dhe Rozhaja. Aty gjendeshin krerët e lëvizjes për çlirimin e trojeve etnike shqiptare dhe bashkimin e tyre në një shtet si: Ukë Sadiku, prof. Ymer Berisha, Ndue Përlleshi, Qazim Bajraktari, Marije Shllaku, Mehmet Aga i Rashkocit, Alush Smajli, Dem Ali Pozhari, Prek Shyti nga Prizreni, Pashuk Biba, Shaban Boshnjaku nga Pazari i Ri, pastaj  800 luftëtarë, krerë nga Drenica, Llapi, Gollaku, Gjilani, Shala e Bajgorës, Ferizaj, Kaçaniku, Rugova, Podguri etj. Pranë Dardhës së Madhe valonte flamuri me shkabën dykrenare, tetë metra i gjatë, të cilën e kishte sjellë Alush Smajli i Llazicës. Kuvendin e siguronin  luftëtarët e Ndue Përlleshit, Alush Smajlit dhe Qazim Bajraktarit, të udhëhequr nga Smajl Hajdari i Gjurgjevikut të Madh dhe vëllai i Ndue Përlleshit, Zef Përlleshi. Kuvendin e hapi Ukë Sadiku. Fjalën kryesore e  mbajti Ymer Berishës. Proçes – verbalin e mbante Marije Shllaku. Komandant u zgjodh njëzëri Ukë Sadiku, ndërsa udhëheqës politik u zgjodh prof. Ymer Berisha. Po ashtu u zgjodhën komisarët e çetave kryengritëse, sipas territoreve dhe e tërë Kosova u nda në 12 sektorë luftarakë dhe për këtë arsye u quajtën “Dymbëdhjetë këshillat”.

 

Në 6 gusht të vitit 1993 vdiq  poeti, publicisti dhe akademiku, Esad Mekuli.  U lind më 17 dhjetor të vitit 1916, në Plavë. Ka qenë kryetari i parë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Familja e tij, në Plavë ishin me prejardhje nga Nokshiqi. I  ati i Esadit ishte hoxhë. Mësimet fillore i mori në Plavë, në gjuhën serbe. Shkollimin e mesëm e filloi në Pejë, ku i përfundoi studimet më 1936. Më pas u regjistrua në Fakultetin e Veterinarisë në Universitetin e Beogradit. Atje ra në kontakt me idetë marksiste dhe më pas mori pjesë në lëvizjen partizane të Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1949 themeloi revistën letrare “Jeta e re”, kryeredaktor i së cilës ishte deri më 1971. Kreu doktoraturën në Beograd më 1959. Si student përparimtar ai u burgos në vitin 1940 dhe qëndroi në burgun famëkeq “Gllavinjaqa”, prej nga u amnistua me 2 prill të vitit 1941. Ka qëndruar i burgosur në Kullën e Sheremetit. Pas lirimit, ai u gjend herë në Zagreb, herë në Tiranë, madje edhe në Itali. Esad Mekuli ishte kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nismëtar, themelues dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Vdiq në Prishtinë me 6 gusht 1993.

Më 6 gusht të vitit 1998 në frontet e luftës së UÇK-së, në luftë të pabarabartë  kanë rënë dëshmorë:  Bashkim Leku dhe Jeton Tërstena.

Më 6 gusht të vitit 1968 në qytetin perëndimor të Turqisë, në Tekirdag, u lind Mustafa Shentop, nga një familje me prejardhje shqiptare. Në zgjedhjet parlamentare të marsit të vitit 2019, me shumicë votash u zgjodh kryetar i Kuvendit të Turqisë. U zgjodh në postin e kryetarit të kuvendit, pasi kryeparlamentari. Binali Jildirim dha dorëheqje për të garuar si kandidat i kësaj partie për kryebashkiak të Stambollit.

Më 7 gusht të vitit 1942 ra dëshmor i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare,  Teli Ndini, Heroi i popullit. U lind në Shkodër në vitin 1921.

Më 7 gusht të vitit 1944  nga forcat fashiste gjermane, u ekzekutua me varje, Fato Berberi, heroinë e popullit. U lind në Gjirokastër në vitin 1927.

Më 7 gusht të vitit 1949, bandat mercenare, diverzante që hynin në Shqipëri nga Jugosllavia dhe Greqia,  vranë në pritë,  mësuesin e popullit dhe veprimtarin e rindërtimit socialist  të vendit, Bardhok Biba.  Me nismën e tij dhe përkrahjen e pushtetit popullor hapi shkollat shqipe në shumë fshatra të Mirditës.

Më 7 gusht të vitit 1994  bie dëshmor, Hasan Ramadani,  i lindur më 1 tetor të vitit 1948 në Albanik (ish-Shajkovc) të Besianës, ishte pjesëtar i lëvizjeve çlirimtare që nga viti 1980. UDB-ja serbe i kishte rënë në gjurmë dhe e sulmoi në shtëpinë e tij, më 7 gusht të vitit 1994. Beteja ishte e pabarabartë, Hasan Ramadani rezistoi heroikisht në shtëpinë e tij, me të gjithë anëtarët e familjes. Kulla e rezistencës së këtij dëshmori është shndërruar në shtëpi-muze.

Më 7 gusht të vitit 1998, kanë rënë në altarin e Atdheut dëshmorët  e UÇK-së, Kapllan Ahmetaj dhe Mark Lleshi.

Më 7 gusht të vitit 2001, në radhët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare kombëtare kanë rënë dëshmorë: Lefter Koxhaj, Ndriçim Koxhaj  dhe Pajtim Roci.

Më 8 gusht të vitit 1927 lindi  Çesk Zadeja, kompozitor, pedagog, Artist i Popullit. Studimet i kreu në konservatorin, “Santa Çeçilia” në Romë. Më vonë studimet i vazhdoi edhe në Konservatorin e Moskës, në Bashkimin Sovjetik.  Fillimisht  ishte dirigjent i Ansamblit të Ushtrisë. Prej vitit 1957 drejtoi “Ansamblin e Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë”. Është autor i shumë veprave muzikore., si muzikë skenike, muzikë filmi, muzikë dhome , muzikë për orkestër etj.

Më 8 gusht të vitit 1926 lindi në Berat shkrimtari,  Kasëm Trebeshina. Një intelektual kontrovers. Në rininë e hershme ishte partizan, pastaj gjyqtar, student i regjisë, dramaturg, poet e romancier. Ishte njëri  ndër themeluesit e Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, , i  lindur në Berat, në një familje me origjinë të largët turke. Aty kreu shkollën fillore ndërsa të mesmen, në Elbasan. Më pas iu bashkua partizanëve dhe mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pas mbarimit të luftës Enver Hoxha e gradoi Kapiten i Parë, krahas emrave si Kadri Hazbiu. Studioi për teatër në Bashkimin Sovjetik, por i ndërpreu studimet dhe u kthye në Tiranë ku një kohë punoi si aktor. Botimi i tij i parë ishte drama historike “Kruja e çliruar” më 1953. Një vit më vonë përjashtohet nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe dënohet me 3 vjet burg, por lirohet pas vetëm 11 muajsh. Në vitet 1955-1962 nuk pranoi asnjë punë, veprim që u tolerua nga autoritetet komuniste. Në vitin 1962 u dënua me 5 vjet internim por as këtë nuk e bëri të plotë. Në vitet e fundit të jetës mohoi origjinën shqiptare dhe pushoi së shkruari. Vdiq në Ankara, më 6 nëntor të viti  2017.

Më  8 gusht të vitit 1999 ka rënë duke luftuar përballë forcave okupatore serbe luftëtari i lirisë, dëshmori i UÇK-së,  Shkëlzen Zllanoga.

Më 9 gusht të vitit 1823 u vra,  luftëtari i njohur arvanitas, Marko Boçari. Ishte komandanti i Suliotëve i cili në vitin 1823 luftoi për mbrojtjen e Janinë nga forcat turke. U lind në krahinën e Sulit, tash në Greqi, në vitin 1790. Marko Boçari lindi në një nga fiset udhëheqëse të Sulit më 1790, në Epir dhe vdiq në Larpenis. I ati ishte Kiço Boçari, dhe e ëma Krisulla, e bija e Joyi PapaZotit. Gjatë viteve që pasuan, Jorgo Boçari u shpërngul me gjithë fisin e tij nga Suli në Vulgarel, që i u dha në dorëzim nga Ali Pashai i Janinës. Ai jetoi atje deri më 22 dhjetor 1803, kur fisi i Boçarëve dhe suljotëve të tjerë që kishin gjetur strehë në atë vend dhe arrinin gjithsej deri në 1200 vetë. Nga frika se mos i sulmonte ushtria e Ali Pashës u vendosën në shkrepat e Selcës së Agrafëve. Markoja mësoi n’Universitetin e Korfuzit,  shkollë e njohur nga grekët si “Akademia e Jonit”. Ai u jepte mësime greqisht ushtarëve të regjimentit që kishin formuar francezët në Korfuz me burra epirotë e maroitë, emigrantë nga Moreja. Në 1813 jetonte në Janinë, jo si peng i Ali Pashës por si qytetar i lirë. Është autori i parë i fjalorit greqisht shqip në variantin e së folmes arvanitase. U vra në pritë nga Kepedani i Mirditës, i quajtur  Leshi i Zi, më 9 gusht të vitit 1823.

Më 9 gusht 1918 u lind Nikollë Çupi. Në viteve 1940 punoi si marangoz dhe elektro-vozist në ndërtimin e godinës qendrore të Universitetit të Tiranës. Këtu pati kontakt me teknike dhe inxhinierë italianë, ku mësoi mjaft mirë italishten dhe zanatin e fotografit, të cilit nuk ju nda deri sa ndërroi jetë. Në vitin 1941 mobilizohet për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Pas mbarimit të shërbimit ushtarak iu kushtua profesionit të fotografit si ambulator me një aparat të thjeshtë. Shumë shpejt, nga nevojat që kishte në atë kohë, u bë shumë i njohur dhe i preferuar në dy krahina (më vonë rrethe), në atë të Mirditës dhe të Pukës. Në këto vite fitoi pseudonimin: “Foto Çupi”. Në vitet në vazhdim arrit të krijoj lidhje të ngushta pune me fotografët e vjetër dhe më në zë të Shkodres, ndër ta edhe me trashëgimtarë të të madhit Marubi. Për ta, gjatë gjithë jetës fliste me respekt të madh, si njerëz dhe mjeshtër të artit të fotografuarit dhe për ndihmën e pakursyer që i kishin dhënë. Në vitin 1970 kthehet përsëri në zonën Gjegjanit, ku punoi deri sa doli në pension, më 1978. Profesionin i fotografit me të cilin qe dashuruar nuk e ndërpreu deri 5-6 muaj para vdekjes. Foto Çupi kishte dhe prirje artistike. Ai ishte një këngëtar i dashur dhe thurte parodi e vargje rapsodike, të cilat i ka përmbledhur në një kasetë para se të vdiste. Vdiq në moshën 82 vjeçare.

Më 9 gusht të vitit 1998 në frontet e luftës së UÇK-së, përballë forcave ushtarake e policore serbe  kanë rënë dëshmorë: Hysen Arifi,  Bashkim Emini, Sokol Sejfijaj, Nuhi Kelmendi.

Më 10 gusht të vitit 1865 lindi Zef Skiroi, poet publicist dhe mbledhës i folklorit të arbëreshëve të Italisë. U lind në enklavën arbëreshe në Piana. Kreu kolegjin arbëresh të Palermos. Studioi drejtësinë. Shkroi poemat: “Skëderbeu”. “Kruja”. Në vitin 1877 nxori fletushëm “Fiamuri i Arbërit”. Me rastin e hapjes së katedrës së gjuhës shqipe në vitin 1900 në Napuli iu besua detyra e drejtuesit të saj. Ka shkruar vepra nga jeta e arbëreshëve të Italisë sikur ishte poema, “Mili e Hajdhia”, pastaj përmbledhjet folklorike “ Këngët popullore të Shqipërisë”, “Saga e këngëve popullore të arbëreshëve të Italisë”, e të tjera. Vdiq në Napuli në vitin 1927.

Më 10 gusht të vitit 1882 u lind, Risto Siliqi, atdhetar, poet, luftëtar i lirisë dhe publicist. U lind  në Shkodër, i biri i Llazarit që ishte furrtar. Gjatë kësaj periudhe, ai shkoi me misione në Rumani e Bullgari, ku u shqua për fjalimet e tij të zjarrta patriotike. Në këtë kohë nisi të botonte edhe poezitë e para. Por shteti malazez nisi të dyshonte mbi veprimtarinë e tij, kështu që Ristoja për të humbur gjurmët hapi hotelin “Albania”, që në të vërtetë ishte një qendër bashkimi e patriotëve shqiptarë. Aty mblidheshin kohë pas kohe krerët e ndryshëm të asaj kohe si: Isa Boletini, Dedë Gjo Luli etj,  që po përpiqeshin për një kryengritje, e cila do të fillonte në vitin 1910. Më vonë ai merr pjesë bashkë me Luigj Gurakuqin me Hilë Mosin në kryengritjen e Malësisë së Madhe dhe bëhet këngëtari i saj. Ishte anëtari i “Komitetit Shqiptar” që krijoi Kryengritjen e armatosur në vitin 1911. Mori pjesë në kuvendin e Gerçës së Kelmendit, dhe në hartimin e memorandumit të famshëm. Shkruan dhe vepra patriotike e i boton ndër gazetat e ndryshme që shtypeshin jashtë atdheut, duke nxitur shqiptarët për liri.  Libri i tij “Pasqyra e ditëve të përgjakshme” është një vepër dokumentare-letrare, ku detajohen kryengritja e Kosovës e viti 1910 dhe ajo e Malësisë së Mbishkodrës në vitin  1911, paraqiten të dhëna për udhëheqësit e luftës, si Isa Boletini, Idriz Seferi, Dedë Gjo Luli etj. Vdiq më 1 maj të vitit 1936 në Shkodër.

Më 10 gusht të vitit 1998 në frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovën në Zonën e Dukagjinit  kanë rënë dëshmorë:  luftëtari emblematik i luftërave çlirimtare, Bekim Berisha, i mbiquajtur Abeja. Pastaj luftëtarët nga Drenica, Bedri Shala, e Bashkim Leku, si dhe luftëtarët: Elton Zherka e Permet Vula, nga Gjakova.

Po më 10 gusht të vitit 1998, në fshatin Garbrricë të Kaçanikut kanë rënë dëshmorë, komandanti i parë i kësaj treve të Kosovës, Agim Bajrami dhe dy bashkëluftëtarët e tij: Xheladin Kurtaj e Besnik Begunca. Po atë ditë forcat serbe kishin arrestuar edhe Danush Kurtajn, vëlla i Xheladinit, i cili ka rënë gjatë masakrës serbe në Burgun e Dubravës.

Më 11 gusht të vitit  1789 u lind Teodor Kavalioti.  U lind në vitin  1718, në Voskopojë.  Ka qenë studiues dhe leksikograf shumë i njohur për kohën. Pas kishte kryer shkollës elementare në vendlindjen e tij, studioi matematikë, teologji dhe filozofi në Janinë, në kolegjin Maruçi, të cilin e drejtonte në atë kohë, studiuesi, Eugjen Vulgaris. Mes viteve 1732-1734 u kthye në Voskopojë, ku kishte nisur të lulëzonte një qendër shqiptare dhe arumune. Në vitin 1746 u bë drejtor i Akademisë së Re. Kavalioti është autor i disa veprave filozofike, të shkruara në greqisht, i një gramatike elementare, që përmban një fjalorth trigjuhësh me 1170 fjalë në greqisht, arumanisht dhe shqip prej 1170 fjalësh.

Më 11 gusht të vitit 1860, në Shkodër  lindi Kolë Idromeno, piktor, fotograf e arkitekt. Vdiq më 12 dhjetor të vitit 1939. Kolë Idromeno ishte piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant, e kompozitor këngësh shkodrane. Gjithashtu ishte dhe regjisori  i shfaqjeve të para kinematografike në Shqipëri, 1në vitin 1919. Tablotë e tij më të njohura janë:  Dasma shkodrane, Motra Tone, Malësor, Mati Kodheli e të tjera.

Më  11 gusht të vitit  1998, në fronte të ndryshme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  kanë rënë trimërisht e heroikisht në luftë kundër forcave serbe,  dëshmorët e UÇK-së  Arton Hasanaj, Enver Halilaj, Gëzim Dervishaj, Halil Sejfijaj, Maxhun Qekaj,  Naim Nimanaj,  Orhan Halilaj.

Më 11 gusht të vitit 1949 në fshatin Kotlinë të Kaçanikut, u lind veprimtari dhe luftëtari i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gafurr Loku. Ra më  21 shkurt  të citit 1999 në fshatin Paldenicë, së bashku me djalin e tij, Dritan Loku. Forcat serbe më 21 shkurt të vitit 1999, rreth orës 20.00 e kishin  rrethuar  në shtëpinë e tij ç’ rast Gafurr Loku bie   bashkë me djalin 20-vjeçar, Dritonin, i cili sapo ishte kthyer nga Batalioni “Imer Alushani”, i Brigadës 121 Ismet Jashari-Kumanova, me qëllim për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së, në Puset e Nikës.

 

Më 12 gusht të vitit 1923 lindi aktori i madh shqiptar, Naim Frashëri. Karrierën profesionale si aktor e filloi në fillim të vitit 1945, por dashuria për teatrin i lindi që në vitin 1942. Naim Frashëri ka luajtur me sukses një sërë rolesh kryesore e të suksesshme, si  Pali në filmin, Skënderbeu, Valeri në  shfaqjen “Tartufi”, Smithi në “Çështja ruse”, Gjoni në pjesën teatrale “Trimi i mirë me shokë shumë”, Selimi në filimin “Familja e peshkatarit”, gjenerali në filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Leka në “Përkolgjinajt”, Jonuz Bruga në “Familja e Peshkatarit” e shumë role të tjera në teatër dhe në film. Naim Frashëri është nderuar me shumë tituj dhe çmime të ndryshme. Mbetet nga ikonat e teatrit shqiptar. Është dekoruar edhe me urdhrin e lartë *Hero i punës socialiste*, si dhe mban titullin “Artist i Popullit”. Vdiq më 18 shkurt të vitit 1975.

Më 12 gusht të vitit 1987 vdiq këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Fatime Sokoli. Lindi në Dragobi të Tropojës, më 18 qershor 1948, ishte këngëtare popullore e veriut, Artiste e Merituar. Ajo ishte vajza  e parë e Malësisë që mori për herë të parë çiftelinë në dorë dhe hyri me guxim në odën e burrave, e veshur si burrë dhe këndoi si burrë. Për afro 30 vjetësh në skena koncertesh e festivalesh, në lëndinat e bjeshkëve dhe gurët e bardhë të Valbonës, në oda burrash malësie e në skenat e disa vendeve të Evropës, qe kthyer në një simbol të Malësisë së Gjakovës. Ajo u shfaq si krijuese, instrumentiste e interpretuese virtuoze dhe origjinale, me zë të veçantë bjeshkor të shoqëruar me muzikalitet.

Më 12 gusht 2001, forcat sllavomaqedonase të sigurisë vranë e masakruan dhjetë civilë shqiptare në këtë fshatin Luboten të Tetovës. Në mëngjes të 12 gushtit të vitit 2001 u zhvillua operacioni i ndërhyrjes së njësiteve policore – ushtarake në fshatin Luboten ku vranë dhjetë civilë shqiptarë, në mesin e tyre edhe fëmija 6 vjeçar Erxhan Aliu, si dhe Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Mehmet Mehmeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami, Atulla Qaili. Në këtë aksion u dogjën 14 shtëpi të fshatit, ndërsa u arrestuan dhe keqtrajtuan mbi 100 banorë të tjerë të fshatit, me arsyetimin e operacionit se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së.

Më 13 gusht të vitit 1933, u vra pabesisht,  në Selanik, Hasan Prishtina, njëri ndër personalitetet më të njohura të historisë shqiptare. U lind në vitin 1873 në Vushtrri, në një familje të ardhur nga Polaci i Drenicës. Në vitet 1908-1912 u zgjodh tri herë deputet në Parlamentin osman si përfaqësues i Vilajetit të Kosovës në Prishtinë. Më 3 mars të vitit 1911, duke përkrahur kryengritësit shqiptarë, parashtroi edhe kërkesat kombëtare të tyre, të cilat u refuzuan nga Turqit e Rinj. Qysh nga janari i vitit 1912 ai do të mbajë mbledhje të fshehta së bashku me Ismail Qemalin, Syrja bej Vlorën, Nexhip Dragën, Myfid bej Libohovën, në lagjen «Taksim» të Stambollit dhe do të vendosin për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të Armatosur në Shqipëri, një kryengritje me karakter të përgjithshëm kombëtar duke u lidhur me besa–besë me tribunët popullorë, Isa Boletinin, Bajram Currin, Idriz Seferin, Ahmet Delinë, Mehmet Pashë Deralla, kushëririn e vet Zejnullah begu nga Vushtrria etj. Pas një lufte, me betejat triumfale midis 5 majit-18 gushtit 1912, kryengritësit shqiptarë në krye me Hasan Prishtinën e liruan Vilajetin e Kosovës.  Mori pjesë aktive në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës 1920 dhe në prill të vitit 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Hasan Prishtina mori pjesë aktive në përgatitjen e kryengritjes të qershorit të vitit 1924, luftoi për vënien në jetë të programit të qeverisë demokratike të dalë nga kjo kryengritje. Më 13 gusht të vitit 1933 ndodhej në Selanik i shoqëruar nga Ibrahim Çela, një agjent i Ahmet Zogut, të cilin e konsideronte mik. Atë ditë ai e kishte goditur me 4  plumba trupin e Hasan Prishtinës. Në vitin 1977 eshtrat e Hasan Prishtinës me një vendim të Republikës Socialiste të Shqipërisë,  u sollën nga Selaniku dhe u varrosen në Kukës.

 

Më 13 gusht  të vitit 198o, vdiq ë Tiranë  Eqrem Çabej. U lind më 6 gusht të vitit 1908, në Stamboll.   Mësimet e para i mori në Gjirokastër prej 1915 e deri më 1920, më pas për të vazhduar studimet u dërgua, në Austri. Kreu gjimnazin në Klagenfurt. U regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Romës. Por pas këmbënguljes për gjuhësinë, regjistrohet në Grac, për vitin akademik 1927-1928 dhe pastaj kaloi në Vjenë në vitet 1930-1933, ku ndoqi mësimet e albanologëve: Pol Kreçmer, Karl Paç, Nikolai Trubeckoj dhe Norbert Jokl. Nën drejtimin e Joklit, Çabej shfaq interes të madh në zhvillimin historik të gjuhës shqipe. Në vitin 1933, ai dorëzoi disertacionin e doktoranturës. U kthye në Shqipëri ku edhe punoi si mësues gjimnazi,  pastaj u transferua në Shkollën Normale të Elbasanit. Më 1940 dërgohet në Romë për të punuar mbi Atlasin Gjuhësor Shqiptar. Në shtator të 1943 u emërua ministër  i Arsimit në qeverinë kuislingë të  Rexhep Mitrovicës, post të cilin nuk e pranoi. Në 1947, ai u caktua anëtar i Institutit të Shkencave, instituti paraardhës i Universitetit të Tiranës. Nga 1952 deri më 1957, ai shërbeu si profesor i historisë së Shqipërisë dhe fonetikës historike. Në 1972, ai u bë anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Çabej është albanologu më i njohur i të gjitha kohëve, i cili ka lënë studime të shumta bazike për albanologjinë.

Më 13 gusht të vitit  1998 ka rënë në luftë për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe, luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Arben Ahmetaj. Ai u lind më 18 janar të vitit 1970, në një familje atdhedashëse të fshatit Gllogjan të Deçanit. Arben Ahmetaj veçanërisht u shqua në luftimet e zhvilluara prej 9 deri më 12 gusht 1998 në vijën e frontit Gramaçel – Bitesh – Shaptej – Gllogjan. Më 11 gusht, në luftimet e zhvilluara në Shaptej, ishte plagosur rëndë vëllai i Arbenit, Astrit Ahmetaj. Vetëm dy ditë më vonë, më 13 gusht 1998, gjatë një beteje të rreptë me forcat serbe, Arbeni ra dëshmor në fshatin Irzniq.

Më 14 gusht lindi Sterjo Spasse, romancier dhe tregimtar shqiptar. Shkollën fillore e kreu në Korçë, ndërsa shkollën Normale në Elbasan. Një kohë punoi si mësues. Më vonë vazhdoi studimet e larta për pedagogji në Firencë të Italisë dhe mandej për letërsi në Bashkimin Sovjetik. Mbas Çlirimit një kohë punoi në revistat pedagogjike dhe letrare : “shkolla e re”, “Arsimi popullor”, “Literatura jonë”, “nëntori”, etj. Ai punoi edhe pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë. Ndërsa kohën e fundit e kaloi në Tiranë, si shkrimtar me profesion të lirë. Veprimtaria letrare e Sterjo Spasses është e shumëllojshme. Shkroi punime pedagogjike, tekste shkollore u muar me përkthime, shkroi artikuj të ndryshëm, monografi, tregime, romane etj. Veprimtaria e tij, sidomos ajo letrare zë fill që na vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Kjo ishte një periudhë në të cilën Sterjo Spasse u dallua me krijimet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit. Ai ka botuar katër përmbledhje tregimesh: “Kurorë rinie” (1934), “Në krahët e një femre” (1934), “Nusja pa duvak” (1944) dhe “Të fala nga fshati” (1958) si dhe dhjetë romane : “Pse ?” (1935), “Afërdita” (1944), “Ata nuk ishin vetëm” (1952), “Afërdita përsëri në fshat” (1954), “Buzë liqenit” (1965), “Zjarre…” (1972), “Zgjimi” (1973), “Pishtarë” (1975), “Ja vdekje ja liri” (1978), dhe “Kryengritësit” (1983). Vdiq në Tiranë në vitin 1989.

 Më 14 gusht të vitit 1916 lindi, Gaspër Pali, pot lirik.  U lind në Shkodër, në lagjen Serreçi. Ishte biri i Kolë Palit dhe Luçies nga familja Dabërdaku. Kola me Luçien patën 11 fëmijë. Gaspri kreu shkëlqyeshëm filloren e pesë klasat e gjimnazit françeskan në qytetin e lindjes. Aty u dashurua pas muzikës, lëndë që e jepte At Martin Gjoka. Në vitin 1929 mori pjesë në bandën frymore “Ilyricum” të Martin Gjokës ku u mbrujt me kulturën e traditën e muzikës popullore dhe u njoh me disa pjesë të kompozitorëve të huaj. U arsimua dhe u edukua në bankat e liceut françeskan ku drejtorë qenë Gjergj Fishta e Frano Kiri dhe mësues Anton Harapi, Bernardin Palaj, Justin Rrota, Marin Sirdani, Gaspër Pali fillon aktivitetin e vet poetik, që pesëmbëdhjetë vjeç, me dy sonete në sistemin metrik të kodifikuar si dhe me një vjershë “Djepi i vorfën” – ndikim nga poezia popullore qytetare. Në fillim të vitit shkollor 1940 – 1941 Dr. Gaspër Pali u emërua profesor i shqipes në Gjimnazin e Shtetit Shkodër, ku afërsisht dy vite shkollore punoi me aftësi e zell. Revistat më në zë të kohës kërkojnë të thithin firmën e poetit dhe penën e kritikut letrar Gaspër Pali. Në gjysmë të dhjetorit 1941 Gaspri u sëmur rëndë. Poezinë e fundit e shkruan në spitalin e Tiranës me 2 shkurt 1942. U nda nga jeta më 21 korrik të vitit 1942.

Më 14 gusht të vitit  1998 ka rënë dëshmori UÇK-së, Shkëlzen Berisha

Më 15 gusht 1868, lindi Josif Bageri, arsimues, veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Lindi në fshatin Reka e Epërme e Dibrës dhe ishte një ndër figurat më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare. Ai ishte poet me talent të rrallë, prozator që shkroi shumë tregime, sidomos për fëmijë. Ishte gazetar e atdhetar i flakët, i cili tërë jetën dhe veprën ia kushtoi çështjes kombëtare shqiptare. Josif Bageri u lind në vitin 1870 në fshatin Nistorvë, të Dibrës. Në vendlindjen e tij e kaloi fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë. Leximin dhe shkrimin shqip e përvetësoi në Sofje në moshën 17 vjeçare. Atje jetoi si mërgimtar, ku për një kohë të gjatë punoi si këpucëtar. Krahas kësaj pune Josifi në Sofje, prej vitit 1887 u inkuadrua edhe në lëvizjen kombëtare shqiptare. Më 1 janar të vitit 1893 ne Sofje u themelua shoqëria shqiptare “Dëshira”, ndërsa Josifi ishte njëri ndër themeluesit dhe aktivistët më të shquar të sajë. Kah fund i vitit 1899 shkoi në Stamboll për të vizituar poetin tonë të madh, Naim Frashërin, i cili ishte shumë i sëmurë dhe dergjej në shtrat. Takimi me Naimin i la mbresa të mëdha. Josif Bageri punoi shumë për çështjen shqiptare. Punoi pa u lodhur, duke lënë pas shumë shkrime të botuara e të pabotuara; poezi e prozë, platoforma politike, artikuj, komente, reagime. Gjate veprimtarisë së tij pati një bashkëpunim te ngushtë me dibranët: Said Najdenin e Jashar Erebarën, Atanas Albanin nga Reka e Epërme, me Nikolla Ivanajn, Luigj Gurakuqin dhe shumë atdhetar të tjerë. Vdiq në Prishtinë në vitin 1915.

Më 15 gusht të vitit 1927 u lind  në Gjirokastër, Petrit Kokalari.  dhe vdiq në 11 Maj 1993 në Tiranë. Studimet e shkollës se mesme i filloi ne gjimnazin e Gjirokastrës dhe i përfundoi ne atë te Tiranës. Studimet e larta për mjekësi i kreu në Bashkimin Sovjetik, nga viti 1949-1954. Pasi u kthye nga Bashkimi Sovjetik punoi si Profesor i Farmakologjisë në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë. Në vitin 1966 ndoqi studimet pas-universitare në Institutin e Endokrinologjisë në Romë dhe më pas në Hungari, në Institutin e Farmakologjisë. Në 1970 vazhdoi punën si pedagog dhe Shef Katedre i Farmakologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Në vitin 1971 krijoi Katedrën e Farmakologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës, dhe për 10 vjet rresht vazhdoi të japë leksione në këtë Universitet. Në vitin 1977 krijoi Institutin e Mjekësisë Popullore Shqiptare dhe ishte drejtori i saj deri në vitin 1991. Vdiq në 11 Maj të vitit 1993 në Tiranë.

Më 15 gusht të vitit 2015 vdiq Akademik Esat Stavileci lindi më 11 korrik 1942, në Gjakovë, ku e kreu shkollimin fillor dhe të mesëm, ndërsa Fakultetin Juridik në Prishtinë. Studimet pasuniversitare i vijoi dhe i mbaroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit. Studimet e Larta të së Drejtës Krahasimtare i vijoi në disa qendra të tjera evropiane. Doktoroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Sarajevës në vitin 1974. Krijimtaria e tij shtrihet në shumë fusha të interesimit shkencor, veçanërisht në ato juridike-kushtetuese, në fushën e sistemeve politike krahasimore, të administratës dhe të administrimit publik në përgjithësi, të metodologjisë së shkencave shoqërore dhe juridike dhe në fushën e terminologjisë juridike.

 

Më 16 gusht të vitit 1915 forcat serbe të Pashiqit, të cilat kishin pushtuar Shqipërinë, zunë rob dhe varën në litar kryengritësin, Haxhi Qamili. Ai u lind në Sharrë të Tiranës në vitin 1876. Gjatë Luftërave Ballkanike 1912-1913 luftoi  në radhët e Batalionit “Erzeni”, kundër forcave serbe e malazeze që mbanin në rrethim Shkodrën. Pastaj luftoi kundër forcave të Prind Vidit dhe kundër Esad Pashë Toptanit, i cili me ndihmën e ushtarëve serbë e zuri dhe e varën në Durrës. Biografia e këtij kryengritësi ishte vlerësuar drejt gjatë kohës së regjimit komunist, por më vonë janë bërë përpjekje të panatyrshme që ai të paraqitet si bandit dhe përkrahësi i idesë për kthimin e Turqisë në Shqipëri.  Po ashtu i shihet për të madhe sepse kishte të fortë ndjenjën e përkatësisë fetare islame edhe pse nuk vrau njeri të besimit tjetër, por serbë e malazezë që vrisnin e masakronin shqiptarë  dhe që kishin vrarë qindra mijëra shqiptarë gjatë luftërave ballkanike e më vonë.

Më 16 gusht të vitit 1998 ra trimërisht në fushën e betejës, komandanti, Remzi Ademaj. U  lind me 3 qershor 1952 në fshatin Zhur te Prizrenit. Është i njohur me nofkën e luftës “Komandant Petrit Kodra”. Për të siguruar eksistencën e familjes mori rrugën e mërgimit. Me veprimtari politike – patriotike aktivisht filloi të merret nga viti 1979. Në Shtutgard te Gjermanisë bie në kontakt me vëllezërit Gërvalla dhe patriotin Kadri Zeka, nga të cilët edhe më shumë u brumos me ide patriotike-kombëtare. Më 11 dhjetor 1985 arrestohet nga policia italiane, e cila pastaj ia dorëzoi policisë jugosllave. Nga gjykata e instaluar serbe në Kosovë, ai dënohet me 6 vite burg të rëndë, të cilin e vuajti në burgjet e Lepogllavës, Gospiqit dhe të Stara Gradishes, në Kroaci. Ai më 4 korrik 1998 emërohet në detyrën e Komandantit të Shtabit Lokal të UÇK-së për Prizren. Me rastin e ristrukturimit te UÇK-se ai thirret nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së në Kleçkë ku emërohet Komandant i parë i Zonës Operative të Pashtrikut. Rrugës duke u kthyer gjatë një lufte të pabarabartë por titanike, në fshatin Nashec,  bie heroikisht në altarin e lirisë, në natën e 15 dhe 16 gusht 1998. Me nderime te larta ushtarake, trupi i tij varroset ne fshatin Jeshkove me 16 gusht 1998.

Më 17 gusht të vitit 1911 vdiq nga helmimi, Petro Nini Luarasi, mësues atdhetar luftëtar i lirisë. Lindi në 22 prill të vitit 1865 në Luaras të Kolonjës. Ishte i biri i Nini Petro Kostallarit, veprimtar i Rilindjes Kombëtare, publicist e pedagog, Mësues i Popullit Punoi si mësues në fshatrat e Kolonjës, ku u mësonte fëmijëve fshehurazi gjuhën shqipe dhe përgatiti një grup shokësh si mësues. Më 1882 hapi Shkollën e Parë Shqipe në fshatin Bezhan të Kolonjës, kurse më 1887 hapi shkollën shqipe në Ersekë dhe pak më vonë (1892-1893) shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës e të Vakëfeve, punoi si drejtor dhe mësues i Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës dhe më vonë i shkollës së Negovanit (1909-1911).Në vitin 1892 bashkë me Gjerasim Qiriazin themeluan shoqatën protestante “Vëllazëria e Shqipërisë”. Në emigracion, në Amerikë  në vitet 1904-1908 mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kombëtare, ishte nismëtar i shoqërive patriotike “Mall i mëmëdheut” dhe “Pellazgu”, i krijimit të komiteteve të fshehta për lirinë e Shqipërisë. Ishte delegat në Kongresin e Manastirit (1908). Për veprimtarinë patriotike, arsimore e shoqërore u përndoq nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit. Vdiq i helmuar prej klerit grek, në Ersekë, më 17 gusht 1911.

Më 17 gusht të vitit 1964 u mbyt në tortura në burgun e Prishtinës, mësuesi atdhetar, Fazli Graiçevci. Ai u lind në prill të vitit 1935, në fshatin Sankoc të Drenicës. Shkollën fillore e kreu në Komaran. Në vitin shkollor 1953/1954 u regjistrua në Shkollën Normale të Prishtinës. Në vitet e para kishte shok klase,  Rexhep Qosen, Ismail Dumoshin, Qamil Hasanin e normalistë të tjerë. Vitin e fundit të shkollës së mesme e kishte mbaruar në Prizren. Pas diplomimit ka dhënë mësim në shkollat e fshatrave: Kizharekë, Paklek e Doboshec. Mbante kontakte me atdhetarët, Zeqir Gërvalla, Azem Beqiri, pastaj me veprimtarin e hershëm të çështjes kombëtare, Adem Demaçi e të tjerë. Ishte pjesëmarrës në mbledhjen e shtatorit të vitit 1963, ku u mor vendimi  dhe u themelua organizata e fshehtë atdhetare e quajtur, “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve“. Mbytja mizore në burg e Fazli Graiçevcit, më 17 gusht 1964, përpjekjet e pasuksesshme që kishte ndërmarrë UDB-ja për ta fshehur krimin dhe për  ta paraqitur mbytjen si vdekje nga një sëmundje, kishte bërë që figura e mësuesit martir të marrë përmasa të një frymëzimi idealist mbarëkombëtar. Emri i Fazli Graiçevcit kishte qenë burim frymëzimi e edhe për sa e sa luftëtarë të UÇK-së, kishte qenë burim edhe për ish-nxënësit e tij si: u burgosuri politik dhe komandanti i UÇK-së në Drenicë, heroi i kombit,  Fehmi Lladrovci e shumë të tjerë.

Më 17 gusht 1942 u vra partizani militant, Misto Mame, i shpallur Heroi i Popullit.

 Më 17 gusht të vitit 1998 ra trimërisht në Betejën e Loxhës,  Skënder Çeku, luftëtar i radhëve të para të UÇK-së, dëshmor i kombit.

Më 18 gusht të vitit 1887 lindi Ferid Vokopola, klerik, jurist dhe atdhetar i njohur. U lind në Berat në një familje të njohur atdhetar dhe arsimore. Deputet në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 1920.  Ndërkohë familja u zhvendos në lagjen “Murat Çelebi” të Beratit ku i ati ishte mytesarif. Në vitin 1906 mbaroi gjimnazin e Beratit dhe studioi në Universitetin e Stambollit për drejtësi dhe ekonomi, ku pas 1908 bashkëpunoi me gazetat “Zgjimi” dhe “Bashkimi i Kombit”. Më 1910 u emërua kryesekretar i zyrës së pasurisë të shtetit në Bishanak të Fierit. Më 1912 mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, ku dhe firmosi në deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “M. Ferit Vokopola”. Në periudhën 1927-1928 ka qenë ministër i Bujqësisë dhe zëvendës i Punëve Botore më pas më 1928-1939 u zgjodh sërish deputet në duke përfaqësuar prefekturën e Beratit. Së bashku me Sali Vuçiternën e të tjerë,bëhet një nga organizatorët kryesorë për themelimin e Komunitetit Mysliman dhe jep një kontribut të ndjeshëm për ngritjen e Medresesë së Përgjithshme të Tiranës. Qe ndër bashkëthemeluesit dhe më tej drejtoi organizatën “Drita Hyjnore”. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia në 1939, Vokopola u tërhoq nga jeta politike dhe administrata shtetërore, duke iu kushtuar krejtësisht aktivitetit fetar. Në këto rrethana, duke zotëruar gjuhët orientale, ai iu ofrua Institutit të Historisë si bashkëpunëtor, duke i kaluar vitet e pleqërisë deri sa vdiq në vitin 1969, si përkthyes i dokumenteve historike nga osmanishtja. Ndërroi jetë më 28 qershor 1969 në Durrës.  Verifiko

Më 18 gusht të vitit 1998 kanë rënë duke luftuar përballë forcave ushtarake dhe policore serbe  dëshmorët e UÇK-së,  Agron Gjocaj dhe Basri Beqiri

 

 

Më 19 gusht të vitit 1928 në Dajkoc të Gjilanit u lind Metush Krasniqi, atdhetar, veprimtar dhe i burgosur politik. Shkollën fillore e  kreu në gjuhën serbe në fshatin Hodanoc, ndërsa katër klasat e tjera gjatë viteve 1942-1946 i kreu në Gjilan në gjuhën shqipe. Në vitet 1947-1949 kreu një kurs pedagogjik në Pejë dhe Gjakovë, ndërsa në vitin 1950 diplomoi në Shkollën Normale të Gjakovës. Në vitin 1950-1951 filloi punën si mësues në shkollën fillore në Shipashnicë të Epërme. I frymëzuar nga veprimtarët e LNDSH, në Shipashnicë së bashku me kolegët e vet themeloi organizatën ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë”. Në vitin 1957 pas ndjekjeve dhe burgosjeve detyrohet të shpërngulet në Shkup. Në nëntor të vitit 1958 Metush Krasniqin regjimi e dënoi fillimisht 18 vjet burg të rëndë prej të cilave i mbanë 8 vite. Pas daljes nga burgu Metush Krasniqi i kaloi disa vite në fshatin e lindjes në Dajkoc. Ka kryer Fakultetin Juridik në Prishtinë. Ka punura një kohë në arsim. Në vitin 1976 Metush Krasniqi vihet në krye të Organizatës “Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi” LNÇKVSHJ. Më 4 nëntor 1985  sërish e burgosin dhe gjatë shtatë muaj sa mbajtën në burgjet e Prishtinës e të Mitrovicës, rrahet e torturohet në mënyrat më mizore. Pasi ishte i dërmuar për vdekje UDB-a më 16 qershor 1986 e liron nga burgu dhe më 15 tetor 1986 ndërroi jetë.

Më  19 gusht të vitit 1977 u lind në Gjakovë, Elton Zherka  Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në qytetin e lindjes ndërsa studimet universitari i vazhdoj pranë UP-së drejtimi Juridik i përgjithshem. Në vitin 1998 u inkuadrua në rradhët e UÇK-së ku u bë pjesë e ekipit për intervenim të shpejtë. Nga plagët e marrura nga xhylet e tankeve të armikut Eltoni ra në altarin e lirisë me datë 11 gusht 1998 në Junik të Gjakovës.

Më 19 gusht të vitit 1998, ka rënë në luftime kundër forcave serbe, Bekim Bekteshi, dëshmor i kombit.

Më 19 gusht të vitit 1941 në fshatin Kiçinicë të Rekës së epërme u lind Branko Manojlovski shqiptar ortodoks i Meqedonis, i afërt i rilindësit shqiptar, Josip Bagerit . Ai është deklarua publikisht përmes medias dhe rrjeteve sociale se është shqiptarë ortodoks dhe jo maqedonas. Prindërit e tij janë quajtur Zafira dhe Manojli. Shkollën 4-vjeçare e ka kryer në Belqicë, kurse atë 8-vjeçare në Gostivar. Mësimet e shkollës së mesme i ndoqi në Tetovë kurse studimet në Zagreb në vitin 1967. Në vitin 1969 Branko Manojlovski vendos të shpërngulet nga vendlindja duke udhëtar drejt Çikagos së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku dhe aktualisht është duke jetuar familja e tij. Është baba i tre fëmijëve, dy djemve dhe një vajze.

Më 20 gusht të vitit 1942 u vra, Mihal Duri, i shpallur Hero i Popullit. U lind në Gjirokastër në vitin 1916. Me kohë ishte angazhuar në Lëvizjen punëtore dhe më pas iu bashkua partizanëve. Në vëllimin “Retë dhe gurët: Intervistë me vetveten” Petro Marko e përshkruan ka shpjeguar biografinë e Mihal Durit gjatë kohës kur Marko ishte në burg nga maji i 1940 gjer në marsin e 1942. Në fillim të vitit 1941 shtypte traktet e Grupit Komunist të Korçës që shpërndaheshin në Tiranë. U vra më 1942 në Domje të Tiranës në një luftë të pabarabartë kundër forcave  fashiste.

Më 20 gusht të vitit 1960 vdiq në Tiranë, Gjergj Kokoshi,  arsimtar, politikan dhe ministër i shtetit shqiptar. Lindi në Shkodër më 23 janar të viti 1904. Më 1931 mbaroi shkollën e lartë në Fakultetin e Letërsisë në Paris. Kthehet në vendlindje, ku punoi në gjimnazin e qytetit për dy vjet. Më 1933 caktohet drejtor i shkollave të mesme në Ministrinë e Arsimit deri më 1935. Më 1944 – 1946 qe anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar. Më 1944 – 1945 u emërua ministër i Arsimit në qeverinë e parë komuniste. Kandidoi për zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, por më pas u tërhoq. U arrestua më 23 janar 1946 “për aktivitet antipopullor” si dhe për dorëzimin e një memorandumi anglo-amerikanëve ku protestohej për njohjen e qeverisë komuniste. U akuzua se kishte bashkëpunuar me Suat Asllanin, Qenan Dibrën, Sami Qeribashin dhe elementë të tjerë të Ballit e Legalitetit, që kishte organizuar punën me grupe brenda e jashtë vendit kundër pushtetit popullor, dhe se kishte keqpërdorur pushtetin e Frontit. Më 2 korrik 1946 u dënua nga Gjykata e Lartë me 30 vjet burg të rëndë si “armik i popullit dhe sabotator i pushtetit. Më 2o gusht të vitit 1960 vdiq në spital.

Më 20 gusht të vitit 2017 u nda nga jeta Sotiraq Çili, aktor i njohur shqiptar. U lind në Korçë me 15 mars 1942.  Mbaroi Institutin e Lartë të Arteve për aktor në Tiranë dhe për shumë vite ka qenë aktor i teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës.

Më 21 gusht të vitit 1941, u formua Çeta  Partizane e Pezës, që ishte çeta e parë partizane e Luftës Nacionalçlirimtare. Më 21 Gusht 1941, me ardhjen e Vasil Shantos, Hero i Popullit në Pezë, çeta riorganizohet në çetë partizane. Komandant i çetës emërohet Myslim Peza, komisar Vasil Shanto. Me largimin e Vasil Shantos me detyrë në qarkun e Shkodrës, komisar caktohet biri i nderuar i Peqinit, trimi Mustafa Adem Gjinishi. Në shtëpinë e Babë Myslimit u mbajt Konferencën Historike të Pezës më 16 shtator 1942, me program pluralist pa dallim feje, krahine e ideje, në të cilën morën pjesë 18 delegatë me bindje të ndryshme politike, prej të cilëve 13 ishin patriot dhe nacionalistë dhe 5 të Partisë Komuniste. Këtu Babë Myslimi do të ishte delegate dhe u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm antifashist nacionalçlirimtar. Armiqtë pushtues nazifashistë, kanë organizuar kundër popullit dhe partizanëve të Pezës, 18 operacione të përgjakshme. 75 mijë nazifashistë të pajisur me tanke, artileri e aviona, prej të cilëve mbeten të vrarë rreth 700 veta nazifashistë dhe shumë të plagosur në kodrat e Pezës. Me krijimin e Batalionit partisan të Pezës më 15 Mars 1943, komandant emërohet Myslim Peza dhe komisar Mustafa Gjini, si i pari batalion në shkallë vendi dhe më pas krijohet grupi partizan i Pezës me 18 Korrik 1943, komandant Myslim Peza dhe komisar trimi Kristo Themelko, zv/komisar Tonin Jakova dhe Masar Shehu, zv/komandant Nazmi Kaba.

Më 21 gusht të vitit 1944 kanë rënë në pritë partizanët e njohur:  Ndoc Mazi, Naim Gjylbegu, Ahmet Haxhia, Ndoc Deda dhe Hydajet Lezha, të pesti të shpallur Heronj të Popullit. Ata kishin rënë në pritë të forcave pro-gjermani dhe meqë nuk ishin dorëzuar kishin rënë duke luftuat deri në fishekun e fundit. Veprës heroike të këtyre partizanëve të rinj, shkrimtari Kolë Jakova ua ka kushtuar poemën “Heronjtë e Vigut”

Më 21 gusht të vitit 1998 ka rënë  duke luftuar përballë forcave serbe, Avni Saraçi, luftëtar i UÇK-së i Zonës Operative të Shalës.

Më 22 gusht të vitit 1924 zgjidhen deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Fan Noli, Luigj Gurakuqi dhe Bajram Curri. Pas fitores së Revolucionit demokratik Borgjez të qershorit të vitit 1924, i pari revolucion i tillë në vendet e Ballkanit, në Kuvendin e Shqipërisë u rreshtuan atdhetarët e shquar nga të gjitha viset shqiptare. Për shkak të presioni të madh të Greqisë, Jugosllavisë dhe forcave të shumta mercenare, ku revolucion nuk arriti të përballojë krizat në të cilat ishte futur vendi, ndërsa në fillim të vitit 1925, forcat jugosllave në krye me mercenarët shqiptarë si Ceno beg Kryeziu, Ahmet Zogu e të tjerë, ndërhynë në Shqipëri dhe përmbysën me dhunë revolucionin demokratik të Nolit.

Më 22 gusht të vitit 1971 vdiq mësuesi i popullit,  Gjergj Canco. Ai u lind në Korçë në vitin 1906. Ka dhënë ndihmë veçmas në  hartimin e plan-programeve mësimore. Gjergji Canco, miku i Fishtës, Koliqit, Lasgushit e Asdrenit.  Ai i takonte shkollës së  Gjergj Fishta. “Illyricum” ishte institucioni arsimor që drejtohej prej Fishtës dhe ku profesor Canca u ftua që të jepte lëndën e matematikës, qoftë edhe me kohë të pjesshme, për shkak të angazhimit të tij të madh në gjimnazin e Shkodrës. Rrjeti intelektual i kësaj periudhe ishte formatuar. Ata nuk ishin thjesht dhe vetëm mësues që transmetonin dije në brezat e më të rinjve. Ata ishin projektuesit dhe shpirti i elitës aristokrate shqiptare, që nuk bënte asnjë dallim nga ajo moderne evropiane e këtyre kohërave. Një fotografi e profesor Gjergji Cancos, “Mësues i Popullit”, që mban datën 21 shkurt 1938,  vë në spikamë në të njëjtën hapësirë emra të tillë si Ernest Koliqi, Asdreni, L.Poradeci, Tefta Tashko Koço, Lola Gjoka, Mikel Koliqi apo Koço Tashko.

Më 23 gusht të vitit 1932 ka vdekur Marigo Pozio, veprimtare e Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Shqipërisë. Është e njohur si vajza që e qëndisi flamurin kombëtar, të cilin e shpalosi në Vlroë Ismail Qemali më 28 nëntor të citit 1912. U lind në Hoçisht të Korçës  më 19 shtator të vitit 1878. Ishte anëtare e klubit atdhetar “Labëria”. Në vitin 1921 drejtoi gazetën “Shpresa kombëtare”.

Më  23 gusht të vitit  1998, gjatë luftimeve të forcave të UÇK-së në Bllacë të Therandës ka rënë dëshmorë: Bislim Zekolli.  Po më 23 gusht 1998 ka rënë dëshmore Ganimete Gjylani, luftëtare e UÇK-së nga Baica e Elshanit.

Më 24 gusht të vitit 1913  doli numri i parë i gazetës: “Përlindja e Shqipërisë”, gazetë e cila mbështeti Qeverinë e Vlorës të udhëhequr nga Ismail Qemali. Ajo bënte thirrje për bashkimin e tokave shqiptare në një shtet të vetëm.

Më 24 gusht të vitit 1998,  në luftimet që u zhvilluan në vendin e quajtur “Bajraku i Luzhnicës”, në Rrafshnaltën e Drenicës, në luftë kundër forcave serbe kanë rënë dëshmorët: Gani Kastrati, Afrim Buqaj dhe Nuhi Mazreku.  Po më 24 gusht 1998   në Zonën e Pashtrikut, në malet e Rancës e Graiçevcit kanë rënë edhe dëshmorët: Esat Qarri,  Mehmet Lumi dhe Safet Kica.

Më 25 gusht të vitit 1942, doli  numri i parë i gazetës “Zëri i Popullit”  më vonë organ i Partisë Komuniste dhe i Partisë së Punës së Shqipërisë.

Më 25 gusht të vitit 1998, në vendin e quajtur Bajrak, në fshatin Luzhnicë, në luftime kundër forcave serbe, në përpjekje  për t’ i tërhequr trupat e dëshmorëve të rënë një ditë më parë,  ka rënë komandanti i Brigadës 121 i Zonës Operative të Pashtrikut, Ismet Jashari, i njohur si Komandant Kumanova. Po atë ditë në të njëjtin vend ka rënë duke luftuar kundër forcave serbe edhe luftëtari i UÇK-së, Habib Zogaj.

Më 26 gusht të vitit 1928 u krijua “Garda Kombëtare” e cila kishte për qëllim të mbronte personalitet e larta të Mbretërisë së shpallur nga Ahmet Zogu.

Më 26 gusht të vitit 1977  vdiq Zylyftar Veleshnja, atdhetar i shpallur, Heroi i Popullit. U lind më më 15 gusht të vitit 1902 në Veleshnjë të Skraparit. Ishte sekretar  i revolucionarit, Riza Cerova.  Mori pjesë në Qeverinë Demokratike borgjeze të Fan Nolit në vitin 1924. Gjatë luftës ishte Komandant i Çetës së Skraparit.

Më 26 gusht të vitit  1998 në frontet e luftës së UÇK-së kanë rënë dëshmorë: Besnik Krasniqi, Qemajl Rexhaj dhe Skender Kastrati.

 

 

Më 27 gusht të vitit 1910 lindi, Anjeza Bojaxhiu e njohur si “Nëna Tererzë”. U lind në Shkup, në një familje shqiptare.  Në moshën 18 vjeçare shkoi në Irlandë dhe u bë murgeshë.  Në vitin 1948 me miratim të Vatikanit u caktua misionare katolike në Kalkutë të Indisë ku ka qëndruar deri në vdekje, më 5 shtator të vitit 1997, Në dhjetor të vitit 1979 u laurua me çmimin  Nobel për paqe. Më 1985 iu dorëzua medalja Presidenciale e Lirisë nga kryetari amerikan, Ronald Regan.

 

Më  27 gusht të vitit  1998, në fshatin Açarevç të Drenicës ra dëshmor, Ismet Rrahmani

 

Më 28 gusht 1943, në Lepenicë të Vlorës  u vra Shyqri Alimerko, partizan, Hero i Popullit.

 

28 gusht të vitit  1998, ra në fushën e nderit, dëshmori i UÇK-së,  Nexhmedin Elshani. Po atë ditë kanë  rënë dëshmor edhe  Shaban Salihaj, Arben Salihaj, Milaim Isë Salihaj

 

 

Më 29 gusht të vitit 1911, në kohën e kryengritjeve shqiptare për çlirim nga Turqia, në Shkup, që ishte qendra e Vilajetit të Kosovës filloi botimi i gazetës: “Shkupi”, të cilën e drejtoi shkrimtari dhe publicisti,  Jashar Erebara. Gazeta mbrojti luftën e drejtë të shqiptarëve për çlirim  dhe bashkim kombëtar.

 

29 gusht të vitit  1998  ka rënë dëshmori i UÇK-së, Nazmi Gashi

 

 

Më 30 gusht të vitit 1943 u zhvillua Lufta e Reçit mes forcave fashiste italiane dhe forcave partizanëve të Batalionit “Perlat Rexhepi”. Forcat fashiste kishin pësuar humbje të mëdha.

 

Më 31 gusht të vitit 1968 përfundoi ndërtimi i hekurudhës Rogozhinë-Fier e gjatë 53 kilometra. Gjatësia e përgjithshme e rrugës Rogozhinë Fier është 88 kilometra.

 

Nuk konsiderojmë se në këtë Kalendar kemi përfshirë të gjitha personalitetet  me rëndësi kombëtare. Ftojmë të gjithë ata që duan të kontribuojnë në këtë drejtim,  të na dërgojnë të dhëna shtesë, ndonjë plotësim apo përmirësim,  lidhur me personalitete të tjera të njohura, në mënyrë që të begatohet Kalendari kombëtar për muajin shkurt.

Literatura:

Kalendari enciklopedik I, Tiranë, 1998.

Fjalori enciklopedik, Tiranë,  1985.

Arkivi I-II- III Radio-Kosova e lirë, Prishtinë 2009.

Feniksët e lirisë, 1-15  ( 2001 – 2015)

Hasan Hasani: Të pavdekshmit e Dukagjinit. Pejë 2002.

Hajrush Kurtaj: Shungullon Gryka e Kaçanikut. Kaçanik 2000.

Në kërkim të dijes dhe lirisë, studentë dëshmorë, ( Grup autorësh). Universiteti i Prishtinës, 2004.

Skënder Zhitia, Dëshmorët e UÇK-së në Llap. Pejë 2000.

Kalendari ditor i Radios-Kosova e Lirë.

Vikipedia, Internet.

Enciklopedia e lirë, internet.

 

Të dhënat për dëshmorët e rënë të UÇK-së, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare  nuk  janë të plota. Ato pritet  të plotësohen ndërkohë. Të gjithë ata që disponojnë të dhëna dhe dëshirojnë të bashkëpunojnë, mund të na kontaktojnë në [email protected]

 

 

 

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar - Janar

Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – Janar

RKL: Janari muaji i veçantë i lindjeve e vdekjeve,  i rënieve e ngritjeve shqiptare Kalendari ...