Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) në Ferizaj ka finalizuar përgatitjet për organizimin e manifestimit tradicional “Ditët e Mërgatës 2026”. Sot u mbajt takimi koordinues i drejtorit Gazmend Bytyqi me zyrtarët dhe përgjegjësit e sektorëve të drejtorisë, ku u shqyrtuan detajet organizative dhe u koordinuan aktivitetet që do të zhvillohen gjatë këtij manifestimi.
Manifestimi nis nesër me koncertin e Ramë Lahaj International Opera Festival “Homazh për Nexhmije Pagarushën”, ndërsa programi do të vazhdojë deri në muajin gusht me aktivitete të shumta artistike, kulturore dhe sportive.
Sipas DKRS-së, janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e ngjarjeve, me qëllim që qytetarëve të Ferizajt dhe bashkatdhetarëve nga mërgata t’u ofrohet një verë e pasur me koncerte, aktivitete kulturore dhe gara sportive.
“Ditët e Mërgatës 2026” pritet të sjellin një atmosferë festive dhe të forcojnë lidhjet mes qytetit dhe bashkatdhetarëve që vijnë nga diaspora gjatë sezonit veror.