Drejtoria e Bujqësisë në Viti inspekton përgatitjet për fushatën e korrje-shirjeve

Në prag të nisjes së fushatës së korrje-shirjeve, Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural e Komunës së Vitisë ka intensifikuar përgatitjet në terren për këtë proces të rëndësishëm bujqësor. Drejtori i drejtorisë, Naim Pira, së bashku me zyrtarë komunalë, kanë vizituar sot mullinjtë në territorin e komunës së Vitisë, për të parë nga afër përgatitjet që janë duke u bërë për grumbullimin e grurit nga fermerët. Gjatë kësaj vizite, është konstatuar se shumica e mullinjve janë të gatshëm për të pranuar grurin, ndërsa janë dhënë edhe udhëzime shtesë për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Drejtori Pira njoftoi se është formuar Komisioni Komunal për përcjelljen e fushatës së korrje-shirjeve, i cili do të ketë për detyrë monitorimin dhe koordinimin e të gjitha aktiviteteve, në bashkëpunim me institucionet dhe fermerët. Ndërkohë, sipas rekomandimeve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, fushata e korrje-shirjeve duhet të zhvillohet duke respektuar disa kritere teknike:

Të mos fillojë korrja para arritjes së pjekurisë së plotë të grurit, për të shmangur humbjet në rendiment dhe refuzimin e dorëzimit në pikat grumbulluese, në rast se lagështia e grurit është mbi 13%.

Drejtoria Komunale obligohet të bëjë raportim javor në drejtim të Ministrisë, lidhur me ecurinë e fushatës në komunën e Vitisë.

Pikat grumbulluese (mullinjtë, sillohët apo pikat e dedikuara) duhet t’i pajisin fermerët me vërtetim mbi sasinë e grurit të dorëzuar.

Rastet emergjente, si zjarret ose defektet e tjera të pajisjeve, duhet të raportohen menjëherë.

Çmimi orientues për këtë vit, sipas propozimit të MBPZHR-së, është përcaktuar në 130 € për hektar.

Drejtoria për Bujqësi e Komunës së Vitisë u uron të gjithë fermerëve një sezon të mbarë dhe të begatë, duke i inkurajuar për bashkëpunim të sinqertë me institucionet përgjegjëse, në mënyrë që fushata e korrje-shirjeve të zhvillohet në mënyrë sa më të sigurt dhe efikase.

Kontrolloni gjithashtu

Vazhdojnë diskutimet me qytetarë për hartimin e buxhetit për vitin 2026

Në kuadër të përmbushjes së obligimeve ligjore dhe me qëllim të hartimit të projekt buxhetit …