Edhe shkolla “17 Shkurti” bëhet me objekt të ri

Në fshatin Banjë, është përuruar objekti i ri i Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “17 Shkurti”. Në ceremoninë e përurimit, mori pjesë Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, Ministri i Ministrisë së Arsimit, Shyqiri Bytyqi, zv/ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Vesel Krasniqi dhe qytetarë të shumtë të fshatrave Banjë dhe Gajrak. “Të përurosh objekte shkollore, është gjëja më e shtrenjtë, pasi është investim në arsim dhe Komuna e Malishevës i ka kushtuar rëndësi të veçantë arsimit, e kjo është shumë mirë. Ne të gjithë tani kemi përgjegjësi për një arsim cilësorë. Nëse kemi pasur vullnet për ndërtimin e 15 shkollave, si Malisheva, kemi vullnet edhe për rritjen e cilësisë”, tha në fjalën e tij, Ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi. Ai më pas, duke folur për sigurimin e inventarit për këtë shkollë dhe shkollat tjera, tha se “ka kaluar koha e përzgjedhjes së shkollave për investime, tani të gjitha shkollat do të furnizohen me inventar, në mënyrë të njëjtë dhe sigurimi i inventari, është përgjegjësi ministrisë”. Ndërsa kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, duke marrë fjalën në këtë rast, tha se  është “jashtëzakonisht i kënaqur me hapjen e këtij objekti të ri”. “Gjatë këtyre katër viteve, jemi munduar të investojmë në shkolla dhe në arsim, pasi investimi në arsim, është investim në zhvillimin e përgjithshëm”, tha Begaj, i cili e falënderoi edhe MASHT-in, për sigurimin e inventarit. Izahir Begaj, drejtor i SH.F.M.U. “17 Shkurti”, tha se tani shkolla i plotëson kushtet për një mësim cilësor. Kjo shkollë tani ka dhjetë dhoma mësimi, një dhomë për mësimin parafillorë, kabinete të lëndëve shkencore, kabinet të informatikës, sallën e sportit, bibliotekën me sallën për lexim dhe në tërësi i plotëson nevojat e mbi 300 nxënësve të tri lagjeve të Banjës dhe fshatit Gajrak.

Kontrolloni gjithashtu

Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Komunës së Vitisë dhe organizatës “CNVP”

Sot, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim Xhevat Lushin – …