Enver Hoxha

RKL: Me Enverin, kundër Enverit, për Enverin…

Jo me qëllim për ta mbrojtur Enver Hoxhën 32 vjet pas vdekjes, sepse ai po rikthehet e po mbrohet vetë, deshëm apo nuk deshëm, por duke pretenduar të lidh disa fije që mendoj se mund të jenë këputur nga pakujdesia  ose i ka gllabëruar e kaluara, besoj  se tashmë ka ardhur koha  të hapet debati mbarëkombëtar për Enver Hoxhën, në kohën kur forcat politike socialiste në Shqipëri kanë fituar dy të treta e votuesve të  vendit, po ashtu edhe në Kosovë e në Maqedoni pushtetin aktual politik nga radhët e shqiptarëve  e kanë ish forcat e majta të LKJ-së dhe ish “enveristët” në Kosovë, të cilët karshi amerikanëve, me hipokrizi djallëzore  deklarohen vetëm të djathtë, madje edhe përtej… Paramendoni komunistët e djeshëm sot të djathtë me 40 vjet besnikëri e teserë  të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, të cilët në vitin 1989, të kohën e asaj që quhej “revolucion” i madh  i hedhjes së tesereve partiake nga  gazetarët, intelektualët dhe shkrimtarët  (jugo-shqiptarë e kosovarë  nga aspekti ideologjik), që për 40 vjet i kishin shërbyer regjimit të Beogradit?

Çuditërisht, Enver hoxhën në Kosovë e urrejnë bijtë e bijat e atyre që e kanë sulmuar dhe etiketuar në kohën e OZN-së, UDB-së dhe në kohën e Millosheviqit dhe shumica syresh tyre kanë qenë dhe janë titistë të përbetuar, jo domosdoshmërish spiunë, por domosdoshmërisht “puro-jugoslaveni” të bashkim vëllazërimit.

Vetëm të tillët,  që janë një lukuni që s del as sa për një. “Mora çiftenë dola për gjah, aman shoko, aman-aman”, Çiftenë more me gjithë zagarë…. kanë mbetur dhe identifikohen si antienveristë. Pjesa dërrmuese e politikanëve në Kosovë as e kanë urryer as e urrejnë Enver Hoxhën. sepse as kanë pasur, as kanë një arsye të vetme. Në Kosovë nuk kishte arritur “kamxhiku” i Enver Hoxhës, as “likuidimet” nga ana e tij, por këtu ishte i pranishëm në vazhdimësi, plumbi, “palica apo penderku” i Titos dhe i Rankoviqit.

Në Kosovë prej vitit 1945 e deri në vitin 1990  kishte vetëm dy rrugë: me Titon  apo me Enverin, me Tiranën apo me Beogradin, me gjuhën shqip librat, romanet e literaturën shqipe të Shqipërisë së  Enverit, apo me ato serbisht të Beogradit.

Njoh dhe i di kush kanë qenë e kush janë pjesa dërrmuese të të gjithë të burgosurve politikë në Kosovë prej NDSH-së, e cila ka vepruar deri në vitin 1951, ( jam me prejardhje familjare nga kjo organizatë si nga babai ashtu edhe nga nëna, së cilës  regjimi jugosllav ka vrarë e  pushkatuar katër anëtarë të familjes, 10 të burgosur politikë) e deri në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë dhe në vitet e pasluftës, dhe më shumë se 95 për qind prej tyre kanë qenë enveristë.  Shumica dërrmuese edhe sot janë të tillë, sepse ideologjia, ajo që piqet në qenien intelektuale të njeriut nuk është një këmishë që mund ta hedhësh dhe ta blesh një të re sikur bëjnë disa.

Personaliteti i Enverit në Kosovë nuk ka lënë gjurmë dhune, por gjurmë të thella dije, frymëzimi dhe  emancipimi kombëtar, pse  jo edhe ideologjik e klasor, në një kohë kur dy  të tretat e shteteve të botës përfaqësonin ideologjinë e majtë komuniste, qoftë ajo e tipit të Stalinit, Hrushqovit, Mao ce Dunit, Enverit apo e Titos.

Qartësimi i pozicioneve

Klasa kundërshtare e Enver Hoxhës, në Shqipëri, pavarësisht trashëgimisë ideologjike të djathtë, kolaboracioniste, fashiste, titiste etj, ka të drejtë të plotë ta urrejë Enver Hoxhën dhe regjimin e tij, kuptohet  nëse janë burgosur si kundërshtarë politikë, por jo edhe ata që kanë mbajtur burg  për vepra penale të bracnisë, amoralitetit, plaçkitjes së pronës kolektive, hakmarrjes, delikteve të shumta penale dhe që vetëtrajtohen të burgosur të kohës së regjimit të Enverit.

Të burgosur të mirëfilltë, të tillë që me pikëpamjet e veta ideologjike  në Shqipëri kanë rënë ndesh me regjimin nuk duket se kishte shumë, për të mos thënë kishte fare pak. Nga biografitë e atyre të përndjekurve dhe të viktimizuarve të regjimit, nëse nuk janë deformuar të dhënat, ka fare pak.  Nuk duhet lënë anash faktin se disa muaj para se të çlirohej Shqipëria në nëntor të vitit 1944, me forcat e veta dhe me ndihmën e avionëve anglezë, forcat kundërshtare të Ballit, të Legalitetit, të Zogut etj., kishin ikur nga Shqipëria. Të tjerët që ishin kapur ishin dënuar, qoftë me pushkatim qoftë me burg të rëndë.

Këto fakte nuk mund të mohohen ashtu sikur nuk mund të mohohet fakti se gjenerali i madh francez, Sharl de Gol, pushkatoi me ligj dhjetëra mijëra francezë, bashkëpunëtorë  të fashizmit, në vitin 1945.

Ashtu kanë bërë edhe qeveritë e tjera të Evropës.

Italianët, Benito Musolinin e kishin varur në litar, nga këmbët.

Ishte një proces ndërkombëtar i ndjekjes dhe i likuidimit të mbetjeve fashiste kudo në vendet, të cilat kishin përkrahur fashizmin.

 

Një fushatë e tillë, më barbarja në rajon, është zhvilluar mbi të gjithë shqiptarët që kishin mbetur nën regjimin e Jugosllavisë komuniste

 

Të gjithë shqiptarët, në Kosovë e më gjerë qysh në fillim të vitit 1945, ( përveç disa qindra partizanëve të Fadil Hoxhës),  ishin shpallur bashkëpunëtorë të fashizmit dhe ishin dënuar me gjyq e pa gjyq. Në një fushatë të tillë ishin likuiduar mijëra pjesëtarë të LNDSH-së, të cilët nuk kishin qenë ballistë, por as komunistë, dhe të cilët kishin program kombëtar të çlirimit dhe bashkimit të viseve shqiptare në një shtet të vetëm. Ata nuk pranonin se bashkëpunimi i disa krerëve me fashistët italianë e gjermanë, kishte komprometuar idenë e bashkimit kombëtar.

 

Gjon Serreçi, njëri ndër ideatorët e kësaj organizate  më 10 prill të vitit 1947, në zyrën e hetuesisë së OZN-së në Prishtinë. I pyetur nga inspektori shqiptar-vrasës lidhur me programin e LNDSH-së ka deklaruar:

“Kam thënë se duhet të formohet Organizata dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është Organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë, me rendin që do ta krijonim ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë: Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta….

Çka kishte të keqe në atë program kombëtar të NDSH-së, për ta barazuar me kolaboracionizmin fashit?

 

Po të flasim me gjuhën e fakteve, regjimi titist rankoviçist në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Kosovën Lindore  prej vitit 1945, me divizione të tëra të forcave të armatosura  të asaj të quhej Ushtri Popullore e Jugosllavisë kishte shuar me gjak rezistencën e Shaban Palluzhës, (partizan i idesë së vetëvendosjes) dhe kishte vazhduar  deri në vitin 1951, kur nëpër prita ishin likuiduar edhe luftëtarët e fundit të NDSH-së.

Numri i përgjithshëm i shqiptarëve të vrarë, të pushkatuar, të burgosur dhe të tillë që kishin mbajtur deri në 20 vjet burg ishte dhjetë fish më i madh sesa numri i kundërshtarëve politikë që kishte likuiduar regjimi i Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, në periudhën e njëjtë kohore. Por këto krime të komunizmit në Kosovë nuk flitet.

 

Në kushte dhe rrethana të tilla në Kosovë, kur vdekja endej  mbi shumicën e kokave të shqiptarëve nga regjimi i Beogradit, nuk mund të pranohej si legjitim regjimi vrastar i Titos e të urrehej regjimi shqiptar i Enver Hoxhës, i cili konsiderohej armiku numër një i Jugosllavisë.

 

Në shumë dokumente të botuara të historianëve tanë si Ali Hadri, Muhamet Pirraku, Hakif Bajrami, Sabile Keçmezi-Basha e studiues të shumtë dokumentohet se prej vitit 1944, kur kishte filluar rezistenca e Mulla Idriz Gjilanit, Shefqet (kapedanit), Bylykbashit  e të tjerëve në Kosovën Lindore, rezistenca popullore në mbrojtje të Sanxhakut, Aqif Blyta, Shaban Palluzha, pastaj qëndresa  në veri të Mitrovicës ku çetnikët e partizanët serbë zhduknin në mënyra barbare fëmijë e gra shqiptare dhe  tërë  popullatën myslimane  e deri në vitin 1951 janë vrarë, pushkatuar, e dënuar me vdekje më shumë 48.000 shqiptarë. 

Janë trillime dhe të pabaza supozimet se divizionet partizane të Enverit e Mehmetit kishin vrarë shqiptarë në Kosovë në vitin 1945. Ato forca  ishin nisur  në luftë për ta ndihmuar Sanxhakun, Novi Pazarin dhe myslimanët e Bosnjës, të cilët i masakronin forcat drazhsiste e çetnike serbe, madje edhe nën uniformat e partizanëve. Rastet e veçanta nuk heqin peshë edhe nëse ka pasur të tilla. 

Pse shqiptarët në trojet e robëruara kishin dhe shumë prej tyre  kanë ideal Enver Hoxhën?

Enver Hoxha, prijësi komunist i Shqipërisë, është personaliteti më me ndikim dhe me reputacionin më të thellë kombëtar e ideologjik të kohës,  themeluesi  i Partisë Komuniste Shqiptare, komandanti, i cili me shokët e tij udhëhoqi me shumë sukses luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare dhe ndërtimin socialist të vendit.

Gjatë tërë kohës së sundimit të tij, kishte qenë figura ideologjike e politike e unitetit mbarëkombëtarë e shtetëror,me hir apo pahir.  Edhe pse disa qendra botërore kishin bërë përpjekje të pareshtura për ta rrëzuar atë dhe regjimin e tij, asnjë prej tyre nuk kishte arritur, madje as ta befasonte.  Po thuajse të gjithë kishin dështuar. Ky dështim i qarqeve më të fuqishme të botës  ia shtonte fuqinë dhe besimin se askush nuk mund t’ i bënte asgjë. Dështimet e tilla bënin që Enver Hoxha ta sforconte bindjen se ishte i pathyeshëm, në radhë të parë sepse ishte në të drejtën e tij dhe në saje të besimit se komunizmi një ditë do të përhapej në tërë botën. Edhe ashtu, ky formacion ideologjik politik ishte zhvilluar në dy të tretat e botës. Kjo ishte ajo forca magnetike, e cila e tërhiqte dhe për më tepër ai me kohë kishte filluar të besonte se pasonte e ruante me konsekuencë marksizëm-leninizmin e vërtetë, atë të rrugës burimore, marksizmin ortodoks.

Duke qenë i rrethuar nga shtetet grabitqare fqinje, të cilat mbanin nën pushtim më tepër se dy të tretat e territorit të Shqipërisë, Enver Hoxha ndiente rrezikun e gllabërimit nga Jugosllavia,  nga Greqia, apo nga të dyja bashkë,  dy shtete armike, të cilat ishin shumë më të fuqishme ekonomikisht e ushtarakisht se Shqipëria, e cila kishte epërsinë morale, ideologjike  dhe atdhetare. Mu për këtë qëllim ai kishte shpikur teorinë e mbrojtjes së përgjithshme të Atdheut nga çdo shqiptar, dhe për çdo qytetar. Pikërisht  për këtë qëllim kishte urdhëruar ndërtimin e qindra mijëra bunkerëve dhe  në të gjitha këndet kilometrike të Shqipërisë, kishte ndërtuar strehimoret të forta e të shumta për tërë popullatën, por edhe për kreun e Shtetit.

Me ndihmën e shokëve të idealeve, me punën e palodhshme, me pretendime dhe me besim të madh në qenie se gjithçka e bënte në të mirë të popullit dhe të Shqipërisë, Enver Hoxha doemos se i besonte vizionit të tij dhe ishte në gjendje që me tërë forcën mendore e fizike ta mbronte, ta përparonte dhe ta përmbaronte atë vizion, të cilit në mos të gjithë, i besonte dhe e përqafonte shumica dërrmuese. Dhe ashtu kishte vepruar gjatë gjithë jetës së tij.

Ndikimi i tij ishte shtrirë po aq fuqishëm edhe te të gjithë shqiptarët e trojeve të mbetura nën robërinë e  regjimit titist të RSFJ-së. Thjesht, Enver Hoxha ishte lideri më i dashur dhe i pranuar nga  shumica dërrmuese shqiptare. Ishte njeriu që cilin e kishin ngritur në kult, ndërsa ai vetë nuk preferonte kultet.

Sa ishte gjallë Enveri, kundërshtarët e tij kishin frikë edhe të mendonin keq për të, pa lërë më të shpreheshin hapur kundër tij, apo kundër regjimit komunist. Enver Hoxha ishte alfa dhe omega, ishte njeriu i cili pretendonte që Shqipërinë e vogël dhe të izoluar socialiste ta shndërronte në qendër botërore të marksizmit e leninizmit burimor, rrënjësor. Ai, gjatë tërë jetës së tij kishte studiuar  teoritë shkencore të klasikëve të marksizmit, por edhe teoritë kundërshtare kapitaliste. Duke qenë në rrjedhë solide të informimit, për tërë atë që po ndodhte në botë, duke qenë jashtëzakonisht mirë i informuar për të gjitha zhvillimet në Shqipëri dhe jashtë saj, lideri i pakontestuar komunist i asaj kohe, Enver Hoxha, mbase pa dashjen e tij  ishte shndërruar në një “mbinjeri shqiptar”, edhe pse ai urrente ideologjitë pesimiste të mbinjeriut të Shopenhauerit, Niçes e të tjerëve.

Po cili ishte Enveri në të vërtetë?

– A gaboi shumë duke menduar se ishte më i pagabueshmi?

– A gaboi me qëllim që ta dëmtonte sa më shumë Shqipërinë, të cilën e deshi më shumë se familjen e tij, më shumë se gjithçka në jetë?

– A gaboi vetë apo e yshtën të gabojë, nëse gaboi me të vërtetë, nëse gaboi duke e përvetësuar teorinë marksiste-leniniste,  që kishte evoluar si proces ideologjik botëror dhe ishte përhapur në dy të tretat e shteteve të botës: Marksizmi  nuk kishte qenë shpikja e tij. Marksi, Engelsi, Lenini kishin rrojtur gati një shekull para se të lindte Enveri.

– A  gaboi dhe sa gaboi ndaj atyre, të cilëve u kishte falur besimin dhe jo vetëm njëherë e kishin mashtruar e zhgënjyer, qoftë me dashje apo pa dashje?

Figura dhe personaliteti i Enver Hoxhës do parë e studiuar  në të gjitha dimensionet kombëtare, ideologjike, politike, filozofike e mbi të gjitha do parë afria e tij me njerëz, dashuria për ta, sinqeriteti dhe miqësia, pa lënë anash edhe luftën pa asnjë kompromis kundër të keqes, kundër tradhtisë, kundër armikut të klasës, kundër asaj që ai e konsideronte të keqe e tradhtare dhe besonte me gjithë mend se  e tillë ishte. Dhe nuk ishte i vetmi që mendonte ashtu. Ashtu mendonin edhe Mao Ce Tungu, Çaushesku, Josip Broz Tito, Fidel Kastro dhe shumë të tjerë

Enver Hoxha në të gjallë të tij  nuk e pa rrënimin dhe rënien e sistemit, të cilit i besonte më shumë se çdo besimtar që i beson Zotit.

Ai vdiq me besim se Shqipëria do të mbijetonte, pavarësisht se kishte informata që ekonomia nuk ishte ajo që duhej të ishte, ajo që ai dëshironte, synonte dhe kishte synuar gjatë tërë kohës së sundimit.

Kjo është njëra anë e medaljes, cila është ana tjetër, ajo e errëta?

– A kishte anë të errët Enveri apo regjimi të cilin e përvetësoi  ai me shokët e tij me mbështetjen e shumicës dërrmuese të popullit?

– A ishte vetëm i  errët ai regjim, ndërsa  ky i sotme qenka më i bardhi dhe më i miri?

– A mund të konstatohet se gabimi më i madh i tij ishte botëkuptimi dhe pikëpamja filozofike marksiste leniniste, kur ajo nuk ishte shpikja e tij, por ishte realiteti i mbisunduar në një pjesë të madhe të botës, ishte një realitet që po e dridhte kapitalizmin botëror madje edhe vetë Amerikën dhe aleatët e saj?

Nuk ishte socializmi e komunizmi vetëm përzgjedhja e Enver Hoxhës.

Enveri nuk ishte shpikës i ideologjisë komuniste, por  e kishte zgjedhur atë, dhe nuk ishte i vetmi shqiptar që e zgjodhi. Ai  i besonte asaj po aq sa i kishin besuar: Marksi, Engelsi, Lenini, Stalini, Tito, Mao Ce duni, Fidel Kastro, Zhivkovi, Dupçeku, Hrushqovi, Ho Shi Mini, dhe qindra udhëheqës komunistë nga mbarë bota.

 

A ishte diçka tjetër Enver Hoxha? Realisht jo. Me fakte e dëshmi jo

Me gënjeshtra amputime, falsifikime anime nga këndi tjetër i vështrimit edhe mund të kundrohet, por nuk mund të akuzohet pse ishte marksist leninist dhe pse zhduku disa nga kundërshtarët, fakt realist ky, sepse kundërshtarët politikë i zhduk çdo regjim në botë, kush më shumë e kush më pak, dikush i zhduk duke ua vrarë ardhmërinë, duke i katandisur nëpër botë, duke i lejuar të drogohen të trafikojnë, të mbjellin, të korrin e të përdorin droga, të shesin e të kultivojnë bimët e vdekjes. Dikush i zhduk duke mos i arsimuar apo duke i bërë ithtarë të Zotit të vetëm që nuk pranon asnjë zot dhe asnjë fe tjetër. Krejt kjo ka ndodhur dhe po ndodh aktualisht, ashtu si dje e pardje ashtu edhe sot e nesër.

Kundërshtarët e sotëm të Enver Hoxhës janë realiteti i argumentuar faktik që tregon më së miri se  ai nuk i kishte zhdukur, sepse ose kishin qëndruar urtë e butë dhe nuk kishin pasur pikë trimërie e dinjiteti për ta kundërshtuar, ose kishin qenë bashkëpjesëmarrës në të gjitha veprimet e tij, ose kishin qenë të dyja bashkë.

Nuk vuajti asnjë ditë në burgjet e Enver Hoxhës, Sali Berisha kundërshtari më i ashpër, më i pa kompromis dhe i hakërryer deri në çmenduri kundër atij regjimi, përkundrazi kishte qenë mjeku personal dhe mik i ngushtë nga ana e tij, pavarësisht se kishte apo nuk kishte Enveri respekt për të.

Nuk janë pak ata që shtiren se i kishte dënuar, injoruar apo të katandisur regjimi.

Janë po ata që kishin brohoritur,  jo vetëm njëherë dhe jo vetëm me një rast: “Parti Enver Jemi gati kurdoherë”. Janë po ata që e kishin lavdëruar e madhëruar dje dhe që shajnë e pështyjnë sot. Kanë moral këta njerëz, kanë dinjitet, derisa nuk pranojnë hapur dhe botërisht  se ishin pjesë e regjimit, se ishin bashkëfajtorë, nëse 50 vitet e kohës së komunizmit kishin qenë faj njerëzor, ai ishte edhe faji i tyre. Ata ishin të tillë si Enveri,  i kishin besuar  me gjithë mend marksizëm leninizmit,  ata kanë lënë mijëra vepra trashëgim dhe  dëshmi të atij besimi. Nuk mohohen  këto fakte me një fjalë goje. Për më keq janë ata që mohojnë një pjesë mbase pjesën më të madhe dhe më meritore  të jetës së tyre, të aktivitetit, zhvillimit e përparimit  të familjeve dhe të afërmve të tyre. Në këtë mes edhe shkrimtarë e artistë  të mëdhenj që ai regjim i kishte ngritur dhe bërë të tillë.

Përpjekja për t’ia veshur Enver Hoxhës dhe familjes e trashëgimtarëve të tij  të gjitha fajet, nëse i marrim dhe i pranojmë si të tilla, pra si faje të rënda, është përpjekje hipokrite, është mungesë morali qytetar, njerëzor e kombëtar, është mungesë identiteti e dinjiteti, është mungesë nderi e burrërie. Nuk mund ta ndërtojë dot një botë të mirë apo të keqe një njeri i vetëm, vetëm me familjen e tij  pa pasur përkrahjen e shumicës, pavarësisht rrethanave që kanë ekzistuar. Enveri dhe të gjithë liderët e bllokut komunist e kishin përkrahjen e shumicës, ose thirreshin në faktin se e kishin besimin e shumicës, një qëndrim gjithsesi demokratik. Edhe sot në Shqipëri sundon klasa politike që ka fituar besimin e shumicës, ashtu sikur në pjesën dërrmuese të botës.

Është apo nuk është më mirë sot, do të na vlerësojnë nesër, ashtu sikur ne sot vlerësojmë të kaluarën.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …