Mizahir Jetullah Isma (26.6.1964 - 21.7.1998)

Mizahir Jetullah Isma (26.6.1964 – 21.7.1998)

Mizahir Jetullah Isma, së bashku me Abdullah Zijajdin Bugarin, Selajdin Mullabazin – Micin, Gëzim Mullabazin, Gëzim Hamzën – Piktorin, Sadedin Hajdën, Bekim Ismën e Bekim Sylkën me një plejadë të tërë djelmoshash, veprimtarinë patriotike e nisi me ilegalen e Anadrinit dhe të Rahavecit. Herët i ra që të vihet e të qëndrojë në krye të detyrave të rëndësishme dhe më me përgjegjësi për moshën që kishte.

Në ditët më të rëndësishme për shumë zhvillime, shtëpia e Mizahir Ismës u shndërrua në zyre e shtab të profesor Ukshin Hotit dhe në një qendër prej nga shpërndahej shtypi dhe shkrimet e karakterit operativ. Si pionier i profesor Anton Çettës, Mizahiri barti barrën kryesore në Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve dhe të Ngatërresave në Rahavec dhe Anadrini, kurse si krah i profesor Ukshinit vëhet në krye të “Marshit të 27 janarit të vitit 1990” kur ranë Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti e Hilmi Krasniqi. Së këndejmi edhe shumë ngjarje marrin një dinamikë më të gjallë, kurse edhe zhvillimi i tyre bëri kthesa historike që ndikuan në formimin e instrumentit të forcës, prandaj Mizahiri nuk i lëshon radhët për çka edhe vëhet në fokus të organeve serbe të ndjekjes e dënohet shumë herë madje një herë edhe së bashku me prof. Ukshin Hotin.

Por, edhe kur vepronte, mbetej i palodhshëm, edhe kur gjykohej, qëndronte i pathyeshëm, edhe kur luftonte dilte triumfues, prandaj edhe kur ra, mbeti i pavdekshëm. Të pavdekshëm mbetën shokët e Mizahirit: Arian Brahimi “Shkodrani”, Eshrafedin Kastrati, dhe Bekim Isma sepse ashtu e deshi gjenerata që bëri kthesa historike, gjeneratë që u skalit në legjendën për “Majën e Shkodranit”.

Mizahir Isma, luftëtar i lirisë, tash dëshmor i kombit, është i lindur më 26 qershor të vitit 1964 në Rahavec. I biri i Jetullahut dhe i Hatixhesë, bijë kjo e “Belë Kërqagut si vetima” sipas rapsodive të Anadrinit, i cili, kundër Gjurës dhe Stojanit nga Hoça e Madhe pati luftuar si vetima për t’u treguar pasardhësve se si duhet të luftojë Podrima. Mizahiri doli prej një gjiri familjar, si nga nëna, ashtu edhe prej të et, të njohur për lëvizjen e rezistencës prej kohësh. Familja e Hatixhesë e kishte Belë Kërqagun në krye, e ky, së bashku me Halit Hajdën ishte futur deri në fshatin Hoçë e Madhe duke i ndjekur harambashët dhe çetnikët e Rahavecit e të Hoçës së Madhe. Edhe Ismët, përherë të ndjekur e të persekutuar, burgoseshin dhe ekzekutoheshin, madje në mënyrat edhe më barbare. Mizahiri, sikurse edhe shumë kushërinj të tjerë, luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Bekimi, Fatmiri, Agroni, Mehedini e Vllaznimi, sot dëshmorë, invalidë e veteranë, kyçet në luftë kundër Serbisë okupatore e cila ia pati zhdukur shumë gjyshër e stërgjyshër, prandaj, si i lindur dhe i rritur në një vatër të këtillë familjare, shpëtimin kombëtar e shihte vetëm duke u bashkuar me të Pavdekshmit nga Prekazi e Gllogjani.

Shkollën fillore, Mizahiri e kreu në Rahavec. Po këtu i vazhdoi mësimet e mesme, në degët teknike të gjimnazit që sot mban emrin “Xhelal Hajda-Toni” të cilin me mburrje do ta kujtojnë nxënësit e Rahavecit. Mësimet e larta i vazhdoi në Shkollën e Lartë Teknike në Zveçan të Mitrovicës dhe këtu zgjeron veprimtarinë patriotike. Me t’u kthyer në Rahavec, së bashku me Abdullah Bugarin (dëshmor i kombit), formon grupet e para për veprimtarinë ilegale në Rahavec duke u lidhur me grupet e Drenocit, të Drinasit (ish- Ratkocit), të Krushës së Madhe, të Hoçës së Vogël e të Nagacit, që vepronin të frymëzuar prej profesor Ukshin Hotit.

Qysh më 1981, Mizahir Isma hyri në radhën e organizatorëve të demonstratave kur edhe shquhet me prirje dhe aftësi organizative, operative kooperativ në çdo aspekt të veprimtarisë në rrafshin kombëtar.

Krismat e komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz dhe betejat në Gllogjanin e Haradinajve, Mizahir Ismën, së bashku me kushërinjtë, e gjetën mjaft të përgatitur, prandaj, nëpërmjet hashkëveprimtarëve që i kishte nëpër fshatrat: Llaushë, Prekaz, Qirez, Likoshan e Vojnik, me tërë qenien angazhohet për organizimin dhe shtrirjen e rezistencës së armatosur dhe për formimin e instrumentit të forcës në Rrafshin e Anadrinit si tërësi e lidhur me Rrafshin e Dukagjinit dhe në Rahavec. Për ta arritur këtë Mizahiri lidhet me Xhelal Hajdën – Tonin, që vepronte në Gllogjan dhe me Selajdin Mullabazin – Micin që vepronte në Caravik. Me shtrirjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Drenoc të Anadrinit, Mizahiri me kushërinjtë gjendet në Drenoc, pranë Tonit, Micit dhe Piktorit, e së andejmi kalon në Rahavec. Vendoset në fshatin Astarzup dhe me rastin e themelimit të Batalionit të Rahavecit, Mizahiri braktis punën si elektricist, familjen dhe fëmijët, del në krye të skuadrës “Dallëndyshet e Para” dhe udhëton për në Shqipëri, komandon me skuadrat e logjistikës. Kufirin shqiptaro-shqiptar e thente me Xhelal Hajdën – Tonin, Bekim Berishën – Abenë, Nysret Cenën, Xhevat Kasapin, Samir Nurkasën, Sabit Shabandulën e Gëzim Mullabazin, të gjithë dëshmorët e kombit. Kështu, dhe në këtë mënyrë, skuadra e Mizahir Ismës përgatitet për aksionet guerile dhe për luftë frontale për të cilën përgatiteshin luftëtarët e Batalionit të Rahavecit nën .Kërshin e Keq” jo larg “Majës së Shkodranit”, jo larg Rrasave të Rahavecit. Pozicioni më i dashur i Mizahirit ishte “Maja e Bardhë” prej të cilit mbuloheshin “Rrasat e Rahavecit”.

Mizahir Isma, si elektricist, dha një kontribut të rëndësishëm në rregullimin e teknikës dhe të infrastrukturës në kazermën e Batalionit të Rahavecit në “Kërshin e Keq”. Falë punës së Mizahirit, “Kërshi i Keq”, pranë “Lugut të Shqipeve” shume shpejt bëhet “Lagje Ushtarake” me të gjitha objektet përcjellëse. Instalimet e gjithëmbarshme i bënte Mizahiri me mbështetjen morale të Gëzim Hamzës – Piktorit. Kështu, Shtabi i këtij batalioni, i themeluar me urdhërin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në përurimin e të cilit morën pjesë: Musë Jashari, Rexhep Selimi, Daut Haradinaj, Sokol Bashota e Besim Malaj, në saje të punës së Mizahirit, u elektrifikua për 24 orë.

Gjatë zhvillimit të betejave në Rahavec dhe përreth Rahavecit, Mizahir Isma, së bashku me Arian Brahimin, Eshrefedin Kastratin, Bekim Ismën, Xhevat Kasapin, Samir Nurkasën, Xhafer Nurkasën e Gëzim Mullabazi, mbulojnë me zjarrin ofensive defansiv Rrasat e Rahavecit duke u barikaduar në Majën e Bardhë. Por, edhe pas rënies së Rrasave të Rahavecit, Mizahiri me grupin nuk pranon të tërhiqet në pozicionet rezerve, por mbrohet derisa e shkrinë predhat në maje, sot “Maja e Shkodranit”.

 Më 21 korrik 1998, forcat e Ushtrisë Jugosllave e mbulojnë me predha e kështu bie i tërë grupi i Mizahir Ismës; Bekim Isma, Arian Brahimi nga Shkodra dhe Eshrefedin Kastrati, e sot kjo maje quhet “Maja e Shkodranit”.

Lufta për mbrojtjen dhe mbajtjen e pozicionit të përmendur zgjati 24 orë dhe mbi Rahavecin, për atë kohë ranë 1268 predha; prej Pnishi të Hasit, prej Maçakut të Landovicës dhe prej bazave të tiera. Në këtë zjarr për zhdukjen e bërthamës së Mizahirit, u zhvillan luftimet më të ashpëra në fushëluftimet e Rahavecit, por njëherit edhe qëndresa më prometheike sepse “kush i ka majat, e ka fitoren” e këtë e dinte mirë Mizahir Isma me shokë. Për fat të keq serbet (policia, ushtria dhe popullata e armatosur civile) kishin arritur t’i pushtonin kodrat rreth Rahavecit në ç’mënyrë edhe i forcuan pozicionet e veta në Mëhallën e Shkijeve; në drejtim të Krahishtes dhe Majës, nëpër Lugun e Ibrës, në Perëndim, sepse kah Lindja ishin të mbrojtur mirë nga paramilitarët e Hoçës së Madhe.

Skuadra e Mizahirit deri në çastin e fundit priste arritjen e Xhelal Hajdës – Tonit, por u shkri pa përjetuar arritjen dhe ndihmën e Tonit, i cili pas rënies së skuadrës, së bashku me Selajdin Mullabazin – Micin dhe Ajvaz Berishën – Tigrin, edhe një herë e mori Majën dhe e pagëzoi me emrin “Maja e Shkodranit” (Arian Brahimi – Shkodrani).

E tërë skuadra prehet në një “Shtëpi të Përbashkët”, në “Kopshtin e Dëshmorëve” të Rahavecit.

Dhe sot, kur dëgjohet kënga “Jemi Garda kosovare”, së bashku me grupin, këndojnë edhe dy çuna, bonjakë, të dëshmorit të kombit, Mizahir Isma; Jetullahu dhe Labinoti të cilët po rriten me përkdheljet e nënës Halemshahë dhe me puthjet e gjyshës Hatixhe prej të cilës dëgjojnë rrëfime për trimërinë e të et Mizahirit, dëgjojnë për Shkodranin, Bekimin, Eshrafedinin, Samirin, Xhaferin, Xhevatin, dhe Gëzimin. Duke dëgjuar rrëfimet e gjyshes së tyre, e cila e kishte lindur dragonin Mizahir Isma, Jetullahu me Labinotin, dëgjojnë edhe legjendën për “Majën e Shkodranit”, e cila, sot me krenari e me burrëri, me sytë e Mizahirit, të Arianit, të Eshrafedinit e të Bekimit, shikon tërë Rrafshin e Dukagjinit, shikon Pashtrikun Plak dhe pyet për Shkodranin, Astrit Sulon, Indrit Carën, Halit Cokën dhe për Tahir Sinanin, pyet për çmimin e lirisë dhe për amanetin e dëshmorëve: “Amanet ju nona e motra

Na i maroni vorret n’kodra

Le të shihen Kosova e Shkodra.

Le të shihet edhe Çamëria,

E Tetove, tan’ Iliria

Kah Presheva e Malësia

Për vatan qysh bjen djelm’nia”.

(S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …