leoni

Albrim Zaim Fanaj (13.8.1978 – 10.7.1998)

Albrim Zaim Fanaj (13.8.1978 – 10.7.1998)

Familja Fanaj ka qenë e njohur për trimëri, bujari e atdhetari në gjithë Trevën e Lumës. Ishte një shtyllë e rezistencës kundër pushtuesit serb, duke filluar nga Beteja e Lumës e nëntorit të vitit 1912 ku kishin mbetur të vrarë mijëra serbë.
Për këtë shkak forcat pushtuese serbe të Nikolla Pashiqit, për hakmarrje lidhur me humbjet e mëdha që kishin pësuar, pushkatuan të zotin e shtëpisë Mërtez Fanaj dhe vëllanë e tij Behlul Fanaj duke i djegur në kullën tre kate. Edhe pas këtyre mizorive që kishte ushtruar regjimi serb i asaj kohe, familja Fanaj kishte vazhduar përpjekjen për çlirimin e tokave shqiptare.
Me fillimin e luftës së Dytë Botërore djemtë e Fanajve ishin radhitur të gjithë në radhë të Lëvizjes Kombëtare për bashkimin e Shqipërisë Etnike.
Pas përfundimit të luftës së Dytë Botërore me ndarjen e Kosovës nga Shqipëria, familjes Fanaj iu shtua dhuna dhe presioni duke i shpallur si armiq të Jugosllavisë. Kjo ishte e vërteta sepse edhe Fanajt nuk u nënshtruan kurrë.
Në vitin 1951 arratiset në Shqipëri axha i Ylberit, Avdi Fanaj ku atje jetoi dhe jeton akoma familja. Pas kësaj familjes Fanaj iu shtua më shumë dhuna. UDB në vitin 1966 e mbytën në mënyrë mizore Nexhip Shash Fanajn.
Në vitin 1968 djali i të vrarit Nexhip Fanaj, Cen Nexhip Fanaj nga Gjimnazi i Prizrenit arratiset në Shqipëri ku jetoi dhe jeton akoma në Kukës. Pas kësaj Fanajt ishin të pranishëm në demonstratat e vitit 1981 ku morën pjesë të gjithë pa dallim. Asokohe parullat në fshat dhe rrethinë i shkroi Ferid Fanaj. Ata prisnin e përcillnin për në Shqipëri njerëzit e ilegales, për këtë arsye serbët hakmerren duke e vrarë Dalip Ibish Fanaj dhe më vonë në prill të vitit 1993 në pritën që kishin ngritur në kufirin Kosovë-Shqipëri e vrasin, Ferid Miftar Fanaj. Pas vrasjeve të fundit Fanajt tani më ishin në luftë sepse çetnikët vetëm donin që gjithsesi të eliminonin familjen Fanaj Mirëpo edhe Fanajt ishin të pathyeshëm dhe ishin gjithmonë kundër pushtuesit. Qysh në lëvizjet e para të UÇK-së, Fanajt u radhiten menjëherë të gjithë në Ushtrinë çlirimtare të Kosovës duke marrë pjesë në luftë për liri.
Albrim Fanaj u lind më 13 gusht të vitit 1987, në fshatin Vërmicë. Prindërit Zaim e Rrushadie Fanaj, në jetën e tyre bashkëshortore lindën dhe rritën: Albrimin, Bekimin dhe Flamurin. Shkollimin fillor e kreu në shkollën e fshatit Vërmicë “Heronjtë e Lumës”. Shkollën e mesme e vazhdoi në Prizren në, “Luciano Motrini” drejtimi i stomatologjisë. Ndërkohë kishte ndërprerë shkollimin dhe filloi të interesohej për radhitjen e tij në UÇK. Në lëvizjet e para të UÇK-së, bashkë më djemtë më të mirë të fshatit rreshtohen në UÇK, dhe marrin për detyrë furnizimin me armë për UÇK-ën, Albrimi me togën e Vërmices marrin rrugën për Shqipëri, ku furnizohen me armë tek komandanti Ruzhdi Saramati. Me 10 korrik 1998 duke u kthyer për në Kosovë bien në prit në vendin e quajtur Korednik të Pashtrikut.
Një ditë në Vermicë kishte arritur një skuadër kufitare e ushtrisë serbe, pas saj një tjetër, pastaj qindra ushtarë pushtues, kishin zënë pozicionet në shkurre e brigje, në gurina e pyje. Duke parë nga larg lëvizjen e luftëtarëve të lirisë, ata, në gjuhën serbe u bëjnë thirrje luftëtarëve të UÇK-së për t’ u dorëzuar. Pas britmës së serbëve, luftëtarët e lirisë, shkrepin një breshëri nga automatikët e tyre. Pastaj filluan luftimet e pabarabarta të luftëtarëve të lirisë së Kosovës kundër forcave shumëfish më të mëdha të armatës jugosllave.
Kjo britmë e luftëtarëve trima, Albrimit dhe Ylberit shpërtheu ne gjokset e skuadrës së bashkuar. Dhe ja në momentin kur skuadra serbe ishte në panik tek tërhiqej zvarrë. Te kodrina e “Staneve të Vërmicës”, u duk skuadra tjetër serbe mirë e armatosur, pastaj një skuadër tjetër me një oficer gjakpirës. Forcat pushtuese serbe shtoheshin. Ata vinin nga kazerma e Prizrenit me autoblinda. Në një nga veturat ishte edhe një gjeneralin serb.
Qëlloni mbi ta kur të afrohen hidhni granatat kishte thënë Albrimi. Armët e tyre villnin zjarr e mbillnin vdekje. Albrimi, Ylberi e luftëtarë të tjerë, godasin rreptë dhe pas çdo krisme mbetej një armik i vrarë apo i plagosur. Zjarri i armikut bëhet më i dendur. Nga baza e tyre e fortifikura mirë mitralojnë duke qëlluar pozicionet e njësitit të UÇK-së. Artileria e armikut kishte goditur nga baza kufitare ku më herët ishin pozicionuar forcat serbe. Plumbat bienin si breshëri. Çlirimtarët duke çarë rrethimin përjetësohen. Atp ditë bien në altarin e lirisë dëshmorët: Albrim Fanaj së bashku me Ylber Fanajn.
Rënia e Albrimit bëri jehonë shumë të madhe në ngritjen e moralit për liri sepse ishte ndër dëshmoret e parë të Prizrenit. Një ditë pas rënies të këtyre dëshmorëve, çetniket serb rikthehen në lagjen e Fanajve dhe Xhoxhajve duke i kërkuar prindërit e dëshmorëve të kombit, Ylberit dhe Albrimit, të cilëve nuk u mjaftoi që morën jetën e këtyre trimave por dëshiruan që t’ i pushkatonin dhe kryfamiljaret e tyre. Përveç torturave dhe maltretimeve që u bënë këtyre familjeve, dhimbja më e madhe për këta familjarë ishte sepse edhe pse e dinin që djemtë ranë heroikisht, ata nuk arritën dhe dy ditë t’ i marrin kufomat e tyre. Trupi i Albrimit prehet në “Kompleksin e Dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit. Familja e Albrimit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme dhe nga shoqata e organizata të tjera të dala nga lufta. (M. F.)

Kontrolloni gjithashtu

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 - 22.4.1999)

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 – 22.4.1999)

Fshati Mushtisht i komunës së Therandës shtrihet rrëzë Bjeshkëve të Sharrit dhe në luftën e …