kek
mbpzhr 2018
MIT
Airport Adem Jashari
Fillimi / Dëshmorët / Rexhep Rexhep Bislimi (13. 9.1966 – 21. 7.1998)
Rexhep Rexhep Bislimi (13. 9.1966 - 21. 7.1998)

Rexhep Rexhep Bislimi (13. 9.1966 – 21. 7.1998)

Në fshatin Stubëll e Poshtme të komunës së Vitisë  në kushte të rënda ekonomike po jetonte familja e Rexhep Havë Bislimi. Për shkak të këtyre kushteve ajo ishte detyruar të shpërngulej në Ferizaj,ku kryefamiljari, Rexhepi, do të gjej punë në një ndërmarrje ndërtimtarie dhe gjendja ekonomike e familjes do të përmirësohet paksa. Më 1996, prindërve Rexhepit dhe Havës, u lindi i biri Rexhepi. Rexhepi i ri u bë gëzimi i shtëpisë së familjes Bislimi.

Ai ishte nxënës i dalluar i shkollës fillore “Tefik Qanga” të qytetit. Po ashtu ai ishte i dalluar edhe si nxënës i shkollës ekonomike në Ferizaj. Ishte rritur në frymën e një edukate të shëndosh kombëtare. Bashkë me mësimet e përditshme shkollore ai po absorbonte edhe njohuritë mbi historinë e vjetër dhe të re të shtypjes të popullit shqiptar nga pushtues popullor, sidomos të atij serb. Një ndikim të veçantë në formimin e përfytyrimit për egërsinë e pushtuesit serb, te Rexhepi ishte shembulli i gjyshit te dajave Imer Hajredinit nga fshati Uglar i komunës së Gjilanit. Imeri si pjesëtar i lëvizjes së rezistencës kombëtare në përfundim të luftës së Dytë Botërore kishte marrë pjesë në betejat e udhëhequra nga strategu Mulla Idriz Gjilani. Imeri ishte vrarë në luftë kundër ripushtimit serb të Kosovës, më 1945. Në vazhdën e veprimtarisë kundër pushtuesit serb, ishte shquar edhe daja i Rexhepit, Osmani. Pas Pranverës kombëtare të Kosovës, më 1981, ai ishte`dënuar nga regjimi i Beogradit.

Këto rrethana, që më parë se familjare, kishin karakter kombëtar, për mendjen e Rexhepit kishin domethënien e qartë: se populli shqiptar nën ish – Jugosllavi ishte i robëruar dhe se detyrë e shtruar historike ishte çlirimi i tij. Prandaj, nuk ishte e habitshme që jo rastësisht, në ballinën e saj, revista beogradase NIN, pas demonstratave masive në pranverë të vitit 1981, boton pamjen e një demonstruesi fare të ri shqiptar nga Ferizaj. Ky i ri ishte Rexhep Bislimi, i cili atë kohë kishte vetëm 15 vjet.

Në vitin 1986, policia kishte rënë në gjurmët e grupit të organizuar të të rinjve nga Ferizaj, në radhët e të cilëve ishte edhe Rexhepi. Në këtë rast u arrestua edhe Rexhepi. Atë e arrestuan pjesëtaret e sigurimit jugosllav në Ferizaj, Sakip Kollari, nga Dibra dhe Ilmi Hyseni. Në mungesë të fakteve pas disa ditë arresti Rexhepi u lirua, por përcjellja policore  kundër tij u sforcua.

Ne vitin 1998, ai detyrohet ti përgjigjet thirrjes për shërbim ushtarak në armatën jugosllave, fillimisht dërgohet në Sombor të Vojvodinës. Pas disa muajsh shërbimi në këtë armatë, transferohet në Tuzëll të Bosnjës por atje së shpejti arrestohet, pasi në ndërkohë në Kosovë zbulohet rrjeti i veprimit të shokëve ilegal siç ishin Skënder Abdullahu nga fshati Ramjan i Vitisë, Ramadan Sejdiu dhe Jakup Nuhaj nga fshati Neredime, Afrim Agushi etj. Për veprimtari të organizuar kombëtare e cila atëbotë nga pushtuesi cilësohej si veprimtari irredentiste, në korrik 1989 nga Gjykata e qarkut në Prishtinë dënohet me dy vjet burg. Gjykata supreme e Kosovës, këtë dënim e zbriti në një vit burg, të cilin Rexhepi e vuajti në burgjet e Kosovës.

Pas daljes nga burgu, Rexhepi regjistron Shkollën e Lartë Teknike në Ferizaj, por veprimtarinë kombëtare në shërbim të lirisë së Kosovës nuk e pushon asnjëherë. Në vitet ’90, veprimtarinë ilegale e maskon duke kombinuar me atë legale, si anëtar i nën këshillit  për të drejtat e njeriut në Ferizaj.

  Me organizmin e njësiteve guerile të UÇK-së aktivizohet edhe Rexhepi. Në pranverë të vitit 1996 me ndërmjetësimin e Ekrem Jasharit kishte vënë lidhjet me Rexhep Selimin dhe Nait Hasanin. Nga këta udhëheqës kishte marr detyra të caktuara për shtrirjen e organizimit gueril në komunën e Ferizajt. Ishte formuar njësiti i parë i UÇK-së, në përbërje të të cilit ishin: Rexhep Bislmi, Vezir Jashari dhe Xhavit Gashi.

Me rastin e burgosjes së Nait Hasanit më 1997, Rexhepi disa ditë u largua nga shtëpia dhe shkoi në Shqipëri. Tashmë ai po angazhohej rreth çështjes së sigurimit të armatimit dhe mbante lidhje me pjesëtar të UÇK-së, të Zonës së Drenicës. Këto lidhje i mbante përmes: Ferat Shalës, Afrim Nuhajt dhe Idriz Hajdarit. Në këtë kohë filluan aksionet guerile në trevën e Ferizajt. Një aksion i tillë ku merr pjesë edhe Rexhep Bislimi kundër forcave të policisë më 12 shtator të vitit 1997 u krye në udhëkryqin e rrugëve Ferizaj-Shkup, Ferizaj Viti në fshatin Gërlicë. Njësiti ushtarak ku bënte pjesë Rexhepi dy sulme të tjera pas shpërthimit të luftës së armatosur në Drenicë i kishte kryer edhe brenda qytetit të Ferizajt mbi shtëpitë e dy punëtorëve të sigurimit serb. Aktiviteti i pandërprerë i tij bëri që të hetohej nga shërbimi sekret serb. Më 6 korrik të vitit 1998 derisa po udhëtonte në rrugën Ferizaj-Gjilan arrestohet nga krimineli, Nebojsha Gjorgjeviq nga Neredimja. Hetimet kundër tij zhvillohen në ndërtesën e sigurimit në Ferizaj prej nga transferohet në burgun e Gjilanit. Edhe atje kundër tij vazhdojnë tortura të tmerrshme. Më 15 korrik familja e tij nuk lejohet ta vizitoj. Rexhepi bie në gjendje kome dhe dërgohet në spitalin e Prishtinës. Më 19 korrik, familja e tij njoftohet se ai është në gjendje të rëndë dhe se për atë nevojitet gjak. Dy ditë më vonë, më 21 korrik, në orën 22.00, Rexhepi i mbyllë sytë përgjithmonë. Familja  e merr trupin e tij nga spitali i Prishtinës. Më 23 korrik varroset në varrezat e qytetit në Ferizaj. Funerali i tij u përcoll nga popullata liridashëse. Në shtator të vitit 1999 trupi i dëshmorit, Rexhep Bislimi u varros në varrezat e dëshmorëve në Ferizaj krah për krah dhjetëra shokëve të tij të idealit e të luftës të rënë në beteja.

Familja e dëshmorit Rexhep Bislimi, pas lufte ka marrë mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës me Fletë Nderimi. Manifestimi kulturor Flaka e Janarit, janar 2000, i ka akorduar dëshmorit Mirënjohje për trimëri e sakrificë. Po ashtu, Mirënjohje, më 14.12.1999 i ka dhënë edhe KMDLNJ, për kontributin në mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut.

Emri dhe vepra e dëshmorit Rexhep Bislimi i kanë dhënë krenari Brigadës 30 të xhenios, të TMK-së, me seli në Ferizaj, me emrin Rexhep Bislimi. Rruga kryesore e qytetit mban emrin e dëshmorit.

Heroizmi i dëshmorit, Rexhep Bislimi do të shkëlqej për jetë e mot si shembull i flijimit për atdheun e për lirinë e brezave. Lirinë e projektuar nga ai do ta shijojnë: Ardita, Fisniku e Lavdija, bashkëshortja Gjyzidja, motrat Kefserja e Tyrkenja, vëllezërit Xhelali e Kemajli dhe të gjithë shqiptarët liridashës. (Feniksët e lirisë)

Kontrolloni gjithashtu

Bislim Latif Zekolli (18.5.1953 - 23.8.1998)

Bislim Latif Zekolli (18.5.1953 – 23.8.1998)

Fshati Bllacë i komunës së Therandës është një fshat i lashtë me mbi 400 shtëpi. ...