Kujtim Shala

Kujtim Shala: Jam kundër koalicionit me LVV-në, deklarata e Kurtit për Prokurorinë është e rrezikshme

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, ka deklaruar se personalisht është kundër një bashkëpunimi të mundshëm me Lëvizja Vetëvendosje pas zgjedhjeve të 7 qershorit, megjithëse theksoi se vendimi përfundimtar i takon organeve të partisë. Shala kujtoi se LDK-ja nuk ka bashkëpunuar me LVV-në në dy palët e fundit të zgjedhjeve dhe se për këtë çështje ekziston një qëndrim i miratuar nga Këshilli i Përgjithshëm i partisë. “Unë kam qenë kundër dhe jam kundër. Por unë nuk e përcaktoj qëndrimin e partisë. Duhet të vendosë shumica, sikur edhe në rastet e tjera”, u shpreh ai. Shala komentoi edhe deklaratën e kryeministrit në largim, Albin Kurti, i cili kishte thënë se “Prokuroria s’është krejtësisht e pavarur”. Sipas tij, një deklaratë e tillë është shqetësuese dhe bie ndesh me parimet themelore të ndarjes së pushteteve në një shtet demokratik. “Është edhe budallallëk, edhe e rrezikshme. Sistemi i drejtësisë është një pushtet i veçantë që nuk ka lidhje as me ekzekutivin dhe as me legjislativin. Nuk ka asnjë rëndësi se çfarë mendojnë krerët e shtetit për kryeprokurorin apo drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, sepse ata zgjidhen nga mekanizma të tjerë kushtetues”, deklaroi Shala.

Kontrolloni gjithashtu

Joe Wilson: Deklarata e ministres serbe është e neveritshme, Beogradi s’duhet të organizojë sesionin e OSBE-së në 2027

Kongresisti republikan amerikan Joe Wilson ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, …