Përfaqësuesit e Komunave të Republikës së Kosovës në sesionin vjeshtor të Kongresit të Pushtetit Lokal dhe Rajonal në Strasburg

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, nënkryetari Imri Ahmeti dhe drejtori ekzekutiv Sazan Ibrahimi po marrin pjesë në sesionin e 51-të të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, që po mbahet më 27–29 tetor 2026 në Strasburg, duke përfaqësuar autoritetet lokale të Republikës së Kosovës.

Në kuadër të sesionit, përfaqësuesit e AKK-së, përveç takimeve tjera, zhvilluan një takim me Kryetaren e Kongresit, Gunn Marit Helgesen, dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Mathieu Mori.

Në takim u diskutua për “Raportin mbi zbatimin e parimeve të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale në Kosovë”, të prezantuar më 8 tetor 2026 në Prishtinë.

Vëmendje e veçantë iu kushtua gjetjeve dhe rekomandimeve të raportit, si dhe rëndësisë së tyre për forcimin e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës.

Përfaqësuesit e AKK-së vunë në pah se Asociacioni e përdor vazhdimisht Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale si dokument bazë në veprimtarinë e tij lobuese dhe avokuese për mbrojtjen e interesave të komunave.

Parimet e Kartës shërbejnë si referencë e përhershme në qëndrimet dhe kërkesat e AKK-së për respektimin e autonomisë lokale, mbrojtjen e kompetencave komunale dhe sigurimin e financimit të qëndrueshëm për komunat.

Pjesë e diskutimit ishin edhe situata aktuale e pushtetit lokal në Kosovë, bashkëpunimi i AKK-së me Kongresin, përkrahja e Kongresit për Asociacionin dhe komunat tona, si dhe mundësitë për thellimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Pjesëmarrja në këtë sesion është një mundësi e rëndësishme për të paraqitur perspektivën dhe sfidat e komunave të Republikës së Kosovës në diskutimet evropiane për demokracinë lokale, për të shkëmbyer përvoja dhe për të fuqizuar partneritetin me Kongresin.

Kontrolloni gjithashtu

U mbajt mbledhja e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF)

Nën udhëheqjen e kryesuesit të Kuvendit komunal të Deçanit, z. Hajdar Sutaj, u mbajt mbledhja …