Muaji Rozë përmbyllet me marsh ndërgjegjësues për luftën kundër kancerit të gjirit

Me rastin e përmbylljes së Muajit Rozë, stafi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Ferizaj, përfaqësues të institucioneve të tjera shëndetësore, nxënës dhe mësimdhënës të shkollave organizuan një marsh ndërgjegjësues nëpër qytet, me qëllim të promovimit të rëndësisë së parandalimit dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit.

Ky aktivitet kishte për qëllim përcjelljen e një mesazhi të qartë për të gjithë qytetarët: ndërgjegjësimi, kontrollet e rregullta dhe diagnostikimi i hershëm janë hapa thelbësorë në luftën kundër kancerit të gjirit.

Marshi shërbeu si një thirrje për solidaritet dhe përgjegjësi të përbashkët, duke rikujtuar rëndësinë e informimit dhe edukimit shëndetësor, si dhe nevojën për të inkurajuar gratë që t’i kushtojnë më shumë rëndësi shëndetit të tyre dhe të kërkojnë këshilla profesionale për kontrollet e nevojshme.

Gjatë këtij aktiviteti u theksua se kanceri i gjirit nuk prek vetëm gruan e diagnostikuar, por edhe familjen dhe rrethin e saj shoqëror. Për këtë arsye, krahas kujdesit shëndetësor, rëndësi të veçantë kanë mbështetja emocionale, mirëkuptimi dhe solidariteti me të gjitha gratë që përballen me këtë sëmundje.

Institucionet shëndetësore riafirmuan përkushtimin e tyre për të qenë pranë qytetarëve përmes informimit, edukimit shëndetësor dhe promovimit të masave parandaluese, me synimin që gratë të kenë qasje në këshillim dhe kujdes shëndetësor cilësor.

Në përfundim të marshit, drejtoresha e QKMF-së, përfaqësuesja e IKSHPK-së dhe koordinatorja e Zhvillimit të Vazhdueshëm Profesional (ZHVP) për infermierë shprehën mirënjohje dhe falënderim për profesionistët shëndetësorë, organizatorët, vullnetarët, partnerët institucionalë, nxënësit, mësimdhënësit dhe të gjithë pjesëmarrësit që kontribuuan në realizimin e këtij aktiviteti dhe të aktiviteteve të tjera gjatë Muajit Rozë.

Përmbyllja e Muajit Rozë shënon fundin e aktiviteteve të organizuara gjatë këtij muaji, por jo edhe të mesazhit të ndërgjegjësimit. Kujdesi për shëndetin e gjirit, informimi i drejtë dhe mbështetja e grave duhet të mbeten prioritet gjatë gjithë vitit.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi Komunal i Vitisë shqyrtoi pasqyrat financiare të buxhetit komunal për periudhën janar–shtator 2026.

Kuvendi Komunal i Vitisë ka mbajtur mbledhjen e dhjetë të rregullt në të cilën asamblistët …