Përkujtohet dëshmori i kombit Ali Murat Paçarizi, në 28-vjetorin e rënies

Sot u përkujtua dëshmori i kombit, Ali Murat Paçarizi, i cili ra në altarin e lirisë më 27 tetor 1998, në Dragobil. Ai ishte dëshmori i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga ky fshat dhe ra pas luftimeve të pandërprera që u zhvilluan në Dragobil dhe rrethinë, në një periudhë të rëndësishme të luftës çlirimtare.

Në 28 vjetorin e rënies së tij, u bënë homazhe dhe nderime pranë lapidarit në Dragobil, si dhe në Varrezat e Dëshmorëve në Malishevë. Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë familjarë të dëshmorit, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, me bashkëpunëtorë, përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Malishevë, të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, veteranë, bashkëluftëtarë të Aliut dhe qytetarë të tjerë.

Gjatë fjalimeve përkujtimore, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, dhe përfaqësuesi i OVL-së së UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, vlerësuan veprën dhe sakrificën e dëshmorit Ali Murat Paçarizi, si dhe të gjithë dëshmorëve të kombit. Ata theksuan se Aliu, ndonëse në moshë të re, iu bashkua radhëve të luftës çlirimtare dhe sakrifikoi jetën për lirinë e vendit.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe kontributit të Dragobilit gjatë luftës së viteve 1998-1999. Ky fshat dhe rrethina e tij u bënë pjesë e zhvillimeve të rëndësishme të luftës çlirimtare, duke përjetuar luftime të vazhdueshme dhe duke dhënë kontribut në përpjekjet për lirinë e Kosovës. Rënia e Ali Murat Paçarizit, më 27 tetor 1998, mbetet një nga ngjarjet e rëndësishme të kujtesës historike të Dragobilit dhe dëshmi e sakrificës së banorëve të këtij fshati dhe fshatrave përreth gjatë luftës.

Në fjalën e tij, kryetari Kastrati theksoi se përkujtimi dhe nderimi i dëshmorëve është obligim institucional dhe shoqëror, duke riafirmuar përkushtimin e Komunës së Malishevës për ruajtjen e kujtesës për luftën çlirimtare dhe sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit.

“ Nderimi për dëshmorët është obligim i yni si institucion. Prandaj, Komuna e Malishevës do të vazhdojë t’i nderojë dhe respektojë dëshmorët e kombit, sepse falë gjakut, veprës dhe sakrificës së tyre, ne sot jemi të lirë të punojmë, të ndërtojmë dhe ta zhvillojmë vendin, por edhe t’i përkujtojmë dëshmorët dhe gjithë sakrificën sublime të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ndër të tjera kryetari Kastrati.

Përkujtimet e tilla, si ky përkujtim sot për Ali Murat Paçarizin, shërbejnë edhe si thirrje për ruajtjen e kujtesës historike dhe përcjelljen te brezat e rinj të historisë së luftës çlirimtare.

Kontrolloni gjithashtu

Ministri, Hekuran Murati, kritikon Gjykatën Kushtetuese, sepse ia pezulloi vendimin e tij arbitrar

Thirrje Urgjente ministrit Murati: Zhbllokoni mjetet, mos e rrezikoni shëndetin e fëmijëve!

Kryetari i komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama i ka bërë thirrje publike Ministrit të …