Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka deklaruar se në mandatin e ardhshëm qeverisës prioritet do të jenë investimet në infrastrukturën hekurudhore, duke e konsideruar atë si një element kyç për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e prodhimtarisë në vend. Gjatë një tubimi zgjedhor në Besianë, Kurti tha se ndërtimi i autostradave dhe rrugëve magjistrale po shkon drejt përfundimit, ndërsa tani fokusi duhet të zhvendoset te hekurudhat, të cilat sipas tij kanë ndikim më të madh në zhvillimin industrial dhe ekonomik. “Në mandatin e ardhshëm do të përqendrohemi te hekurudhat. Autostradat i përfundojmë, por autoudhët dhe magjistralet janë përgjithësisht për makina individuale familjare, për vizitorë e turistë, për konsumatorë. Hekurudha është infrastruktura e prodhimtarisë, e neve na duhet të prodhojmë sa më shumë”, deklaroi Kurti. Ai theksoi se zhvillimi i rrjetit hekurudhor mund të krijojë kushte më të favorshme për transportin e mallrave, forcimin e sektorit prodhues dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë së Kosovës në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Sipas Kurtit, orientimi drejt projekteve hekurudhore përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt transformimit ekonomik të vendit dhe krijimit të një infrastrukture që mbështet zhvillimin afatgjatë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
