Besim Shyqri Sopa (4.12.1980 – 3.6.1999)

Besim Shyqri Sopa (4.12.1980 – 3.6.1999)

Besim Sopa u lind më 4 dhjetor të vitit 1980, në fshatin Gjyrkoc të komunës së Shtimes. Mësimet fillestare i mori në shkollën e fshatit ndërsa shkollën e mesme e kreu në Shtime. Babai i tij, Shyqriu, punonte në Zvicër dhe familjes i kishte krijuar kushte ekzistenciale, por edhe kushte për shkollim. Në kohën kur Besimi kishte kryer shkollën e mesme, Ushtria Çlirimtare e Kosovës po zgjerohej në të gjitha zonat. Në atmosferën e krijuar, ai nuk e mbante mendjen te vazhdimi i studimeve, por te qëllimi si do të kyçej në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 1 janar të vitit 1999, Besim Sopa ishte paraqitur në pikën e UÇK-së, në fshatin Risinoc, ku kishte shprehur gatishmërinë për t’i kontribuar luftës çlirimtare. Vetëm disa javë më vonë u sistemua në Njësitin Diversant-Vëzhgues, “Arbri”, në Pjetërshticë, fshat i trevës së Drenicës jugore. Këtë njësit e komandonte luftëtari Ilir Qeriqi nga Krojmiri.
Besimi ishte shumë i vëmendshëm dhe i disiplinuar. Krahas automatikut ai kurdoherë mbante afër edhe dy fletoret e tij. Në njërën fletore shënonte ngjarjet e ditës, si një lloj ditari lufte, ndërsa në fletoren tjetër, shënonte mësimet teorike si përdoren armët, si dhe mësimet lidhur me taktikat ushtarake. Gjatë kohës së qëndrimit në radhët e UÇK-së, edhe pse në kushte dhe rrethana lufte, Besimi ka shënuar në ditarin e tij zhvillimet që i kanë bërë më shumë përshtypje gjatë lëvizjeve të tij në fshatrat e trevës që nga Risinovci, Shala, Krojmiri, Pjetërshtica e Zborci. Besimi me bashkëluftëtarët e tij kryesisht vëzhgoi terrenin e mbuluar nga Batalioni “Ruzhdi Salihu” i Brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova”, në Kompleksin pyjor të Blinajës, prej fshatit Risinoc, deri në Krojmir, Pjerështicë, Zboc, Godanc e Carralevë. Gjatë luftës disa herë kishte vizituar familjen, për të cilën merakosej shumë, meqë kishte frikë se sapo policët serbë të kuptonin për angazhimin e tij në radhët e UÇK-së, do të mund të ushtronin dhunë e mizori ndaj saj.
Në ditarin e tij të luftës ai ka përshkruar aksionin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, më 21 maj të vitit 1999, kur Komandanti i Njësiteve “Tigrat e Zinj” Besim Mala me disa bashkëluftëtarë kishte depërtuar në depot e armatimit të ushtrisë serbe afër Magurës, me ç’rast ishin tërhequr qindra mina tokësore. Besimi përshkruan me përkushtim aksionin dhe nuk e fsheh dot gëzimin e tij për kryerjen me sukses të këtij aksioni, pa pësuar asnjë prej ushtarëve apo popullatës civile. Po atë natë, në ditar kishte shprehur edhe brengën që kishte pasur për familjen, por shoku i tij nga Nekovci, Shabani, i kishte treguar për vizituar që ia kishte bërë familjes së tij dhe të gjithë anëtarët ishin mirë.
Më 22 Maj, Besimi përshkruan rastin kur nga i nipi, Hajzeri, ishte informuar lidhur me vrasjen e Eminit, për të cilin ishte mërzitur shumë. Ai kishte ditur se ishte plagosur Ekremi, por nuk kishte ditur gjë për fatin e Eminit. Më pas përshkruan sesi me disa ushtarë kishte ndihmuar disa familje të depërtonin në Zonën e Neredimes, me ç‘rast gjatë kthimit kishte gjetur një minë me shënimet PMR 2a, të cilën e kishte deaktivizuar. Në ditët në vijim ai përshkruan pushimin te disa shokë në Grykën e Krojmirit, ku gjatë luftës ishin strehuar mijëra banorë të fshatrave përreth dhe më gjerë.
Në disa raste, në rrëfimet e tij përshkuan sesi me shokët e tij kishte vrarë edhe derra të egër për të zbutur mungesën e shprehur të ushqimit.
Më 27 maj përshkruan shkurtimisht luftimet në Blinajë, në relacionin Varigoc-Zllakuçan-Godanc, ku kishte pasur të vrarë e të plagosur në radhët e trupave serbe. Besimi kishte evidentuar faktin se luftimet kishin zgjatur rreth tetë orë. Po ashtu, në ditarin e tij, Besimi ka përshkruar edhe frikën e arsyeshme dhe të pranishme te të gjithë ushtarët e kësaj ane se nëse serbët do të depërtonin në grykat e maleve të kësaj treve ku ishin strehuar mijëra banorë, do të mund të përsëriteshin masakrat si ajo në Reçak, më 15 janar të vitit 1999. Në shënimet e tij për datën 28 maj 1999 përshkruan sesi ai me disa shokë me mina antitank kishte minuar vendin e quajtur “Vorri i Sefës” ku zakonisht depërtonin forcat armike.
Dita e fundit e ditarit mbanë datën, 1 qershor 1999. Atë ditë ai ndodhej në Krojmir së bashku me Komandantin e Njësitit “Arbri”, Ilir Qeriqin, si dhe me bashkëluftëtarët Sejdiun, Hesetin e Xhavitin me të cilët ka vëzhguar terrenin dhe në një vend të caktuar, në Zborc kanë vendosur një minë antitank, nga ato që pjesëtarët e UÇK-së i kishin rrëmbyer në kazermën serbe të municionit, në Magurë. Në rreshtin e fundit të ditarit ndodhen këto fjali: ”Pastaj jemi kthyer në bazë, vetëm unë me Xhavitin. Ndërkohë kishin pas ardhur edhe shokët e tjerë. Është ora 18:00 e mbrëmjes, po i dëgjoj disa të shtëna të herë pas hershme….”, përfundon ditari.
Më 3 qershor, në kohën kur forcat serbe të këmbësorisë kishin depërtuar në vende të caktuara në Blinajë, në rajonin e Zborcit, pjesëtarët e njësitit “Arbri” por edhe luftëtarët në pozicione të Batalionit “Ruzhdi Salihu”, si në çdo ditë tjetër ishin në gjendje lufte. Ditën e rënies së luftëtarit Besim Sopa e ka shënuar komandanti i Njësitit Diversant- Vëzhgues “Arbri” Ilir Qeriqi. Pasi Besimi kishte rënë dhe ishte tërhequr trupi i tij, ai kishte gjetur ditarin e tij, në fletën vijuese të të cilit kishte shkruar:
“Më 3 qershor të vitit 1999, toga jonë është ndarë në tri grupe për të kryer vëzhgimin. Njëri grup ka vajtur në Krojmir, në pjesën e fshatit, në Blinajë, tjetri në Grykën e Carralevës dhe grupi i tretë në fshatin Zborc. Ushtarët që ishin në Zborc, gjatë kthimit për në bazë dëgjojnë disa rafale armësh automatike në pjesën e poshtme të malit, në “Livadhin e Musojve”. Disa ushtarë serbë kishin depërtuar deri aty, me ç’rast është vrarë një ushtar i Batalionit, “Ruzhdi Salihu” dhe një tjetër ishte plagosur. Grupi i ushtarëve, që kishte qenë në vëzhgim, në Zborc (ku ishte edhe Besimi) ka vazhduar rrugën pa ditur gjë. Në pjesën e poshtme të pyllit, në afërsi të “Livadheve të Musojve” hasi në pritë të forcave armike, me ç’rast është hapur zjarr nga të dyja palët. Ushtarët tanë u ndanë në dy grupe, ndërkohë që dy ushtarë arritën në bazë dhe na njoftuan për zhvillimet. Menjëherë një grup i ushtarëve tanë është nisur për në vendin e ngjarjes me qëllim të kërkimit të katër bashkëluftëtarëve, për fatin e të cilëve nuk dinim gjë. Derisa kemi arritur në vendin ku kishte rënë luftëtari Besim Sopa, tri herë jemi goditur nga plumbat e forcës armike. Ndërkohë kemi gjetur trupin e Besimit të cilin e kemi tërhequr. Kemi kërkuar luftëtarët e tjerë që na mungonin, madje duke i thirrur me zë. Ndërkohë, ata kishin dëgjuar zërat tanë, pasi kishin mbetur me orë të tëra nën rrethim.
Në vendin ku ka rënë Besimi kemi gjetur gëzhoja automatiku, fakt ky që dëshmon se aty janë zhvilluar luftime, por nuk kemi të dhëna lidhur me humbjet e armikut. Trupi i Besimit është sjellë në Pjetërshticë. Gjatë natës i kemi bërë roje nderi. Të nesërmen, më 4 qershor, trupin e tij e kemi nisur në drejtim të Varrezave të Dëshmorëve të fshatit Kleçkë, ku edhe e kemi varrosur me nderime ushtarake”, – ka shkruar mes tjerash në shënimin e tij, komandanti i njësitit, Ilir Qeriqi.
Besimi ka lënë babain, Shyqriun, nënën, Sadijen, vëllain, Sulltanin dhe motrat Sebahaten, Valbonën, Lumnijen, Ajshen dhe Zejnepen.
Familja e dëshmorit Besim Sopa në Gjyrkoc, ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe nga shoqatat e dala nga lufta. Afër shkollës së fshatit është vendosur lapidari me emrin e dëshmorit, ndërsa rruga e fshatit që lidhet me rrugën magjistrale Shtime – Lypjan, mban emrin e dëshmorit, Besim Sopa. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …