Fahri Nazmi Bici (6.7.1979 - 2.7.1998)

Fahri Nazmi Bici (6.7.1979 – 2.7.1999)

Në fshatin Godishnjak të Besianës, më 6 korrik të vitit 1979, u lind Fahri Nazmi Bici. Mësimet e para i mori në shkollën “Afrimi e Fahriu” në fshatin Lluzhan. Shkollën e Mesme Ekonomike e regjistroi në Besianë, por e ndërpreu për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së.
Fahriu ishte fëmijë inteligjent dhe qysh në fëmijëri vërehej se kishte kurajo dhe vullnet të hekurt për të kryer punët që i niste. Në shkollën fillore të Lluzhanit ishte ndër nxënësit shembullor dhe me të drejtë si familja ashtu dhe mësimdhënësit pritnin shumë nga ai. Gjithnjë me sukses shembullor nisi edhe shkollimin e mesëm, të cilin e la një ditë, për ta zëvendësuar librin me pushkën e lirisë.
Veprimtaria e tij për çështjen kombëtare merr hov që nga demonstratat e 1 tetorit 1997 që edhe Fahriu ishte pjesëmarrës aktiv.
Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e shtoi edhe më shumë entuziazmin revolucionar të Fahriut. Ai pa u hamendur kishte marrë në duar pushkën e lirisë dhe në qershor të vitit 1998 ishte sistemuar në radhët e UÇK-së.
Kontaktet e para me UÇK-së i pati në fshatin Bajgorë, atje ku edhe i kreu një pjesë të ushtrimeve ushtarake. Pastaj Fahriu sistemohet në fshatin Buricë në njësitin “Ujku” ku edhe kryen pjesën tjetër të ushtrimeve. Pjesëtar aktiv i UÇK-së Fahriu është bërë më 3 gusht 1998.
Përpos angazhimit në radhët UÇK-së familja e dëshmorit e ka ndihmuar UÇK-së duke i dhënë edhe disa armë që i posedonin dhe të cilat i përdorën luftëtarët trima në betejat kundër armikut.
Pas strukturimit të Zonës Operative të Llapit Fahriu është caktuar komandant i njësisë kundërajrore në togun “Ulpiana-42”, Batalioni i Parë i Brigadës 151 “Zahir Pajaziti” të Zonës Operative të Llapit.
Në strukturimet e më vonshme të kësaj zone, Fahriu si ushtarak i dalluar në luftime është zgjedhur në njësitin elitë të Batalionit të Pestë gardist si ndihmës komandant i togut. Me armën e tij të tipit “Gulinov” të cilën e donte më shumë se çdo gjë, ai në çdo aksion luftarak u kishte shkaktuar dëme të mëdha forcave të armikut.
Bashkëluftëtarët e Fahriut ishin të shumtë. Më shpesh shoqërohej me Avni Dudin, me të cilin nuk u ndanë deri në rënien e tyre bashkërisht. Pastaj edhe me bashkëluftëtarët dhe Bahri Selimi, Fitim Islami, Fitim Zullufi, Safet Përvetica, Ilir Latifi e të tjerë.
Ka marrë pjesë në shumë beteja në Llap të zhvilluara kundër okupatorit serbo sllav. Ishte pjesëmarrës edhe i betejës së parë të ZOLL- it, e njohur si “Beteja e Kaqanollit”. Hordhitë serbe, më 15 shtator 1998 ia mësyn që të depërtojnë në Shalë të Bajgores nëpërmes të fshatit Gegaj (ish-Dobratin) mirëpo pjesëtarët e UÇK-së ishin në Rrafshnaltën mbi Gegaj, në Qafën e Kaqnollit. Aty i prisnin forcat e okupatorit, të cilat për tri ditë me radhë nuk u lejuan të depërtojnë depërtojnë në ato male. Në mesin e këtyre luftëtarëve të lirisë ishte edhe Fahri Bici. Ndonëse ushtar i ri, ai nuk dinte të zbrapsej por sa mundte shfrynte mllefin mbi forcat e okupatorit. Forca të mëdha serbe për tri ditë me radhë me 15, 16 dhe 17 shtator 1998, me një arsenal të madh të armatimit patën sulmuar pozicionet e UÇK-së në “Qafën e Kaqanollit” aty ku bashkohet Llapi me Shalë. Beteja e Kaçanollit me të cilën do të krenohemi gjithmonë është një nga fitoret më të mëdha të UÇK-së, jo vetëm në planin ushtarak por edhe atë moral. Kjo fitore e UÇK-së erdhi në një moment shumë të rëndësishëm dhe nga fitorja apo humbja e kësaj beteje varej shumë. Këtu u sprovuan shumë luftëtarë të lirisë, për të cilët ishte beteja e parë e hapur, ballë për ballë me armikun shekullor. Fahriu edhe në këtë betejë tregoi trimëri dhe shembull sesi duhet të luftohet për lirinë e atdheut.
Ishte ishte pjesëmarrës edhe në betejat tjera të lavdishme të UÇK-së të ZOLL-it, që u zhvilluan në Llapashticë, që njihen si “Betejat e Tabeve të Llapashticës”. Ai vend, tashmë shumë i njohur i historisë sonë më të re, ishte fole dhe fortifikatë e UÇK-së. Aty prej 15 shtatorit 1998 deri më 24 mars 1999 u thyen me dhjetëra ofensiva serbe që mësyn pozicionet e UÇK-së.
Në Betejën e 24 dhjetorit të vitit 1998, që është ndër betejat më të njohura në këto anë, ku ishte pjesëmarrës edhe Fahri Bici, u shua miti se ushtria serbe është e pamposhtur. U tregua se UÇK-ja ishte bërë faktori kryesor, i cili do të shpinte drejtë realizimit të synimeve tona shekullore. Kjo fitore erdhi me shumë sakrifica.
Pos këtyre dy betejave të njohura Fahri Bici, mori pjesë edhe në dhjetëra beteja të tjera të zhvilluara anekënd Llapit. Mori pjesë në betejat e njëpasnjëshme që u zhvilluan në periudhën janar – mars 1999, në Llapashticë, Katunishtë, Bradash e në fshatra tjera të Llapit. Fahriu mori pjesë edhe në shumë aksione guerile, aksione këto të cilat i ka organizuar Batalioni i Pestë Gardist.
Fahri Bici është vrarë pas luftës aksidentalisht nga prestarët e KFOR-it bashkë me shokun e tij të pandarë, Avni Dudi. Ata ranë prapa Teatrit Kombëtar në Prishtinë, më 2 korrik të vitit 1999 derisa ishin në kryerjen e një detyre të rëndësishme.
Në kohën e rënies ka qenë Ndihmës komandant i togut me gradën toger, ndërsa më vonë Shtabi i Batalionit të Pestë Gardist ka propozuar që të gradohet me gradën major.
Më 11 korrik të vitit 1999 në fshatin e lindjes, në Godishnjak të Besianës është bërë varrimi i Fahri Bicit me ceremoni ushtarake madhështore.
Nga familja e gjerë e Fahriut në luftën e fundit ka rënë edhe kushëriri i tij, Esat Berisha.
Fahriu kishte moral të lartë për luftë kundër armikut. Këtë e kultivonte edhe te shokët e luftës dhe gjithherë për shoqëri ishte i disponuar.
Në shenjë përkujtimi i është ngritur pllaka përkujtimore në vendin e rënies prapa Teatrit Kombëtar në Prishtinë.
Fahriu pas vetes ka lënë: nënë Xheziden, vëllezërit: Shabanin, Bajramin, Naserin, Beratin, Besnikun, Nysretin dhe motrat: Bastrien e Shyhreten. Për jetën dhe veprën e Fahriut janë botuar shkrime dhe janë shfaqur dokumentarë televiziv në mediumet e shkruara dhe elektronike të vendit.
Përpos propozimit për gradën major është dekoruar me dekorata dhe mirënjohje nga SHP i UÇK-së të ZOLL-it, SHFD dhe institucione tjera. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …