Kosova pritet të humbasë mbi 40 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për shkak të moszbatimit të një pjese të reformave të parapara brenda afateve të caktuara. Kështu ka bërë të ditur kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, i cili tha se gjashtë nga 13 hapat që kishin afat shtesë deri më 30 qershor nuk janë përmbushur plotësisht. Sipas tij, shumica e reformave të mbetura lidhen me miratimin e ligjeve në Kuvend, përfshirë legjislacionin për energjinë, drejtësinë, inovacionin dhe luftimin e korrupsionit. Zulfaj theksoi se vlera e saktë e mjeteve që mund të humben do të përcaktohet nga Komisioni Evropian, ndërsa fajësoi bllokadën institucionale dhe mosfunksionimin e Kuvendit për vonesat në përmbushjen e obligimeve. Pavarësisht kësaj, ai tha se dhjetëra reforma të tjera mbeten në proces zbatimi dhe se Kosova do të vazhdojë angazhimin për të përfituar maksimalisht nga fondet e BE-së.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
