BE-ja kërkon konsultim për çdo ndryshim të Ligjit për Specialen: Mandati dhe pavarësia e Gjykatës duhet të respektohen

Bashkimi Evropian ka kërkuar të konsultohet për çdo nismë që synon ndryshimin e legjislacionit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke rikujtuar se mandati dhe pavarësia e këtij institucioni gjyqësor duhet të respektohen plotësisht. Qëndrimi i Brukselit vjen pas nismës së re të PDK-së dhe Qeverisë së Kosovës për hartimin e një ligji të ri për Gjykatën Speciale, i cili pritet të mbështetet në tekstin e ligjit ekzistues, të miratuar në dy lexime gjatë tetorit të këtij viti. Një zëdhënës i Bashkimit Evropian ka bërë të ditur se ky zhvillim po përcillet nga afër, ndërsa ka kërkuar respektimin e pavarësisë së Dhomave të Specializuara. “Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, që funksionon brenda sistemit juridik të Kosovës dhe është i përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës. Mandati dhe pavarësia e tyre aktuale duhet të respektohen plotësisht dhe pa asnjë rezervë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit evropian. BE-ja i është referuar edhe shkëmbimit të letrave të vitit 2014 ndërmjet Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian dhe presidentit të atëhershëm të Kosovës, duke rikujtuar obligimin për konsultim lidhur me çdo iniciativë të re legjislative që prek këtë fushë. “Ne presim që të konsultohemi për çdo iniciativë të re që ndryshon legjislacionin”, ka theksuar zëdhënësi. Në të njëjtën përgjigje, Bashkimi Evropian ka vënë në pah se sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e viktimave dhe dëshmitarëve, mbeten çështje me rëndësi parësore.

Kontrolloni gjithashtu

Ramë Buja nuk përjashton angazhimin në drejtimin e PDK-së, por thotë se nuk ka pasur ftesë konkrete

Ish-ministri dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, është deklaruar lidhur me mundësinë …