Ish-ministri dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, është deklaruar lidhur me mundësinë që të jetë kandidat për kryetar të kësaj partie, pas dorëheqjes së Bedri Hamzës nga drejtimi i PDK-së. Buja është njëri nga emrat që janë përmendur në diskutimet për drejtimin e ardhshëm të partisë, e cila në muajt në vijim pritet të mbajë Kuvendin Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të ri. “Unë nuk e kam menduar ndonjëherë që mund të jem në një post, detyrë apo obligim të tillë, por unë kam qenë i ngarkuar gjithmonë që të kontribuoj për atë të mirë që mund t’i vijë vendit. Për ftesë konkrete nuk mund t’ju them gjë”, ka deklaruar Buja. Deklarata e tij nuk paraqet as konfirmim të kandidaturës dhe as tërheqje të prerë nga mundësia për të marrë pjesë në garën e brendshme partiake. Pas dorëheqjes së Bedri Hamzës, PDK-ja përballet me një proces të rëndësishëm për përcaktimin e drejtimit të saj politik dhe organizativ. Zgjedhja e kryetarit të ri pritet të jetë vendimtare edhe për mënyrën se si partia do të pozicionohet në raport me zhvillimet politike dhe sfidat e ardhshme.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
