Xhelal Bajram Hajda - Toni (19.07.1967 - 6.11.1998)

Xhelal Bajram Hajda – Toni (19.07.1967 – 6.11.1998)

Xhelal Bajram Hajda, i njohur si ’’Kolonel Toni’’ si ’’Komandant Toni’’ e si ’’Toni’’ është i lindur më 19 korrik të vitit 1967. Ishte ’’sugar’’ i nënë-Xhylës e cila kishte gjashtë fëmijë, pesë djemë dhe vetëm një vajzë. Edhe Hajdët e Rahavecit, por edhe dajallarët, Hotët e Krushës së Madhe ishin të njohur për pjesëmarrjen e tyre aktive në të gjitha format e rezistencës që organizohej kundër pushtuesit serb, kishin rënë në altarin e lirisë pa u mbetur gjurmë as varr e as nishan. I ati, Bajram Hajda, ishte i biri i Sinanit të Xhelës nga zjarri i Halitit të njohur si Halit Hajda e Halit Aga. Edhe Sinan Hajda ishte vrarë e zhdukur nga dora serboçetnike sllavokomuniste si pengesë për ndërtimin e ardhmërisë së Kosovës serbe e jugosllave. Kështu Bajrami herët mbeti pa të anë duke bartur mbi kurrizin e vet fëmijëror varfërinë, nga njëra anë, dhe të kaluarën e hidhur e të padëshirueshme për pushtetin e kohës i cili për t’i thyer Hajdët moralisht i denoncon herë pas herë sipas etiketimeve që bëheshin dhe grackave që ua montonte pushteti serbokomunist. Që t’u shmanget këtyre grackave, Bajram Hajda i lodhur ekonomikisht me konfiskime e moralisht me denoncime të ndryshme detyrohet që disa herë të ndërrojë lagjet derisa largohet në fund të Rahavecit, në një fushë bri aksit rrugor Rahavec-Xërxë.

Në këtë ’’Lagje të Re’’ lindi edhe Xhelali prandaj këtu ’’larg rrëmujës e rrëmetit’’ edhe kaloi një fëmijëri të rehatshme, duke dëgjuar rrëfimet e të et për vuajtjet e familjes Hajda, për vuajtjet e rahavecasve dhe këngët për trimëritë e të parëve të familjes Hajda e Mullabazi. Kështu, duke dëgjuar për të kaluarën heroike, duke u kujdesur që t’i ndihmonte të et dhe vëllezërve në punët bujqësore, Xhelal Hajda mbaron shkollën fillore në Rahavec duke udhëtuar nga 12-15 km në ditë. Në këtë qytet fillon t’i ndjekë mësimet në gjimnazin që sot mban emrin e tij, por me që më 1983 i vdes i ati, Xhelali braktis mësimet në gjimnaz dhe si fëmijë përplaset me valët e Oqeanit të Mërgimit, duke i kaluar vitet më të bukura të rinisë larg vendlindjes, në fillim nëpër Kroaci e Slloveni, e më vonë në Zvicër, Gjermani e Itali. Shkollën e mesme e mbaroi në Rijekë të Kroacisë, kurse për të punuar, i bie kryq e tërthuar Likës e Kordunit me vendqëndrime në Gospiq, Shibenik, Split e në Rijekë.

Si i ri dhe tejet dinamik, përherë mbetet kundërshtar i ligjeve jugosllave, prandaj edhe shpesh arrestohet dhe pas ,,vlerësimit të të gjitha rrethanave’’, i shqiptohet dënimi me vuajtje në burgim e në kohëzgjatje prej 5 vjetësh, afat ky të cilin Xhelali e kalon nëpër kazamatet jugosllave të Goli Otokut, të Lepogllavës, të Splitit e të Shibenikut. Në Burgun e Lepogllavës u njoftua me Adem Demaçin për të cilin kishte respekt të veçantë. Pas vuajtjes pesëvjeçare të dënimit vendoset në Gospiq të Likës Kroate dhe këtu e gjeti lufta e popullit kroat kundër hordhive serbe, të cilat nën udhëheqjen e kapetan Draganit dhe të komandant Arkanit, sipas projekteve të Milan Martiqit bënë masakra në Kroaci. Në këto betejat Kroate Xhelal Hajda me emrin Xhevat Hajda, tashmë është me Fehmi e Xhevë Lladrofcin, me Bekim Berishën-Abenë, me Gëzim Hamzën-Piktorin, me Safet Abdullahun me Naim Malokun e Agim Çekun, ndërsa vazhdon të bashkëveprojë me Ton Markun, por edhe me shumë luftëtarë të tjerë që luftuan për lirinë e popullit kroat e boshnjak. Mori pjesë së bashku me Gëzim Hamzën-Piktorin dhe Safet Abdullahun në ofensivat ’’Bljesak’’ dhe ’’Oluja’’ çka u shpërblye me ’’Dekoratën Oluja’’.

Pas ndezjes së rezistencës së armatosur, pas ’’Flakës së Prekazit’’, më 6 mars të vitit 1998, Xhelal Hajda vendos t’i gjegjet Kosovës dhe Prekazit legjendar. Braktis Kroacinë dhe Gospiqin e Likës, u bashkohet shokëve të luftës kroate dhe luftëtarëve të tjerë që vinin nga diaspora dhe kështu të gjithë për një, marrin rrugën për Shqipëri. Në aeroportin e Rinasit takohet me Naim Malokun i cili duke i njohur raportet e Xhelal Hajdës me Ton Markun si dhe rekomandimin e Ton Markut, e ripagëzoi me nofkën ’’Toni’’ dhe e udhëzoi që me grupin e parë, i cili do të futej në Kosovë, të depërtojë edhe Xhelal Hajda-Toni. Pasi që grupi për nisje ishte i përgatitur (Mehedini e Naser Morina prej Gllareve, Bedri Shala, Maliq Ndreca, Ajet Potera e shumë shokë) rrugëtohet për në Has në mënyrë që të pajisen me teknikë. Kështu Xhelal Hajda njoftohet edhe me Komandant Plakun (Xheladin Gashin) e më vonë edhe me Haki Drenicën. Vlahna dhe Cahani bëhen edhe dy çerdhe të rëndësishme të logjistikës, prandaj nisja duhej të ishte urgjente sepse çdo vonesë për Tonin dhe grupin bëhet e pakuptimshme, e paqartë dhe zbehëse për aspiratat që i kishte. Të gjithë dëshironin që sa më shpejt të futeshin në Kosovë pasi që kishin bërë studime të hollësishme e të rëndësishme të terrenit përreth kufirit, sidomos pasi i kishte njohur mire fshatrat: Zogaj, Helshan, Golaj, Kalimash, Shënmëri, Shikaj, Gjinaj, Tregtan e Krumën si qendër për Vlahën e Cahan, si arterie për komunikime të mëtejshme krahas korridorit Bajram Curr-Rrasë e Zogut-Gllogjan.

Hyrja në Kosovë ishte imperativ pasi që sorrollatjet nëpër Shqipëri, në emër të përgatitjeve dhe të stërvitjeve të gjata e pengonin këtë dragua, këtë ,,djalosh të lindur me kamishë’’, prandaj Toni braktisi Shqipërinë, theu Pashtrikun Plak dhe arriti në Gllogjanin e Haradinajve në mënyrë që të sistemohet në Shqiponjën e Agim Zenelit dhe kështu të fillojë karriera luftarake e Xhelal Hajdës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ditët e para të pranverës së vitit 1998 për Rrafshin e Dukagjinit, në përgjithësi, për Gllogjanin e Shqiponjën, në veçanti, e së andejmi edhe për Kullën legjendare të Haradinajve, pas Luanit të mbetur në Qafë-Mullar, janë të vështira nga se tashmë ishte hartuar plani që të përsëritet Prekazi, të rrënohet Kulla e Qëndresës e të plandosen përdhe: Ramushi, Dauti, Shkelzeni e Enveri, të gjithë të fokusuar përherë nga pushteti serb. Xhelal Hajda arrin në Rrafshin e Dukagjinit pikërisht në momentin e fillimit të thyerjes së mitit serb mbi pathyeshmërinë e ushtrisë jugosllave dhe të forcave policore serbe me strukturat paramilitare sekrete të sigurimit publik së bashku me qytetarët e armatosur serbë, ose në ditët e ’’Ngjalljes Shqiptare’’ pas decenies amullore të pacifizmit, dhe gjendet në krye të shokëve e në ballë të luftës në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit, në qendrat Gllogjan e Shqiponjë (ish-Jabllanicë), gjendet me Haradinajt, me Maliq Ndrecën me Fadil Nimanin (Tigrin) e me Alush Agushin.

Në pikat më të nxehta luftarake, Toni harton strategjinë e bazuar në konceptet empirike të taktikës për operacionet në fshatrat e Rrafshit të Dukagjinit me pikat përreth në mënyrë që luftëtarët e lirisë të përballen me fuqinë më të madhe ushtarake të Ballkanit e cila tërë mllefin për humbjet në linjat frontale do ta zbraste mbi popullatën e pafajshme civile, taktikë kjo të cilën Toni e njihte nga masakrat nëpër fshatrat e Likës, ndërsa ishte në luftërat e Kroacisë. Dhe nuk u thye shpirtërisht as kur më 24 mars i ra heroikisht bashkëluftëtari Himë Haradinaj i Gllogjanit, por as kur dëgjonte për fërkimet eventuale e për defetizmin e dështakëve. Komandanti Ramush Haradinaj, me të hetuar aftësitë strategjike që kishte Toni, e angazhoi në vendin e Shefit të Operativës dhe kështu Xhelal Hajda-Toni është i pranishëm në Shqiponjë e në Gllogjan.

Gjatë rrugëtimeve të shpeshta për në Shqipëri përfitonte nga përvoja dhe njohuritë që kishin ekspertët e armatës shqiptare, prandaj më 20 prill të vitit 1998, e fillon luftën e parë frontale së bashku me Fadil Nimanajn-Tigrin e Dushkajës dhe sulmojnë armatën jugosllave në Dinën e Liqenit të Radoniqit ku u luftua katër ditë në mënyrë të pandërprerë. Beteja më e lavdishme e këtyre ditëve mbetet Beteja në Sukën e Cermjanit. Në fundin e prillit Xhelal Hajda-Toni, nëpërmjet Shqiponjës, Alush Agushit dhe Rexhep Selimit realizon kontaktet e para me Selajdin Mullabazin-Micin që gjendej në Açarevë e Likoc. Të dytë, së bashku, me ndihmën e Rexhep Selimit e të Sokol Bashotës tentojnë që t’i afrohen Rahavecit. Kështu në javën e parë të majit të vitit 1998 Toni e Mici janë në Drenoc të Anadrinit dhe kështu definitivisht i afrohen Rahavecit, njëri duke zbritur nga Prekazi legjendar Ceravikut e tjetri nga Gllogjani i Haradinajve nëpërmjet Shqiponjës dhe Toni e Mici bëhen dy emra, por një legjendë.

Më 8-9 qershor të vitit 1998, Xhelal Hajda-Toni, Selajdin Mullabazi-Mici dhe Gëzim Hamza-Piktori, me ndihmën logjistike të Ismet Tarës-Hoxhës, formojnë Shtabin Operativ Lokal për Batalionin e Rahavecit. Selia e Shtabit ishte Shkolla fillore e fshatit Astarzup, prej nga fillojnë edhe të gjitha aktivitetet konkrete për zgjerim e shtrirje në drejtim të Rahavecit, buzë aksit rrugor Malishevë-Rahavec, deri në ’’Arat e Dulës’’, ’’Kërsh të Keq’’ përkatësisht Majën e Vranstinës, tash Maja e Shkodranit. Këtu transferohen luftëtarët e parë, të kyçur në Drenoc e në Drenicë: Hamdi Mullaliu-Rrushi, Luan Kleçka, Nazim Mushla, Fatmir Isma, Mehedin Isma, Skënder Shulina e Gëzim Hamza-Piktori por këtyre do t’u bashkohen në Astarzup edhe 100 luftëtarë të Lirisë.

Prej Shkollës fillore të Astarzupit, Shtabi i Xhelal Hajdës-Tonit kalon në ’’Kërshin e Keq’’ dhe vendoset në ’’Lugun e Kërshit të Keq’’, ndërsa për rregullimin e infrastrukturës dhe një adaptim për nevojat e luftëtarëve, përkujdesej Gëzim Hamza-Piktori. Xhelal Hajda-Toni, komandonte me ’’Fluturimet e Dallëndysheve’’ (Kompania e logjistikës), koordinonte pritjen e tyre në Shqiponjë, vazhdimin kah Gllogjani dhe përcjelljen për në Junik e Bajram Curr. Komandant Toni karakterizohej me aftësi të jashtëzakonshme operative dhe kooperative. Kishte një zotësi për punë ekipore; i liruar prej karrierizmit dhe egoizmit ushtarak dhe mbeti përherë i ushqyer me një altruizëm të pashoq, prandaj edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës u zhvillua shumë shpejt me shtrirje prej fshatrave të Anadrinit në drejtim të fshatrave të Hasit e të Dushkajës dhe kështu u sajua korridori logjistik nëpër kanionin e Remnikut dhe të Zhdredhës. Xhelal Hajda përkujdesej për ruajtjen e kanaleve që e lidhnin Anadrinin me Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit, ndërsa Selajdin Mullabazi-Mici me ruajtjen e linjave nëpër Malishevë-Kijevë-Ceravik e Açarevë, kështu në garnizonin e batalionit ’’Arti’’ zënë të vinë luftëtarët e Rrafshit të Dukagjinit dhe të Llapushës.

Më 17 korrik të vitit 1998, Beteja e Rahavecit, Xhelal Hajdën-Tonin e zë në detyrat logjistike, prandaj me të marrë këtë lajm niset nëpërmjet Bajram Currit që t’i afrohet Gllogjanit e së andejmi edhe Rahavecit, por arrin pas tërheqjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbi Rrasat e Rahavecit, në drejtim të ’’Kërshit të Keq’’. Në fshatin Dragabil takohet me luftëtarët dhe së bashku me komandantët e formacioneve: ’’Lumi’’, ’’Çeliku’’, ’’Guri 3’’, ’’Pëllumbat’’ dhe me njësitet për intervenime të shpejta, strukturon istikamet në ’’Lugun e Shqipeve’’ më 25 Korrik të vitit 1998 ku thehen forcat serbe dhe zbrapsen në Rahavec. Toni e merr sërish Majën e Shkodranit dhe synon Rahavecin.

Deri më 2 gusht të vitit 1998, Xhelal Hajda-Toni synon të marrë sërish Rahavecin, prandaj prej Malisheve zbret edhe një herë në fshatrat e Anadrinit, vendoset në fshatin Hoçë e Vogël dhe depërton deri në Rrihjet e Rahavecit duke shfrytëzuar Shpatijet e Hamocit dhe Rrapishtet. Mirëpo, me batalionin e shpartalluar dhe me një logjistikë tashmë të dobësuar nuk ia arrin, prandaj vendos që sërish ta aktivizojë sektorin e logjistikës dhe depërton në Shqipëri për t’u riarmatosur. Me t’u pajisur mirë braktis Vlahnën e Cahanin dhe më 21 shtator të vitit 1998 Xhelal Hajda së bashku me Selajdin Mullabazin gjendet në Qafë-Mullar të Pashtrikut dhe së andejmi hap pas hapi zbret në fshatrat: Kushnin, Romajë, Rogovë dhe me të kaluar të Drinit të Bardhë me ushtarët e Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit dhe me një pjesë të ushtarëve të Batalionit të Rahavecit ku vendoset në fshatin Piranë, në familjen e Vëllezërve Elshani ( të bijëve të Rufat Elshanit) dhe kështu merr kontroll mbi aksin rrugor Prizren-Gjakovë, veçanërisht pjesën prej Tyrbes së Krushës së Vogël deri te Plepat e Celinës. Së këndejmi pretendon që të zgjerohet kah Celina, Rrapishtet, Hamocet dhe Rrihjet e Rahavecit, mirëpo për disa ditë vendoset në Krushën e Madhe e pastaj kalon me të gjithë luftëtarët në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit dhe sërish është me Ramushin, Dautin, Shkelzenin, Maliqin, Togerin e Malën, sërish është në Shqiponjën e Agim Zenelit. Mirëpo në fshatrat Krushë e Madhe, Nagac, Celinë, Fortesë, Hoçë e Vogël, Brestos, Zaçisht, Apterushë, Reti e Samadraxhë, veç kishte rifilluar veprimi i luftëtarëve të Lirisë, prandaj Xhelal Hajda e Selajdin Mullabazi kthehen në fshatrat e Anadrinit dhe në Nagac (ndërmjet Krushës së Madhe e Hoçës së Vogël) fillon konsolidimin e radhëve, kurse për vendin ku do të kazermohet serish Ushtria Çlirimtare të Kosovës, zgjedh fshatin Reti, jo larg Rahavecit e jo larg Hoçës së Madhe, të mbushur përplotë me paramilitarë të çfrenuar, të vendosur nëpër Kishat e Hoçës së Madhe.

Në Reti fillon konsolidimi i radhëve të të katër batalioneve të Brigadës 124 ’’Gani Paçarizi’’ (i Drinasit, i Drenocit, i Rahavecit dhe i Lugut të Brestosit) dhe kështu fillon aktiviteti i tërë Brigadës 124 ’’Gani Paçarizi’’ në krye të të cilës ishin Mahir Hasanaj, epror e komandant i brigadës e Xhemali Gashi, zëvendës-komandanti. Xhelal Hajda-Toni e Selajdin Mullabazi-Mici nuk pushojnë aktivitetin në logjistikë dhe dërgojnë grupe për t’u riarmatosur, mirëpo edhe ndërmarrin aksione guerile si në aksin rrugor Prizren-Gjakovë ashtu edhe në rrugën Xërxë-Malishevë nëpër Rahavec. Kështu, në analet e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbetur aksionet guerile si: Sulmi te Ura e Bërnjakës, Sulmi te Ura e Bardhasë, Sulmi të Kryqi i Aliagës, Beteja e Izbishtës, Sulmi te Llazet e Qëndresës (ish-Randubravës) aksionet rreth pritjes së grupeve të armatosura që e thenin Pashtrikun dhe luftimet e tjera.

Tonin e Micin, si strategë, i karakterizonte konspiracioni, prandaj planet dhe itinerarët e udhëtimeve nuk ia komunikonin askujt, por çdo gjë ndërmerrnin pasi të jenë konsultuar mirë reciprokisht dhe pasi t’i kenë përpunuar mirë të gjithë parametrat ushtarakë. Forcat serbe të stacionuara në fshatrat: Hoçë e Madhe, Zaçisht e nëpër Rahavec bënin përpjekje të njëpasnjëshme për të depërtuar në Reti, për ta rrethuar Retinë e ta zënë gjallë Tonin e Micin. Pas dështimeve dhe thyerjeve totale të forcave serbe në fshatrat e Lugut të Brestosit dhe në Fushat e Izbishtit, serbët shfrytëzojnë ’’Armëpushimin e Tetorit’’ dhe arrinë në fshatin Apterushë madje edhe vënë nën kontroll rrugën makadame prej Rrihjeve të Rahavecit deri në Therandë. Nëpër këtë rrugë, sidomos në udhëkryqet: Hoçë e Madhe, Zaçisht, Apterushë e Samadraxhë vënë prita të përforcuara me patrulla mobile.

Më 6 nëntor të vitit 1998 nga Shqipëria arrin një grup i armatosur të cilin deri në Krushë të Madhe e kishte shoqëruar Xhavit Elshani-Leopardi e së andejmi grupin e kishin pranuar Xhelal Hajda-Toni e Selajdin Mullabazi-Mici. Itinerari i grupit ishte: Reti, Samadraxhë-Dabërdelan, Pagarushë e për në Drenicë pasi që kishte luftëtarë të Zonës Operative të Shalës. Mirëpo te Kryqi i Apterushës fillojnë luftimet. Përjetësinë e marrin Xhelal Hajda-Toni, Selajdin Mullabazi-Mici, Bektesh Haliti, Hamdi Hajrizi e Nezir Ymeri, ndërsa mbijetojnë me shumë plagë në trup Lulzim Ymeri dhe Kujtim Saraçi, luftëtarët e lirisë të Zonës Operative të Shalës.

Sot, në vendin e rënies së Tonit me shokë, te Kryqi i Apterushës shkëlqen një lapidar për të pesë luftëtarë dhe pranë tij rrjedh një krua, kurse rivarrimet janë bërë në njëvjetorin e rënies dhe Toni e Mici janë në krye të luftëtarëve të tyre në ’’Kopshtin e Dëshmorëve’’ të Rahavecit, Xhelal Hajda pranë Sadedin Hajdës, kurse Selajdin Mullabazi pranë Gëzim Mullabazit.( Sabahajdin Cena)

Kontrolloni gjithashtu

Hyzri Hamdi Talla (1.12.1963 - 2.12.1998)

Hyzri Hamdi Talla (1.12.1963 – 2.12.1998)

Dëshmori Hyzri Talla ka lindur në fshatin Letancë të Besanës (ish-Podujevë) në një familje të …