Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar ashpër Projektbuxhetin për vitin 2027, duke vlerësuar se Qeveria nuk ka paraqitur asnjë vizion të ri për sektorin e sigurisë dhe se investimet e parapara nuk e nxjerrin Kosovën nga vazhdimësia e politikave ekzistuese. Sipas Ramadanit, ndonëse siguria kombëtare kërkon planifikim afatgjatë, investime strategjike dhe rritje të kapaciteteve mbrojtëse, projektbuxheti i propozuar nuk reflekton një orientim të ri dhe as ambicien për ta ngritur sektorin e sigurisë në një nivel tjetër. “Buxheti për vitin 2027 tregon që Qeveria nuk do ta kalojë sektorin e sigurisë në një nivel tjetër. Siguria mbetet njëjtë me këtë buxhet. Nuk kalon në një kapitull të ri”, ka shkruar Ramadani. Kritikat e tij përqendrohen në mungesën e financimit për disa nga mekanizmat që i konsideron thelbësorë për sigurinë kombëtare. Ai ka përmendur mungesën e mjeteve për strehimoret emergjente, hartimin e një koncepti të ri të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare dhe rikonceptimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës. Ramadani ka vënë në pikëpyetje edhe mjaftueshmërinë e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, sidomos pas rritjes së numrit të personelit, si dhe mungesën e një plani të plotë për modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. “Përveç një institucioni të cilit i është rritur buxheti, pjesa tjetër është vazhdim”, ka theksuar ai. Kritika e Ramadanit prek një nga sektorët më të ndjeshëm të shtetësisë së Kosovës. Nëse Projektbuxheti nuk parasheh investime të reja në këto fusha, atëherë pretendimi për avancimin e sigurisë kombëtare rrezikon të mbetet vetëm një premtim politik.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
