Kombi shqiptar edhe më tej jeton i copëtuar dhe më shumë se gjysma i pushtuar! Shteti ynë Kombëtar, Republika e Shqipërisë, nuk përfshin më shumë se një të tretën e Shqipërisë (28 740 km² nga 90 000 km² që janë tokë e Shqipërisë edhe sot). Me Luftën e Madhe të UÇK-së e të kombit shqiptar u çlirua edhe një pjesë e vogël e Shqipërisë (Kosova pa viset e saj, 10 887 km²), por akoma nuk i është bashkuar Shtetit të saj, Republikës së Shqipërisë!
Me Luftën e Armatosur të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (vazhdimësi e UÇK-së dhe luftës së saj) u përmirësua dukshëm pozita e popullit shqiptar në Maqedoninë tonë, por akoma nuk është arritur barazia e plotë e popullit shqiptar me popullin maqedon (një përqindje e madhe me prejardhje arbërore – shqiptare)!
Populli shqiptar në Sanxhak (mbi 8 000 km², i ndarë midis Serbisë e Malit të ZI!) është në ditët e tij më të këqija! Shtypja, dhuna dhe terrori sistematik e ka shkatërruar në masë qenien shqiptare në këtë krahinë të Shqipërisë! Për dekada me radhë në xhami predikohet në gjuhën serbe ose malazeze nga hoxhallarët boshnjakë (sllavë), në shkolla mësohet e studiohet në gjuhën serbe – malazeze, administrata në këto gjuhë sllave, etj.! Një pakicë e vogël e shqiptarëve të kësaj krahine e ka ruajtur gjuhën amëtare, shumica absolute janë asimiluar (“boshnjakizuar” e “myslimanizuar”!) dhe flasin serbisht-malazezisht – boshnjakisht!!
Populli shqiptar në Kosovën Lindore (Preshevë – Bujanoc – Medvexhë) e ka ruajtur gjuhën, por është zvogluar shumë në numër. Dikur, jo shumë moti, shqiptarët ishin shumicë edhe në Vrajë, Toplicë, Leskoc, Kurshumli, etj., kurse sot, të ekspozuar shtypjes, dhunës, terrorit e gjenocidit sistematik shtetëror janë tkurrur e kanë mbetur pak…
Gjendja edhe më tragjike është në Çamëri, – Shqipëri të Poshtëme (mbi 17 000 km²). Kjo krahinë e Shqipërisë është shkretëruar nga Greqia shoviniste, e cila me vrasje dhe dëbim masiv (gjenocid) sistematik e ka spastruar këtë krahinë krejtësisht shqiptare! Sot, në Çamëri dhe në qytete e vende tjera ku kishte shqiptarë, kanë mbetur pak bashkëkombës tanët që flasin e që deklarohen shqiptarë. Atyre u mohohet qenia shqiptare dhe çdo e drejtë kombëtare…!
Duke patur parasysh këtë gjendje të kombit dhe të Atdheut tonë mund të nxjerrim përfundimin se rrënjët e problemeve tona ekonomike, politike, shoqërore, kulturore e kombëtare janë pikërisht këtu, te copëtimi i Shqipërisë dhe i kombit tonë. Këtu duhet kërkuar shkakun themelor të pasojave të vjetra e të reja… Pushtimi shekullor osman pati çmim të lartë për Atdheun dhe kombin tonë! Diçka nga ky çmim po paguajmë edhe sot! Uroj të mos paguajmë edhe nesër!
Shqiptari i Shtetit tonë Kombëtar, tash edhe i Republikës së Kosovës, duhet të formohet dhe edukohet në këtë frymë dhe me këtë ndjesi për pozitën e vështirë të bashkëkombësve të tij të mbetur nën këmbën e huaj, sidomos serbo – malazeze dhe greke… Nuk them të formohet e të frymëzohet – edukohet me paragjykime dhe urrejtje për popujt fqinj, por me dashuri dhe përkushtim për të drejtat, liritë e bashkëkombësve të tyre të shtypur e të pushtuar dhe për zgjidhjen e drejtë – të plotë të çështjes shqiptare: Ribashkimin e Atdheut e të kombit në një SHQIPËRI… Kjo do të ishte zgjidhje afatgjate edhe për gjithë rajonin dhe për popujt fqinj që mbajnë të pushtuara tokat e Shqipërisë.
Organizimi dhe angazhimi i studentëve, shoqatave, partive ose grupeve qytetare për të protestuar në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup (edhe në qendra tjera evropiane e botërore) për çështjen e drejtë të bashkëkombësve të tyre të shtypur e të përbuzur në Serbi, Mal të Zi e Greqi (pjesërisht edhe në Maqedoni) do t’u bënte nder dhe do të vlerësohej nga bota e civilizuar. Përkrahja dhe solidarizimi me rininë studentore shqiptare në Maqedoninë tonë për çështjen e gjuhës shqipe dhe për barazi të plotë do t’u bënte nder të madh këtyre grupeve që po protestojnë në Tiranë… Kjo nuk përjashton angazhimin dhe protestën edhe për përmirësimin e jetesës në Shtetin tonë Kombëtar ose në Republikën e Kosovës, por gjithmonë duke patur parasysh interesin e gjerë të kombit, sidomos të pjesëve të pushtuara…
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
