Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka pritur sot në një takim zyrtar Robert Keane dhe Andriana Sarić, përfaqësues të Sektorit Politiko-Ekonomik të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Sipas njoftimit të Ramosajt, gjatë takimit është diskutuar për sfidat me të cilat përballet Komuna e Deçanit, zhvillimin ekonomik, politikat lokale dhe prioritetet institucionale që lidhen me zhvillimin e mëtejshëm të kësaj komune.
Në fokus të bisedës kanë qenë çështjet me rëndësi për qeverisjen lokale, nevojat e qytetarëve dhe mundësitë për avancimin e zhvillimit ekonomik e institucional të Deçanit.
Takimi shërbeu gjithashtu si një mundësi për të diskutuar mbi zhvillimet në nivel lokal dhe rëndësinë e komunikimit e bashkëpunimit me përfaqësuesit diplomatikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kryetari Ramosaj ka falënderuar përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane për vizitën dhe interesimin e treguar ndaj zhvillimeve në Komunën e Deçanit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
