Justina Shiroka-Pula kërkon zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe përgjegjësisë institucionale, në shënimin e 26-vjetorit të themelimit të Institucionit të Avokatit të Popullit.
Ajo ka vlerësuar se ky institucion i pavarur ka rol thelbësor në mbrojtjen e qytetarëve nga shkeljet e të drejtave të njeriut dhe veprimet e paligjshme të autoriteteve publike.
Shiroka-Pula ka vënë theksin te zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit, duke nënvizuar se rëndësia e tyre nuk matet vetëm me nxjerrjen, por me efektet konkrete që sjellin në jetën e qytetarëve.
“Të drejtat e njeriut nuk mjafton vetëm të garantohen me ligj. Ato duhet të mbrohen në çdo rast. Çdo qytetar duhet ta dijë se kur i shkelen të drejtat, ka një institucion ku mund t’i drejtohet”, ka deklaruar presidentja.
Ajo ka theksuar se zbatimi i rekomandimeve ndihmon në ndërtimin e besimit të qytetarëve në institucione dhe në forcimin e sundimit të ligjit.
“Vlera e tyre matet me zbatimin dhe me ndryshimet konkrete që sjellin në jetën e qytetarëve”, ka thënë Shiroka-Pula, duke shtuar se shteti dëshmon përgjegjësinë e tij mbi të gjitha përmes mënyrës se si i trajton dhe i mbron qytetarët.
Në fund, presidentja ka theksuar se synimi duhet të jetë funksionimi i përgjegjshëm i institucioneve, në mënyrë që qytetarët të mos detyrohen të kërkojnë mbrojtje për të drejta që duhet t’u garantohen dhe respektohen në çdo rrethanë.

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti i kundërpërgjigjet Kurtit: Deklarata për gjuhën shqipe na ka goditur në shpirt, ka lënduar edhe ish-ushtarët e UÇK-së

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka shpërthyer në kritika ndaj kryeministrit të …