Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka shpërthyer në kritika ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për deklaratën e tij lidhur me statusin zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke e akuzuar se me qëndrimin e tij ka dalë në mbështetje të kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski. Ahmeti ka thënë se deklarata e Kurtit e ka lënduar thellë, jo vetëm atë personalisht, por edhe ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të cilët, sipas tij, kanë luftuar dhe kanë sakrifikuar për të drejtat kombëtare të shqiptarëve, përfshirë edhe statusin e gjuhës shqipe. Duke folur për këtë çështje, kreu i BDI-së ka kujtuar sakrificën e dëshmorëve të UÇK-së, duke përmendur në mënyrë të veçantë nënën e dëshmorit Afrim Kalanica, të cilën e kishte parë pranë varrit të të birit në kompleksin memorial të dëshmorëve në Sllupçan. Përmes këtij kujtimi, Ahmeti ka vënë në pikëpyetje kuptimin e sakrificës së atyre që dhanë jetën për të drejtat e shqiptarëve, nëse sot vihet në diskutim statusi zyrtar i gjuhës shqipe. “Goxha keq kryeministri juaj më ka goditë në shpirt. Po pse më goditi aq shumë në shpirt?”, ka deklaruar Ahmeti. Ai ka rikujtuar skenën pranë varrit të dëshmorit, duke e lidhur atë me deklaratën e kryeministrit Kurti. “Kur nëna e Afrim Kalanicës m’u kujtua ulë te varri që është tek dëshmorët e Sllupçanit. Afrim Kalanica… asnjë nënë që janë vra këtu djem që kanë derdhë gjak, nuk i kanë marrë andej, të gjithë i kanë pranë shokëve të vet, këtu. Dhe lotët i binin te guri i varrit. Për çka u vra Afrim Kalanica? A me dalë kryeministri juaj me thënë që gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare? Turp!”, ka thënë ai. “Kjo më ka vrarë shpirtërisht. Kjo ka vrarë shpirtërisht çdo ushtar të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, edhe pjesëtarët që i ka në Kosovë; mbi tre mijë ushtarë ka UÇK-ja në Kosovë, Ushtria Çlirimtare Kombëtare”, ka deklaruar Ahmeti. “Del krah Kristijan Mickovskit dhe thotë: gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare. Tri herë kam kërkuar publikisht të prononcohet: a është keq i informuar prej… informacionet dhe informatorët që i ka, apo shqiptarët që i ka? Nuk e ka bërë”, është shprehur Ahmeti.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
