Hysni Gucati: Prangat nuk mund ta errësojnë pastërtinë e rrugës së Jakup Krasniqit

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar pas vizitës familjare të Jakup Krasniqit në shtëpinë e tij në Prishtinë, duke shprehur pakënaqësi për faktin se ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës nuk mund të qëndrojë i lirë pranë familjes së tij. Përmes një reagimi në Facebook, Gucati e ka cilësuar të rëndë dhe të padrejtë situatën me të cilën po përballet Krasniqi, duke rikujtuar kontributin e tij në rrugën për lirinë e Kosovës. Ai ka veçuar edhe bashkëshorten e Krasniqit, Sevdije, duke vlerësuar qëndresën dhe dinjitetin e saj përkrah bashkëshortit në këtë periudhë të vështirë. Gucati ka shprehur shqetësimin edhe për kufizimet që i janë vendosur Krasniqit gjatë qëndrimit në Kosovë, duke vënë në pikëpyetje pamundësinë e tij për të qenë lirisht pranë familjarëve në vendin për të cilin kishte sakrifikuar. “Baca Jakup ka hyrë në histori si burrë shteti e idealist i pastër. Prangat fizike nuk mund ta errësojnë dot pastërtinë e rrugës së tij, por dënimi më i madh nuk i bëhet atij, i bëhet vetë ndërgjegjes sonë kolektive, nëse heshtim përpara këtij persekutimi. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, por krenaria dhe dinjiteti i Bacës Jakup dhe zonjës Sevdije nuk gjunjëzohen kurrë”, ka shkruar Gucati.

Kontrolloni gjithashtu

Qytetarë dhe veteranë të UÇK-së mblidhen pranë shtëpisë së Jakup Krasniqit: Erdhëm ta takojmë Bacën Jakup

Disa qytetarë dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbledhur pranë shtëpisë së Jakup …