Studentët protestojnë para Rektoratit: Refuzojnë takimin me Hajrullahun pa kërkimfalje për kërcënimet e pretenduara

Parlamenti Studentor ka nisur protestën para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, duke kundërshtuar mënyrën e komunikimit të rektorit Arben Hajrullahu, të cilën studentët e kanë cilësuar si kërcënuese dhe fyese.
Pakënaqësia e tyre lidhet me një e-mail të rektorit, përmes të cilit, sipas studentëve, atyre u janë drejtuar kërcënime, ndërsa krahasimi që Hajrullahu u ka bërë ka nxitur edhe më shumë reagimin e tyre.
Gjatë protestës, rektori ka dalë para studentëve dhe i ka ftuar në takim për të zhvilluar dialog, por kjo ftesë është refuzuar. Studentët kanë bërë të qartë se nuk do të ulen në tryezë pa marrë më parë një kërkimfalje për atë që e konsiderojnë kërcënim dhe krahasim të papranueshëm.
“Kërkona njëherë falje, na ke krahasu me regjim serb”, është dëgjuar të thonë studentët para Rektoratit.
Ndërkaq, rektori Hajrullahu ka deklaruar se dyert e Rektoratit janë gjithmonë të hapura për studentët.
Megjithatë, përtej ftesës për dialog, protesta po dëshmon se përplasja mes përfaqësuesve studentorë dhe drejtuesit të universitetit nuk është më vetëm çështje komunikimi, por edhe e besimit dhe e përgjegjësisë institucionale. Studentët kërkojnë fillimisht sqarim dhe kërkimfalje, ndërsa Rektorati duhet të dëshmojë se dialogu nuk mbetet vetëm një deklaratë publike.

 

Kontrolloni gjithashtu

Hysni Gucati: Prangat nuk mund ta errësojnë pastërtinë e rrugës së Jakup Krasniqit

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar pas vizitës …