leoni

Bektesh Nuhi Haliti (25.3.1976 - 6.11.1998)

Bektesh Nuhi Haliti (25.3.1976 – 6.11.1998)

Bektesh Haliti i takon një familje tradicionale shqiptare, pjesëtar i një vëllazërie 14 anëtarëshe. Ishte në mesin e 12 bijve e bijave të babë Nuhiut dhe të nënë Miradies.
Lindi më 25 mars të vitit 1976 në Gurakuq (ish-Gllavotin). Shkollimin fillor e kreu në vendlindje. Shkollën e mesme e filloi në Kastriot, por nuk e mbaroi. Duke qenë pjesëtar i një familjeje me ideale të shquara kombëtare, djalë i një babai të përndjekur nga barbaria okupatore serbe, Bekteshi, ashtu sikurse edhe vëllezërit e tjerë dhe të gjithë liridashësit e Kosovës, nuk mund të zgjidhte rrugë tjetër pos rrugës së militantizmit kundërvënës autentik, një militantizëm atdhetar i kushtëzuar nga rrethanat politike e shoqërore, që e përcollën kombin tonë nëpër shekuj.
Në periudhën e përhapjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Drenicë, në radhët e kësaj ushtrie, qysh në mars të vitit 1998, inkuadrohet Shaban Haliti, vëllai i Bekteshit. Pa vonuar, radhëve të trimave dhe të trimëreshave të Kosovës iu bashkohet edhe Bekteshi, i cili së bashku me të vëllanë, Shabanin, angazhohen në zgjerimin e njësiteve të kësaj ushtrie edhe në fshatin e tyre. Pas një kohe në Strofc konsolidohet pika ushtarake, të cilën e drejtonte Jashar Jashari, i njohur me emrin e luftës Duraku.
Më 25 maj të po atij viti, njësiti luftarak i Gurakuqit përbëhej prej Bektesh Halitit, Hamdi Hajrizit, Rrahim Tahirit, Sami Hajrizit e luftëtarëve të tjerë. Shtëpia e Nuhi Halitit ishte bërë bazë e fortë për luftëtarët e lirisë, të cilët gjenin strehë, ushqim, përkujdesje e mbi të gjitha mikpritje vëllazërore.
Bekteshi me luftëtarët e tjerë ka marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar në Strofc, pastaj te Guri i Madh në Beçuk. Mori pjesë edhe në aksionin e parë, të cilin e ndërmori Zona Operative e Shalës në Hamidi. Në këtë aksion kanë marrë pjesë edhe Jashar Jashari, Sami Saraçi etj. Atë ditë Bekteshi ishte i pajisur me mortajën pesëqindëshe. Kishte zënë një pikë të rëndësishme nga ku pritej depërtimi i forcave armike, të cilat kishin ndërmarrë një ofensivë në shkallë të gjerë kundër bazave të UÇK-së në tërë rajonin malor të Qyqavicës. Në ato luftime kanë udhëhequr komandant Jashar Jashari, F. Lladrovci, J. Nura. Shaban Haliti e të tjerë. Bekteshi mori pjesë edhe në luftimet që u zhvilluan në Hade në korrik të vitit 1998.
Pas ofensivës së 22 shtatorit, që ndërmorën forcat ushtarake dhe policore serbe, një pjesë e popullatës civile ndodhej në fshatin Reznik. Asokohe në fshat ndodheshin edhe disa zyrtarë të Misionit Verifikues të OSBE-së. Në atë mes ishte edhe babai i Bekteshit, Nuhiu, të cilin forcat serbe, pasi e identifikojnë se kush ishte, e maltretojnë mizorisht. Më pas e dërgojnë në spitalin e Vushtrrisë me ç`rast e torturon krimineli serb, Vuqina Janiqieviq. Nga torturat dhe mizoritë që i punuan kriminelët, Nuhi Haliti vdes në spitalin e Mitrovicës.
Martirizimi i babait nga dora gjakatare serbe nuk i ligështoi bijtë e tij, trimat e lirisë, Bekteshin e Shabanin, të cilët nuk iu ndanë asnjëherë frontit të luftimeve kundër okupatorit.
Me rastin e strukturimit të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bektesh Haliti sistemohet në Togën e Dytë të Batalionit të Parë, të Brigadës 142, të Zonës Operative të Shalës. Në radhët e këtij batalioni bënin pjesë edhe Hamdi Hajrizi, Kujtim Saraçi, komandant Jashar Jashari, Aziz Bici, Safet Murati e luftëtarë të tjerë.
Duke qenë se njësitet e sapoformuara të UÇK-së nuk kishin armë dhe municion të mjaftueshëm, Bektesh Haliti, Hamdi Hajrizi, Nezir Imeri, Kujtim Saraçi, së bashku edhe me disa luftëtarë të tjerë, merr rrugë për në Shqipëri, nga ku tërhiqej armatimi dhe municioni, për ta luftuar armikun serb dhe për t`i dalë zot atdheut. Në ditët e para të nëntorit të vitit 1998, Bektesh Haliti me bashkëluftëtarët takojnë eprorët e UÇK-së për Rahovecin, Xhelal Hajdën, i quajtur Toni, dhe Selajdin Mullabazin, të njohur me emrin e luftës, Mici. Rrugës për t` u kthyer sa më parë në Zonën e Shalës, pesë luftëtarët e lirisë, më 6 nëntor të po atij viti bien në pritë të forcave serbe, në vendin e quajtur te Kryqi i Apterushës, afër Rahovecit. Atë ditë në altarin e atdheut ranë pesë dëshmorë lirie. Ata ishin luftëtarë të kalitur ndër betejat e lavdishme të UÇK-së. Ranë për të mos vdekur kurrë: Bektesh Haliti, Xhelal Hajda, Selajdin Mullabazi, Hamdi Hajrizi dhe Nezir Ymeri, ndërsa marrin plagë të rënda: Kujtim Saraçi dhe Lulëzim Ymeri.
Trupi i dëshmorit Bektesh Haliti fillimisht u varros në fshatin Beçuk. Pas luftës, familja e dëshmorit dhe bashkëluftëtarët e tij e rivarrosin në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Stanoc.
Dëshmori Bektesh Haliti ka lënë nënën Miradie, vëllezërit: Shabanin, Sabriun, Rrahmanin, Mexhidin, Bahtirin, Fatmirin dhe motrat: Azizen, Eminen, Hanën, Bahtien dhe Rabien.
Pas rënies, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, familjes së dëshmorit Bektesh Haliti i ka dhënë Mirënjohje. Po kështu, Mirënjohje i ka dhënë edhe Kuvendi Komunal i Vushtrrisë. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Fetiu u lind më 11 qershor të vitit 1975 në fshatin Viti të Marecit, komuna …