Bedri Ilaz Sokoli, (14.1.1964 – 1.11.1989)

Bedri Ilaz Sokoli, (14.1.1962 – 1.11.1989)

Zhvillimet revolucionare të Marsit dhe Prillit të vitit 1981, i kishin dhënë hovin vendimtar kërkesave gjithë-popullore të shqiptarëve në Kosovë e më gjerë  për liri, barazi e drejtësi. Në ato  protesta  të qindra mijëra pjesëmarrësve ishte manifestuar kërkesa unanime plebishitare  për krijimin e Republikës së Kosovës, si proces që do të çonte fillimisht në barazinë e Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë,  pastaj duke u mbështetur në parimin e të drejtës së kombeve  për Vetëvendosje, në rrethana të reja historike, Kosova dhe viset shqiptare nën Jugosllavi pritej të bashkoheshin me Shqipërinë.

Në atë atmosferë të ri-zgjimit kombëtar e politik ishte kalitur rinia revolucionare e kohës, e cila duke u ballafaquar me dhunën e organeve shtetërore jugosllave kishte marrë qëndrim të prerë me moton: “Republikë, Kushtetutë, o me hatër, o me luftë”. Koha më vonë do të tregojë sa e drejtë e patjetërsueshme kishte qenë ajo kërkesë, që kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitet 1998-1999 dhe ndihmën nga ajri të forcave të Aleancës Veriatlantike, të cilat kishin bombarduar caqet ushtarake dhe ekonomike të Serbisë së Milosheviqit të asaj kohe.

 

Një djalosh i ri i kalitur me ato ideale çlirimtare, ishte edhe Bedri Ilaz Sokoli, i cili luftën e tij kundër regjimit okupator jugosllav  e kishte filluar në vitin 1981 në mesin e gjeneratës së vet dhe e kishte kurorëzuar me gjakun e derdhur për liri, më 1 nëntor të vitit 1989, gjatë protestave dhe demonstratave, në Prishtinë.

Bedri Sokoli u lind më 14 janar të vitit 1962, në fshatin Llugë të Besianës, ish Podujevë. Prindërit, babë Ilazi dhe nënë, Bahrija,  në jetën e tyre bashkëshortore lindën e rritën: bijtë: Bedriun, Enverin e Florimin, si dhe bijat: Fatmirën, Shehiden dhe Luljetën.  ( Bija Mirsija kishte vdekur  pesë muaj pas lindjes).

Bedriu shkollimin fillor e kreu në Lluzhan, ndërsa të mesmen e regjistroi në vitin shkollor 1977-1978 në Qendrën Arsimore “8 Nëntori”,  në Besianë.

I lindur dhe i rritur në një familje të varfër ekonomikisht, por bujare e atdhetare, ai  ishte rritur duke dëgjuar rrëfimet e babait dhe të nënës për të parët, për qëndresën kundër çdo pushtuesi, për rëniet e ngritjet e tyre, nga brezi në brez.

Duke qenë në kontakt me rininë revolucionare të kohës, duke lexuar literaturë me përmbajtje nga historia kombëtare, duke përcjellë radio dhe Televizionin e Shqipërisë, ashtu si shumë bashkëkohës së tij edhe Bedriu kishte gjetur rrugën së cilës i takonte. Dhe në atë rrugë e përkrahin prindërit, vëllezërit e motrat, të cilët edhe vetë do të merrnin pjesë në protesta e demonstrata. Po ashtu në atë rrugë ai pati edhe bashkëveprimtarë bashkëvendësit, heronjtë, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Ilir Konushevci e të tjerë.

Bedriu, asokohe nxënës, ka marrë pjesë në demonstratën e 3 prillit të vitit 1981, në Besianë, ku  ishte dalluar në mesin e protestuesve për karakterin e tij militant dhe vrullin djaloshar, të cilin e kishte vënë në shërbim të  çështjes të madhe të kombit e atdheut.  Gjatë protestave ishte përleshur me milicinë jugosllave dhe me eksponentët e saj. Ishte kacafytur me ta, kur kishin bërë përpjekje t’ ia merrnin nga duart flamurin kombëtar. Dhe qysh atëherë ai kishte mbetur në shënjestër të milicisë…

Në fund të vitit 1981 merr ftesë për  të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në Sombor të Vojvodinës.  Duke qenë se kishte dosje në UDB  si pjesëmarrës në demonstrata,   ai vazhdimisht provokohej nga eprorët dhe  arrestohet gjoja për padëgjueshmëri, me ç rast e  mbajnë në burg 11 ditë.

Pasi kthimit nga ushtria, regjistrohet në Fakultetin Teknik-Dega e Energjetikës në Prishtinë, ku  edhe ka kryer semestrat e dy viteve të para.

Duke qenë se babai i tij, Ilazi,  ishte sëmurë dhe për një kohë ndodhej në shërim në Zagreb të Kroacisë, atij i kishte rënë barra për të zënë punë, me qëllim për ta ndihmuar familjen.

Meqë kishte njohuri dhe talent në përdorimin dhe mirëmbajtjen e aparateve elektroteknike zë punë në një servis për riparimin e radio-aparateve dhe të televizorëve.

Krahas kësaj veprimtarie ai ndihmonte familjen edhe me punët në shtëpi, por gjente kohë të bashkëvepronte edhe me shokët, sidomos me Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun,  të cilit i kishte edhe bashkëvendës.

Ka marrë pjesë në demonstratën e madhe që u mbajt në Prishtinë më 23 tetor të vitit 1989, në sheshin para Gjykatës së Qarkut.   Protestat, në atë kohë  po thuajse se ishin të përditshme dhe kishin vazhduar edhe më 30 dhe 31 tetor.

Më 1 nëntor 1989, demonstratat në Prishtinë ishin masivizuar dhe ishin përhapur në shumë sheshe të kryeqytetit të Kosovës. Në ato demonstrata kishin marrë pjesë edhe dy të rinj militantë, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, por edhe disa të njohur të tjerë të Bedriut, të cilët vazhdimisht merrnin pjesë në protesta.

Ditën e një nëntorit të vitit 1989,  në orët e mbrëmjes, Bedriu ndodhej në ballë të protestuesve. Afër i  qëndronte edhe miku i tij, Fehmi Veseli dhe shumë protestues. Fjalimi, që kishte mbajtur para demonstruesve, Afrim Zhitia, kishte elektrizuar liridashësit,  të cilët edhe ishin përballur me numrin shumë të madh të milicëve por edhe të shumë agjentëve të sigurimit, të cilët ishin futur në radhët e protestuesve.

Në një moment të caktuar, miku i tij, Fehmiu, kishte parë një person që kishte bërë përpjekje t’ ia rrëmbente Bedriut flamurin kombëtar,  të cilin ai po e valëviste me tërë fuqinë.

Inspektori i sigurimit, (J. H. ) ishte përleshur me Fehmi Veselin, të cilin edhe e kishte përplasur për tokë të alivanosur. Ai pastaj me disa  inspektorë të tjerë të veshur me rroba civile,  iu kishte afruar Bedriut, të cilin pas një kacafytjeje  kishin shtrirë për tokë. Bedriu kishte rezistuar  me tërë fuqinë dhe në një rast, duke mos arritur ta pezullonte,  inspektori hap zjarr me revolen e tij dhe e godet në kraharor. Edhe pse   plagët kishin qenë vdekjeprurëse, shokët e tij e kishin nisur për në Spitalin e Prishtinës.

Atë ditë në protesta ishin përleshur me policinë  edhe Afrim Zhitia e Fahri Fazliu por u kishin shpëtuar nga duart. Një ditë më vonë më 2 nëntor, në Kodrën e Diellit, në Prishtinë, të dy bien në altarin e atdheut pas një qëndrese heroike, duke luftuar kundër tërë një policie.

Më 2 nëntor, në varrimin e trupit të dëshmorit, Bedri Sokoli kishin marrë pjesë mijëra qytetarë liridashës, nga rajoni i Llapit, por edhe nga Prishtina e shumë vende të Kosovës.

Milicia e Serbisë dhe agjentët e sigurimit kishin qëndruar më larg duke vëzhguar varrimin,  i cili sfidonte robërinë dhe shpërfillte praninë e tyre.

Atë ditë, kishte marrë pjesë në varrim  edhe heroi i Kosovës,  Zahir Pajaziti. Ai në librin e kujtimeve për Bedri Sokolin iu kishte betuar, “Bacit Ilaz se do ta merrte  hakun e Bedriut dhe të rënëve të tjerë”.

Po atë ditë, në mbrëmje,  kishin vazhduar rezistencën, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, deri në rënien e tyre heroike.  Qëndresa e tyre në Kodrën e Diellit kishte sfiduar forcat e errësirës  dhe kishte mobilizuar edhe më tej forcat liridashëse të Kosovës.  Bedriu ka qenë i martuar me Bahrijen, me të cilën pati një djalë, Granitin që kishte lindur  17 ditë para rënies së babait.

Jeta dhe vepra e Bedri Sokolit, i rënë në përjetësi në moshën 27-vjeçare, tregon vitalitetetin shqiptar të qëndresës dhe heroizmit. Kjo moshë ka qenë edhe mosha mesatare e dëshmorëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. ( A.Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Hysni Xhafer Duraku (1.8.1961 - 3.12.1998)

Hysni Xhafer Duraku (1.8.1961 – 3.12.1998)

Krushës së Madhe të Anadrinit, në dhjetor të vitit 1998, i ra për hise një …