OVL e UÇK-së paralajmëron protesta gjithëpopullore: Zvarritja e Ligjit për Specialen po bëhet e papranueshme

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër ndaj zvarritjes së procesit parlamentar për plotësim-ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar protesta gjithëpopullore nëse institucionet vazhdojnë ta mbajnë peng këtë çështje. Në një reagim për media, OVL e UÇK-së u ka bërë thirrje shumicës parlamentare dhe të gjitha subjekteve politike që të lënë anash kalkulimet dhe përplasjet partiake dhe të marrin përgjegjësi për përfundimin e këtij procesi. “Është tërësisht e papranueshme që kjo çështje kaq e rëndësishme të zvarritet për shkak të përplasjeve politike apo presionit të bashkësisë ndërkombëtare. Qeveria dhe shumica parlamentare duhet ta kenë të qartë se përgjegjësia e tyre është të veprojnë dhe të mos lejojnë që vonesat të bëhen pengesë për përfundimin e këtij procesi”, thuhet në reagim.
OVL e UÇK-së e cilëson të pandershme edhe përpjekjen për ta shndërruar këtë çështje në instrument të përplasjeve politike dhe thellimit të ndasive ndërmjet subjekteve politike. Ajo kërkon që plotësim-ndryshimet ligjore të miratohen me procedurë të përshpejtuar, brenda afatit më të shkurtër që lejojnë procedurat parlamentare dhe institucionale. Paralajmërimi i veteranëve vjen pas dështimit të Kuvendit për ta vënë në votim këtë ligj, ndonëse çështja ishte në rend dite. Seanca plenare u shty deri në një njoftim të radhës, duke lënë sërish të paqartë fatin e kësaj nisme. Veteranët po kërkojnë veprime, ndërsa Kuvendi vazhdon të mos japë një përgjigje konkrete.

Kontrolloni gjithashtu

Hykmete Bajrami demanton pretendimet e Qeverisë për 100 mijë vende të reja pune: Shifrat e Trustit tregojnë tjetër realitet

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër Qeverinë lidhur me pretendimet …