Arben Xhemail Januzaj (4.7.1976 - 24.6.1999)

Arben Xhemail Januzaj (4.7.1976 – 24.6.1999)

Më 10 qershor të vitit 1999, pushtuesi serb, pas një viti e gjysmë lufte të ashpër kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nënshkroi kapitullimin përballë kësaj ushtrie dhe përballë sulmeve ajrore të NATO-s, me obligimin që brenda dymbëdhjetë ditëve, trupat e tij militare e paramilitare të tërhiqen nga territori i Kosovës, me gjithë armatimin dhe makinerinë ushtarake. Me largimin e këtij pushtuesi shekullor nga toka e Kosovës, nga ajo u largua krimi dhe vrasja e shqiptarëve, mirëpo jo edhe vdekja. Me ikjen nga Kosova, vrasëtarët serbë kishin lënë pas farën e vdekjes, duke minuar shtëpitë, rrugët, fushat…
Njëri prej pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili pati fatin t’i shpëtojë vdekjes në beteja dhe përballjet e shumta kundër forcave pushtuese serbe, gjatë kohës së luftës çlirimtare, por që nuk arriti të shpëtojë nga arma serbe pas përfundimit të kësaj lufte, është edhe dëshmori i kombit, biri i Kosovës, Arben Januzaj. Ai mbylli sytë, pasi e kishte parë Kosovën ashtu siç e kishte përfytyruar, për të cilin ideal edhe kishte luftuar me trimëri: pa pushtuesin serb. Ai e la Kosovën, pasi e kishte përjetuar kënaqësinë që solli aroma e lirisë, e fituar me gjakun e bashkëluftëtarëve të tij dhe të popullit të tij.
Dëshmori Arben Januzaj ka lindur më 4 korrik të vitit 1976, në fshatin Lubozhdë të komunës së Burimit (ish-Istog). Prindërit e tij, Xhemaili e Ajna, atë e kishin fëmijën e madh, pas të cilit u lindin edhe Riza, Afrimi, Arsimi dhe Arjeta.
Arbeni mbaroi shkollën fillore në fshatin Tedel (ish-Vrellë). Mësimdhënësit dhe shokët e klasës e kujtojnë si nxënës solid e të sjellshëm. Vullnet e shprehi mësimi tregon edhe gjatë shkollimit të mesëm në Burim, kur shkolla shqipe ishte shpallur e jashtëligjshme nga pushtuesi dhe mbijetonte në saje të idealit kolektiv për çlirim kombëtar e ngritje arsimore.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, u regjistrua në degën e historisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Lëndën e historisë e kishte zgjedhur, sepse ajo i flente në shpirt, duke qenë i etshëm të njihte të kaluarën e popullit të vet e të mësonte rrugën e vështirë jetësore që kishte kaluar ai në përpjekje për t’u formuar e konsoliduar si komb i pavarur. Lufta çlirimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër hordhive pushtuese serbe kushtëzon që Arbeni të mos mund ta vazhdojë fakultetin, sepse tashmë në fund të vitit 1997 e në fillim të vitit 1998, për të rinjtë dhe gjithë liridashësit në Kosovë kishte trokitur ora e historisë. Kishte arritur çasti që porositë e nxjerra nga mësimet e historisë dhe nga rrëfimet e prindërve e sidomos të xhaxhi Januzit, i cili kishte vuajtur shumë vite burg politik në burgjet serbe, Arbeni t’i materializonte e ta dëshmonte guximin e tij atdhetar, si pjesëtar i UÇK-së. Ai e kishte ndarë mendjen për t’u bashkuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me ushtarët sypatrembur të komandantit Legjendar Adem Jashari dhe ajo ditë erdhi më 10 janar të vitit 1999, kur u formua Brigada 133 “Adrian Krasniqi” e cila mori përsipër të operojë në një trevë të ndishme siç ishte ajo e komunës së Burimit e të komunave përreth. Arbeni, duke qënë nën përkujdesin e vazhdueshëm të veprimtarëve Januz Januzaj, Shemsedin Januzaj, Zenun Gashi, Ramiz Kabashi, Gëzim Sejdiu e të tjerë, bëhet pjesë e një rrethi të fortë shokësh bashkëluftëtarë, siç ishin Blerim Rexhaj, Ahmet Rexhaj, Verim Blakaj, Izet Shatri (dëshmor), Fikret Shatri, e të tjerë, që vepronin në kuadrin e Policisë Ushtarake të Brigadës 133. Këtë formacion luftarak e komandonte eprori Naser Shatri, i ndihmuar nga zëvendësi i tij, Fikret Shatri.
Me formimin e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, Ushtria Çlirimtare e Kosovës shtriu organizimin e vet në tërë trevën veriperëndimore të Kosovës. Që nga kjo kohë, për forcat serbe të vendosura në këto troje ishte e pasigurt çdo sekond;. Ndër ata që sfidonin këto forca pushtuese ishte edhe dëshmori Arben Januzaj. Ai me bashkëluftëtarët e tij do të ngrenë prita sulmi sa në një fshat në fshatin tjetër kundër patrullave policore e ushtarake serbe. Luftimet do të vijnë duke shtuar intensitetin e tyre, sa më shumë që do të afrohet dita e kapitullimit të pushtuesit. Betejë pas beteje, Arbeni dhe shokët e tij e mbajnë të ndezur zjarrin e luftës çlirimtare, por edhe ndjenjën e qëndresës deri në fitore.
Më 12 prill të vitit 1999, forcat serbe ndërmarrin sulm për jetë a vdekje kundër pozicioneve të UÇK-së të vendosura në fshatin Tedel. Qëllimi i këtyre forcave ishte të depërtonin në zonën e lirë të UÇK-së, që përfshinte fshatrat e rrëzëbjeshkës, që nga Lubozhda e deri te Radafci, të shpartallonte njësitet e UÇK-së e të dëbonte popullatën e shumtë të përqendruar në këtë zonë, për në drejtim të Malit të Zi. Atë ditë, njësiti i Policisë Ushtarake ku bënte pjesë Arbeni, ishte i angazhuar në kontrollimin e rrugës Pejë-Kullë që çon për në Rozhajë (mbi fshatin Radafc). Mirëpo, fillimi i ofansivës nga drejtimi i Burimit, ky njësit nën drejtimin e eprorit Fikret Shatri niset në përforcim të pozicioneve të UÇK-së në Tedel. Në luftimet e kësaj dite, në altarin e lirisë, ndërmjet fshatrave Lubozhdë e Tedel (Vrellë) bien luftëtarët: Abedin Dërvishaj, Bujar Visoqi, Skënder Maraj, Ismet Bicaj, Xhafer Mehmetaj, Izet Shatri, Smajl Fetahaj, Nezir Mujaj dhe Muharrem Vuthaj.
Arben Januzaj kishte karakter të fortë dhe bindje të fuqishme në fitoren e pashmangshme. Ai shprehej me plot optimizëm para bashkëluftëtarëve se UÇK-ja do ta fitonte luftën, kurse Kosova do të çlirohej nga këmba serbe. Po me këtë optimizëm nisej edhe në aksione. Duke besuar në fitore, i pathyeshëm ishte edhe në përballjet me forcat serbe. Bashkëluftëtari i tij, Blerim Rexhaj, i kujton me pietet tri rastet e njëpasnjëshme të përballjes së Arbenit me forcat armike, në muajin maj të vitit 1999. Ai nuk do ta harrojë kurrë rënien në pritën e forcave serbe, bashkë me shokët e armës Arben Januzaj, Feriz Blakaj, Hajrush Elezaj e Naser Shatri, në lagjen e Januzajve në fshatin Lubozhdë. Natën e 28 majit, te ura e lumit Vrella, forcat serbe sulmojnë nga prita njësitin e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po shkonin në shtabin lokal që gjendej te lagjja e Dreshajve në fshatin Llugë. Sulmi ishte i papritur dhe i rrufeshëm. Ndonëse distanca me sulmuesin ishte fare e vogël, pjesëtarët e UÇK-së i kundërpërgjigjen sulmit me shpejtësi. Megjithatë, nga plumbat e asaj prite, në fushën e nderit bien luftëtarët Feriz Blakaj e Hajrush Elezaj, ndërsa plagoset Arben Januzaj, i cili bashkë me Blerim Rexhajn, i plandosur nga duhia e granatës, arrijnë t’i shpëtojnë breshërisë së plumbave, duke u larguar nëpër lumë.
Prita në lagjen Januzaj ishte organizuar në shenjë hakmarrjeje për shkak të sulmit të një dite më parë që pjesëtarët e UÇK-së kishin ndërmarrë kundër forcave serbe në lagjen Bruçaj të Lubozhdës. Nga ky sulm, trupat serbe kishin pësuar humbje.
Arbeni e kishte përballuar pritën e forcave ushtarake serbe edhe një herë tjetër më parë, në vendin e quajtur Oshlak, në bjeshkën që e ndan Kosovën me territorin e Rozhajës në Malin e Zi. Në atë rast, njësiti i UÇK-së, në ballë me Arbenin, sulmohet në befasi në kohë nate, por sulmi rezulton pa sukses.
Dëshmori Arben Januzaj ishte një ushtar i disiplinuar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një luftëtar i devotshëm i lirisë. Shokët e luftës atë e thërritnin me pseudonimin Rrebeli. Ishte i armatosur me automatik, të cilin e kishte rrëmbyer nga armiku, me rastin e sulmit mbi një autobus me forca policore serbe, të kryer në vendin e quajtur Kodra e Tomocit, në Tomoc. Herë pas here ishte i pajisur edhe me lloje të tjera të armatimit, siç ishin bombat e dorës.
Përfundimi i luftës së armatosur, më 10 qershor 1999, me fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me humbjen e forcave serbe të cilat e kishin mbajtur Kosovën nën pushtetin e Serbisë gati një shekull të tërë, ishte një gëzim i papërshkrueshëm edhe për Arbenin dhe bashkluftëtarët e tij. Tani po fillonte një epokë e re për popullin shqiptar të Kosovës. Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët i kishin qëndruar përballë pushtuesit të egër për një vit e gjysmë në fronte e llogore lufte, tani po angazhoheshin me mobilizim të plotë të siguronin kushtet për kthimin e popullatës së shpërngulur, në vatrat e saj të djegura e të shkrumbuara, duke i sistemuar familjet e pastrehë në shtëpitë dhe objektet e ndryshme duke përfshirë edhe ndërtesat shoqërore të braktisura nga serbët, të ikur nga Kosova bashkë me ushtarët dhe policët e tyre. Mirëpo, këto shtëpi dhe objekte duhej kontrolluar e pastruar paraprakisht nga mjetet e ndryshme shpërthyese dhe lëndë të tjera të dyshimta. Me këtë detyrë ishte ngarkuar edhe Arben Januzaj bashkë me Blerim Rexhaj dhe Verim Blakaj. Më 24 qershor të vitit 1999, Arbeni me shokë shkon të pastrojë terrenin në një bllok ndërtesash në qendër të Burimit. Në njërën nga hyrjet e këtij blloku ndërtesash banesore, ai hap dyert e banesave një nga një. Mirëpo, dera e njërës prej banesave, duke qenë e mbështetur dhe me bombë të kurdisur pas saj, nga pronari serb, me të shtyrë rrëzohet dhe bie mbi bombën, shpërthimi i së cilës plagos rëndë Arbenin, kurse më lehtë Verimin dhe Blerimin.
Arbenin e plagosur e dërgojnë menjëherë në shtëpinë e shëndetit në Burim, për t’ia dhënë ndihmën e parë, mirëpo pa sukses. Arbeni mbylli sytë, sapo e kishte shijuar aromën e lirisë së Kosovës. Atë ditë familja dhe bashkëluftëtarët e varrosin në varrezat e fshatit Prigodë, ku sot prehet trupi i tij. Në lapidarin e dëshmorëve të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” e të komunës së Burimit, në mesin e të rënëve shndrit edhe emri i dëshmorit Arben Januzaj. Busti i tij është ngritur edhe para ndërtesës ku ai ka rënë. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Brahim Demush Morina (1.2.1950 – 17.5.1998)

Brahim Demush Morina (1.2.1950 – 17.5.1998)

Brahim Morina u lind më 1 shkurt të vitit 1950 në fshatin Rixhevë të komunës …