Familja Kukaj e fshatit Qëndresë të komunës së Drenasit të Drenicës, është familje e mirënjohur për pjesëmarrje në të gjitha luftërat për çlirimin e vendit nga robëria shumëshekullore turke dhe nga robëria jugosllave. Habib Kukaj, ka qenë bashkëluftëtarë i Hasan Prishtinës. Ishte ndër atdhetarët e rrallë që dinte përmendsh pjesën më të madhe të poezive të Naim Frashërit. Gjyshi i dëshmorit të kombit Fitush Kukaj, Milazimi, ishte bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës. Ai luftoi për çlirimin e Kosovës në vitin 1944 dhe 1945. Nga familja Kukaj, në vitin 1945 u pushkatuan 7 pjesëtarë, bashkë me 10 luftëtarë të tjerë të rezistencës, të gjithë nga fshati Qëndresë. Bashkë me ta u pushkatua edhe atdhetari mulla Hasim Lluzha, edhe pse ishte i deleguar i Shtabit Kryesor të UNÇ të Kosovës. Milazim Kukaj u zu dy ditë më vonë. Ai qe dërguar në burgun e Drenasit, që ishte një bodrum i errët, në vendin e quajtur ‘’Kulla e Talit’’. Dy herë e thirrin që ta pushkatojnë, por nuk ishte paraqitur dhe pastaj ata që shpëtuan i dërguan në burgun e Prishtinës dhe në mesin e tyre ishte Milazimi, i cili në rrethana të caktuara shpëtoi nga pushkatimi.
Ashtu si shumë banorë të fshatit Qëndresë, edhe Milazim Kukaj me familjen e tij qe shpërngulur nga fshati dhe qe vendosur në lagjen Kodra e Trimave, në Prishtinë. Milazimi kishte tre bijë: Rrustemin, Veselin dhe Ramadanin.
Rrustemi u martua me Hamide Gjinovcin nga Makërmali, familje e mirënjohur me luftërat çlirimtare. Muhamet Gjinovci, babai i Hamidës, ka qenë luftëtar i Brigadës së Shaban Polluzhës. Ai ka rënë më 18 shkurt 1945 në fshatin Gojbulë të Vushtrrisë, në luftë kundër partizanëve të Serbisë, kurse Veseli, vëllai i saj ishte plagosur.
Rrustemit dhe Hamidës iu lindën dy bijat: Bukuria e Liria dhe tre bijtë Ragipi, Hakifi dhe Fitushi. Bukuria është motra e dëshmorit Fitush Kukaj dhe nëna e dëshmorit, Burim Graiçevci. Familja e Fitushit, kur pushteti serb i largon studentët shqiptarë nga ndërtesat e fakulteteve, e lëshon shtëpinë për mësonjëtore të Degës së Gjeografisë.
Në vitin 1999, vëllai i Fitushit, Ragipi, i cili më parë kishte emigruar në Perëndim, kthehet në Shqipëri. Atje paraqitet në radhët e UÇK-së. Derisa ishte në Kalimash, merr lajmin për vrasjen e të vëllait, Fitushit dhe të Burim Graiçevcit, djali i motrës së tij. U sistemua në logjistikën e UÇK-së në Shqipëri.
Fitush Kukaj Lindi më 16 mars 1982, në Prishtinë. Sa i kishte mbushur gjashtë vjet e gjysmë u regjistrua në klasën e parë në Shkollën fillore ‘’Zenel Hajdini’’ në Prishtinë. Pastaj u regjistrua në Shkollën e Mesme Teknike ‘’Shtjefen Gjeçovi’’ në Prishtinë. Ishte në vitin e dytë, kur u largua nga shkolla dhe u inkuadrua në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Fitush Kukaj, pas daljes publike të UÇK-së shkoi te dajat e tij në Makërmal. Në maj të vitit 1998, atje qëndroi disa kohë. Pastaj kthehet në Prishtinë dhe kërkon nga babai, Rrustemi, që për nevojat e UÇK-së në Makërmal t’ua dërgonte veturën e tij të tipit Varburg, e cila ishte e përshtatshme për terren. Këtë punë e kryen së bashku me babain. Fitushi qe gëzuar tejmase, meqë iu kishte dhënë rasti ta ndihmonte materialisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sapo e përfundoi vitin mësimor, në verë të vitit 1998, Fitushi sërish shkon në Makërmal me qëllim për të ndihmuar UÇK-në. Ishte tejet i interesuar të sistemohet në radhët e çlirimtarëve të Kosovës dhe për këtë kishte biseduar me Burimin, nipin e tij, si dhe me shumë shokë të tjerë. Edhe Burimi djali i motrës së tij, kishte shprehur dëshirë të shkonte në Makërmal bashkë me Fitushin.
Fitushi bashkë me Burimin, fillimisht arrijnë te Gjinovcët, në Makërmal të Drenicës. Aty ishin takuar me ushtarët e UÇK-së. Gëzimi ishte i papërshkrueshëm. Nuk kishin të ndarë nga armët. Edhe pse nuk ishin ushtarë, ndihmonin dhe me përkushtim i kryenin të gjitha detyrat si ushtarët e tjerë. Aty ishin me Nazif dhe Avni Gjinovcin, ushtarë. Fitushi dhe Burimi qëndruan atje mbi një muaj. Më 10 gusht 1998, shkuan në Likoc, ku ishte Shtabi i UÇK-së. Aty, nga eprorët kërkuan që të pranohen në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Mirëpo, kjo nuk ndodhi, sepse Fitushi ishte shumë i ri, sapo i kishte mbushur 16 pranvera. Nga Shtabi morën rekomandimin, që të dy bashkë të kthehen në Prishtinë. Gëzimi i tyre djaloshar qe kthyer në zhgënjim momental, sepse nuk u pranuan në UÇK. U kthyen në Prishtinë, por me mendje ishin me UÇK-në, me luftëtarët e saj.
Futishu dhe Burimi kishin vendosur me çdo kusht të bëheshin ushtarë të UÇK-së. Ata tashmë dinin se mund të shkonin në Shqipëri dhe nga atje të futeshin në radhët e UÇK-së. Burimi disa orë para se të nisej e mori bekimin e nënës Bukurije. Edhe Fitushi e kishte lajmëruar babain e tij, Rurstemin, se do të shkonte te shokët e tij. E kishte përqafuar nënën, Hamiden, së cilës i kishte thënë: ‘’Nënë!-nëse vonohem mos u bëni merak. Paraqitem me telefon, nesër në mbrëmje’’. Kur për këtë mësoi, babai, Rrustemi, Fitushi u paraqit me telefon nga Tirana.
Dy orë më vonë, më 21 mars 1999, nga Prishtina me autobus u nisën për në Shkup dhe arritën në Tiranë. Në Spitalin Ushtarak të Tiranës, më 22 mars 1999 ishin takuar me Hysni Gjinovcin, Avdullah Ukën e Gradicës, Vesel Ramadan Aruçajn, i njohur gjatë luftës me nofkën Rambo, dhe bashkë me ta ishin vendosur në shtabin e UÇK-së në Tiranë. Aty qëndruan deri më 2 prill 1999, kur shkuan bashkë në Kalimash, në Kazermën e stërvitjeve të rekrutëve të UÇK-së. Komandanti, Binak Gashi kishte vërejtur se Fitushi ishte në moshën jo madhore, por ai nuk dëshirohej të ndahej nga Burimi dhe të dy i kryen me sukses stërvitjet ushtarake. Pas kryerjes së ushtrimeve u sistemuan në Togën e Parë, të cilën e komandonte Safet Gjinovci, në Brigadën 138 ‘’Agim Ramadani’’ të Zonës Operative të Dukagjinit. Togu i Parë asokohe kishte 36 ushtarë në mesin e të cilëve ishin edhe Fitushi e Burimi. Në kalimash morën urdhrin për të shkuar në luftë.
Nga Padeshi, më 17 prill 1999, u futën në frontin e Koshares. Dhjetë ditë qëndruan sypatrembur në vijën e parë të frontit. Pastaj u erdhi ndërrimi dhe pushuan një ditë. Në Kazermën e Koshares u takua me Bajram Jetullah Gjinovcin dhe me Rambon. Pastaj sërish u kthyen në vijën e parë të frontit dhe luftuan edhe 7 ditë të tjera. Ndërkohë u sistemuan në Batalionin e Parë, të cilin e komandonte Skënder Rexhahmetaj, Hysni Gjinovci, me 9 ushtarë, në mesin e të cilëve ishte edhe Fitushi ishte sistemuar në drejtim të Shkozës.
Burim Graiçevci, sapo e kishte kaluar kufirin, në trungun e një lisi e kishte gdhendur emrin e tij BURIM. Sapo e sheh Fitushi edhe ai, dy-tre metra më poshtë e kishte gdhendur, po në një trung lisi, emrin FITUSH. Dy emra të gdhendur në dy trupa lisash edhe sot janë përmendore e gjallë kujtimi e mos harrimi, për këta dëshmorë, të rinj në moshë, por të pjekur emocionalisht dhe fizikisht për t’i dalur zot atdheut, ashtu sikurse edhe i dolën.
Rrustem Berisha, komandanti i Brigadës i kishte vizituar të gjitha pikat e luftës në frontin e Kosharës. Kishte urdhëruar që të punohen istikamet sa më të thella dhe ato të përforcoheshin sipas kërkesave strategjike ushtarake. Fitushi ndodhej edhe në pikën ku ishin: Hysniu, Burimi, Leonora, Marufi dhe Safeti.
Në fillim të majit 1999, Komandanti i Batalionit Skënder Rexhahmetaj bashkë me Safetin dhe Maruf Halilajn shkuan në vëzhgim. Të tjerët mbetën në pozicionet e vijës së parë të frontit. Në mbrëmjen e 18 majit të vitit 1999, rreth orës 19 fillojnë granatimet ndaj pozicioneve të para të frontit të luftës. Një granatë e kishte goditur lisin ku ishte ndërtuar istikami. Lisi këputet përmidis dhe pas kësaj copat e granatave shpërndahen. Pjesët e predhës goditën edhe istikamin dhe vendin përreth tij. Dhe në atë moment, një pjesë e granatës kishte goditur edhe Fitushin, i cili në atë çast thithi për herë të fundit ajrin e përzier me tym e flakë baroti të Kosharës legjendare. Ai ra trimërisht, ndërsa luftëtarja, Leonora, e cila ndodhej në dalje të istikamit, qe plagosur lehtë. Burim Graiçevci ishte afër istikamit, së bashku me Hysni Gjinovcin. Duke qenë se breshëria e predhave armike nuk pushonte asnjë çast, edhe Burimin e kishte goditur një pjesë e granatës. Në atë moment të rëndë kishte kthyer kokën nga Fitushi. Hysniu, i cili ishte plagosur më lehtë, zbrazi disa plumba nga kallashi i tij dhe kërkoi ndihmë nga pjesa tjetër e togut. Safet Gjinovci dhe Maruf Halilaj i dëgjuan krismat dhe me shpejtësi u nisën në drejtim të istikamit. Sapo dolën në një lëndinë, nga predhat e forcave armike serbe ishte goditur edhe Safet Gjinovci. Bashkëluftëtarët e morën Safetin dhe u nisën. Sapo u larguan nga vendi, konstatuan se Fitushi kishte rënë në altarin e atdheut. Bashkëluftëtarët, kur vërejtën Burimin menduan se ishte gjallë dhe u përpoqën t’i japin ndihmën e parë. Mirëpo brenda disa minutave ai kishte ndërruar jetë. Dy orë më vonë kishte ndërruar jetë edhe komandanti, Safet Gjinovci. Trupat e tre dëshmorëve, Fitush Kukaj, Burim Graiçevci dhe Safet Gjinovci bashkëluftëtarët i dërguan në Bajram Curr, në ç’vend i varrosën me nderime ushtarake.
Bbukuria, motra e Fitushit dhe nëna e Burimit, me bashkëshortin e saj, Ajetin, nga Korça, ku qenë vendosur pas dëbimit nga forcat serbe, arritën në Bajram Curr, te varret e Fitushit dhe Burimit. Dhembja e motrës për vëllain dhe djalin ishte shumë e madhe. Por e paharrueshme përjetë do të mbetet edhe krenaria e saj e ligjshme, si dhe krenaria e kombit shqiptar për luftën dhe heroizmin që treguan Fitushi, Burimi dhe të gjithë dëshmorët e kombit, në luftë për çlirimin e atdheut. Rivarrimi i Fitushit u bë me nderime ushtarake, më 23 gusht 1999, në Varrezat e Dëshmorëve, në Koshare. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare u bë legjendare edhe me gjakun e derdhur të Fitushit, i cili e la lapsin e librin dhe mori armën për ta çliruar Kosovën e dashur.
Kontrolloni gjithashtu
Nezir Myrtaj: Dëshmorët Afrim Zhitia e Fahri Fazliu i kishte bashkuar ideali deri në vdekje
Është e njohur thënia se dëshmorët e kombit “nuk kanë hierarki dhe ata janë të …