Mentor Abdullah Krasniqi (3.10.1973 – 2.6.1999)

Mentor Abdullah Krasniqi (3.10.1973 – 2.6.1999)

Në fshatin Bukosh të Therandës (ish-Suharekë) së Anadrinit, gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë 7 dëshmorë dhe 30 martirë të lirisë. Rinia trime e këtij fshati ishte e përgatitur me kohë për të filluar luftën e armatosur kundër okupatorit serb. Radhëve çlirimtare iu bashkuan dhjetëra të rinj, të cilët rezistuan trimërisht dhe disa prej tyre ranë në altarin e atdheut, duke luftuar heroikisht kundër forcave serbe, deri në përfundimin e luftës.

Mentor Krasniqi lindi më 3 tetor të vitit 1973, në fshatin Bukosh. Mësimet fillestare i mori në shkollën fillore ‘’Vëllezërit Frashëri’’ në vendlindje. Gjimnazin, drejtimi Kimi-Teknologji, e kreu në Therandë.

Babai i Mentorit, Abdullahu dhe nëna, Arifja, rritën bijën e tyre Meritën dhe bijtë: Mentorin, Salihun dhe Dritonin. Edukatën dhe frymëzimet e atdhedashurisë, Mentori i mori nga babai, i cili ishte mësues dhe intelektual përparimtar. Sapo mbaroi shkollën e mesme në vjeshtë të vitit 1992, merr ftesë për rekrutim të dhunshëm në shërbimin ushtarak, në armatën jugosllave. Mentori, ashtu sikurse edhe shumë të rinjë të asaj kohe, nuk i përgjigjet ftesës për të shkuar ushtar, në kohën kur kishte filluar lufta dhe shpërbërja e ish-Jugosllavisë.

Në vitin shkollor 1992/1993 regjistron Degën e Kimisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Prishtinës. Asokohe njihet edhe me kolegun e tij të studimeve dhe të idealit, Ismail Latifi, po kështu një i ri me botëkuptime përparimtare e revolucionare. Përveç mësimeve, Mentori kishte pasion edhe sportin, sidomos karatenë. Pasi kishte ushtruar një kohë, kishte arritur rezultate të larta në këtë disiplinë sportive.

Në fund të vitit të parë akademik, Mentori, së bashku me Besim Telakun dhe Nudi Kadollin, tubon 13 indeksa të kolegëve, me qëllim për të marrë nënshkrimin te një profesor.  Policia serbe i ndalon dhe ua rrëmben indeksat. Më vonë të tre dërgohen në stacionin policor te Lagjja e Muhaxherëve, në Prishtinë, ku edhe torturohen mizorisht, duke urdhëruar që t’i hanin fletët e indeksave. Policët serbë ushtrojnë dhunë fizike kundër tyre, vetëm pse ishin studentë shqiptarë, që mësonin nëpër shtëpi private, por nuk pranonin të mësonin nën masat e dhunshme të Universitetit të Prishtinës, të cilin, asokohe, e kishin uzurpuar forcat okupatore.

Gjatë viteve të studimeve, Mentori kontakton edhe me disa bashkëmendimtarë, të cilët bënin përpjekje të organizoheshin për të filluar rezistencën aktive kundër forcave okupatore serbe. Shoku i tij i ngushtë i studimeve dhe idealit, Ismajl Latifi, ishte i angazhuar në radhët e ilegalës. Së bashku me shumë kolegë të tij merr pjesë në protestat studentore të 1 Tetorit të vitit 1997.

Duke shprehur interesimin e tij, për të hyrë në aktivitet të angazhuar, Mentori, pa u hamendur, në mënyrë direkte, i bashkohet Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, – shkruan në kujtimet e tij për Mentor Krasniqin shoku i tij i idealeve dhe i luftës çlirimtare, Ismail Latifi.

Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fshatin Llaushë të Drenicës, më 28 nëntor të vitit 1997, Mentorit dhe brezit të tij të ardhshëm çlirimtar, ia hapi përfundimisht horizontet rreth rrugës që duhej ndjekur për t’i shporrur nga Kosova forcat vrastare okupatore. Pas rënies heroike të legjendarit Adem Jashari dhe të Jasharëve në Prekaz, më 5,6 dhe 7 mars 1998, lufta e armatosur po kthjellohej si e vetmja alternativë, të cilën e përkrahu pa asnjë rezervë edhe rinia atdhedashëse e Anadrinit. Mentori, edhe më herët, përmes kontakteve që kishte pasur me Smajl Latifin ishte në rrjedha të zhvillimeve.

Më 8 qershor të vitit 1998, pasi paraprakisht kishte biseduar dhe kishte marrë pëlqimin e babait, Abdullahut, Mentori i bashkohet pikës së zjarrit të UÇK-së, te Ura e Reshtanit, afër Therandës. Komandant i kësaj pike asokohe ishte luftëtari, Blerim Kuçi. Në këtë pikë të UÇK-së përveç Mentorit ishin edhe ushtarët Ilaz Kadolli, Sahit Morina, Bali Muharremaj e të tjerë. Në pikën e Reshtanit, Mentori qëndron deri në fillim të korrikut të vitit 1998.

Ndërkohë ishte formuar edhe pika ushtarake me njësitet e saj në Budakovë, ku vepronin ushtarët, Sadik Halitjaha, Idriz Hyseni, Hysen Gega, e të tjerë. Ata kishin strukturuar njësitet nëpër kompani, togje e batalione. Mentor Krasniqi sistemohet në Batalionin e Dytë të Brigadës 123 të Zonës Operative të Pashtrikut. Komandant, në togën ku ishte sistemuar Mentori, caktohet luftëtari, Shaban Gashi, nga Stavrova.

‘’Gjatë kohës së kalimit nga Reshtani në Budakovë, Mentori kishte thyer krahun e djathtë. Në mungesë të trajtimit të duhur mjekësor, shokët ia mobilizojnë krahun. Meqë isha prore në mesin e luftëtarëve të UÇK-së, dhe duke parë se krahu nuk po i shërohej e dërgova në spitalin e improvizuar në Gajrak, ku trajtonte të plagosurit mjeku Salih Krasniqi. Ai e trajtoi si duhet edhe Mentorin, edhe pse nuk kishte barna të duhura e as të mjaftueshme, – është shprehur babai i Mentorit, Abdullah Krasniqi, i cili gjatë tërë asaj kohe ishte në mesin e luftëtarëve, duke iu ndihmuar në çdo aspekt.

Asokohe ishte krijuar edhe pika e zjarrit në Bukosh, në vendin e quajtur Te Ara e Hamzagës. Në këtë pikë zjarri ishin sistemuar Hilmi Haziraj, Ramadan Haxhiaj, Malush Sopa, Agim Zyba, e të tjerë. Toga e Bukoshit, meqë kishte numër të konsiderueshëm të luftëtarëve, shndërrohet në kompani. Gjatë kësaj kohe, Mentor Krasniqi i bashkohet pikës së Bukoshit, ku edhe kishte prindërit, kushërirët dhe bashkëvendësit. Pika e zjarrit në Bukosh ishte përforcuar, ndërsa luftëtarët vazhdimisht vëzhgonin terrenin, hapnin istikame dhe sajonin bunkerë, duke u përgatitur për luftë në rast të depërtimit të forcave serbe, të cilat granatonin nga postblloqet e tyre në Sopi, Korishë, Vraniq e Mushtisht.

Ofensiva e shtatorit 1998, Mentor Krasniqin e zë në pikën e zjarrit në Bukosh. Në mëngjesin e hershëm të 27 shtatorit të vitit 1998, forcat policore dhe ushtarake serbe fillojnë granatimin nga distanca të pikave të zjarrit të UÇK-së dhe në përgjithësi tërë fshatin Bukosh, ku ishin të pozicionuar dhjetëra luftëtarë të lirisë me armatim të lehtë të këmbësorisë. Fshati granatohej nga të katër anët, sidomos nga pikëqëndrimet e forcave serbe në Sopi, Mushtisht, Muhlan etj.

Luftëtarët e UÇK-së të kësaj pike duhej të përballonin tërë breshërinë e armëve të rënda të forcave policore e ushtarake serbe, derisa të afrohej këmbësoria. Luftimet ishin zhvilluar nga shtëpia në shtëpi, nga lagjja në lagje, nga rruga në rrugë. Në kohën kur forcat serbe depërtojnë në hyrje të fshatit, luftëtarët e UÇK-së të pikës së Bukoshit, rezistonin në pjesën e epërme të fshatit. Ata, qysh në mëngjes kishin tërhequr me sukses popullatën civile, ndërsa vetë kishin rezistuar gjatë tërë ditës, duke luftuar ballë për ballë kundër forcave serbe.

Serbët më në fund kishin depërtuar në fshat dhe pasi kishin plaçkitur shtëpitë dhe djegi pothuajse të gjitha shtëpitë e Bukoshit.

Në vjeshtë të vitit 1998, Mentor Krasniqi me bashkëluftëtarë, sërish kthehen në pikat e tyre në Bukosh, Forcat serbe ishin tërhequr në pozicionet e tyre strategjike, ndërsa luftëtarët e UÇK-së kishin rilindur si feniksi nga hiri i vet.

Në tetor dhe nëntor të vitit 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u ristrukturua, duke ndërmarrë sulme të shumta guerule kundër bazave serbe dhe duke i goditur në prita befasisht.

Pasi fillojnë bombardimet e aeroplanëve të NATO-s, forcat serbe përforcojnë të gjitha pozicionet e tyre dhe fillojnë ofensivën e përgjithshme kundër pikave dhe pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 1 prill të vitit 1999, kompania e Bukoshit, e cila bënte pjesë në Brigadën 123, reziston fuqishëm në Lagjen e Kadojve. Luftëtarët kishin arritur të tërhiqnin me sukses një pjesë të popullatës civile, e cila ishte rikthyer në fshat, edhe pse të gjitha shtëpitë ishin djegur.

Në fillim të prillit, serbët depërtojnë në vendin e quajtur Therraç, në Bukosh. Mentor Krasniqi ishte si kurdoherë në ballin e luftës kundër forcave serbe. Luftëtarët kishin arritur që popullatën civile ta tërheqin nga Bukoshi në drejtim të fshatrave, ku mendohej se mund të ishte qëndrimi më i sigurt.

Edhe në ofensivën e ashpër të 21 prillit 1999, të cilën e ndërmorrën forcat serbe kundër luftëtarëve të lirisë në Bukosh, në mesin e luftëtarëve që rezistonin dhe tërhiqnin popullatën civile ishte si kurdoherë, Mentor Krasniqi. Atë ditë, përballë forcave armike, kishte rënë në altarin e atdheut, Blerim Krasniqi kushëri i Mentorit. Në përleshjet ballë për ballë u vranë katër pjesëtarë të forcave serbe, te Vorret e Bukoshit. Ndërkohë, shtatë luftëtarë të UÇK-së arrijnë ta tërheqin trupin e Blerimit, të cilin e varrosin natën vonë. Luftimet për ta penguar depërtimin e forcave serbe në Bukosh kishin zgjatur deri më 26 prill. Për çdo ditë kishte pasur luftime të pandërprera, por trimat e legjendarit Adem Jashari, të cilët ishin betuar për ta çliruar Kosovën nga barbaria serbe, nuk jepeshin, ata po rilindnin atje ku nuk e priste forca armike. Epërsi kishin moralin e fortë, luftën për çlirim nga robëria dhe njohjen e terrenit për të bërë taktizime, sulme në befasi kundër bazave të armikut e më pastaj tërheqje të suksesshme.

Për shkak të humbjeve që kishin pësuar në frontet e luftës, forcat masakruese serbe, të cilat në atë kohë kishin depërtuar deri në Llanisht, më 3 maj të vitit 1999, ndanë nga mesi i popullatës 60 veta, të cilët i nisin në drejtim të shkollës së Bukoshit, në ç’vend i vranë dhe i masakruan 25 prej tyre. Masakruesit serbë fillojnë orgjinë e tyre antinjerëzore kundër civilëve të pambrojtur, shumica prej tyre nga fshati Bukosh. Pas torturimeve dhe orgjive çnjerëzore, ata radhisin te muri i shkollës 25 veta dhe që të gjithë i vrasin në mënyrë mizore. Atë ditë janë vrarë, pushkatuar e masakruar: Agron Muça, Arben Kolgeci, Abdullah Llugaxhiu, Azem Llugaxhiu, Bekim Kadolli, Beqir Kadolli, Behxhet Gashi, Haki Muça, Halil Qysaj, Hashim Kurtishaj, Ilaz Basha, Jemin Muça, Mehmet Kadolli, Njazi Sopa, Ragip Muça, Ramiz Kokollari, Salih Gashi, Sokol Gashi, Shaban Elshani, Shemsi Kokollari, Shkurte Gashi, Veli Rudaj, Xhavit Basha, Beqir Kokollari. Ndërsa Hetem Aliaj, Naser Baraliu, Ganimete Sopa, Blerim Krasniqi, Zelfije Sopa dhe Imer Sopa janë vrarë në rrethana të tjera, mirëpo edhe emrat e tyre janë evidentuar në pllakën përkujtimore të fshatit Bukosh.

‘’Më 31 maj 1999, jam parë për herë të fundit me Mentorin, -rikthen në kujtesë kohën kur në rrethana lufte ishte ndarë me të birin, – babai i dëshmorit, Abdullah Krasniqi. kishte një infekcion në qafë nga rrobat e palara, që nuk po i shërohej. Nuk kishte barna dhe fillova të brengosesha pa masë, ndërsa ai sikur nuk i jepte rëndësi fare’’.

Më 1 qershor 1999, forcat serbe kishin bërë përpjekje për të depërtuar në Bukosh. Ato granatojnë në drejtim të Bukoshit me tërë arsenalin e armëve të rënda nga pozicioni i tyre në fshatin Sopi. Më 2 qershor, forca të shumta ushtarake e policore serbe nisen në drejtim të Bukoshit. Mentori ndodhej në grupin prej 16 luftëtarëve të lirisë, të cilët ishin të lodhur, të uritur, të pafjetur dhe të lodhur. Luftëtarët e lirisë ishin pozicionuar në vendin e quajtur Te Gurët e Hutit. Duke luftuar ballë për ballë kundër forcave armike, plumbi i snajperit armik godet për vdekje trupin e Mentor Krasniqit. Edhe pse i plagosur rëndë më ije, kishte arritur të bënte rreth 150 metra tutje, por e kishte lënë fuqia. Ishte goditur për vdekje edhe Rizah Kadolli dhe qenë plagosur disa të tjerë. Bashkëluftëtarët arrijnë që trupin e Mentorit ta tërheqin edhe 200 metra më tej. Në një moment, gjatë tërheqjes, nëpër breshërinë e pandalshme të predhave armike, bashkëluftëtarët konstatojnë se Mentori kishte thithur për herë të fundit ajrin e bërë tym e shkrumb të vendlindjes së tij, të Bukoshit të tij të dashur, në ç’vend kishte lindur dhe tokën e të cilit po e përskuqte me gjakun e tij rinor, në moshën e tij 26 vjeçare. Ai kishte rënë në altarin e lirisë, vetëm 8 ditë para nënshkrimit të kapitullimit të forcave vrastare serbe. Më 4 qershor, bashkëluftëtarët e varrosin në vendin e quajtur Përroni i Qershisë, afër fshatit Bukosh.

Më 18 shtator të vitit 1999, bashkëluftëtarët e anëtarët e familjes, trupun e dëshmorit Mentor Krasniqi e rivarrosin në Varrezat e Dëshmorëve në Therandë, në ç’vend pushojnë në amshueshmëri 89 dëshmorët e kombit të kësaj ane. Përveç Mentor Krasniqit, në fshatin Bukosh kanë rënë dëshmorë edhe: Ismail Bytyçi, Selim Veselaj, Bafti Shala, Fadil Kabashi, Xhemajli Ramaj dhe Rizah Kadolli. Në nderim, përkujtim dhe mos-harrim të përjetshëm të jetës dhe veprës së tyre, në qendër të fshatit është ngritur lapidari, ku janë skalitur emrat e dëshmorëve, në mesin e tyre edhe i Mentor Krasniqit.

Familja e dëshmorit të kombit Mentor Krasniqi, ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Zona e Dytë Operative e Pashtrikut dhe nga instanca të tjera organizative. Për jetën dhe veprën e dëshmorit të kombit Mentor Krasniqi janë botuar shkrime publicistike në shtypin ditor dhe atë periodik.

Kontrolloni gjithashtu

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 - 22.4.1999)

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 – 22.4.1999)

Fshati Mushtisht i komunës së Therandës shtrihet rrëzë Bjeshkëve të Sharrit dhe në luftën e …