Adem Zeqir Ukëhaxhaj (15.4.1964 – 2.6.1999)

Adem Zeqir Ukëhaxhaj (15.4.1964 – 2.6.1999)

Adem Ukëhaxhaj lindi me 15 prill të vitit 1964 në fshatin Carrabreg të Komunës së Deçanit nga prindërit Zeqir dhe Ajnishahe Ukëhaxhaj, te cilët sollën në jetë bijtë e bijat: Ademin, Samiun, Mirjeten, Hikmeten, Aliun, Fitneten dhe Luljeten.
Shkollën fillore e të mesme i kreu, në Deçan, pastaj shkollën e mesme ushtarake e kreu në Sarajevë, me sukses të shkëlqyeshëm.
Në vitin 1982 emërohet rreshter, në Manastir të Maqedonisë ku punoi dy vjet. Pastaj regjistrohet në Akademinë Ushtarake, në Beograd, në degën e Këmbësorisë, të cilën e kreu me afat rekord me notë mesatare 9. 8. Në shtator të vitit 1987 merr gradën e nëntogerit dhe caktohet të punoj në Brçko, një vit më vonë avancohet në Toger ndërsa pas dy vitesh në gradën e Kapitenit.
Në vitin 1985, ashtu sikur edhe disa eprorë të tjerë të Armatës Jugosllave, Ademi paraburgoset në Sarajevë ndërsa gjykimi u bë në Lubjanë. Gjatë gjykimit Ademi u mbrojtë në gjuhën amtare. Falë zgjuarsisë Ademi u lirua nga aktakuza si i pafajshëm dhe vazhdoi punën deri në vitin 1991 kur e lëshoi punën dhe u kthye në Kosovë.
Ademi ka marrë pjesë në demonstrata, protesta dhe shumë aktiviteteve tjera në Deçan, të cilat organizoheshin kundër pushtuesit serb.
Me krismat e para të luftëtarëve të lirisë, në Dukagjin, ai u angazhua në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe emërohet Komandant i fshatit Carrabreg me 25 Maj 1998.
Për herë të parë në fshatin Carrabreg i ka furnizuar UÇK-në, me armatim.
Me vendim të Shtabit të Zonës Operative të Dukagjinit, emërohet komandant i rajonit të Vokshit ku përfshiheshin disa fshatra, të cilat Ademi, si ushtarak me përvojë përcaktonte edhe strategjinë e luftës. Po ashtu ka stërvitur shumë djem të ri nëpër shumë fshatra të Komunës së Deçanit si në Carrabreg, Preljep, Hulaj, Voksh, Baballoq, e vende të tjera, ku ka dhenë kontribut të çmuar.
Ka qenë pjesëtar i Brigadës 134 “Jusuf Gervalla” në Zonën Operative të Dukagjinit. Bashkëluftëtarët e ngushtë të strategut Adem Ukëhaxhaj, ishin Ahmet Krasniqi, Sali Çeku, Saim Tahiraj, Xajë Qelaj, Asim Ukëhaxhaj, Bashkim Ramosaj, Milazim Ukëhaxhaj e shumë të tjerë.
Më 2 qershor të vitit 1998, mori në gjoks plumb snajperi, derisa ndodhej në fshatin e lindjes në Carrabreg, afër shkollës fillore në lagjen e Qorrajve. Në momentin e plagosjes ishte komandant i Zonës së Vokshit dhe Rekës së Keqe. Përkundër përpjekjeve të mjekëve në spitalin ushtarak, në Irzniq, për t ia shpëtuar jetën plumbi gjakatar serb e kishte marr keq, andaj Ademi nuk mbijetoi.
Bashkëluftëtarët e kanë varrosur me 3 qershor të vitit 1998 në fshatin Irzniq, kurse është rivarrosur me 2 qershor të vitit 2000 në fshatin e tij, në Carrabreg.
Ademi pas vete ka lënë gruan Gjylën dhe fëmijët Mirandën, asokohe 9 vjeç, Melindën 6 vjeçe dhe Armendin 3 vjeç. Ai ka qenë i afërt dhe solidar me njerëzit, ishte humanitar, dhe kurdoherë në shërbim të atyre që ia kishin nevojën
Pas rënies i është ngritur përmendorja e përbashkët në fshatin e tij, në Carrabreg bashkë me emrat e dëshmorëve të tjerë të fshatit. Pas rënies është graduar nga gjeneral Ahmet Krasniqi si Komandant i klasit të parë dhe nga ish Presidentja e Kosovës zonja Atifete Jahjaga me titullin “Hero i Kosovës” në vitin 2016.
Ka shumë artikuj nëpër gazeta dhe revista që e kanë përshkruar jetën dhe veprimtarinë e Ademit, një ndër to është libri i Hasan Hasanit “Të pavdekshmit e Dukagjinit”.
Pasioni i Ademit ka qenë leximi, sporti dhe shëtitjet.
Ka shumë këngë dhe poezi që i janë kushtuar Ademit po ashtu Ademi ka poseduar edhe një ditar personal por që fatkeqësisht ka humb pas vdekjes

Kontrolloni gjithashtu

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 - 29.3.1999)

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 – 29.3.1999)

Menjëherë pas 24 marsit të vitit 1999, pas bombardimeve të NAT0-s mbi forcat çetnike serbe, …