Faton Vesel Shabani (5.6.1978 – 2.6.1999)

Faton Vesel Shabani (5.6.1978 – 2.6.1999)

Dëshmori i kombit, Faton Shabani, u lind më 5 qershor të vitit 1978 në fshatin Gërdoc të Besianës. Katër klasat e para tç shkollimit fillor i kreu në shkollën e fshatit të vet të lindjes, kurse katër klasat e ciklit të lartë i kreu në shkollën e fshatit Batllavë. Shkollimin e mesëm e kreu në Besianë, në drejtimin teknik i makinerisë. Më pas u regjistrua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës ku vitin e parë e kreu me nota të larta, por më tej ishte lufta çlirimtare që ia ndërpreu studimet.
Veseli, babai i dëshmorit ishte i martuar me Vahiden nga Shajkovci të cilët patën dhjetë fëmijë, pesë djem e pesë vajza (Ilmiu, Fehmiu, Vehbiu, Kadriu e Fatoni dhe vajzat Remzia, Ajshja, Naimja, Nadirja e Ibadetja). Dëshmori ishte fëmija i nëntë i kësaj familjeje.
Nga familja Shabani, në vitin 1945 në mbrojtje të kufirit janë vrarë: Ibrahim Shabani dhe Rrahman Halili. Ndërkaq në vitet e ‘90-ta të shekullit njëzet, babai i dëshmorit shumë herë është keqtrajtuar nga policia serbe si dhe ka qenë i dënuar me burg politik.
Fatoni, qysh herët përmes Ekremit Bajramit me të cilin ishte shok i ngushtë, bie në kontakt me veprimtarët e organizatës LKÇK-së dhe menjëherë fillon aktivitetin, ku angazhimet e para i pati në shpërndarjen e trakteve me përmbajtje atdhetare që në atë kohë shpërndaheshin kundër okupatorit serb dhe bashkëpunëtorëve të tij. Bashkë me Ekremin dhe me shumë të rinj të tjerë kryen shumë aktivitete atdhetare, posaçërisht në vëzhgimin e terrenit dhe të çdo lëvizjeje që do të mund ta rrezikonte qëndrimin e Agron Rrahmanit në fshatin Gërdoc. Me kalimin e kohës ai fillon të kryejë edhe punë të tjera, si shpërndarjen e trakteve dhe aktivitete të tjera atdhetare. Ishte pjesëmarrës i demonstratave të studentëve të 1 tetorit 1997 që u mbajtën në Prishtinë, por edhe i protestave dhe demonstratave të mëvonshme kundër okupatorit serb.
Kontaktet e para me UÇK-në i mori përmes LKÇK-së dhe më 8 janar 1999 ai shkoi në fshatin Kastrat, ku në njësitin e Xhevdet Fejzullahut ka kryer stërvitjet e nevojshme ushtarake për të vazhduar më tej me aktivitetet ushtarake në fshatin Bradash.
Fillimisht ishteu sistemuar në njësitin e fshatit e lindjes, Gërdoc, ndërsa nga 18 prilli 1999 kalon në njësitin “Kështjella 36 A“, ku komandonin Shefqet Berisha dhe Ismail Mehmeti.
Bashkëluftëtarët më të ngushtë të Fatonit ishin Ekrem Bajrami (dëshmor), Kadri Halili, Hetem Bajrami, Afrim Mulolli, Arsim Bajrami, Gani Asllani, Nysret Berisha, etj.
Nga familja e dëshmorit në UÇK-së ishin të angazhuar edhe disa të rinj të tjerë si i vëllai Kadriu, kushërinjtë Kimet Dibrani, Besim Dibrani, Faik Dibrani etj.
Më 2 qershor derisa bashkë me shokun e tij të pandarë, Ekrem Bajramin, ishin në një mision vëzhgimi të terrenit në fshatin Dyz bien në një zonë të minuar nga pushtuesi serb. Bashkëluftëtarët i kanë varrosur në vendin e rënies, ndërsa në muajin gusht 1999 janë rivarrosur në varrezat e fshatit Dyz, aty ku janë varrosur mbi 40 martirë të luftës, si dhe dëshmori i kombit Mustafë Llapashtica.
Në shënimin e gjashtëvjetorit të rënies, në fshatin Gërdoc është ngritur lapidari i përjetësisë së këtyre dy dëshmorëve, i cili sot ruan kujtimin e veprës së dy dëshmorëve dhe kujton luftën e lavdishme të UÇK –së. Një rrugë e fshatit Gërdoc është emërtuar “Dy dëshmorët”.
Pas luftës për kontributin e dhënë në luftën për liri familja e Faton Shabanit është nderuar me mirënjohje nga SHP i UÇK-së të ZOLL-it, SHFD të Besianës etj. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …