Me thirrjen për t’i dhënë fund vrasjes së grave dhe për të mos lejuar që dhuna të përfundojë në tragjedi, në Prishtinë është mbajtur të martën protestë me moton “Femicidi është urgjencë kombëtare”, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.
Protestuesit, të organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës, janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe kanë marshuar drejt objektit të Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar drejtësi për viktimat, përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për mbrojtjen e jetës së grave.
Mesazhi i protestës ishte i drejtpërdrejtë: vrasja e grave për shkak të gjinisë nuk mund të trajtohet si një rast i zakonshëm kriminal, ndërsa institucionet nuk mund të presin që dhuna të përfundojë me humbje jete për të analizuar dështimet e tyre. Protestuesit kanë shpalosur pankarta me kërkesa dhe kritika, përfshirë edhe reagimin e Policisë ndaj rasteve të dhunës.
Aktivistja Zana Hoxha ka kërkuar që femicidi të njihet si vepër e veçantë penale në Kodin Penal të Kosovës. Sipas saj, kur një grua vritet për shkak të gjinisë së saj, edhe ligji duhet ta emërtojë qartë këtë krim, ndërsa hetimet duhet të përfshijnë të gjitha rrethanat dhe format e dhunës që i kanë paraprirë vrasjes.
“Kur një grua vritet për shkak të gjinisë së saj, ligji duhet me emërtuar atë vrasje si femicid. E hetimi duhet me u kthyer te krejt çka i ka paraprirë asaj vrasjeje”, deklaroi Hoxha.
Një thirrje të veçantë për llogaridhënie e bëri edhe Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës, duke iu referuar vrasjes së Arlinda Zekajt. Ajo kërkoi përgjigje institucionale për mundësitë e ndërhyrjes që mund të kenë ekzistuar para vrasjes dhe për veprimet që janë ndërmarrë ose nuk janë ndërmarrë për mbrojtjen e jetës së saj.
“Nuk duhet të presim deri në vrasjen e një gruaje për të analizuar se ku ka dështuar sistemi. Institucionet duhet të veprojnë që në raportimin e parë të dhunës, t’i marrin seriozisht kërcënimet, ta vlerësojnë rrezikun dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e saj”, tha Breznica.
Protesta e 25 nëntorit nuk ishte vetëm një thirrje për ndryshime ligjore, por edhe një kërkesë për përgjegjësi konkrete nga institucionet që kanë për detyrë të mbrojnë jetën e qytetarëve. Njohja e femicidit në ligj, hetimi i plotë i rasteve të dhunës dhe reagimi në kohë ndaj kërcënimeve ishin kërkesat kryesore të protestuesve.
Sepse asnjë grua nuk duhet ta humbë jetën pasi institucionet të kenë pasur mundësi ta mbrojnë. Dhe asnjë vrasje nuk duhet të mbetet pa u hetuar deri në fund, me të gjitha përgjegjësitë që e paraprijnë atë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
