Raportimi i ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike është shoqëruar me përplasje verbale mes deputetit të Vetëvendosjes, Jeton Raka, dhe deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani. Debati nisi kur Rrahmani kritikoi ministren për vonesën në paraqitjen para komisionit, duke e lidhur këtë me, siç tha, vonesat e vazhdueshme në realizimin e projekteve dhe investimeve në sektorin e energjisë. “Natyrisht, ministrja me vonesë vjen në komision, ashtu qysh është e vonume në secilin projekt edhe që e ka vonu Kosovën, e ka pru në terr energjetik. T’u u vonu në investime në KEK, në marrjen e secilit hap”, deklaroi Rrahmani. Deklaratat e tij nxitën reagimin e deputetit të VV-së, Jeton Raka, i cili ndërhyri duke i kërkuar Rrahmanit që të përqendrohej në temën për të cilën ishte thirrur ministrja në komision. Ndërhyrja e Rakës e tensionoi diskutimin, duke pasuar me replika mes dy deputetëve. Rrahmani vazhdoi kritikat, duke ngritur edhe çështjen e shpenzimeve dhe realizimit të investimeve kapitale. Përplasja politike e zhvendosi vëmendjen nga raportimi i ministres drejt debatit ndërmjet deputetëve, ndërsa kritikat ndaj vonesave në investimet energjetike mbetën në qendër të diskutimit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
