Petrit Malaj në prag të 28 Nëntorit: Kosova dhe Shqipëria kanë histori të përbashkët, por edhe një vizion për të ardhmen

Në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka përcjellë mesazhe të bashkimit kombëtar, kujtesës historike dhe përgjegjësisë për të ardhmen e përbashkët të shqiptarëve. Në pritjen festive të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë, Malaj ka theksuar se 28 Nëntori dhe 29 Nëntori përfaqësojnë dy momente të rëndësishme të historisë shqiptare, të lidhura me shpalljen e Pavarësisë dhe çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë. Duke kujtuar shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, ambasadori theksoi se në atë ngjarje historike ishte e pranishme edhe Kosova, duke dëshmuar se aspirata për liri dhe shtetësi shqiptare ishte përtej kufijve krahinorë. “114 vjet më parë, në Vlorë, Ismail Qemali dhe burrat e Rilindjes Kombëtare ngritën flamurin kuq e zi duke i dhënë jetë një aspirate shekullore. Në atë akt historik, ishte e pranishme edhe Kosova, si dëshmi e gjallë se ideali i lirisë dhe i shtetësisë shqiptare nuk njihte kufij krahinorë”, deklaroi Malaj. Ai vlerësoi Prishtinën si vendin më kuptimplotë për kremtimin e kësaj feste jashtë Shqipërisë, duke nënvizuar se historia shqiptare në Kosovë nuk ruhet vetëm në libra, por jeton në kujtesën e familjeve, në institucionet shtetërore, në kulturë dhe në përditshmërinë e qytetarëve. Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, Malaj ritheksoi se Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në konsolidimin e shtetësisë, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe integrimin në institucionet euroatlantike. “Shqipëria e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në konsolidimin e shtetësisë, në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe në aspiratën për integrim të plotë në institucionet euroatlantike. Kjo mbështetje për ne nuk është thjesht një qëndrim politik, por një bindje strategjike e bazuar në interesin e përbashkët kombëtar”, theksoi ambasadori. Në këtë pritje festive, Malaj ka shprehur edhe mirënjohjen e tij për Kosovën, teksa ndodhet në përfundim të misionit diplomatik në Prishtinë. Ai tha se largohet me miqësi, respekt dhe kujtime të çmuara, duke falënderuar drejtuesit e institucioneve të Kosovës, trupin diplomatik, përfaqësuesit e jetës akademike, kulturore, ekonomike dhe shoqërisë civile. Mesazhi i ambasadorit në prag të festës së Flamurit rikthen në vëmendje rrënjët e përbashkëta historike, sakrificën e brezave për liri dhe përgjegjësinë që Kosova dhe Shqipëria të ndërtojnë së bashku një të ardhme më të sigurt, më të zhvilluar dhe me perspektivë të qartë euroatlantike.

Kontrolloni gjithashtu

Arian Tahiri: Drafti i parë i ndryshimeve ligjore për Gjykatën Speciale është përgatitur, finalizimi pritet në dhjetor

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka bërë të ditur …